E vërteta e hidhur e opozitës së sotme

anazapta

Opozita e sotme përjeton një nga ç’organizimet më të mëdha që ka pasur në fuksionimin e saj të brendshëm partiak dhe përfaqësimin parlamentar. Sigurisht zgjedhjet e Qershorit, të cilat rezultuan në një disfatë me përmasa të mëdha për PD-në, patën ndikim të jashtëzakonshëm në kaosin që e ka përfshirë atë. Nëse një legjislativ do të pësonte ndryshime drastike në pikëpamje të numrave në një vend me demokraci të konsoliduar, nuk besoj se do të ishte ndonjë problem dhe eksperienca e vendeve perëndimore tregon se rotacione të tilla radikale ndodhin kur elektorati është tejet i ndarë në një çështje të caktuar themelore, e cila zë peshën më të madhe në axhendën e fushatës elektorale.

Por në kushtet e vendit tonë, ku kultura demokratike është e kufizuar dhe raportet pozitë-opozitë janë karakterizuar gjithmonë nga konfliktualiteti, një shumicë absolute e pozitës në parlament nuk mund të shihet si një faktor pozitiv nëse e shohim çështjen në princip dhe interesin e përgjithshëm. Kjo diferencë parimore dhe numrash thellohet dhe më tej, kur shikon sot se aksioni i opozitës është zhvendosur jashtë sallës së Parlamentit dhe tërësisht sporadik. Ndonëse jo plotësisht të organizuar, duket se kanë filluar të gjallërohen 2-3 fraksione, ku jo pak individë kanë filluar më në fund të kuptojnë se era Berishiane ka mbaruar përgjithmonë.
Kryetari në letra i PD-së duket se do ta ketë tejet të vështirë të kontrollojë partinë në të njëjtat dimensione siç bënte paraardhësi i tij. Jeta opozitare në parlament e PD-së në këto 2 muaj, pothuaj ka qenë inekzigjente. Lëvizjet e fundit të Ramës dhe vendosmëria e tij për të goditur aktivitetin ekonomik të paligjshëm, ka tronditur jo pak elemente deri dje me pushtet nga radhët e PD-së. Nëse sot ka një frikë të përgjithshme nga humbja dita-ditës e terrenit, nesër kjo do të kthehet në panik që do e dëmtojë edhe më shumë aftësinë e PD-së për të bërë opozitë të vërtetë.
Opozita shfaqet tërësisht e vakët, pa argumente dhe e varur në shpresën e ndonjë terreni favorizues që mund të krijojnë thirrjet patetike të drejtuesve të saj, përfshirë edhe Berishën nga istikami i Facebook-ut. Sidoqoftë, patetizmi si një formë e thirrjes së vëmendjes të masave e turmave, ka humbur shumë terren në Shqipëri e njerëzit janë lodhur tepër me akrobatllëqet e politikanëve. Qeveria së fundmi u detyrua të thellojë hendekun e borxhit publik. Nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër ndaj arkës së boshatisur së shtetit. Opozita akuzon për orientim destruktiv të ekonomisë, por nuk është aspak në gjendje të argumentojë si mund të veprohet ndryshe. Për më tepër, përveç slloganeve nuk është në gjendje të shpjegojë pse pushteti u dorëzua në këtë gjendje katastrofike financiare. Kështu, ajo jo vetëm nuk është e besueshme në kritikat e kundërshtimet e saj, por përkundrazi, thellohet dhe më shumë ndërgjegja e publikut për një drejtim ekonomik të dështuar në 8 vitet e shkuara.

Amorfiteti dhe irracionaliteti duket në deklaratat spontane që vijnë nga radhët e drejtuesve kryesorë të opozitës. Së fundi akuzohet Rama për trafik ikonash, duke krijuar situata ku vetëm një imagjinatë e sëmurë mund të të çojë atje. 8 vite në pushtet nuk mjaftuan për të vërtetuar qoftë dhe një akuzë të vetme, e tashmë shohim të njëjtin model të dalë boje të bërjes së oponencës ndaj drejtuesit të PS-së.
Fenomeni Kadeli përsëri në skenë, e oponenca e vetme e PD-së se PS-ja po blen deputetë. Kjo opozitë e sotme harron se nuk mund të gjesh dikë që nuk e di se kush instaloi dhe legjitimoi trafikun e deputetëve në Shqipëri.
Opozita kundërshton krijimin e një strukture të veçantë që do të merrte përsipër hetimin për korrupsion të zyrtarëve të lartë e të mesëm. Ndonëse e ardhur në pushtet në 2005, pikërisht në sajë të platformës së saj e premtimit për të goditur korrupsionin, sot ajo është më pak e interesuar se kurrë për të marrë pjesë në një aksion kombëtar për të debatuar me fjalë dhe vepra këtë pengesë madhore në rrugën tonë per t’ju bashkangjitur strukturave të Europës.
Opozita e sotme mundohet të reagojë ndaj ndryshimeve e lëvizjeve të fundit në kabinetet e drejtoritë e ndryshme, por mungon të shpjegojë pse njerëz të paaftë dhe të korruptuar ishin vënë në krye të tyre.

Kjo është e vërteta e hidhur e opozitës së sotme. Për këdo që sheh larg përkatësisë partiake e interesit personal, nuk mund të jetë i kënaqshëm një status i tillë. Një opozitë e dobët, jo vetëm numerikisht, por edhe nga ana kualitative nuk do të jetë në gjendje të luajë rolin e saj konstruktiv, për të cilin ka shumë nevoje mazhoranca, qoftë dhe kur ajo është absolute.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *