Moti i keq, me reshje të dendura shiu, do të jetë prezent edhe këtë të enjte në vendin tonë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve disa qarqe të vendit mund të rrezikohen përmbytjet.
Intensiteti i reshjeve do të vijë duke u rritur dhe pritet të shoqërohen edhe me shtrëngata.
Për të pasur nën kontroll situatën bëhet me dije se janë vendosur edhe shenjat e rrëshqitjes së tokës në të gjithë territorin.
Probleme mund të shfaqen dhe me bllokimin e akseve rrugore si pasojë e ujit dhe dherave në rrugë.
Ndërkohë si pasojë e motit të keq, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin.
Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve rekomandohet të merren masa paraprake dhe paralajmërim në zonat që kanë probleme në rastet e reshjeve shumë intensive.
Sipas IGJEUM, në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet dhe nivelet në pjesët e larta malore dhe ato fushore, zona e Nënshkodrës.
Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.
Nivelet më të larta në lumin Buna do të jenë në fundjavë.
Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve dhe rrezikut kryesisht në degët e lumenjeve kryesorë, përgjatë ditës së nesërme.
j.l./ dita
