Tatimet sqarojnë masat e marra për mbledhjen e rreth 880 milion euro borxhe

Edona Llukacaj

Sipas të dhënave të raportuara në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin faktik të vitit 2018, bizneset i kanë borxh tatimeve një shumë prej rreth 107.7 miliardë lekë, (rreth 880 milionë euro).

Mes tyre, 43% e borxhit i detyrohet shtetit nga kompani me status aktiv, ndërsa 57% e tij nga subjekte që nuk kanë më aktivitet.

Drejtoresha e tatimeve, Delina Ibrahimaj, bëri publik planin e institucionit që drejton  për mblidhjen e këtyre detyrime.

Ibraimaj shprehet se “Ata janë borxhe që nuk janë krijuar muaj për muaj, por kanë dalë në pah si rezultat i kontrolleve tatimore. Në momentin që borxhi është shumë i lartë dhe është gjetur nga kontrolli, administrata tatimore ka marrë masa shtrënguese deri në konfiskimin e aseteve. Është vështirë të kryhen gjithë proceset e ankandit për të marrë mbrapsht para dhe për të mbyllur borxhin tatimor. Pra, për të gjithë ata subjekte, të cilat janë me borxh të lartë, të cilat shfrytëzojnë pasuri natyrore, janë marrë masat e konfiskimit të aseteve të tyre aty ku ka pasur asete për të konfiskuar. Nga ana jonë, ne kemi marrë të gjitha masat shtrënguese për të mbledhur borxhin e keq, por ka dhe disa limitime. Aty ku nuk ka asete, ne kemi marrë masa për bllokimin e llogarive, si për subjektet dhe për administratorët e subjekteve, aty ku ka asete, kemi barra siguruese”.

Të dhëna të tjera të tatimeve bëjnë të ditur se debitori më i madh është rafineria e naftës ARMO, dhe kompanitë e lidhura me të, me një total prej 126 milionë euro, ose  sa 14% e borxhit tatimor që kanë të gjitha bizneset. Debitori i dytë më i madh është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHHE), me një borxh prej 6.2 miliardë lekësh.

Në vijim, Ibrahimaj sqaron se skemat e mëdha të evazionit fiskal me TVSH-në janë kryesisht në fushën e ndërtimit.

“Ne po bëjmë një analizë të atyre subjekteve që kanë rezultuar evazorë dhe të gjithë këto subjekte deklarojnë xhiro dhe nuk kanë të punësuar. Ne kemi evidentuar në fushën e ndërtimit një numër të lartë subjektesh, 1484 subjekte, që rezultojë me një të punësuar. Të gjithë këta do të kontrollohen dhe do të analizohen, me qëllim që ne të arrijmë të kapim evazionin, pa përfunduar proceset e ndërtimit, pa arritur dosjet në hetim apo prokurori. Gjithashtu, po analizojmë në bashkëpunim me bashkitë, procesin e fillimit të punimeve, pasi administrata nuk sinjalizohet për nisjen e punimeve. Ne mund të marrim informacion për lejet e ndërtimit, por nuk sinjalizohemi për ndërtimin dhe kemi në plan që, gjatë vitit të ardhshëm, për të gjithë punimet që do të nisin, ne do të njoftohemi nga bashkitë dhe do të shkojmë të shohim subjektet 6 muaj pas fillimit të ndërtimit që t’i kapim që në fillim,” theksoi Ibrahimaj.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e borxhit është rrjedhojë e institucioneve publike që nuk paguajnë sigurimet.

Ibrahimaj sqaroi: “Institucionet publike të penalizuara janë të shumta dhe mospgaesa e detyrimeve ndodh gjatë gjithë kohës. Ka institucione që detyrimet i kanë shumë të larta. Kemi marrëveshje për shlyerje me këste për tatimpaguesit. Është mundësia që si institucionet, edhe bizneset, të shlyejnë me këste detyrime të ndryshme, por jo sigurimet. Kemi evidentuar një numër të lartë institucionesh publike, që kanë pasur detyrime të larta sigurimesh të papaguara, por nga muaji shtator, ministria e financave, në zbatim të një udhëzimi, ka vendosur rregullin që çdo institucion shtetëror nuk do të paguajë pagat, pa paguar sigurimet, me qëllim që kjo dukuri të ndalë. Kjo është masa që kemi marrë, e cila ka dhënë efektin e vet, ku asnjë pagesë page nuk kalon në Thesar, pa paguar kontributet”./ monitor

e.ll./dita

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *