Me të drejtë po bëhet një polemikë e madhe lidhur me një problem tepër madhor që shqetëson të gjithë ne banorët e kësaj cope të Europës që quhet Shqipëri.
Ish-presidenti shqiptar, z. Moisiu hodhi idenë se armët kimike siriane mund të shkatërrohen në vendin tonë.
Unë, si ish-specialist i kësaj fushe, pasi, siç e di z. Moisiu, jam shkolluar për këtë fushë dhe kam qenë për mbi dhjetë vjet pedagog i armëve të shkatërrimit në masë në Akademinë Ushtarake të asaj kohe, derisa një ditë, ashtu si edhe z. Moisiu, nuk i “pëlqyem” kupolës dhe na degdisën mua në Gramsh me ulje morale dhe ekonomike, atë në Burrel.
Që në fillim dua të theksoj se kjo është një ndërmarrje që duhet të merret me seriozitetin më të madh nga ana e atyre që kanë të drejtën e vendosjes. E them këtë pasi ato lëndë helmuese kanë aftësi jashtëzakonisht të larta helmuese. Sa për ilustrim, dhe pa u zgjatur me argumente të tjera, mund të them se, SARINA, që konsiderohet si më pak toksikja nga lëndët që flitet se mund të vijnë këtu, ka aftësi toksike të tillë që, me përqendrimin 2 mg/l në ajër do të mjaftonte të vdiste një njeri vetëm me një frymëmarrje. Kurse lënda që shënohet me VX është edhe më toksike.
Z. Moisiu thotë se ne kemi përvojë, pasi kemi shkatërruar armët tona kimike. Së pari, duhet pranuar se sasia e lëndëve tona ishte e papërfillshme në krahasim me ato që flitet se do të vijnë nga Siria. Së dyti, nuk është bërë transparencë publike se si u shkatërruan ato tek ne dhe a pati pasoja tek njerëzit që u morën me to.
Ky problem, mendoj unë duhet parë në tre rrafshe: në atë politik, administrativ dhe shkencor e mjedisor.
Sa i përket anës politike të problemit, duhet të pranojmë se, për sa kohë jemi anëtarë të NATO-s, nuk jemi të pavarur për të marrë vendime të prera, pasi duhet t’i nënshtrohemi edhe interesit të Aleancës ku bëjmë pjesë. Megjithatë, po të ulemi të bisedojmë, me argumente, me partnerët tanë, ata duhet të binden për pamundësinë e një ndërmarrje të tillë tek ne.
Dhe pamundësitë, në gjykimin tim modest, qëndrojnë në radhë të parë tek infrastruktura jonë krejtësisht e papërshtatshme për një ndërmarrje të tillë gjigante. Këtu ka shumë për të thënë, por unë po ndalem vetëm në një. Le të përfytyrojmë për një çast sikur, nëpër rrugët tona, në të cilat ndodhin përditë aksidente me vdekje njerëzish, të lëvizin kolona të tëra autobotesh mbushur me lëndë me aftësi vdekjeprurëse si shembulli që solla pak më sipër, sikur të ndodhë një aksident rrugor. Nuk e teproj po të them se një rast i tillë do të bënte që Gërdeci dhe viktimat e tij të na dukej një “lojë kalamajsh”. Do të ishte një “Çernobil Shqiptar”, i cili do të shkaktonte dëme të pallogaritshme në njerëz dhe në mjedisin tonë.
Sa i përket rrafshit shkencor duhet theksuar se shkatërrimi i sasive të tilla kolosale lëndësh helmuese, është teknikisht pothuajse i pamundur për mundësitë reale shkencore të vendit tonë. Kurse, avujt që do të dalin nga makineritë e shkatërrimit do të ndotnin ambientin aq shumë sa do të duheshin vite të përthitheshin.
Unë nuk besoj që një qeveri, e cila vendimin e parë që mori sa hyri në zyrë ishte “Ndalimi i importit të mbetjeve urbane”, të pranojë importin e lëndeve helmuese siriane, që të ndotë mjedisin shqiptar edhe kështu të ndotur nga djegia masive që u behet mbetjeve pothuajse në të gjitha qytetet tona.
Guri Shyti
Ish pedagog i armëve kimike në Akademinë Ushtarake

Jam plotesisht dakort me z. Guri Shyti dhe kunder deklarates se Alfred Moisiut, i cili flet kot, duke mos ditur asgje se si u be neutralizimi i helmeve kimike qe kishim dhe se si eshte gjendja e tyre aktuale ne Qaf Molle. Sado qe te neutralizohen ato LHL, mbetjet e tyre jane te rrezikshme per Kryeqytetin. Ne kemi hyre ne NATO, por jo me kushtin qe te helmojme e te vdesim qytetaret e Shqiperise. Rusia qe ia ka dhene Sirise ato LHL, le t’i kthei ne depot nga i ka nxjerre kur ia dha. Shume e thjeshte zgjidhja.