EKSKLUZIVE / Operacioni sekret: Ministri i Brendshëm shpëton një fëmijë nga kampi i Astirit!

redaktor

UNAZA E RE – Edhe pse ai nuk do të donte që ngjarja të merrte rrugët mediatike, për shkak të natyrës sensitive të çështjes, Gojët e Liga raportojnë që Ministri i Brendshëm shqiptar Sandër Shajaku ka shpëtuar një fëmijë shqiptar nga kampi famëkeq i Astirit.

Akti i guximshëm ishte finalja e një operacioni të mirëstudiuar, të organizuar në bashkëpunim me organizata partnere të IKMT-së, policisë elektrike dhe karabinierisë pyjore të Unazës së Re. Mësohet se ministri ishte përfshirë personalisht në këtë histori të dhimbshme.

Ngjarja zë fill dy javë më parë, pikërisht kur në media po vihej re një mungesë e çuditshme e Ministrit të Brendshëm.

Në fakt, zoti Shajaku ishte infiltruar në rajonin e trazuar i veshur me rroba rroba civile, për t’u përzier me turmën. Gojët e Liga mësojnë se pasi kishte zhveshur uniformën e gjeneralit dhe kishte hedhur krahëve një kostum të rëndomtë Armani, ministri kishte urdhëruar që edhe truprojat e tij të visheshin thjesht, si Astirasit. Nga ana tjetër, makina e ministrit dhe ato të truprojave, njësoj si motorët e policisë që e shoqëronin autokolonën gjatë dy javëve të infiltrimit, ishin lënë enkas të palara, aq sa edhe targa mezi u dallohej.

Detajet pikante që Gojët e Liga kanë në dorë, flasin për marrjen e një shtëpie me qira në zonë nga ana e zotit Shajaku, dhe për biseda të përditshme të ministrit në kafenetë e kateve të para të pallateve me banorët vendas të kampit. Kjo për të ndërtuar legjendën e një mirditori të ardhur pesë vite më parë në Astir,të cilit qeveria po i prishte shtëpinë.

Akoma më dramatike bëhet kjo histori, po të kemi parasysh se Ministri i Brendshëm as që kishte piketuar ndonjë fëmijë për të shpëtuar.

Madje një lypës i vogël që i vinte çdo sabah te tavolina e kafesë për t’i kërkuar ndonjë qindarkë, Shajaku më në fund nuk duroi dhe i bërtiti me të madhe:

“Lipsu tutje, qurravec, se po më prish misionin sekret për të cilin kam lënë zyrën e ministrit dhe kam ardhur këtu i maskuar si mirditor hallexhi! Zhduku, se nuk duhet ta marrë vesh njeri që unë jam Sandër Shajaku!”

Gojët e Liga mësojnë se ndërsa kalamau bëri tutje i lemerisur, dëshmitarët e pranishëm e dëgjuan deklaratën, u ngritën në këmbë të zemëruar dhe nisën t’i afroheshin kërcënueshëm.

Por ndërkohë, truprojat mbinë befas në hiçi, me syzet e errëta tipike të truprojave, kufjet në vesh dhe makinat shtetërore, që çuditërisht ishin të lara xixë dhe u dalloheshin qartë targat.

Raportimet janë të turbullta për atë që ndodhi më pas.

Por është e sigurtë që të nesërmen, Ministri Shajaku duke iu rikthyer episodit, deklaroi se fëmija lypës ishte larguar i sigurtë nga zona e nxehtë dhe tani lypte afër Bllokut.

“E mendon dot sikur t’i kisha dhënë noj lek atij qurrashi? Turma do kujtonte sikur ai ishte pjesë e operacionit dhe do t’i jepte një dru të mirë. Unë e shpëtova atë derëzi, por mos i thoni njeriu,” u tha Shajaku bashkëpunëtorëve.

SHËNIM / Gojët e Liga si rubrikë satirike, deri tani ka kryer katër operacione sekrete në Lindjen e Mesme. Po mos bëni llaf me njeri.

Share This Article
2 Comments
  • Pse nuk lavderojne edhe PUNEN E HOXHALLARVE qe i nisen te luftojn e ne ISIS.
    Pa punen e hoxhallarve nuk do te lavdrohej kurr ministri i jone i mbrendhshem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *