(Xheladin Beqiri-Karadaku, 1908-1944)
…Luftoj për prindërit e mi në Gjakovë dhe për djalin tim në Kurvelesh…
Xh. Beqiri, Hero i Popullit
Nga Naun Kule
Në dimrin e ashpër të vitit 1908, familjen e Haxhi Beqirit në fshatin Preving të krahinës së Gjakovës, e gëzoi lindja e djalit të dytë, Xheladinit. Familja Beqiri ishte e varfër por e njohur gjer larg për atdhetari. Haxhiu dallohej për karakterin e tij burrëror, si luftëtar trim. Ishte shok armësh dhe idealesh i Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, etj. Në këtë truall plot vlagë patriotizmi, u rrit djaloshi Xheladin Beqiri, me kujtimin dhe nderimin e të rënëve për liri, me rrëfenjat për trimërinë e Shotes e Azem Galicës, për bijtë e Kosovës martire…
Ishte ende fëmijë kur shpërtheu lufta ballkanike. I ati ngjeshi armët dhe iu ngjit maleve për t’i shpëtuar ndjekjeve të shovinistëve serb. Një ditë, të prirë nga një oficer serb, xhandarët ia rrethuan shtëpinë. Pyetën dhe rrahën të ëmën dhe fëmijët. Por baba Haxhiun nuk mundën ta zinin. Ai gjendej larg shtëpisë. Xheladini-fëmijë i shihte me frikë dhe urrejtje këto veprime çnjerëzore. Dhimbja për të ëmën dhe malli për të atin ia copëtonin shpirtin. Me sytë e përlotur të fëmijës tetëvjeçar pa xhandarët kur mbushën shtëpinë me barin e mullarit pas të cilit dëgjoi urdhrin e egër të oficerit serb:
–Zjarr..! Flaka në kulm të pullazit kësaj shtëpie..!
Në pak minuta gjithçka u zhurit. Gërmadhat e shtëpisë u platitën në grumbuj hiri dhe thëngjijsh. Familja mori rrugët.
Me foshnjë në gji dhe Xheladinin prej dore, nëna u vendos në lagjen “Mullah Isufi” të qytetit të Gjakovës.
Këtu kishte gjakun dhe gjininë e vet. Aty pranë kishte shtëpinë edhe Bajram Curri. Me ndihmën e miqve të familjes dhe njerëzve të fisit, siguruan jetën si mundën. Vëllai i madh nisi punën si gunaxhi dhe më pas qepte kostume kombëtare. I vogli u bë druvar. Xheladini punonte argat në bujqësi e ndër të kamur.
Ndërkohë, ngjarjet historike ndiqnin njëra-tjetrën. Xheladini, nga të parët që iu përgjegj thirrjes së Komitetit Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës. U rreshtua në formacionin e rinisë kosovare të cilën, Komiteti e vendosi në Krumë. Këtu, Xheladini qëndroi më se dy vjet. Mësoi pak shkrim e këndim shqip dhe mori njohuri të mira ushtarake. Duke parë zgjuarsinë dhe aftësitë e tij, bejlerët e familjes Kryeziu i propozuan të vishej xhandar. Xheldini nuk pranoi.
Pas dështimit të revolucionit të Qershorit, 1924, dhe rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, filloi ndjekja e partizanëve të Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit. Për t’i shpëtuar arrestimit Xheladini filloi të endej krahinave si argat bujqësie.
Pasi u rropat kësisoj disa muaj, u kthye dhe u rivendos në vendlindje me gjithë familjen. U kthye edhe i ati në shtëpi dhe iu rifutën punëve të bujqësisë. Por midis vendasve shqiptarë dhe kolonëve serbo-malazezë, sherrnaja e njohur për pronësinë e tokës dhe ujit për të ujitur, erdhi duke u acaruar gjithnjë e më shumë. Njeri prej serbëve ua preu ujin. Gjakrat u ndezën. Ishte fjala për të mbjellat, për bukën. Në grindje e sipër me serbin, ky e shtyu të atin e Xheladinit dhe e rrëzoi. Kur pa të atin për tokë Xheladini s’u përmbajt më. Zbrazi pushkën mbi serbin dhe e shtriu të vdekur…
Që atë ditë doli malit. Ishte vera e vitit 1934. Xheladini, tanimë djalë i pjekur endej malit me pushkën mbi sup. Qeveria e ndiqte dhe i bënte thirrje të dorëzohej. Ishte i fejuar dhe për 18 ditë do martohej. Por dasma e Xheladinit ikte gjithnjë e më larg. Vendoi të kapërcente kufirin për në Shqipëri. Por kishte edhe një merak të vjetër…Në Gjakovë jetonte oficeri serb që ia dogji shtëpinë 16 vite më parë. Pas shumë përpjekjesh futet në qytet dhe ve në pusi armikun e tij. Ja, në krye të rrugicës, ecte rëndë-rëndë oficeri serb me gjoksin plot dekorata.
-A të kujtohet gospodin urdhri që ke dhënë në fushë të Kosovës, 16 vjet më parë?..-Kësaj shtëpie t’i dalë flaka në kulm…! Ajo shtëpi dhe nëna që godite, ishin të mijat…Atëherë isha i vogël, po nuk të harrova…!
…Me shpejtësi vetëtime ia ngul thikën në zemër dhe me vrapin e erës doli jashtë qytetit e zuri malet. Pas ca ditësh kaloi kufirin.
Pasi u end ca kohë nëpër qytetet e Shqipërisë, zuri punë në Vlorë. Në fillim punoi në kripore, pastaj si bahçevan, marangoz, murator, argat në bujqësi, etj. Në këto punë njohu shumë njerëz dhe bëri disa shokë të besuar. Një djalë nga Nivica e Kurveleshit i propozoi të shkonte, të jetonte në Nivicë, pranë familjes së tij. Ishte viti 1935.
Vendasit e pritën mirë dhe e deshën si vëlla. Xheladini ishte punëtor, besnik, i ndershëm, fjalë pak. Nagantin s’e hiqte nga brezi asnjë çast. Në vitin 1940 martohet këtu. Ndërton një kasolle në periferi të fshatit dhe merret me punët e bujqësisë. Dallohej si bujk i mirë dhe si usta për të gdhendur parmenda. Por merakun më të madh e kishte për nagantin dhe një pushkë austriake që e mbante fshehur. Por s’kishte fishekë.
Gjatë luftimeve italo-greke(1940), e kapin italianët duke mbledhur municion dhe armë maleve. E internojnë në Vlorë. Por s’ishte e lehtë ta mbaje Xheladinin mbyllur në mure.
U arratis nga burgu dhe duke udhëtuar fshehur, natë pas nate mbërriti në Nivicë. Këtu arrestohet nga grekërit që kishin pushtuar disa fshatra të Kurveleshit. Një major grek e mori në pyetje të arratisurin nga burgu italian.
-Domethënë ke vendosur të luftojmë bashkë për Greqinë..!
Shumë mirë djalosh..! dukesh që je djalë trim…!
-Zoti major, thashë se dua të luftojë për Shqipërinë. Unë jam shqiptar..!
Ky qëndrim burrëror e atdhetar e përplasi sërish Xheladinin në kampet greke të Peloponezit, ku u mbajt mbyllur një vit.
U kthye nga burgu grek më 1941.
Por tashmë e pllakosi një fatkeqësi familjare. Gruaja, sapo kishte lindur djalin, kishte vdekur duke ia lënë foshnjën jetim. Banorët e fshatit iu gjendën pranë; ia pakësuan dhimbjen dhe ia rritën djalin me fëmijtë e tyre…
Erdhi koha kur thirrja për luftë çlirimtare kundër pushtuesit dhe tradhëtarëve të vendit buçiste në çdo skaj të Shqipërisë.
Në Nivicë lidhi miqësi me Dalip Seferin, luftëtar që më vonë ra dëshmor. Dalipi e njohu Xheladinin me Mustafa Matohitin. Në prillin e vitit 1942, Xheladini ishte njeri nga tetë luftëtarët e parë që formuan çetën e parë partizane të Kurveleshit. Shokët i vunë pseudonimin “Karadaku” në kujtim të maleve të vendlindjes. Dy muaj më pas, më pesë qershor 1942, Xheladini merr pjesë në njësitin partizan për asgjësimin e nënprefektit të Kurveleshit, si spiun i fashizmit.
Një natë gjendet i rrethuar në fshatin Bolenë. Të shtëpisë deshën ta fshehin, por Xheladini bëri gati armët, hodhi dy granata njërën pas tjetrës, çau rrethimin dhe u bashkua me shokët. Në tetor, 1942, u vendos asgjësimi i një spiuni nga fshati Bolenë. Spiuni mbrohej shumë nga italianët, maskohej dhe thuajse nuk dilte fare ditën. Karadaku me dy shokë ia zunë pusinë pranë shtëpisë së tij. Pritën sa spiuni doli në ballkonin e shtëpisë për të pirë kafenë dhe e shtrinë me plumbin e parë…
Më 11 nëntor 1942, u eliminua postëkomanda dhe Komuna në Kuç. Pushka e Karadakut, edhe këtu u ndje fortë. Fitorja e çetës partizane u kthye në festë popullore ku u mbajtën edhe fjalime. Foli edhe Karadaku. Këtu e morën vesh të gjithë se ishte nga Kosova, për shkak të theksit dhe fjalëve gegërisht.
Më 28 nëntor, partizanët, elemininuan prefekturën e Gusmarit dhe vendosi aty, pushtetin e tij nacional çlirimtar. Në sheshin e fshatit u mblodhën gjithë banorët. Entuziazëm i paparë. Karadaku u ngjit në ballkon, hoqi flamurin italian, e shkeli me këmbë. Mori flamurin kuq e zi, e shpalosi përballë njerëzve, e puthi dhe tha
-O flamur, bre! Krenaria e shqiptarit..!
Betohemi se s’kena me të lanë kurrë të përlyej i huj!
Komanda e caktoi Karadakun zëvendëskomandant dhe më pas komandant të çetës “Hajredin Tremishti” e cila u formua në dhjetor, 1942. E udhëhoqi dhe e komandoi me trimëri çetën kudo ku e shpuri urdhri luftarak. Në Bregdet, Vurg, Konispol,. Këtej u njoh edhe me Lefter Talon njeri nga organizatorët kryesorë të luftimeve në zonën e Vurgut. Kudo që shkoi, çeta u prit me gëzim. Çeta hapi grazhdaret dhe ua shpërndau bereqetin fshatarëve. Ja komunikata e ditës:
-Më tre mars 1943 çeta partizane e komanduar nga Xheladin Beqiri, i shpërndau fshatarëve të katundeve Kopaçes-Vergo, 7000 okë misër kalli, të dhjetës dhe 2440 okë misër në Tatzat..Në Lukovë 33 kv misër…
Po kjo çetë çarmatosi një roje financiare dhe, pasi i spjegoi Luftën Nacionalçlirimtare,i porositi të largohen nga rreshtat armike.
Katër ditë më vonë këta u kthyen në çetë me shokë të tjerë…
Karadaku kishte shpejtësi të çuditshme në vlerësimin e situatave, nuk i trembej kurrë syri edhe përballë armikut më të shumtë në numër dhe në armatime…
Në datën 10 prill të vitit 1943 një pjesë e çetës ecte drejt Borshit. Në rrugën Borsh-Çorraj-Kuç, Karadaku që printe përpara u ndesh me pararojën e një divizioni armik që kishte nisur një operacion spastrimi në këto zona. Me gjakftohtësi dhe pa u hutuar, uli mitralozin në mes të rrugës dhe hapi zjarr kositës. Pararoja ra .Forcat e tjera armike u shpërndanë në formacion luftimi. Xheladini menjëherë caktoi pikat që duheshin kapur dhe dhe rrugën e mundëshme për tërheqje. Lufta u ndez e furishme ndërkohë që mitrolozi i Karadakut mbronte tërheqjen e shokëve. Por vet Karadaku u rrethua keq . Fashistët nxitonin t’i ngushtonin darën e rrethimit mitralierit trim. Por më kot. Xheladini e çau rrethimin në anan e kundërt të tërheqjes së shokëve., përmes një pylli shumë të dëndur. Partizanët s’ngopeshin së përqafuari kur e panë mes tyre. Në çetën “Hajredin Tremishti” erdhi si komisar Asim Zeneli. Ja edhe beteja e Mezhgoranit ku partizanët e kësaj çete luftuan trimërisht kundër forcave të shumta fashiste. Por, kur fitorja ishte thuajse e sigurtë, një plumb armik e rrëzoi komisar Asim Zenelin. Me dhimbje të thellë Karadaku u betua mbi varrin e Asimit. Ishte betimi i heroit për heroin, i trimit mbi trimin. Dhe Karadaku, po kaq trimërisht e gjer ne fund i qëndroi këtij betimi. . Gjatë korrikut 1943, në Sheper të Zagorisë nisën të grumbullohen partizanë nga gjithë qarku i Gjirokastrës. Caktoheshin partizanët për në Brigadën e parë sulmuese.
“…Unë jam gati– u tha Karadaku shokëve.-Dua të luftoj në njësitet e mëdha të Ushtrisë tonë nacionalçlirimtare…Dua të luftojë në të katër anët e atdheut tonë. Do luftojë për vete, për prindërit e mi në Gjakovë dhe për djalin tim në Kurvelesh…!”
Karadaku u caktua zëvendës komandant i batalionit të parë dhe u dallua në gjithë veprimet luftarake për trimëri, organizim perfekt, dhe shpejtësi në vlerësimin e situatave luftarake. Lufta e Barmashit kundër gjermanëve ishte pagëzimi luftarak i Brigadës së parë. Pushkën e parë gjermane që u kap aty, në shënjë nderimi për trimërinë e treguar, ia dhanë Karadakut. Në shtator-tetor 1943, Brigada zhvilloi luftime të ashpra në zonën e Pogradecit për prerjen e rrugës Elbasan-Tiranë. Edhe në këto luftime shkëlqyen aftësitë organizative dhe luftarake të Karadakut.
…Dhe ja, 27 shtatori i vitit 1943. Postblloku hitlerian mbronte hyrjen perëndimore të qytetit të Elbasanit. Kundër tij u vendos të nisej vetëm një kompani e batalionit të parë nën komandën e Karadakut. Fushimi i nazistëve qe vendosur në dymbëdhjetë çadra, mbi xhade. Gjysmërrethi luftarak i partizanëve iu afrua armikut deri 50-60 metra. Në rrugë patrullonin autoblinda. Përqark, roje të shumta në fortina betoni.
..Krisma e parë e komandant Karadakut nisi sulmin e furishëm mbi fushimin armik. Hutimi dhe çorododitja e nazistëve qe e plotë. Asnjë kundërshtim me armë nuk mundën të bënin, përballë atij sulmi të papritur dhe të rrufeshëm partizan. Rezultati luftarak qe i shkëlqyer. Mbi gjashtëdhjetë gjermanë të vrarë, postblloku armik i shkatërruar, të gjitha çadrat e fushimit u përfshinë në flakë. Asnjë dëm nga partizanët..!
Në janar të vitit 1944, Tenda e Qypit përbënte shtegun e vetëm për të dalë në Këlcyrë dhe Përmet. Ky shteg i duhej marrë armikut me çdo kusht. Për këtë u ndez lufta e ashpër. Në çastin më kritik në këtë përleshje luftarake mbërriti aty Batalioni i parë më Karadakun në krye i cili bëri të ndryshonte gjendja menjëherë në favor të partizanëve.
Batalioni gjerman u shkatërrua dhe armiku u tërhoq në drejtim të Çorovodës. Më 2 maj 1944 Konferenca e Brigadës në Moglicë e zgjodhi Karadakun delegat për në Kongresin e Përmetit. Pas këtij Kongresi Karadaku caktohet komandanti batalionit të pestë të Brigadës së parë. Pas shumë përleshjesh me gjermano-ballistët, batalioni i pestë vendoset ne Qafën e Gjarpërit e cila, bashkë me atë të Gurit të Prerë, përbënin dy pika që, po t’i zinte armiku, rrezikonin gjithë forcat e divizionit. Ishin vendosur aty mbi 300 forca gjermane dhe nje batalion xhandarësh. Ishte mesdita e datës gjashtë qershor, 1944. Nazistët vazhdojnë të afrohen me kujdes dhe fshehtësi. Artileria e tyre me mbi njëzetë gryka zjarri, rreh papushim çdo pëllëmbë të këtyre shkrepave. Megjithatë, partizanët, puthitur pas shkëmbinjve presin sinjalin me gisht në këmbëz. Goditja kryesore e armikut drejtohej mbi qafën e Gurit të Prerë për t’u dalë në shpinë forcave partizane…
… Ja, zjarri i armëve ndez flakë shkëmbinjtë. Përparimi i skalionit të parë armik, dështoi. Armiku hedh në sulm skalionin e dytë. Por partizanët vazhdojnë të qëndrojnë trimërisht. Nga lart-poshtë hidhet në sulm batalioni i katërt partizan. Përleshja bëhet edhe më e ashpër, deri trup me trup. Por armiku kishte epërsi numerike. Nga çasti në çast rrezikohej marrja e Qafës nga gjermanët. Pikërisht në këtë situatë tepër të rëndë dhe kritike, kundërsulmon batalioni i tretë nga krahu i djathtë dhe u merr krahët nazistëve. Ky kundërsulm i befasishëm, i çoroditi gjermanët. Ata detyrohen të hedhin në sulm rezervën e freskët prej 100 nazistësh që mbaheshin gati. Partizanë dhe gjermanët kacafyten grykë më grykë…Në ballë të sulmit, gjithnjë Karadaku me mitrolozin e tij. Përleshja zgjati rreth dy orë. Armiku pësoi dëme të pallogaritura. Por edhe nga partizanët pati humbje të ndjeshme.
Ndërmjet të rënëve, ishte edhe vet komandanti i batalionit, Xheladin Beqiri-Karadaku…
…Me dhimbje të thellë, shokët e shtrinë trupin e atij trimi mbi një kodër, e mbuluan me flamurin kuq e zi dhe u betuan për hakmarrje. Kështu e mbylli jetën ky luftëtar i shquar, bir i Kosovës dhe i Kurveleshit, besnik gjer në vdekje i atdheut dhe i lirisë së tij.
-Referenca:
-Broshura “Një nga të tetët”,P.Doçi,Tiranë, 1971.
-Broshura “Xheladin Beqiri-Karadaku” Botim i Muzeut historik të Tepelenës, 1979.
-Gazeta “Bashkimi” 08.06. 1979; Xheladin Beqiri-Karadaku.

U vrane 60 gjermane , ndersa partizane asnje!!!! Ne filmat e kohes se diktatures pasqyrohej me zell te madh se ne çdo perpjekje me armikut kishte shume gjermane te vrare dhe tek tuk ndonje partizan te vrare apo te plagosur. Si ka mundesi qe Shqiperia ne propoganden e kohes pas “çlirimit” deklaronte te vrare 28.000 deshmore!!!!!!?????? Nga dolet kaq shume te vrare!!!!!!!!!!??????? Apo vrame njeri tjetrin, apo perralla si kjo e Karadakut nga Kosova.
Sa te mjere, si nuk keni tru. e kote te debatohet me truthar dhe bij te hubesve te LNQ-se
Sa bukur na i tregojne perrallat ky e bedrija!
Karikature te literatures me partizan e armiq!
Pse lejon kjo gazete komente qelbesirash Pa din e Iman. Te tille skane as familje e as Atdhe. Shtaze.