Këtë të premte Ndoja ishte mes tre personave që mbetën të plagosur gjatë një atentati me armë, në autostradën Durrës-Tiranë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”.
Regjistri në Spitalin Rajonal të Durrësit shkruan se të plagosurit janë prokurori Arjan Ndoja, 44 vjeç me banim në Tiranë, shoferi i tij Andi Maloku, 30 vjeç dhe një person i tretë i regjistruar si Pullumb Muharremaj me banim në Sukth, i cili në njoftimin e policisë rezulton me inicialet A.L, 48 vjeç.
Atentati ndodhi rreth 16:30 të pasdites, ku makina me targa AA 333 ZD e drejtuar nga Maloku dhe me pasagjerë prokurorin Ndoja dhe Muharremajn u qëllua me breshëri plumbash nga persona të panjohur dhe më pas doli nga rruga. Policia njoftoi gjithashtu se Maloku u transportua për mjekim të specializuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa dy të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin Rajonal të Durrësit.
Dyshohet se shenjestra e atentatit ishte Muharremaj.

Atentati është shoqëruar me rritjen e masave të sigurisë në spitalin Rajonal të Durrësit, ku mbrëmjen e së premtes kishte forca të repartit policor “Shqiponja” si dhe prani të shtuar njerëzish.
Drejtoresha e spitalit, Nadire Jani tha se prokurori Ndoja nuk kishte plagë plumbash, ndërsa Muharremaj kishte marrë një plumb në nofull dhe ndodhej në operacion.
“I plagosuri Andi Maloku u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar,” shtoi Jani.
Sipas një burimi të Policisë së Shtetit, Pullumb Muharremaj është në të vërtetë Landi Muhameti, pronar tokash në Gjirin e Lalzit, i cili në shtator 2016 u shpall në kërkim nga policia për rrahjen e biznesmenit libanez, Faadi Mitri në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Prokurori Arjan Ndoja u akuzua në fillim të tetorit nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.
“Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’,” tha Rama, duke e bërë Ndojën shenjestër të fushatës kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ai vetë e quajti si KÇK.
Zv.kryeministri Braçe ishte i pranishëm në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për Pulën dhe pas seancës e cilësoi qëndrimin e prokurorit si “presion dhe shantazh kriminal”.
Sulmet e drejtuesve më të lartë të ekzekutivit u kritikuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si paragjykuese për çështjen hetimore në proces.

Pak më shumë se një dekadë më parë Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.
Ndërsa në korrik 2018, emri i Ndojës u lakua sërish pas dhunës së ushtruar ndaj avokatit Ilia Ilia pas daljes së këtij të fundit nga Gjykata e Durrësit.
Avokati Ilia akuzoi prokurorin Ndoja se qëndronte pas dhunës së ushtruar ndaj tij.
n.s. / dita

Kjo eshte drejtesia qe me nje fjale te Rames e Braçes u nderrua gjykatesi dhe u lirua Pula duke e nxerre jasht nga qymezi ose koteci.
Ça leshin thoni prokurori, këta janë banda mafjoze që kanë kapur shtetin dhe Po vjedhin atë “në emër të popullit”.