Diabeti shfaqet në tre forma të ndryshme. Në gjuhën mjekësore kjo sëmundje mund të shfaqet në tre forma që njihen si diabeti tip1, diabeti tip 2 dhe diabeti gjatë shtaznaisë. Në varësi të këtyre përcaktimeve udhëzohet edhe trajtimi që duhet ndjekur për të mbajtur nën kontroll këtë sëmundje, e cila nëse ka kaluar në stad kronik është vështirë që të kurohet plotësisht. Megjithatë me pak kujdes mund të mbahet nën kontroll dhe të bëhet një jetesë e shëndetshme. Sa i takon formave të shfaqjes, specialistët e shëndetit publik sqarojnë se “Diabeti tip 1”, haset në rreth 10-15 për qind të sëmurëve. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me këtë lloja diabeti, nuk mund të jetojnë pa insulinë ,ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës.
“Diabeti tip 1” takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur,shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat. “Diabeti tip 2”, është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. “Diabeti tip 2” shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obezë. Ky lloj diabeti përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “zhbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë,si mbipesha, obeziteti. Gjithashtu diabeti kërcënon edhe gratë shtatzana. Diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë ndodh në 2%-5% të grave shtatzana dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm, por kërkon një mbikëqyrje mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20-50 për qind e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik. Kujdesi në dietën ushqimore, ndjekja e aktiviteteve fizike sipas rekomandimeve të mjekut, po ashtu edhe kontrolli i vazhdueshëm tek mjeku specialist janë ndër këshillat bazë që nuk duhen neglizhuar për të mbajtur nën kontroll komplikacionet e rënduara që mund të vijnë nga sëmundja e diabetit.
Diabeti mund të prekë çdo njeri
Specialistët e shëndetit publik deklarojnë se ajo që shfaqet si më shqetësuese është fakti se në pjesën dërrmuese të rasteve sëmundja neglizhohet, pasi mungojnë simptomat dalluese që në stadet e para të saj. Konkretisht në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: “Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës, moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak,mungesa e aktivitetit fizik,ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale,etj”.

jane te verteta