Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të zhvillojnë një mbledhj dy ditore në Bruksel për të diskutuar sigurinë ndërkombëtare, në përgatitje të takimit të aleatëve në Londër në dhjetor.
Fokus të veçantë pritet të ketë çështja e ofensivës së Turqisë në verilindje të Sirisë, sidomos pas deklaratave të Sekretarit amerikan të mbrojtjes, Mark Esper, para fillimit të takimit pasditen e së enjtes.
Esper u shpreh se operacioni i Turqisë në verilindje të Sirisë ka qenë “i pajustifikueshëm”.
Ofensiva e Turqisë, që është pjesë e NATO-s, ka nxitur kritika nga shumë aleatë, pas shqetësimeve se mund të përcaktojë stabilitetin rajonal dhe të kthejë mbrapa fitoret e arritura kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Në një konferencë për mediat në Bruksel, Esper tha: “Turqia na ka vendosur të gjithëve në një situatë të tmerrshme”, duke shtuar se Ankaraja është “nisur në drejtim të gabuar”.
Shefi i pentagonit shtoi: “Ne po shohim se Turqia po afrohet më shumë në orbitën e Rusisë, sesa në orbitën e perëndimit. Mendoj se kjo është fatkeqësi”.
Aleatët e NATO-s theksoi ai: “duhet të punojnë së bashku për të fuqizuar partneritetin me Turqinë dhe të sigurojmë se ky shtet është aleat i besueshëm dhe i përgjegjëshëm si në të kaluarën”.
Më 22 tetor, lideri rus, Vladimur Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan kanë arritur një marrëveshje që synon largimin e forcave kurde nga kufiri i Sirisë me Turqinë.
Kjo marrëveshje ka zgjatur armëpushimin pesë ditor, të arritur mes Uashingtonit dhe Ankarasë.
Në po të njëjtën ditë, presidenti Trump ka bërë me dije se do të heqë sanksionet e vendosura ndaj Turqisë për shkak të ofensivës në Siri.
Operacioni turk ka nisur pas vendimit të presidentit Trump për të tërhequr trupat amerikane nga ky rajon më herët gjatë këtij muaji.
Ministrat e NATO-s po ashtu pritet të diskutojnë përkushtimin e aleancës në Afganistan dhe Ukrainë, miratimin e dokumenteve kundër kërcënimeve hibride, rreth sigurisë së gjeneratës së re të komunikimeve (5G) si dhe rritjen e kapaciteteve për kundërpërgjigje të menjëhershme.
e.ll./dita
