Ymer Minxhozi
Në imagjinatën time po kristalizohet gjithnjë e më qartë ideja se formimi i qeverive të reja apo zgjidhja e krizave qeveritare- një problem i përhershëm dhe i ndërlikuar gjatë gjithë shekullit që sapo mbaroi- aty nga fundi i shekullit XXI do të mund të mekanizohet për mrekulli si edhe shumë probleme të tjera të jetës së përditshme. Unë kam bindjen se pasardhësit tanë do ta zgjidhin këtë detyrë në mënyrë të përsosur, me ndihmën e robotëve. Përderisa robotët kanë arritur që tani të krasisin edhe degët e thata të pemëve, përse të mos jenë në gjendje të formojnë edhe qeveri të reja, sipas dëshirës sonë?
Nisur nga kjo bindje unë marr guximin të parashikoj se në vitin 2081 , kur mbi vendin tonë do të bëhet edhe eklipsi i radhës i Diellit, ndërrimi i qeverive do të bëhet me mënyrat e mëposhtme:
Trusti Kombëtar, që merret me heqjen dhe vënien e qeverive, dërgon përfaqësuesin e vet te Shoqëria Shumëkombëshe e Prodhimit të Robotëve (SHSHPR) me qendër në Strasburg, në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër të globit dhe i kërkon aq kryeministra dhe ministra, sa i duhen për të formuar një qeveri.
Në Supermarketin Universal ku tregtohen kryeministrat dhe ministrat- Robotë, zhvillohet kjo bisedë;
– Sa kryeministra ju duhen?
– Tani për tani vetëm një.
– Pse vetëm një?
– Sepse tani për tani vetëm një qeveri do të formojmë.
– Ne ju këshillojmë të punoni me perspektivë. Po t’i merrni me shumicë, ua japim me çmime më të ulta. Merrni një duzinë kryeministrash dhe dhjetë duzina ministrash. Me siguri do t’ju duhen. Asnjë vend s’mund të jetojë për një kohë të gjatë vetëm me një qeveri. Ne i prodhojmë kryeministrat bashkë me programet përkatëse qeveritare. Mos humbisni rastin. Robotët tanë janë të prodhimit më të fundit dhe çmimet i kemi konkurruese.
– Po të marrim shumë kryeministra, ne s’kemi ku t’i strehojmë. Secili kërkon një vilë më vete, vetura, bodigardë…
– Jo, jo, kryeministrat e prodhuar nga ne nuk kërkojnë as vila, as makina luksoze, as bodigardë.
Mjafton një qoshe pa lagështirë, pranë sallës së parlamentit dhe pastaj i hiqni apo i vini sa herë t’ju paraqitet nevoja. Veç kësaj ata hanë me karar, madje me një dietë modeste të përcaktuar me rreptësi shkencore. Kështu ju s’do të keni probleme as me opozitën dhe askush s’do të mund t’ju thotë “hani derra, pini derra”, sepse ata s’do të kenë asnjë lidhje me derrat apo me dosat.
– Po ne duam qeveri koalicioni, jo qeveri njëngjyrëshe, si robotët tuaj.
– Këtë ne e kemi gjithmonë parasysh. Krijesat tona shquhen jo vetëm për disiplinë të lartë, por edhe për ndjeshmëri ndaj ngjyrave. Ata janë krejtësisht pluralistë. Secilit i japim ngjyrën e partisë ku bën pjesë. E dëshironi qeverinë me ngjyrë rozë, me ngjyrë blu apo të murrme, të verdhë apo krejt të zezë, jeshile, gri apo bjonde? Sipas dëshirës dhe gjithçka bëhet me komandë elektronike. Në qoftë se dëshironi të krijoni një qeveri të qendrës së djathtë, mjafton të shtohet pakëz ngjyra e zezë (natyrisht në përmasa te’ arsyeshme). Nëse dëshironi qeveri të qendrës së majtë, me një anim fare të vogël nga e djathta, atëherë është e qartë se do të duhet të shtohet ngjyra e verdhë. Me pak fjalë, sipas leverdisë. Dëshironi të keni një parlament me fraksione? Punë e kryer. Ju kalojmë një ngjyrë jeshile dy- tre deputetëve apo ministrave, si dhe një ngjyrë gri dy- tre të tjerëve dhe fraksionet janë gati. Ju vetëm do të na tregoni ngjyrën e fraksionit që ju duhet. Me siguri, në parlamentin tuaj ju dëshironi të keni edhe deputetë të pavarur apo fare pak të varur. Edhe këtë kërkesë ne jemi në gjendje ta plotësojmë, sipas dëshirës suaj. Mjafton t’u japim robotëve ngjyrën e zebrës dhe asnjeri s’do të jetë në gjendje të dalloje se nga anon deputeti i
pavarur, sepse askush nuk mund të përcaktojë se cila ngjyrë dominon tek zebra: E bardha apo e zeza?
– Të njëjtin çmim kanë të gjitha ngjyrat?
– Po, të njëjtin. Përjashtim bën vetëm kryeministri apo ministrat që janë me mjekër. Roboti me mjekër kushton pesë për qind më shumë se roboti pa mjekër. Këtu merren parasysh shpenzimet për mirëmbajtjen e mjekrës, sepse mund të ketë prej atyre që mjekrën e duan me brazda. Megjithatë, po t’ merrni me shumicë, edhe për Robotët me Mjekra mund të bëjmë një ulje.
– Ne na duhet qeveri pa korrupsion, me funksionarë të papërlyer, me duar të pastra, si i thonë. Nuk i durojmë dot gazetat.
– Kjo çështje është e zgjidhur një herë e mirë nga trusti ynë. Ne prodhojmë të gjitha llojet e funksionarëve; me ryshfet, pa ryshfet, me transparencë ose me errësim, sipas nevojës. Ne i shesim ata bashkë me telekomandën në distancë. Ne prodhojmë drejtorë doganash e shefa policie me zemër krejt transparente si letra kalk. Nëpunës e policë që s’dinë se ç’është, kontrabanda. Kemi gjykatës e avokatë që s’marrin erë fare nga bie ryshfeti e që kurrë s’kanë prekur pare me
dorë.
– Kjo do të thotë se s’do të kemi as ndërtime pa leje?
– Në asnjë mënyrë. Kryetari i Bashkisë apo shefi i urbanistikës, i prodhuar në trustin tonë, s’di të shitet as të blihet, ai di vetëm ligjin, ai nuk e njeh zarfin nën dorë e mbi dorë, zemra dhe mendja e tij s’njohin as kioska, as troje. Zemra dhe mendja e tyre është e mbjellur me gjelbërim-lulishte, parqe për fëmijë, stola për të moshuarit, pastërti rrugësh e oborresh. Zemra e funksionarit të prodhuar në trustin tonë është e pastër si rëra e kristaltë e plazheve buzë Adriatikut, ajo s’ka as gropa, as puseta të hapura apo tubacione të çara.
– Domethënë, firma juaj do të na shpëtojë njëherë e mirë nga të gjitha fatkeqësitë që na kanë pllakosur?
– Pa asnjë dyshim. Robotë, zotërinj, blini Robotë me duar e zemër të pastër, se vetëm ata janë shpëtimi juaj.
– Po sikur një ditë prej ditësh edhe zemra e robotëve tuaj, ashtu si shumë zemra të tjera, të fillojë të errësohet?
– Edhe kjo është krejt e zgjidhur. Robotët tanë nuk janë si ata kryetarët e partisë që ngulen e s’shkulen më. Ne, sapo të fillojnë të errësohen, i zëvendësojmë me robotë të tjerë. Sipas disa shpikjeve më të fundit të projektuesve tanë, së shpejti do të futim në prodhim robotë- qeverisës pa zemër, bile edhe pa duar. Në vend të zemrës ata do të kenë një kuti boshe, kështu që s’ka asnjë mundësi që zemra e tyre të preket nga rushfeti. Robotë të tillë do të punojnë, sidomos, në dhënien e drejtësisë.
– Ne na duhet edhe opozitë dhe…
– Vetëkuptohet, s’ka nevojë për shpjegime… OSBE e ku ta di unë. Shkenca e robotëve i parashikon të gjitha. Si është e mundur të prodhohen vetëm parti qeveritare? Opozitën ne e vëmë në krye të punës sonë. Ne kemi Robotë- Opozitarë me fytyra të ngrysura që ulërijnë gjithë kohën nëpër rrugë, në pazar, në sheshe publike e ku t’u vijë për mbarë. Në çdo mbledhje a konferencë
shtypi ata mund të kërkojnë zgjedhje të reja, heqjen e kryeministrit, braktisjen e parlamentit, ose grinden midis tyre, ata zotërojnë deri në perfeksion të gjithë fjalorin sharës e kërcënues, madje ata dinë të godasin edhe me grushta jo vetëm tavolinat, por edhe kundërshtarin në bangon përkarshi, bile aq fort saqë në këto raste është mirë të mos ju ndodhesh pranë. Ju sigurisht keni edhe polici, apo jo?
– Policinë e kemi të përgatitur vetëm për ndeshjet me qëniet e gjalla, ndërsa me krijesa metalike…
– Atëhere merrni një çelës trefazor. Ndërsa rrini në verandën e vilës personale, në një vend klimaterik diku në një vend fqinj, kryeministrat, bashkë me ministrat e tyre apo edhe opozitarët do t’u binden me përpikëri lëvizjeve të gishtërinjve tuaj.
– Shpesh herë lind nevoja për të krijuar parti të reja apo shoqata jo qeveritare e grupime Sindikale. Mund të na ndihmoni në këtë drejtim?
– O, ne kemi firma të posaçme që merren me plotësimin e kërkesave të kësaj natyre. E pse të rrekesh për të mbledhur nënshkrime për peticione e referendume, kur mund të marrësh me qira të
përkohshme një mijë robotë, tamam sa të duhen për të krijuar partinë e re politike, apo disa Sindikata? Ndonjëherë të duhen vetëm pesëdhjetë apo njëqind vota për të fituar ndaj partisë kundërshtare. Pritni një faturë në sportelet tona dhe fitoren e keni në xhep… Madje ne
prodhojmë edhe fushata elektorale plotësisht të mekanizuara. Programet elektorale të partive të ndryshme ne i kemi të gatshme, të rregjistruara e të kompjuterizuara me zë e me figurë, po me atë lehtësi që porositet një aneks kuzhine. Ne kemi programe standart ose të ngjyrosura, sipas ngjyrave të partisë. Kandidati për deputet ose president s’ka nevojë të shkojë në takime me zgjedhësit, ai do të dërgojë atje programin e tij të regjistruar nga ne, ndërsa vetë mund të shkojë me pushime ose të merret me biznes. Edhe në Parlament mund të mos shkohet. Edhe atje mund
të dërgohet njeriu yt i besueshëm, si për shembull vjehrri ose baxhanaku… robot, sigurisht.
Kur ia tregova një mikut tim këto projekte të së ardhmes, më tha:
– Domethënë ti parashikon se në vitin 2081 nuk do të ketë nevojë për politikanë- qënie të gjalla?
– Po, unë jam i bindur për këtë.
– As anti mitingje e konferenca shtypi nuk do të ketë?
– Edhe ato do të zëvendësohen me Robotë.
– Domethënë, ti beson seriozisht se në vitin 2081…
– Pa asnjë dyshim. Atë vit unë do të festoj edhe 151 vjetorin e ditëlindjes sime. Shqipëria do të jetë e mbuluar e gjitha me panele diellore, drita elektrike do të llamburije në të katër anët dhe tecet e hidrocentralet do të jenë harruar përgjithmonë.
– Po ti thua se dielli do të zihet!
– Sapo të zihet dielli (se, mund të qëllojë të ketë edhe natë) do të hyjnë në punë mullinjtë e erës. Në të gjitha qafat e maleve do të ketë mullinj me vela dhe elika gjigande që vihen në lëvizje nga era. Sapo të lëvizin fletët, vihen në lëvizje edhe gjeneratorët.
– Domethënë ditën do të përdorim diellin dhe natën erën. Po qeveria, me se do të punojë: me diell apo me erë?
– Unë ta shpjegova: qeveria dhe parlamentarët do të përbëhen nga robotë dhe në kokën e secilit robot-qeverisës do të vendosen nga dy bateri të karikuara me erë. Dhe çdo gjë ecën për mrekulli.
Miku im m’i nguli sytë dhe pastaj më tha:
– Ah, sikur të vdisja tani dhe të ringjallesha në atë vitin tënd të mrekullive, 2081!
