Kursi i gjuhës dhe kulturës shqiptare

J L

Nga Nasho Jorgaqi

 

Nuk mund të harrohet dita e hapjes së kursit të gjuhës e të kulturës shqiptare në Shënkoll. Kjo ditë u kthye në një festë ngazëllimi. Është dita kur në katund, jo vetëm do të fjasin (flasin) po dhe do të nisin të mësojnë të diavasin (lexojnë) në gjuhën e mëmës.

Nuk bëjmë poezi po të themi se ccdo brez këtu ka ardhur e ka ikur me një brengë të përbashkët: të mos bjerrim gjuhën.

Gjuha është mëma jonë. Pa mëmë, si mund të përtëritet e të gjallojë fisi ynë. Pa të, ai des (vdes) dhe ne biremi (humbasim) një herë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Po ja, erdhi dita që ne mblidhemi dhe të mësojmë bashkërisht gjuhën që flasin në Arbëri. Erdhi dita që gjuha e katundit të marrë fuqi të re, që “kroi i vjetër,- siç thotë poeti, të mos shterë”.

Duhej të ishe i fort atë pasdreke që ti përmbaje emocionet tek shikoje njerëzit që mblidheshin te sheshi i bashkisë. Nëpër muret, afishe të shtypura njoftonin për hapjen e kursit. Një makinë me altoparlant e thoshte me zë të lartë këtë lajm të gëzuar. Shikoje fytyrat e njerëzve dhe të bëhej sikur të vinin në vesh të përsëritura fjalë që kishe degjuar ato ditë: Të mësojmë gjuhën shqipe, që është e ëmbël si qumështi i mëmës, që është shumëçka, gjuhën plot dritë, gjuhën e dritësuar!

Ishte një dëshirë e popullit, një ëndërr e shumëpritur, që kishte ndezur mendjet dhe kraharorët e shumë burrave e grave, të pleqve dhe të të rinjve, po mbi të gjitha të të rinjve. Prej këtyre të fundit varej fati i gjuhës së mëmës në Shënkoll.

Hyjmë në sallën e bashkisë, që është mbushur plot e përplot. Të gjithë kanë ardhur te gjegjin (dëgjojnë) gjuhën ashtu si këndohet në Arbëri. Ka në mes tyre mësues, bujq e juristë, nxënës e punëtorë, të rinj, po dhe të moshuar. Kur ëshhtë fjala për gjuhën të gjithë i harrojmë hallet e shqetësimet e jetës së përditshme dhe kthehen në nxënës. Pavarësisht nga mosha, shkalla e arsimit dhe profesioni, ata i bashkon një qëllim i përbashkët.

Vëreni, — na thotë e prekur Anxhela, këshilltare e kulturës në bashki, duke treguar nga salla, — rrallë mund të lexosh në fytyrat e njerëzve të katundit tanë këtë zgjim të ndërgjegjes sonë të origjinës. Është krenaria, po dhe shqetësimi që kemi të gjithë ne për atë që na bën arbëreshë!

Zëmë vend më tavolinë në krye të sallës. Në krah kam poetin Zef del Gaudio. Herë pas here ai fshin sytë, më vështron dhe nuk është në gjendje të flasë. Këtë ditë ai e ka ëndërruar, por dhe e ka përgatitur. Zefi është i pari nga Shënkolli që shkeli në Shqipëri dhe një vit më vonë udhëhoqi për në atdheun e të parëve grupin e arbëreshëve të katundeve të Katanxaros.

Është’ vështirë ta përshkruash fytyrën e tij, atë dritë të bukur që lëviz gëzueshëm nëpër të. Pikërisht në këto çaste dhe mua sepse me kujtohen disa vargje të një vjershe të tij:

Gjuha e bukur, e vjetër e lavdiplotë,

Që këtu rron ka pesë shekuj e më

Dhe sot nxitu*) shkatrrohe e nxitu plake;

Të mos vdesësh, unë gjakun dua të jap.

E merr fjalën Vinçenci, kryetari i bashkisë. Flet për ne, të ardhurit nga Shqipëria, dhe salla buçet nga një brohoritje e stuhishme. Është një klithmë gëzimi që vetëm po të ndodhesh atje mund ta ndiesh si të tillë. Arbëreshi në këto raste është tepër spontan, sepse ashtu siç di të shpërthejë, di dhe të përmbahet. Këtë e vumë re atë ditë, e vumë re më vonë. Pasi foli Zefi, na e dhanë fjalën neve..

Ndoshta asnjëherë sa në ato çaste nuk e kishim ndier aq fort peshën e gjuhës sonë. Tek flisnim, sallën, e mbërtheu një heshtje e pushtetshme. Ata njerëz nuk dëgjonin, por na i përpinin fjalët. A thua kjo ishte forca çudibërëse e gjuhës amtare, apo një përfalje e: vetvetishme më zërin e atdheut të parë? Në qoftë se gjaku i tyre ishte zgjuar në ato çaste që në të vërtetë ishte zgjimi i ndërgjegjes së origjinës, a jo heshtje fliste më shumë, i kalonte kufijtë e elokuencës.

S’mund ta them me siguri se të gjitha  fjalët që thamë, ata i kuptuan, po fytyrat e tyre shprehnin gaz, habi, kureshtje, dëshira të fjetura e të zgjuara. Mjaft që t’i shikojë! Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi më njerëzor.

Filloi dhe puna me kurset: njëri me fillestarët, që ishin shumica, dhe tjetri me disa të pakë që kishin njohuri për gjuhën e sotme shqipe e që kishin qenë dhe në Shqipëri.

Duke ndjekur kursin, arbëreshi e vë veten në provë, ballafaqon gjuhën e katundit me gjuhën e gjallë të atdheut stërgjyshor. Ç’do të dalë nga kjo? Për këtë është i shqetësuar. Do të bindet se gjuha që flet ai, është, tek e fundit, një e folme e gjuhës shqipe. Se me këtë të folme ai mund të merret vesh me vëllezërit e motrat e tij të një gjaku.

Jo më kot ato ditë në mes arbëreshëve lindën diskutime. Disa mendonin se arbërishtja me shqipen, me gjithë disa vështirësi, përkojnë me njëra-tjetrën, kurse të tjerë çdo përpjekje për t’u marrë vesh e quanin të pamundur, madje një mundim të kotë.

Me këtë diskutim, praktikisht, kishte filluar mësimi i gjuhës, i kishim dëgjuar dhe ne këto debate në takime e biseda dhe, të thuash të drejtën, ishim të merakosur pak, por na mbante bindja se me durim e përpjekje të përbashkëta vështirësitë do të kapërceheshin.

Dhe ja, tani kursi ishte hapur dhe të gjithë prisnin të fillonte mësimi, të niste prova. Një sallë e tërë shikonte nga ne. Natyra e gjallë arbëreshe për disa çaste ishte nemitur.

Dëgjohet zëri që ligjëron në gjuhen shqipe. Një zë që mbush sallën dhe arbëreshit i bëhet se dëgjon muzikë. Një muzikë që i kumbon e përmallshme, me jone të dashura, me tinguj burrërorë. Është zëri i një gjuhe të pushtetshme për të, forcën e së cilës ai e ndien së thelli dhe shpirti i ngazëllehet.

Nuk shkon gjatë, dhe në mes të heshtjes dëgjohet pëshpërima si një pasthirmë triumfi:

Ç’e bukur gjuhë!

U deshën vetëm këto fjalë që shpërthyen si duf i papërmbajtur dhe njerëzit në sallë të marrin frymë lirisht.

Ne, ne (që do të thoshte po, po), — ia pritën të tjerët gjithë njëzëri. Pas kësaj nuk ishte e lehtë të vendosej qetësia. Arbëreshi i fliste arbëreshit për atë që i ndiente zemra. Gjuha që ai dëgjonte, ishte gjuha e tij. Ky ishte një çast i shënuar, dhe këtë s’mund ta përjetonte në heshtje.

Nis pastaj mësimi i parë. Njohja me alfabetin.

Ti shqipton tingujt e alfabetit dhe salla të dëgjon në heshtje të thellë. Janë bërë gjithë sy e vesh. Ti po u hap faqen e parë të librit të gjuhës së tyre. Kur i mbaron së shqiptuari me radhë shkronjat e alfabetit, ata lëshojnë një thirrje të hareshme. Tingujt e shqipes qenkan të njëjtë me ata të së folmes së tyre! Ndryshimet tingullore janë gati të papërfillshme, po kjo nuk i pengon aspak.

Në katundin e tyre nuk e njohin tingullin y, as ZZ-në, e kanë vështirë ta thonë dhe dh-në e gj-në. Në vend të ll-së, për shembull, përdorin një tingull të turbullt gh — nuk thonë molla, por mogha. dhe si për sy. Ja, këto janë ndryshimet, ndryshime fare të vockla, që ata kanë dëshirë t’i kapërcejnë menjëherë, me entuziazëm, por nuk mjaftoka vetëm entuziazmi. Salla përsërit alfabetin me zë të lartë krejt spontanisht dhe ty as të vete mendja të vendosësh rregull. Ata nuk dinë të lodhen, as të mërziten duke shqiptuar të njëjtët tinguj.

Pas mësimit të alfabetit i vjen radha fjalës. Dhe fjala ka një pushtet më të madh se tingulli. Ajo është vetë historia dhe jeta arbëreshe, bart kuptime të mëdha, sjell ngjarje, zgjon kujtime, ngjall të kaluarën…

Të gjitha këto sikur u ndien sapo tingujt lidhin fjalët e para shqipe. Ti shqipton me zë të lartë:

-Më-më, mëma…

Ata thua se nuk duan tu besojnë veshëve dhe vështrojnë njëri-tjetrin në sy. Njësoj qenka! Domethënë kjo fjalë nuk ka bjerrë në arbërisht. E si mund të bjerrë? Po të harrohet mëma, ç’mbetej atëherë!

Bukë—buka, ujë—uji, dhe—dheu, qiell—qielli, diell—dielli, vëlla—vëllai, burrë—burri, motër—motra.

Vargu i fjalëve të njohura për ta nuk ka të mbaruar.

Secili kërkon të thotë një fjalë për të provuar se gjuha e tyre s’ka humbur.

Mësimi rrjedh gëzueshëm e plot të papritura. Si është e mundur të jenë kaq shumë fjalë njësoj?! Ngrihet në këmbë Oresti, një burrë i moshuar dhe gati sa s’thërret:

Jemi një gjak, pra, kemi një gjuhë!

Për një kohë largohemi nga libri. Mësimi merr një drejtim tjetër. Kush mund t’i dalë përpara dëshirës së tyre për të ballafaquar të folmen e katundit me gjuhën shqipe! Secili mezi e ka pritur këtë ditë.

A i thoni ju tëtim?

Jo, i themi të ftohtë.

Po menatë ?

I themi, po jo në kuptimin nesër, si i thoni ju.

—A e keni fjalën shkanel?

Mezi e gjejmë kuptimin e kësaj fjale:

Shkëmbi i vatrës!

Një djalë flokëzi, me sy të përshkënditur, ka ngritur dorën dhe kërkon të flasë. Zëri i tij tingëllon si qortim:

Ju thoni Kjo s’është fjalë jona. Ne i themi tirq dhe disa katunde i thonë brek. E pse të themi makarona, kur kemi fjalën tumacë, lëkëngë për salçiçe, të mbyllmëri për tape e të tjera.

Dhe fjala nxjerr fjalën kur përmenden toponime të fshatrave arbëreshe dhe veç kur dëgjon zëra nga një çep i sallës në tjetrin:

Frashëri, Kroi, Udha, — thonë ata nga Shënkolli.

Piperi, Guri i Kunelit, Guri i Shkurtër, Guri i Gjellit, — thonë ata nga Puhuriu.

Zonja Elena, një mësuese e moshuar, por tepër e gjallë dhe entuziast e për gjuhën, thotë:

Profesor Gangale nga Karafa ka bërë një hartë me toponimet e gjithë katundeve arbëreshe. Në Karafë janë vendet që quhen Kroi i madh, Ujët e Bardhë, Kroi i Kostantinit, Gurëzi, Markagjalli etj.

Përsëri papritur mësimi merr një përmbajtje tjetër. Hidhet një vajzë dhe thotë me keqardhje:

Ndjemi pak likësht që në Shënkoll s’themi po si ju në Arbëri por ne dhe kjo, thonë,’është greqisht.

Ne në Puhuri, — ia pret Mariaroza, — e kemi me mirë këtë fjalë. Themi ëh për po, kurse në Karafë për të njëjtën gjë përgjigjen

Të duket e çuditshme se si është e mundur që një fjalëz të marrë trajta të ndryshme nga një katund në tje­trin. Cilat mund të kenë qenë arsyet e këtyre ndryshime- ve, kur ngulimet janë në një provincë?

Po kush e ka mendjen këto çaste t’u hyjë problemeve të historisë së gjuhës! Njerëzve në sallë pak u intereson kjo, ata shqetësohen se si të shpëtohet gjuha sot nga rreziqet që e kërcënojnë.

Koha ka ecur shpejt pa u kuptuar. Mësimi i parë zgjati pothuaj gjithë pasditen. Në të vërtetë, ky nuk ishte një          mësim  i zakonshëm.

Njerëzve nuk u   bëhej të largoheshin nga salla. Diskutimet vazhdonin, bëheshin pyetje nga më të çuditshmet, përsëriteshin tingujt e vështirë të shqipes, kujtonin fjalë…

Dikur në sallë mbetën tre-katër veta, ndërmjet të cilëve dhe një plak. Plaku, mbaj mend, qëndronte pak mënjanë e nuk fliste. Me kasketën ngjeshur në kokë e me një shkop në dorë vështronte vazhdimisht nga unë. Kur morëm të dilnim, ai më kapi për krahu e më pyeti me zë gati lutës:

Do të më gjegjni dhe mua, zoti profesor?

Urdhëroni.

E dini, zoti profesor, se gjuha jonë ka zërin e vet?!

Të më besoni për këtë, sepse s’ka gjuhë në botë të mos ketë zërin e vet. Zotrote flisje e unë thosha me vete: ja, ky është zëri i vërtetë i tatrave tanë. Që kur është nisur bota, kështu kanë folur ata, ndryshe nga të tjerët, ndryshe nga tijt. Besoj se do të keni pak durim e të më gjegj­ni një histori plakë, që tata im e kish gjegjur nga tata i tij. Në kohën e Burbonëve, njëherë_ kapën një kryengritës nga ata që luftonin kundër mbretit. Ai dukej që dinte shumë të fshehta, po nuk donte t’i tregonte. Atëherë e torturuan keqazi e ç’nuk i bënë e prapë ai s’thoshte mosgjë, s’tregonte as shokët e as vetë kush ish, thua se s’kishte gjuhë fare. E ç’të bënin? Vajtën e thirrën komandantin dhe komandanti e mundoi më keq. Po përsëri ai nuk fliste. Vetëm filloi të rënkonte. Komandanti i regjit (mbretit) hapi veshët dhe gjegji… Rënkimi i të gjorit nuk ishte si gjithë rënkimet që kishte gjegjur gjithsaherej. Prandaj komandanti i regjit u tha xhelatëve: Gjegjni këtu, gjegjni mirë!» Xhelatët u qasën dhe gjegjën të shtririn përdhe, po mosgjë kuptuan. ^Ai nuk rënkon si na, tha komandanti, Ky me siguri është arbëresh. Vetëm ata rënkojnë kështu. Dhe vërtet ashtu ishte. Një zë pa fjalë doli nga trupi i tij i munduar, po ky zë nuk i ngjante atij të ltijve. Ishte zë arbëresh. Kjo ‘histori plakë m’u kujtua kur flisje zotrote dhe s’e mbajta dot pa jua thënë.

Me këtë rrëfim të plakut u mbyll dita e parë e kursit, një rrëfim që m’i shtoi emocionet e më vuri në mendime. S’ishte e lehtë t’u jepje mësimin e gjuhës së tyre arbëreshëve!

**

Kur ndahesh me arbëreshin në Shqipëri, do të dëgjosh të thotë:

Mirëse na vini në «Arbërinë e vogël!» Kështu u thonë arbëreshët katundeve të tyre të marra gjithë së toku: «Arbëri e vogël». Ky është mëmëdhethi i tyre në dhe të huaj, i përcaktuar jo aq nga kufij gjeografikë sesa nga ata gjuhësorë. Atje ku flitet arbërisht, atje është Arbëri për ta. Në këtë kuptim, për arbëreshin atdhe shpirtëror është bërë gjuha.

Këtë të vërtetë, që e dinim dhe më parë, po e kuptojmë më mirë tani që kemi ardhur këtu. Ngado që vemi e me këdo që takojmë, biseda që hapet do të bëhet për gjuhën. Do të flasin me krenari, por dhe me trishtim. Do të dëgjosh të të thonë se ajo nuk është vetëm një histori që lexohet nëpër libra, po dhe një realitet i gjallë. Verbi i saj i sfilitur e i munduar në shekuj bën të flasin mijëra arbëreshë në dhjetëra katunde të Italisë. Do të shtojnë pastaj se erërat e ftohta që kanë fryrë, nuk kanë mundur ta shuajnë arbërishten. Se kjo bijë e mërguar e gjuhës shqipe ka arritur deri në ditët tona, duke mbijetuar në luftë me kohën, me vetminë. Kjo luftë nuk ka qenë e s’është pa pasoja të rënda. Arbërishtja ka paguar e paguan haraç, i paguan kohës, gjuhës vendase. Këtë e kupton kur dëgjon tek e flasin, këtë ta thonë vetë me keqardhje arbëreshët, këtë e pohojnë gjuhëtarët e studiuesit. Madje, njëherë, duke biseduar, një mësues nga Puhuriu na tha: «Gjuha jonë është sëmurë!»

Mendime të tilla pesimiste do t’i dëgjosh sidomos nga ndonjë intelektual, do t’i lexosh dhe në shtypin arbëresh. Pesëqind vjet luftë nuk janë pak për një gjuhë e aq më tepër për një gjuhë katundi. A thua erdhi koha që ajo të fillojë të japë grahmat e fundit? Po, thonë pesimistët. Ështe e vërtetë se, Sado që arbërishtja sot mban mjaft nga fjalët e veta të lashta, fjalët italiane kanë vërshuar nga të gjitha anët; shumë shprehje të saj në ditët tona janë të huaja.

Shpesh të duket se arbëreshi flet një përzierje të arbërishtes me italishten. Ata me njëri-tjetrin merren vesh për bukuri, kurse ti që ke ardhur nga Shqipëria, në fillim e ke të vështirë, në mos gati të pamundur t’i kuptosh. Të pengon dhe ritmi i shpejtë i të folurit. Do s’do, gjuha e huaj’ ka hyrë në mes dhe vështirëson komunikimin. Mund të mërzitesh, dhe mërzitesh vërtet për sa ko- hë nuk arrin të merresh vesh siç dëshiron. Por nuk duhet të nxitohesh, .përshtypja e parë nuk është njohja e saktë. Problemet e gjuhës së arbëreshëve janë më të ndërlikuara e më të thella sesa duken..,

Fillon kështu njohja e vërtetë me arbërishten, njohja në vend, te burimet e saj. Dëgjon bisedat, këngët, dëgjon të bëjnë shaka apo dhe të vajtojnë arbërisht, lexon vargje të poetëve, lexon gazetat, revistat dhe dalëngadalë mësohesh me arbërishten. Ajo është një toskërishte e lashtë, që herë të kujton labërishten, herë çamërishten, po që nuk mungojnë dhe fjalë e shprehje të gegërishtes. Pastaj, duke medituar më thellë, vë re se në të ka shtresime gjuhësore që u takojnë krahinave të ndryshme. Se arbërishtja, jo vetëm nuk është e njëjtë brenda një province, po ndryshon dhe nga katundi në katund. Vlerat e saj gjuhësore janë të shpërndara, siç janë të shpërndarë vetë arbëreshët.

Arbërishtja është e bukur dhe ka forcën e vet, mënyrat e veta të shprehjes që bartin e përcjellin mendime të thella e ndjenja të holla. Hiret dhe forcën e arbërishtes mund t’i ndiesh jo aq në biseda të rëndomta sesa në situata të caktuara psikologjike. Mirë thonë se arbëreshi në çastet kulminante të gëzimit, të hidhërimit a të zemërimit puk di të shprehet ndryshe, veç në gjuhën e mëmës. Ne e dëgjuam atë në mbledhje e biseda me njëri-tjetrin: flisnin italisht dhe papritur e kthenin arbërisht. Diçka duhej të kishte ndodhur që arbëreshi kthehej te gjuha e vet. Tani ai fliste me shpirt, ishte një çast me emocione jo të zakonshme.

Duke dëgjuar ligjërimin arbërisht, ndien se në këtë të folme ka diçka itë veçantë. Është një mënyrë e përzemërt, intime e herë-herë fëmijërore, po dhe me dufe, gjithë nerv dhe tone burrërore. Të gjitha këto sikur ngjallin një atmosferë lashtësie. Sepse, po t’i vësh re mirë, sa fjalë e shpreh- je të vjetra shqipe që ruan arbërishtja, i japin asaj hijeshi e origjinalitet.

Tek jepnim mësim, ndienim se shpesh mësimi padashur shndërrohej në një fushë studimi për gjuhën shqipe. Këtej shqipja ka fjalë të moçme, trajta e mënyra të thëni së lashti, lakimi përfton vlera stilistike tepër interesante. E këto duhen dëgjuar, duhen gjurmuar, mbledhur e studiuar. Je përpara një realiteti të gjallë gjuhësor.

Por gjendja e arbërishtes në kohën tonë, siç shkruajnë e arsyetojnë studiuesit, është shqetësuese. Problemet dhe hallet që përballon ajo janë të mëdha. Mund t’i dëgjosh këto në ankesat e arbëreshëve, mund t’i lexosh në shtypin e tyre. Të gjithë bëjnë thirrje për të ruajtur gjuhën, për ta shpëtuar nga rreziqet që e kërcënojnë.

Sot mund të të duket çudi që para luftës ose dhe 30-40 vjet përpara, arbëreshi, kur shkonte nëpër zyra, nuk fliste dot pa përkthyes. Edhe sot ka pleq e plaka që flasin vetëm arbërisht. Po këto janë raste të veçuara. Arbërishtja dhe arbëreshi në ditët tona ndodhen nën presionin e gjithanshëm të gjuhës e të kulturës vendase. Barrierat që e mbanin, janë rrëzuar. Arbërishtja u ngjan ishujve të shpërndarë, te të cilët përplasen orë e çast dallgë dhe erëra. Disa ishuj janë fundosur dhe nuk figurojnë më si ngulime të saj në gjeografinë arbëreshe. Ato e kanë humbur krejt gjuhën dhe janë kthyer në katunde, «me gjuhë të prerë» siç i quan studiuesi italian Serxho Salvi. Katundet «me gjuhë të prerë«, dalëngadalë sa vijnë e shtohen. Në provincën e Katanxaros, në shumicën e katundeve, nuk dëgjohet më të flitet arbërisht, s’flitet as në Marceduzë e Andali, as në Zangarona e Zinga, as në Jaxeri e gjetkë.

Po kështu në pjesën më të madhe të ngulimeve arbëreshe në Sicili, madje dhe në katunde me tradita, si Palac-Adriano.

Ky proces është më i ngadalshëm në provincën e Kozencës e në zona të thella të Puljes, të Molises e të Bazilikatës, po prapë kjo s’i zvogëlon e as i spraps rreziqet që i kanosen arbërishtes.

Na qëlloi rasti të shkonim jo një herë në ato katu­nde, ku arbërishtja nuk flitet më.

Kur merrte vesh se ti veje nga Shqipëria, arbëreshit i vinte turp të fliste italisht, mundohej të kujtonte ndonjë fjalë nga gjuha e mëmës, po ishte një mundim i kotë. Edhe kur i kujtoheshin ato, qenë vetëm    disa fjalë që s’ishte në gjendje  t’i lidhte.

Atëherë mund të lexoje dramën në fytyrën e në gjestet e tij. Vërtet koha «i kishte prerë» gjuhën dhe për këtë ndihej i goditur në shpirt. E vetëm ja gjë që i kishte mbetur, ishte ndërgjegjja arbëreshe, krenaria për origjinën.

Arbërishtja sot nuk flitet njësoj në të gjitha katundet, të paktën në tri vatrat kryesore ku shkuam. Në qoftë se në ngulimet më të lashta të provincës së Katanxaxos, ajo është dobësuar në shkallë të ndjeshme, në ato të Kozencës mbahet ende e fortë, madje, në mbrojtje të saj ka lindur një lëvizje e fuqishme kulturore dhe në gjuhën amtare botohen libra, gazeta e revista, organizohen kurse popullore të gjuhës, ndërmerren studime; ajo këndohet në festivale e shqiptohet në emisione të radios. Edhe në Sicili qëndron e fortë, sado që është përqendruar vetëm në Horë, Sendastinë e Kundisë. Statistikat tregojnë se gjysma e katundeve arbëreshe në Itali nuk e flet më gjuhën e origjinës. Në shekullin tonë harta, e gjeografisë arbëreshe është zvogëluar sa asnjëherë. Prandaj arbëreshët janë të shqetësuar së tepërmi. Këtë shqetësim serioz do ta dëgjosh nëpër biseda, nëpër mbledhje, në shtëpitë e tyre, vetë poezia arbëreshe ka dhënë kushtrimin.

Ç’do të bëhet më tej? Mendimet për fatin e saj janë ndarë më dysh. Disa mendojnë se duhet t’i qëndrojnë besnikë gjuhës së katundit, të vazhdojnë të flasin ashtu si mëma e tata, po dhe të shkruajnë në qoftë se s’duam që ajo të humbasë. Po të flasim e të diavasim (lexojmë)

në   gjuhën shqipe,   thonë ata, në katund nuk do të na kuptojnë. Të tjerë, dhe këta përfaqësojnë mendimin e përparuar arbëresh, janë intelektualë të përgatitur, gjuhëtarë, studiues e poetë, të cilët mendojnë se vetëm lidhja me gjuhën e kulturën e mëmëdheut e nxjerr arbërishten nga rrethi i mbyllur, e fuqizoi atë, e shpëton një herë e përgjithmonë. Sepse, sipas tyre, -«copetimi i gjuhës është copëtimi i kombit, dhe copëtimi kombit shpie domosdo në zhdukje». Të tilla mendime i udhëheqin sot përpjekjet e arbëreshëve për shpëtimin e gjuhës si dhe të identitetit të tyre kombëtar. Për këtë përpiqen e luftojnë punëtorët e kulturës arbëresbe F. Solano e E. Xhordano, Xh. Farako e F. Altimari, I. Fortino e D. Emanueli, Xh. del Gaudio    e Xh.    Skiro di Maxhio,

  1. Kjaromonte e Xh. Skiro di Modika …

Këta dhe veprimtarë të tjerë punojnë me zell nëpër katunde që arbëreshët të mësojnë dora-dorës gjuhën letrarë shqipe. Se është gjuha e mëmëdheut që i jep të gjitha mundësitë për t’i njohur e për t’i bërë pronë të vetat vlerat e qytetërimit shqiptar dhe botëror.

Kjo është një detyrë historike që ka marrë përsipër rilindja ë sotme arbëreshe. Një detyrë që mund të arrihet në front të gjerë, por, në radhë të parë, me futjen e gjuhës shqipe në shkollë. Brezat e rinj, që kanë mësuar arbërishten në shtëpi, do ta mësojnë në shkollë gjuhën letrare shqipe dhe do të vijë një ditë që gjuha e mëmëdheut do të rinojë gjuhën e lashtë të katundit. Atëherë poeti nuk do të qortojë më:

Mos e kthe kokën, shiko këndej,

mos më ndrro me një gjuhë të re

unë jam nëna, jam yt atë,

mos më bëj të mendoj se ke kokën e thatë.

Unë isha kur ti je lerë

E ke folur me mua te e parë herë

Flit dhe ltisht po mua    duamë mirë

e mos harro se je im bir!

(B. Paskali)

Katundet arbëreshe më afër Shënkollit janë Karfici e Puhuriu, disa kilometra larg njëri-tjetrit. Ne hapëm kurse dhe në ato dy katunde. Pasdrekeve bënim mësim në Shënkoll dhe mbrëmjeve ne Karfic e Puhuri. Njerëzit mblidheshin në bashki a në shkollë. Ishte po ajo atmosfere si në Shënkoll, e ngarkuar me emocione dhe me mbresa të përditshme.

Për të shkuar në Karfic e në Puhuri, rruga gjarpëronte nëpër ca kodra dhe pllaja me shkurre. Në këto vende të buta, në mes brigjeve të detit Jon dhe malësisë së Silës kishin zëne vend arbëreshët që nga koha e Rerësve.

Karfici është një fshat i vogël, por i bukur, ngritur në një bregore që sheh nga deti. Dikur ishte lagje e Shënkollit, por me kohë u shkëput dhe tani është komunë më vete. I përmbledhur, me shtëpi në shpinë të njëra-tjetrës, i rrethuar vende-vende me mure të vjetra, duket si i futur brenda një kështjelle. Këtu, prej shekujsh, katundi bën jetë arbëreshe dhe flet arbërisht.

Karficiotët njihen si njerëz punëtorë, të lidhur me tokën. Deri në vitet e para të pasluftës tokat e tyre ishin pronë e Latifondistit të madh Rixuto, dhe Karfici vuajti shumë prej tij, por dhe luftoi kundër shfrytëzimit dhe padrejtësive. Në lëvizjen fshatare për tokë karficiotët ishin nga më të vendosurit. Të parët e tyre kishin marrë pjesë në luftërat garibaldine dhe kishin fituar emër të mirë. Por sakrificat u kishin shkuar kot, sepse prapë kishin rënë nën zgjedhën feudale. Vonë, në vitet 50-të të këtij shekulli ata morën tokë, por tokat janë të pakta e të varfra dhe nuk ua përballojnë nevojat. Lufta për jetën i bëri të marrin rrugën e mërgimit. Më shumë se gjysma e katundit ndodhet në kurbet. Statistikat janë tronditëse. Nga 1381 banorë, më tepër se 900 kanë ikur në mërgim. Shkretim i vërtetë! Lulja e Karficit e derdh djersën në minierat dhe fabrikat e Gjermanisë Perëndimore. Plaga e kurbetit ka bërë të krijohet edhe një fjalë e re: gjermanezët! Kështu quhen ata që mërgojnë në Gjermani. Fjalë e trishtuar, prapa së cilës fshihet një dramë e vërtetë.

Sot nëpër rrugët e Karficit shikon pothuaj vetëm pleq dhe fëmijë. Gratë punojnë në ara, shkojnë në vreshta dhe në ullishta. Në katund është rritur vlera e postierit. Kurrë Karfici nuk ka marrë më shumë letra se këto vi­tet e fundit, po dhe kurrë s’ka pasur halle dhe s’i kanë ardhur lajme nga larg si tani. Derdhet në to malli i zhuritur i kurbetlinjve, meraku i baballarëve për fëmijë, i djemve për prindërit pleq. Ata nuk i shkëputin lidhjet me katundin. Aty kanë shtëpinë, të dashurit, kanë fëmijërinë dhe rininë. Aty duan dhe të vdesin. Dhe të vdesësh në vendlindje, për karficiotin është një «privilegj». Sepse nuk janë të rralla rastet që postieri sjell mandata, Dikush nga «gjermanezët» ka vdekur, mund të jetë aksidentuar, mund dhe të ketë mbyllur sytë nga ndonjë sëmundje profesionale. Vetëm nënat dhe gratë e Karficit dinë të rrëfejnë për këto histori.

Po ç’mund të dëgjojë e të shohë më parë njeriu i ardhur nga Shqipëria në katundet arbëreshe!

Shkojmë në Pallagorio ose në Puhuri, siç e thërrasin arbëreshët, i cili gjendet më tutje Karficit, i shtrirë në një pllajë të lartë. Këtej në horizont duken malet me dëborë të Savelit. Puhuriu është një vend i banuar së lashti.

Arbëreshët e gjetën të ngritur kur erdhën në mesjetë  dhe e përtërinë. Ndërtuan shtëpi, hapën e lulëzuan toka të reja, duke  i dhënë katundit fizionominë që ruan edhe sot. Ai ka një pamje shumë piktoreske, me shtëpi e rrugica karakteristike, plot kopshte, rrethuar me ullishta e vreshta, që gjelbërojnë në kodrat përqark.

Puhuriotët kanë tradita patriotike e kulturore, flasin një arbërishte pak e shumë më të qartë se ajo e katundeve përreth. E folmja e Puhuriut është më e butë dhe trajtat e fjalëve i ka më të plota. Vendasve u bëhej shumë qejfi kur ne i vinim re këto.

Puhuriu është vendlindja e patriotit të përmendur arbëresh Anselmio Lorekio. Këtë e dinim që më parë dhe kjo e rriste më shumë interesin tonë. Pikerisht këtu Rilindja shqiptare kishte vatrën e vet, ndoshta të vetmen në këto anë. Këtu kishte lindur gazeta «La nazione albanese”, organi më jetëgjatë i shtypit të Rilindjes sonë. Këtu ishte përgatitur numri i saj i parë nga Lorekioja e pastaj ishte dërguar par t’u shtypur në Katanxaro, ku kishte dalë në janar të vitit 1897. Gazeta e fillonte jetën duke iu paraqitur lexuesve me thirrjen patriotike të shënuar në krye: «Shqipëri, përpara”. Me këto fjalë ajo doli për njëzet e shtatë vjet me radhë, dhe Lorekioja i solli shërbime lëvizjes kombëtare. Kryeredaktori i saj, që botoi dhe lib­ra, bashkëpunoi me De Radën, kryesoi aksione arbëreshe, dhe nuk e pati të lehtë të ndiqte një vijë politike. konsekuente. Në qëndrimet dhe pikëpamjet e tij do të ndihen presionet e synimet djallëzore të borgjezisë së madhe italiane ndaj Shqipërisë dhe iluzionet që ai ushqente.

Në Puluri i njihnin mirë Loreqot, — kështu e thërrisnin arbëreshët këtë fis. Atje dëgjuam të na flisnin për fisin e tyre, si një familje e vjetër feudale, që nuk ruante dhe aq emër të mirë. Loreqot, tregonin pleqtë e katundit, kishin qenë pronarë të mëdhenj tokash dhe i kishin shtypur bashkëfshatarët. Populli e kujton edhe sot sjelljen e tyre të ashpër.

Megjithëse ishim të një gjaku e pra, ishim arbëreshë na thoshte një mësues nga Puhuriu, — ata e mbanin veten ndryshe nga ne. I pari i Loreqove bridhte nëpër dherat e Puhuriut, hipur mbi kalë dhe qëllonte me kamxhik bujqit. Por arbëreshi nuk shtrohet kollaj, dinte dhe t’ia kthente. Kështu kanë qenë kohërat.

Nga bisedat mësuam se disa nga Loreqot zunë pozita në shtetin italian, madje njëri prej tyre arriti të bëhej dhe admiral. Dy vëllezërit, Anselmioja dhe Luigji ndoqën rrugë tjetër. u aktivizuan në lëvizjen kombëtare shqiptare. K Luigji, në shembullin e të vëllait, përktheu në gjuhën italiane manifestin e Rilindjes sonë, «Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” të S. Frashërit dhe provoi të jepte në arbërisht këngën e parë të «Ferrit» të Dantes.

Shtëpia e Loreqove është ende në Puhuri. Një shtëpi e vjetër dhe e madhe, qe i ngjan një kështjelle të vërtetë, veçanërisht kur e sheh nga brenda. Rur e vizituam, aty u njohëm dhe me një nga trashëgimtarët, nipin e Anselmios, një agronom, që tani kishte dalë në pension. Në pamje të parë na u duk tepër i përmbajtur, por na priti mirë dhe u ngroh sidomos kur i folëm me respekt për të ungjin e zumë të interesoheshim për dorëshkrimet që ka lënë. Dhoma e madhe ku qëndruam, ishte plot rafte me libra, kurse në dhomën ngjitur ai ruante dosje me dokumente, të sistemuara në arka e sundukë të vjetër.

Biseda pastaj u përqendrua te gazeta «La naziane albanese». Plaku hapte sytë dhe i bëhej qefi që ne e njihnim mirë. I thamë se, sado të kursyera, po në gazetë mund të gjesh të dhëna dhe për katundet e këtyre anëve. Kështu, bie fjala, në një rast njoftohet se arbëreshët e komunave të Shënkollit, të Puhuriut e të Karficit me ata të katundeve të Kozencës e të Puljes i kërkojnë qeverisë italiane, në vitet e para të shekullit, që të hapet katedra e gjuhës shqipe në Institutin e gjuhëve orientale në Na­poli.  _

Nipi i Lorekios, që s’i kujton të gjitha, dëgjon i. mallëngjyer e tund kokën.

Është interesant, ;— i thamë, — se, kur vdiq Lorekioja, më 1924, parlamenti shqiptar nderoi kujtimin e tij dhe u propozua t’i lidhet pension patriotik familjes…

Plaku pastaj na shëtiti nëpër shtëpi, duke na udhëhequr nëpër dhoma e korridore që s’kanë të numëruar dhe i ngjajnë një labirinti të vërtetë. Na tregoi disa relike të vjetra të familjes, stemën e saj, shtatore të vogla mermeri, disa instrumente detare, tablo e fotografi të kohëve të ndryshme… Këto dhe muret e larta e të trasha, qetësia që zotëronte, era e lagështisë dhe e mykut përftonin padashur atmosferën e një kohe të kaluar.

U ndamë me plakun para portës së rëndë me qemere guri. Po binte mbrëmja. Një mbrëmje e butë mesdhetare. Shkuam në sheshin e katundit. Të parët që na u afruan, qenë pleqtë.

Më kujtohet një plak, me kasketën ngjeshur në kokë, me mustaqe të dendura, qe na doli përpara dhe na ftoi te rrinim me të, qoftë dhe për pak minuta, në një bar aty pranë. S’ia prishëm qejfin.

A e dini si jemi na arbëreshët? — tha plaku me një dëshirë të papërmbajtur, sikur ta kishte pritur prej kohësh këtë çast.

— Jemi si ai thëngjilli i fortë i lisit që rri ndezur e nuk di të shuhet, edhe pse motet e kanë mbuluar me hi. E kur vini ju prej andej, na e hiqni e na marrim flakë…

Jo, — dëgjojmë një zë tjetër prapa krahëve.

Është një burrë i vjetër që i afrohet tavolinës sonë. — Flakë nuk marrim. Thuaj: jemi zjarr i vjetër e digjemi nën hi.

Fjala nxjerr fjalën dhe rreth nesh mblidhen gjithë njerëzit që gjenden në bar. Secili do të flasë, të thotë diçka që ka të bëjë me katundin e tyre, me gjuhën, me zakonet, me historinë e vjetër e të re. Për ta, arbërishtja e Puhuriut është më e bukura e folme që flitet në Kalabrinë e Poshtme, dhe atyre u vjen mirë të krenohen. Aq sa një- ri thotë:

Pa gjuhë s’do të ishim na!

Në Puhuri ruhen ende disa nga zakonet shqiptare të dasmës e sidomos ato të mortjes dhe arbëreshi në këto ngjarje të shënuara nuk mund të shprehet veçse në gjuhën e vet. Nga mënyra se si arsyetonin ata, kupton se gëzimi e dhembja në çaste të tilla kërkon vetëm fjalën amtare.

Puhuriun arbëresh e pamë dhe e dëgjuam një mbrëmje, kur na ftuan në shkollën e fshatit. Do të jepej një shfaqje me këngë e valle arbëreshe para të dërguarve të televizionit të Katanxaros. Salla e madhe ziente nga njerëzit. Ata qenë të emocionuar që grupi i tyre gjendej para telekamerave të ardhura nga kryeqendra e krahinës. Për këtë ishin përgatitur me kohë e në mes dhjetëra këngëtarëve e valltarëve të katundit qenë zgjedhur më të mirët.

Ishte, pra, fjala për nderin e Puhuriut, prandaj kishte

kaq interesim, dhe të gjithë diskutonin e thërrisnin si në një ndeshje sporti. Ata kishin parapëlqimet e veta për këtë apo atë këngë e valle, për këtë djalë apo atë vajzë. Duhej të ndodheshe atje që të shihje turmën e spektatorëve që dallgëzohej e shfrynte, të dëgjoje përgëzimet e kundërshtimet me zë të lartë, brohoritjet e duartrokitjet. Sallën e kishte pushtuar një atmosferë gazmore. Më të ndjeshmit çuditërisht ishin plakat dhe pleqtë. Ndoshta këtë ditë e kishin ëndërruar prej kohësh. S’ishte gjë e vogël që brezi i ri i katundit të tyre të dilte para botës duke vallëzuar e kënduar arbërisht. A nuk ishte ky një pohim publik se Puhuriu arbëresh është gjallë?

Shfaqja u mbyll me vallen e njohur të Kostandinit të Vogël. Kjo valle do të na shoqëronte në të gjitha katundet ku shkuam. Është nga këngët më të vjetra arbëreshe, që vjen nga mesjeta shqiptare, një baladë që e gjen në shumë motërzime, po që të gjitha i këndojnë besnikërisë. Kënga zbërthen psikologjikisht natyrën e arbëreshit dhe ka të bëjë me ide tepër humane; motivi i rinjohjes plekset me atë të besës, fjalës së dhënë, duke marrë një kuptim më të gjerë. Sigurisht, rinjohja e çiftit, të ndarë nga forca që s’varen prej tyre, mbetet kryesori, veç përhapja e gjerë e këtij motivi në mjediset arbëreshe të bën të mendosh se takimet e tyre i ngjajnë një rinjohjeje të përhershme. Arbëreshët e ndarë nga njëri-tjetri në kohë e vise të ndryshme, kur e sjell hera të takohen, duket sikur dhe sot rinjohin shoku-shokun. A nuk është ky takim një rinjohje pas një ndarjeje të gjatë? Ai thërret i habitur e i përmalluar:

Ti je gjaku im, ti vëllai im!

Je arbëresh, je vëllai im!

Pas shfaqjes, gjindja u lidh përdore dhe nisi të kërcente vallen e Kostandinit. Na morën dhe ne, dhe ne, megjithëse s’dinim, përpiqeshim të  ndiqnim të tjerët. S’është e lehtë të heqësh këtë valle, që shoqërohet dhe me fjalë, por nderi arbëresh e kërkonte. Mjafton të shikoje fyty­rat e valltarëve dhe mënyra si kërcenin që të kuptoje se ç’forcë ka një valle në shpirtin e arbëreshit.

Melodia dhe ritmi i valles së Kostandinit janë të thjeshta, po kjo thjeshtësi karakteristike e rrëmben arbëreshin dhe e bën të ndihet në botën e tij, në një atmosferë mendimesh e shqetësimesh të veta. A thua ajo shpreh fatin e rëndë të kësaj bashkësie shqiptare në dhe të huaj, që mbijeton në saje të fjalës së dhënë? Arbëreshi e këndon dhe e kërcen këtë valle në dasma, në festa, në takime popullore. Me këtë Puhuriu do të paraqitej në televizionin e kryeqendrës së krahinës. Është vallja e identitetit të tij, që flet vetë e s’ka nevojë për shpjegime.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *