“Vëllai i madh” dërgon sistemin raketor S-400 në Serbi

Edona Llukacaj

Ndonëse ka shprehur aspirata për t’u anëtarësuar në BE, Serbia i ruan lidhjet e ngushta me Rusinë. Dy sisteme moderne të mbrojtjes nga ajri, që do të përdoren për një manovër të përbashkët luftarake në Ballkan, janë dërguar nga Rusia në Serbi.

Bëhet fjalë për sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 dhe raketat e lëvizshme për mbrojtjen nga ajri të tipit  Panzir.

Sipas njoftimit të ministrisë ruse të Mbrojtjes, këto sisteme vihen në provë për herë të parë gjatë një manovre jashtë Rusisë. Sistemet pritet të instalohen në bazën ushtarake Batajnica në afërsi të Beogradit.

Ushtarët rusë dhe serbë deri më 29 tetor kanë zhvilluar manovra të përbashkëta stërvitore në Ballkan. Ky është vazhdimi i një stërvitjeje me emërtimin “Tabela mbrojtëse sllave-2019”, që nisi në shtator në rajonin jugor të Rusisë Astrachan.

Në këtë manovër do të simulohen aksionet e një grupi të përbashkët luftarak për mbrojtjen kundër masave armiqësore të zbulimit dhe ofensivës, sipas deklaratave të ministrisë serbe të mbrojtjes. Ushtria serbe bazohet në një teknologji armatimesh sovjetike.

Vitet e shkuara këtij arsenali i janë shtuar edhe avionë luftarakë MiG-29 si dhe helikopterë, tanke e automjete të blinduara nga Rusia.

Ndonëse Serbia përpiqet për antarësimin në BE, ajo vazhdon t’i ruajë marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta me Rusinë, që e konsideron si “vëllain e madh ortodoks”.

Për Moskën, Serbia është aleati më i rëndësishëm në Ballkan. Ndër të tjera, edhe për çështjen e Kosovës qeveria në Beograd mbështetet tek Rusia.

Dy sistemet e armatimit S-400 dhe Panzir, të mbërritura në Ballkan, Rusia i ka përdorur edhe në luftën e Sirisë.

Së fundi Turqia, anëtare e NATO-s, e bleu sistemin e mbrojtjes nga ajri S-400 duke ngjallur kritikë të ashpër në aleancë, pasi këto lloj blerjesh nuk janë parashikuar në statutet e aleancës.

Pavarësisht kritikave, Ankaraja, sipas të dhënave të Moskës, po negocion për blerjen e sistemeve të reja të armatimeve nga Rusia. /DW

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *