Razma, turizmi elitar i harruar

anazapta

Vite më parë në të shkelnin drejtuesit, por tashmë Razma, edhe pse shumë afër qytetit të Shkodrës, ka filluar të harrohet gjithnjë e më shumë nga vizitorët. E konsideruar dikur si një nga perlat e turizmit malor, Razma ka ende ç’të ofrojë. Por nuk di se kujt.

 

Ajo është e njohur nga të gjithë, shkodranë ose jo, pasi prej gati një shekulli funksion si pikë turistike malore, e organizuar apo spontane. Është Razma, një ndër perlat e turizmit malor në Shqipëri që pret e përcjell vizitorë në çdo stinë të vitit.

Ajo ndodhet  41 km nga Shkodra dhe 900 m mbi nivelin e detit rrëzë malit të Veleçikut. Qendra rurale e Razmës është zbuluar dhe shkelur që në shek XIX, kur botanisti italian  Antonio Baldoci, austriaku Dolfler dhe gjeologu Boran Nopçe jo vetëm që e vizituan nga afër këtë zonë, por i kushtuan një vend të veçantë në veprat e tyre bimësisë, kafshëve dhe shpendëve.

Më pas, aty rreth viteve ‘20 kjo zonë u shfrytëzua nga barinjtë për stane verore dhe më pas me rritjen e standardit të jetës, tregtarët shkodranë ndërtuan shtëpitë e tyre verore për familjarët. Këto banesa funksionuan deri në vitet ‘44-‘46, kur më pas ato u shtetëzuan dhe u shfrytëzuan nga bashkimet profesionale si shtëpi pushimi për punëtorët.

Këtë traditë e ruajti deri në vitet 1991-92, kur më pas shtëpitë i morën ish-pronarët.

Razma përfshihet në komunën Shkrel të rrethit Malësi e Madhe, komunë kjo që ka rreth 3600 banorë. Ajo është një nga vendet më të bukura dhe me klimën më të shëndetshme të Alpeve. Në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peisazheve malore, ka mjaft banesa të tipit alpin. Vizitorët e shumtë argëtohen me ekskursione alpinistike, ndeshje sportive, gjueti etj.

 

Në çdo stinë

Razma, ndryshe nga zonat e tjera turistike alpine, frekuentohet dendur në të gjitha stinët e vitit, veçanërisht në dimër. Dëbora që mbulon lëndinat është mjaft joshëse për rrëshqitjet me ski. Në Razëm, deri në fillim të viteve ‘90 ka pasur kamp pushuesish, si dhe hotel i cili funksionon akoma dhe është privatizuar.

Aktualisht kjo perlë e natyrës shqiptare është shumë pak e frekuentuar. Në një ditë të zakonshme , aty nuk gjen pothuajse asnjë vizitor apo amator sportesh dimërore. Dhe pse dëbora është e pranishme, me shumë vështirësi mund të takosh vetëm ata banorë të zonës që janë të punësuar apo vetëpunësuar në bizneset në funksion të turizmit.

Rruga për në Razëm është e gjitha asfalt dhe duhen 45 minuta nga Shkodra për të shkuar atje. Pasi kalon qendrën e qytetit të Koplikut, udhëton drejt Dedajve e më pas në Razëm, ku gjatë gjithë rrugës ka tabela orientuese për ata që shkojnë për herë të parë atje. Rruga dhe pse e ngushtë,ë shtë e asfaltuar dhe mirëmbahet edhe në dimër ku bora mbulon gjithçka.Razma ka një klimë të shëndetshme dhe gjatë rrugës deri tek ky fshat turistik, klima ndryshon katër herë.

Një banor i saj, Marash Kocaj, shpjegon se ajri ndryshon me rritjen e lartësisë mbi nivelin e detit dhe kjo është e dallueshme. “Deri tek kisha e Shkrelit vjen në një nivel me fushën, pastaj në Vrith, fshati i banuar fare afër Razmës ndryshon përsëri, ndryshon në Razëm dhe në gjysmën e malit të Veleçikut”.

Fshati Vrith është porta hyrëse për në Razëm dhe ky fshat është i populluar dhe i sistemuar, ku shtëpitë janë të rrethuara me mure jo të lartë dhe ndodhen afër njëra-tjetrës. Burimi i të ardhurave për banorët, është blegtoria.

Në Razëm turizmi ka histori të hershme, që në vitet ‘20 ku mjaft tregtarë e të pasur të qytetit të Shkodrës ndërtuan këtu shtëpi ku në stinën e verës pushonin familjet e tyre. Më 1953, këto banesa u shtetëzuan dhe u përdorën nga shteti i atëhershëm si vende pushimi. Në verë funksiononte kampi i pushimit të punëtorëve dhe një hotel, ndërsa shtëpitë një e dykatëshe strehonin pushues kryesisht në dimër ku mjaft shkolla apo kolektiva ndërmarrjesh vinin në Razëm dhe kalonin një ose dy ditë duke luajtur në borë dhe duke bërë ski.

Në fillim të viteve ‘90, pronat e shtetëzuara dikur iu kthyen ish-pronarëve, më saktë trashëgimtarëve të tyre. Disa u rikonstruktuan, disa u shitën, të tjera vazhdojnë të jenë të pabanueshme dhe nën peshën e amortizimit të kohës.

 

Banorët dhe problemet

Por pavarësisht kohës dhe sistemeve të ndryshme, Razma me natyrën e bukuritë e saj magjepëse mbijetoi. Ajo tërheq mjaft pushues në verë, por dhe në stinët e tjera kryesisht në fundjava. Ndonëse është një vend me shumë bukuri dhe atraktivitet, nuk frekuentohet çdo ditë të javës. Razma mund të vizitohet dhe për një ditë për shkak të afërsisë me Shkodrën. Bora këtu krijon mundësi për turizëm dhe në dimër pa folur për kuzhinën  tradicionale, qetësinë e pastërtinë e ajrit.

“Është për të ardhur keq që në Razëm nuk ka pushues në dimër si dikur. Gjithashtu  dhe në verë nuk janë si dikur. Tani që rruga është bërë, vihet më shpejt. Ka energji elektrike, shërbim shëndetësor, telefoni fikse. Problem mbetet uji i pijshëm, por me ndihmën e disa donatërëve të huaj shpresojmë që kjo të gjejë zgjidhje”, shprehet kryetari i komunës Shkrel Fredi Sterkaj.

Në 10-vjeçarin e fundit nuk ka munguar interesi i shkodranëve për të investuar në blerjen e shtëpive apo tokës në Razëm dhe në ndërtimin e banesave të reja. Razma është një pikë turistike me vlera kurative për sëmundje të ndryshme. Në Razëm ka disa restorante dhe hotele që afrojnë çmime të ndryshme akomodimi që nga ato të pranueshme për buxhetin mesatar të familjeve shqiptare e deri tek çmimet më të larta që afrojnë kushte akomodimi luksoze e bashkëkohore, me pishina dimërore, internet, guidë me shoqërues etj.

Po kështu, ka dyqane të banorëve të zonës. Por më së shumti vizitorët janë ditorë dhe sidomos në verë e pranverë vijnë me familje apo grupe shoqërore dhe kalojnë disa orë në Razëm duke shijuar dhe gatimin e veçantë.

Përveç bizneseve në fushën e hotelerisë, në Razëm janë rreth 50 shtëpi të tjera. Por mundësitë për turizëm këtu janë të mëdha. Marash Kocaj shprehet se në vitet 1993-1994 ka privatizuar ish-hotelin e dikurshëm, pasi ishte ndërtuar në tokën e tij, por nuk ka mundur të investojë për ta riparuar dhe kthyer në një vend për turizëm.

“Nuk kam mundësi ekonomike, i kam riparuar vetëm çatinë ku kam bërë soletë, pasi po thyhej dhe më shumë nuk kam bërë. Shpresoj që fëmijët një ditë të kenë mundësi të investojnë këtu, pasi ndërtesa ka themele të forta dhe mban deri në 5 kate. Kam menduar të marr kredi në bankë, por këtu punohet pak dhe bankat afrojnë norma të larta interesi. Jam përpjekur për të gjetur persona të cilët kanë mundësi financiare dhe interes për të investuar për riparimin e objektit dhe kthimin në një biznes që jep të ardhura. Nga shteti do të doja të hartohej një plan urbanistik në mënyrë që kur të investohet, të ketë siguri dhe jo frikë se një ditë mund të vijnë e ta prishin”, thotë Kocaj.

Investimet këtu janë vetëm private, pasi ka ndikuar dhe pronësia e tokës, e cila nuk është e zgjidhur. Megjithatë, kjo zonë mjaft e pëlqyer dhe për faktin se ndodhet jo larg Shkodrës, ka tërhequr ata që kanë pasur mundësi për të blerë ndërtesa këtu dhe për t’i restauruar.

Ludovig Shtogaj, banor i Razmës, është 28 vjeç. I kthyer nga emigracioni në Itali, ai është punësuar në një prej bizneseve të turizmit në këtë pikë turistike. “Këtu ka më shumë lëvizje fundjavave, me grupe. Verës ka interes për të vizituar zonën ku jam udhërrëfyes. Razma ka vende të panumërta për t’i parë. Ka disa shpella: Fushën e Zezë, Veleçikun etj. Ka dhe të rinj të tjerë që janë afruar e punojnë tek bizneset, por jo shumë, pasi disa kanë ikur në emigracion, të tjerë në shkolla”, thotë Ludovigu.

Edhe pse çmimet e akomodimit në Razëm janë të ndryshme, edhe ato më të lartat janë më të lira se në pikat turistike malore jashtë vendit, ku mjaft shqiptarë nuk ngurrojnë të shkojnë. Mungesa e ujit të pijshëm e ka rritur koston e shërbimeve që afrohen për turizëm.

“Problemi i ujit mund të zgjidhet, pasi ka ujë tek gryka e lugjeve. Para vitit 1990, kishte ujë të pijshëm tek hoteli dhe tek kampi, por atëherë furnizohej vetëm Razma, ndërsa pas 1990-s, ujin e morën dhe fshatrat e tjerë përreth, dhe Razma mbeti pa ujë. Puset që janë, nuk i mbulojnë nevojat dhe ato janë vetëm 7 m të thellë pasi pas 7 metrave nuk ka më ujë.

 

Klima dhe vendet për t’u vizituar

Ndonëse bie borë, në Razëm temperaturat nuk janë shumë të ulta, pasi ajo është e vendosur mes malesh. Fusha sportive që në dimër mbulohet nga dëbora, është e rrethuar, ndërsa rrugët kryesore kanë ndriçim të vazhdueshëm. Në Razëm ka mundësi të zhvillohen turizmi shkencor, si: ai gjegrafik, turistik, historik, spelologjik, etnografik etj, sporte, si: alpinizmi, skitë apo sporte të tjera verore.

Zona turistike e Razmës shtrihet në një pllajë karstike që paraqet kontraste befasuese në reliev, duke ofruar kushte mjaft tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor. Ky reliev përfaqësohet nga tre fusha, ajo e Razmës, Troshanit dhe Fusha e Zezë.

Format më të mprehta të relievit me vlera turistike i gjejmë në Kurrizin malor të Veleçikut (1724 m) – Kunorë (1713 m) në veri të Razmës dhe në Kunorën e Zagorës (1862 m) në lindje të saj. Në Razëm mund të eksplorosh e vizitosh vende si Fusha e Zezë, shpella e majës në Veleçik, e cila është 28 m e thellë vertikalisht, shpella e lugjeve në verilindje të Razmës.

Krahas këtyre lartësive, pyjet mbresëlënëse të ahut dhe të pishës me ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës, por edhe gjatë dimrit, ka në vetvete vlera turistike të veçanta. Të apasionuarit pas gjuetisë këtu gjejnë kafshë si derri i egër, dhelpra, kaprolli, vjerdulla, lundërza, riqebulli, lepuri i egër, ketri etj. apo shpendë si shqipja e malit, skifteri, orli, thëllënza e malit, pula e egër, gjeli i egër, pëllumbi i egër, mullibardha, barbunja, shepka etj. Një pjesë e këtyre shpendëve ndeshen në zonën rurale të Razmës, ndërsa pjesa tjetër në pyjet jashtë kësaj zone.

Në lokalet e zonës takon familje që vijnë e kalojnë ditën duke luajtur në borë, bërë fotografi e shijuar bukurinë që të afron natyra. Ka prej tyre që kanë ardhur nga Tirana për të kaluar një ditë në Razëm apo emigrantë që jetojnë jashtë vendit dhe kur vijnë për të qënduar disa ditë pranë të afërmve të tyre, planifikojnë të kalojnë një ditë dhe në Razëm. Në planet e ardhshme të komunës Shkrel për Razmën është ndërtimi i ujësjellësit, promovimi i zonës, ngritja e një piste skish dhe teleferiku, duke ofruar më shumë relaks e kushte për pushuesit nga i gjithë vendi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *