Zgjedhjet lokale në SHBA

anazapta

Të martën e parë të nëntorit, sipas zakonit të vjetër, në Shtetet e Bashkuara u mbajtën zgjedhje të rëndësishme lokale. Rezultatet më domethënëse ishin parashikuar: në Nju Jork, Bill de Blasio u zgjodh me një mazhorancë të dukshme votash, duke u bërë kështu i pari kryetar bashkie i zgjedhur nga demokratët pas 20 vitesh. Në Nju Xhersi, i moderuari Kris Kristi ka arritur një fitore të lehtë, duke u konfirmuar si politikani republikan më i mirë për presidencialet e 2016-s.

Nju Jork

Bill de Blasio do të jetë demokrati i parë që nga viti 1993 i cili do të drejtojë bashkinë e Nju Jorkut. Ai arriti të merrte 73.6% të votave përkundër 24% të sfiduesit të tij republikan, Joe Lhota. De Blasio do të pasojë Majkëll Blumberg, ish-republikanin i cili u kthye në të pavarur e që ka drejtuar Nju Jorkun për tri mandate. Në këto zgjedhje vendosi të mos mbështesë asnjë kandidat.

52-vjeçari De Blasio deri më sot ka mbajtur detyrën e Avokatit të Popullit në Nju Jork dhe konsiderohej si kandidati më i majtë mes demokratëve: në fushatë këmbënguli mbi faktin që Nju Jorku është një qytet i ndarë në mes të pasurve dhe të varfërve dhe se ai do ta ndryshonte këtë situatë. Mbrojti sistemin shkollor publik dhe propozoi taksa të reja për të pasurit në mënyrë që të financohen azilet.

Ai ka një familje që bie në sy për larminë e saj, e që e “përdori” gjatë fushatës elektorale për të afruar një elektorat heterogjen: bashkëshortja e tij është me ngjyrë, biseksuale, poete dhe aktiviste politike; fëmijët e tij Kiara e Dante kanë një stil të pazakontë veshjeje; vetë De Blasio ka origjinë italiane nga gjyshërit e tij.

Nju Xhersi

Republikani Kris Kristi, arriti të rizgjidhej si guvernator me 60.5% të voatve duke mposhtur demokraten Barbara Buono, e cila u ndal në 38% të votave. Edhe ky një rezultat i pritshëm por shumë domethënës. Kristi është një republikan atipik, pragmatik dhe jo ideologjik, konsiderohet si një i moderuar: në disa rrethana ka mbrojtur Obamën dhe është i aftë të tërheqë votën e të pavarurve, madje edhe të disa demokratëve.

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, republikanët u lodhën shumë për të marrë votat e grave dhe minoriteteve etnike. Por Kristi në këto zgjedhje mori votat e mazhorancës së grave, ndërsa një në pesë të zinj votuan për të (për republikanët ky është një rekord). Ai mori gjithashtu gjysmën e votave të latinoamerikanëve e madje edhe 1/3 e votave të atyre që e cilësojnë veten demokratë.

Virxhinia

Kandidati demokrat Terri Mek Alfi u zgjodh guvernator i Virxhinas me 48% të votave, kundër 45.5% që mori republikani Kevin Kuçineli. Mek Alfi është shprehur në favour të kufizimeve mbi armët në SHBA, pro martesave gei dhe lirisë së zgjedhjes mbi abortin. Ai ka fituar në një shtet të konsideruar deri pak vite më parë si një fortesë e republikanëve. Mek Alfi është gjithashtu një “superklintonian”, ka qenë bashkëpuntor i ngushtë i Bill dhe Hilari Klinton dhe fitorja e tij shihet si një sinjal pozitiv në ambientet politike që punojnë për kandidaturën e Hilarit për zgjedhjet presidenciale për vitin 2016.

Detroit

Mike Dugan u zgjodh si kryebashkiaku i parë i bardhë pas 40-vjetësh në Detroit, qytet në të cilin 83% e popullsisë është me ngjyrë. Dugan demokrat mposhti me 10 pikë në përqindje rivalin e tij Beni Napoleon. Detroiti është në vështirësi të mëdha financiare dhe këtë verë deklaroi falimentimin.

Alabama

Një nga zgjedhjet më interesante të këtij turneu u zhvillua e gjitha brenda partisë republikane në Alabama. U votua për të zgjedhur kandidatin që do të zëvendësojë kongresmenin Xho Boner, në detyrë që prej vitit 1965, i cili ka dalë në pension. Kandidati i republikanëve më 17 dhjetor do të sfidojë demokratin Burton LeFlore. Fituesi doli Bredli Biorni dhe avantazhi i tij në këto zgjedhje ishte i tillë, sa shumë besojnë se e ka paravendosur që tani rezultatin e zgjedhjeve me demokratët./D.Gjuzi

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *