Trump e cilëson si sukses vendimin për Sirinë dhe njofton heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë

Edona Llukacaj

Presidenti Donald  Trump njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të heqin sanksionet ndaj Turqisë, duke thënë se qeveria turke ka informuar Shtëpinë e Bardhë se ajo do t’i përmbahet asaj që ai e karakterizoi si një armëpushim “të përhershëm” përgjatë kufirit me Sirinë.

Administrata Trump kishte bërë publike sanksionet më 14 tetor, pas fillimit të ofensivës ushtarake turke kundër forcave të drejtuara nga kurdët në veri të Sirisë. Kjo ofensivë pasoi njoftimin e Trump se ai do të tërhiqte trupat e SHBA nga Siria, një vendim që solli kritika të ashpra, nga të dy kahet politike.

Presidenti Trump e quajti armëpushimin “të përhershëm”, por shtoi se është “e diskutueshme” nëse kjo fjalë duhet të përdoret në lidhje me rajonin. Ai vijoi duke shpjeguar se sanksionet ndaj Turqisë do të hiqen ” nëse nuk ndodh diçka me të cilën ne nuk jemi të kënaqur. ”

“Le të luftojë tjetërkush mbi këtë tokë të larë me gjak” tha Trump.

Një ditë më parë, Rusia dhe Turqia ranë dakord për një plan për të shtyrë luftëtarët kurdë në Siri nga territori në jug të kufirit të Turqisë, duke ‘çimentuar’ rolin kryesor të presidentit rus Vladimir Putin në Siri, pasi trupat e SHBA janë larguar dhe ndikimi i Amerikës duket se ka rënë.

Marrëveshja do ia lërë kontrollin e territorit të mbajtur më parë nga forcat kurde dikur aleate me Shtetet e Bashkuara,Turqisë dhe Rusisë.

Trump është kritikuar ashpër nga anëtarët e të dy partive lidhur me vendimin e tij në fillim të këtij muaji për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria verilindore, teksa shumë u shprehën se Trump i dha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ‘dritën e gjelbër’ për të filluar ofensivën ushtarake kundër kurdëve të Sirisë.

Por përmes një postimi në Twitter, të mërkurën në mëngjes, Trump shpalli se situata në kufirin Turqi-Siri ishte një “sukses i madh”.

“Zona e sigurt u krijua!”, tha Trump. “Armëpushimi është respektuar dhe misionet luftarake kanë përfunduar. Kurdët janë të sigurt dhe kanë bashkëpunuar shumë mirë me ne. Të burgosurit e ISIS janë të siguruar ”.

Ndonëse Trump deklaroi se situata  në Siri është një sukses, sekretari amerikan i mbrojtjes Mark T. Esper është në kryeqytetin e Irakut për të diskutuar për rizhvendosjen e qindra trupave amerikane, pasi ushtria e Irakut njoftoi se nuk ishte dakort me praninë e shtuar të  forcave amerikane në vend, raporton Dıta, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *