Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të largohen përfundimisht nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Ai e ka bërë këtë njoftim në një konferencë mbi energjinë në Pitsburg.
Trump e ka cilësuar marrëveshjen si “të keqe” duke theksuar se politikat e tij pro-karburanteve i kanë kthyer Shtetet e Bashkuara në superfuqi.
Procedurat e largimit të SHBA nga kjo marrëveshje priten të fillojnë pas 4 nëntori.
Ndërsa largimi faktual do të fillojë të zbatohet një vit më vonë, përkatësisht një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2020.
Marrëveshja e Parisit për Klimën është firmosur nga 195 kombe të cilët janë bashkuar në betejën kundër ndryshimeve klimatike.
Sipas marrëveshjes, SHBA-ja është përkushtuar për të ulur nivelin e gazrave me efekt sere në 28% deri në 2025.
Presidenti Trump ka thënë se nuk ka arritur të përmirësojë marrëveshjen, e kushtet e saj për SHBA, ndonëse, sipas burimeve diplomatike, ai nuk ka tentuar rinegocim.
Ndërkohë presidenti Trump ka premtuar se do ta kthejë SHBA-në në superfuqi të energjisë, prandaj është duke u përpjekur të shfuqizojë një varg legjislacionesh për ndotjen, në mënyrë që të ulë shpenzimet për prodhimin e gazit, naftës dhe karbureve.
Ai ka konsideruar planet e ish-presidentit amerikan, Barack Obama për mbrojtjen e ambientit, si ‘luftë’ ndaj prodhimit të energjisë së SHBA-së.
e.ll./dita
