Theodhosi: Problemet me naftën ja lashë për zgjidhje Lipe Nashit

redaktor

(Vijon nga numri i kaluar)

Më kujtohet që këto mendime të Beqir Alisë dhe të Koço Plakut i ka mbështetur edhe Ramiz Xhabia e Protoko Murati. Nga këto diskutime, edhe unë u binda në kërkesat e tyre, i konsiderova mendimet e tyre të drejta, ndërsa këtë kërkesë të vendimit të Byrosë Politike të vitit 1967, e quajta të pamundshme për t’u realizuar për vendin tonë. Gjithashtu unë u binda dhe e quajta të drejtë kërkesën e tyre për kryerjen e çpimeve të puseve strukturale të cilët të shërbenin thjesht për studim strukture. Në fund unë mbaj mend se i kam thënë atyre se këto vendimet e tyre unë i quaja të drejta, prandaj të dërgonin propozimet përkatëse në Ministri për kërkesat e planit 5 vjeçar duke llogaritur në to edhe këto vendime që diskutuam bashkërisht. Pas pak kohësh, Instituti dhe Drejtoria e kërkim-çpimeve, dërguan propozimet e tyre për planin 5 vjeçar. Drejtoria e Naftës në Ministri, pasi grumbulloi edhe propozimet e drejtorisë së çpim-shfrytëzimit, më paraqiti mua projektin e parë për kërkesën e valutës për 5 vjeçarin e ardhshëm, që me sa më kujtohet, arrinte në 100.000.000 rubla dhe vendin kryesor e zinin shpenzimet për mjetet e kërkimit. Unë, sa e pashë këtë, thirra Ramizin dhe i thashë se kjo ishte shifër absurd e nuk na e aprovonte Qeveria, prandaj duhej ulur dhe përfundimisht ne e ulëm këtë shifër dhe ja dërguam Komisionit të Planit propozimin për rreth 60 milionë rubla. Në këto fonde, si unë dhe Ramiz Xhabia e Beqir Alia, kishim futur edhe shpenzimet për kryerjen e çpimeve strukturale.

Në ato kohë, mund të ketë qenë muaji Qershor i vitit 1970, unë në një rast kam biseduar më Abdyl Këllezin në zyrën e tij lidhur me projektet që i kishim dërguar ne për fondet e naftës si 5 vjeçar. Abdyli më tha që ne kërkonim shumë rreth 60 milion, prandaj mendonin të na jepnin rreth 40 milion. Unë i thashë se neve na duheshin shumë fondet sidomos për kërkimet, sepse si unë dhe specialistët kemi mendimin se në drejtim të kërkimeve duhen bërë edhe puse të thellëstrukturale. Abdyli tha se ai nuk kishte ku t’i merrte të gjitha ato fonde që kërkonim. Kështu në atë kohë ai projekt, fond për naftën na mbeti rreth 38 milionë rubla, por mbaj mend se Abdyli në ato kohë do të shkonte në Republikën Popullore të Kinës dhe më tha se po të na jepnin shokët kinezë të gjitha ato që kërkonim, atëherë do të më jepte më shumë, por këtë do ta diskutonim kur të kthehej nga Kina.

Për vitin 1970, këto biseda më kujtohen që kemi bërë lidhur me pikëpamjet tona të cilat kanë vazhduar në vitin 1971 e deri në fund.

Pyetje: Ti i pandehur pohon se ke qenë kundër vendimit të Byrosë Politike Nr.154 dt.10.11.1967 edhe për çështjen e kryerjes të të gjithë kompleksit të nevojshëm të punimeve gjeologjike dhe gjeofizike të çpimeve. Na shpjegoni konkretisht se si dhe kur u ka lindur kjo pikëpamje anti parti për kërkimet e naftës?

Përgjigje: Kjo pikpamje anti parti mua më ka lindur mbas daljes të këtij vendimi të Byrosë Politike dhe në këto rrethana: Në ato kohë, në bisedat e ndryshme që kam bërë me Ramiz Xhabinë, Koço Plakun dhe Protoko Muratin, më thonin se për të bërë një çpim nuk është e domosdoshme të kryhet i gjithë kompleksi i nevojshëm i punimeve gjeologjike dhe gjeofizike që kërkon vendimi i Byrosë Politike pasi praktika na ka vërtetuar që ne kemi bërë çpime vetëm me rilevime gjeologjike dhe kemi patur sukses. “Kështu,- thoshin ata, ne kemi zbuluar vendburimet e Gorishtit, Koculit dhe Ballshit.” Gjithashtu Beqir Alia me Koço Plakun më thonin se Instituti nuk ishte në gjendje të përballonte komleksin e studimeve që kërkonte vendimi e pastaj të jepte pikat e çpimit. Unë i kam besuar këto mendime të këtyre personave pasi i quaja specialistë dhe që në ato kohë i kam aprovuar propozimet e tyre dhe rrjedhimisht që atëherë e vazhdimisht kam lejuar të bëheshin edhe çpime pa studime komplekse që një pjesë e tyre nuk kanë rënë fare në strukturë, por të gjitha nuk dhanë vendburim të ri.

Pyetje: Si shpjegohet fakti që ti i pandehur që në kohën që tregove konsideron të drejta propozimet e personave që përmende dhe nuk lufton për të zbatuar këto kërkesa të vendimit të Byrosë Politike?

Përgjigje: Kjo ka ndodhur se edhe në atë kohë, siç kam shpjeguar në proceset e mia hetimore, unë isha kundër vijës politike dhe ekonomike të Partisë. Në rastin konkret, unë këtë e kam bërë sepse besoja më shumë në drejtësinë e mendimeve të këtyre specialistëve sesa në ato kërkesa që përcaktonte vendimi i Byrosë Politike, pra në fund të fundit unë besova mendimet e këtyre specialistëve sesa në direktivat që kishte aprovuar udhëheqja e Partisë.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

 

I PANDEHURI                                        HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI /                             / ELHAM GJIKA /

 

 

 

 

 

 

 

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 26 Mars 1976

 

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

 

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime mbi sabotimet që keni kryer në sektorin e kërkimeve të naftës.

 

Përgjigje: Siç kam përmendur edhe ne proceset e mëparshme hetimore, unë kam patur pikpamje të kundërt me vendimin e Byrosë Politike të vitit 1976 edhe për çështjen e kërkimeve në strukturat ranore. Kjo pikpamje anti parti, me sa më kujtohet mua, më ka lindur aty nga viti 1963, kur në vendin tonë doli për herë të parë vend burimi me strukturë gëlqerore që ishte ai i Visokës. Unë kisha pikpamjen se nuk duheshin shtrirë kërkimet për naftë në strukturat ranore, pasi ato kishin debite shumë të vogla në krahasim me gëlqeroret dhe me këto debite, nuk mbusheshin kërkesat e planit për naftë. Veç kësaj, me sa di unë, çpim-kërkimet në ranoret, në disa raste kërkonin metrazh të madh, siç qenë ato në qytetin Stalin që arrinin në 1500 m për konturim, ndonjë pus në Kallm-Verri po për konturim që arrinte në 2700 deri në 3000 m, një strukturë  e re ranore që do të çpohej në zonën e Urës së Kuçit të Semanit që arrinte deri në 3000 m, një strukturë e re ranore që u çpua tej një ure afër qytetit Stalin që arriti rreth 2700 m etj. Ndërsa çpim-kërkimet në gëlqeroret me sa di unë arrinin në përgjithësi nga 1500 m deri në 2000 m, por kishte edhe nga ato që shkonin deri në 3000 m dhe po të zbuloheshin vendburime, jepeshin debite më të mëdha, në këtë mënyrë mund të përballoheshin kërkesat e planit. Kështu që unë mendoja se investimet për çpime u duheshin kaluar strukturave gëlqerore dhe të liheshin ranoret.

Këtë pikpamje e kanë patur edhe Abdyl Këllezi, Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku dhe Protoko Murati, pasi unë me të, në raste të ndryshme kam biseduar, nga të cilat konkretisht më kujtohen këto gjëra: Duhet të ketë qenë pranvera e vitit 1971 kur unë, në një rast, kam shkuar në Fier në Institutin e kërkimeve të naftës për të parë punën e këtij Instituti sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të Marsit të vitit 1970. Këtu organizuam një mbledhje që të shikonim se si Instituti kishte realizuar detyrat e tij për vitin 1970 që i vinte si vendim i Qeverisë. Në këtë mbledhje kanë qenë Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati e disa specialist të tjerë. Raportimin e bëri Beqir Alia dhe tha se ne për vitet pasardhëse nuk duhet të merreshim më me studimin dhe kërkimet në strukturat ranore pasi këto paraqesnin më shumë vështirësi për studime se sa gëlqeroret, na jepnin debite të vogla dhe në disa raste çpim-kërkimet në ranore kërkojnë thellësira të mëdha. Beqiri, me sa më kujtohet, përmendi edhe atë pusin që ishte çpuar afër një ure në qytetin Stalin që arrinte në rreth 3000 mijë m dhe që pa rezultat, po kështu përmendi edhe një çpim tjetër në qafën e Sqepurit me të njejtën thellësi dhe doli pa rezultat. “Në këto kushte- tha Beqiri, ne këtej e tutje duhet të përqëndrohemi në pregatitjen  e strukturave gëlqerore, prandaj për vititn 1971, ne do të pregatitim strukturat gëlqerore në zonën e Shushicës të Vlorës.” Mbas Beqirit, diskutuan, me sa mbaj mend, Koço Plaku, Protoko Murati dhe ndonjë specialist tjetër, të cilët jo vetëm mbështetën këto mendime të Beqirit, por Koço Plaku më tha që këtë çështje e kishin diskutuar edhe në grupin e përgjithësimit të Institutit dhe më e mundshme për të gjetur naftë, ishte të përqëndroheshin tek gëlqeroret dhe më parë t’i fillonim për zonën e Shushicës. Unë isha plotësisht dakort me këto mendime e propozime të tyre dhe u thashë të fillonim nga puna për studimin e zonës së Shushicës. Mendimet e mia i mbështeti edhe Lipe Nashi. Kështu gjatë viteve 1971-1972 filluan studimet e çpimet në zonën e Shushicës, bile gjatë vitit 1972 bëmë përqëndrime të mëdha në atë zonë, u bënë mjaft çpime po nuk doli asnjë vendburim i ri dhe një pjesë e këtyre çpimeve nuk ranë fare në strukturë. Kjo ndodhi sepse të gjithë ne bashkërisht, edhe për këto çpime shkelëm direktivën tjetër të Partisë, që këto çpime i bëmë ose me rilevime gjeologjike, ose me profile seizmike dhe jo me studime komplekse gjeologo-gjeofizike që kërkonte vendimi i Byrosë Politike të vitit 1967 dhe direktivat e tjera të Partisë e të Qeverisë.

Me sa më kujtohet, unë kur jam kthyer nga Fieri, jam takuar me Abdyl Këllezin dhe i thashë për të gjitha ato çështje që diskutuam në Institutin e kërkimeve të naftës. Abdyli më tha se edhe ai ishte dakort me ato mendime të miat, ne duhet ta përqëndronim punën në strukturat gëlqerore dhe nuk kishim pse të merreshim me ranoret sepse ato kishin debite të vogla dhe nuk e plotësonim dot planin e naftës me puset në ranore. Gjithashtu Abdyli më tha se ishte gjë e mirë të vepronim në zonën e Shushicës sepse vendburimi i Gorrisht-Koculit nuk duhet të ishte i vetëm në atë zonë. Kështu mbeta dakort me Abdylin për këto çështje.

Nga viti 1973, kur ne po e shikonim që nuk po gjenim vendburime të reja, në një rast kur kam shkuar në Fier, Lipe Nashi më tha se kishte ngarkuar një grup për të studiuar rezervat e shtrirjes së vendburimit të Kallm-Verris që është vendburim ranor. Unë i thashë ta përfundonin këtë studim dhe më pas shikonim. Pasi ka mbaruar ky studim, unë kam shkuar përsëri në Fier në Drejtorinë e Naftës ku u takova me Lipe Nashin. Aty kemi thirrur Beqir Alinë për të na informuar. Beqiri na tha se studimi për Kalm-Verrin kishte përfunduar e ishin dhënë disa pika për çpim konturim. Por Beqiri kishte mendim të kundërt për realizimin e këtyre çpimeve, sidomos pasi në këtë strukturë ranore rezervat ishin të pakta. Unë dhe Lipia pranuam këto mendime të Beqir Alisë se dhe vetë kishim pikpamjen se sado rezerva të kishte çdo vendburim ranor, do të na jepte një debit prej 7-8 tonësh, kështu që edhe kjo gjë nuk u realizua sipas normave të Partisë.

Për çështjen e kërkimeve, unë në raste të ndryshme kam biseduar edhe më Zenel Hamitin që e kisha Zv.ministër. Zeneli më thoshte se strukturat ranore nuk kishin leverdi, ne duhet t’i përqëndronim kërkimet afër vendburimit të Gorrishtit sepse ai nuk duhet të ishte i vetëm, duhet të kishte vendburime të tjera afër tij.

Veç sa më sipër, mbaj mend që nga viti 1970, Instituti i kërkimeve, më ka bërë mua propozimin me shkrim që të bënim studime për strukturat e Prishtës që ishin larg vendburimeve të njohura. Unë sëbashku me Zenel Hamitin dhe Ramiz Xhabinë i aprovuam studimet në këto rajonë të cilat kërkonin çpime mbi 3000 m. Këto studime kishin përfunduar vetëm me rilevim gjeologjik dhe nuk kishte përfundim sizmik.  Nga fundi i vitit 1970, filloi çpimi i parë në Prishtë i cili përfundoi nga pranvera e vitit 1972 dhe dha një sasi farë të vogël nafte të hollë dhe pak gaz. Lipe Nashi dhe Beqir Alia ishin shumë optimist për këtë çpim në Prishtë dhe unë e konsiderova këtë çpim si diçka premtuese, bile këtë eufori timen jam përpjekur ta përhap në shokë të udhëheqjes së Partisë e të Shtetit duke ua paraqitur këtë çpim si diçka premtuese. Siç dihet, ky pus dha vetëm 40-50 litra naftë e nuk dha më.

Megjithse ky çpim i parë dha këtë rezultat, Beqir Alia me Lipe Nashin, në bisedë me mua, kan insistuar që për ta sqaruar në një kohë sa më të shkurtër këtë strukturë, të kryenin profilin me kërkim pusesh. Kështu më kujtohet që nga mesi i vitit 1972 në një bisedë që kam bërë me Beqir Alinë dhe Lipe Nashin në zyrën e këtij të fundit, Beqiri më tha se ata mendonin që në Prishtë, pavarësisht se çpimi i parë dha pak naftë, të bënim edhe dy çpime të tjera menjëherë, në bazë profili, për ta sqaruar sa më shpejt çështjen e naftës në këtë strukturë. “Edhe këto dy puse kërkimi,- tha Beqiri, ne do t’i realizojmë vetëm me rilevim gjeologjik (dmth jo me studim kompleks) dhe thellësitë e tyre do të shkojnë mbi 3000 m.” unë i thashë Beqirit që këto çpimet e thella po na hanin shumë limitin e metrazhit që kishim dhe unë mendoja se këtë metrazh duhet ta përdornim për të bërë sa më shumë pika çpim-kërkimi. Lipe Nashi tha se ne duhet të sqaronim strukturën e Prishtës, prandaj ai ishte dakort me Beqirin që t’i bënim këto çpime me profil pusesh në Prishtë dhe vetëm me rilevim gjeologjik. Unë i thashë të bënin propozimet për këto çpim-kërkime që t’ua aprovonim me shkrim në Ministri, por sidoqoftë, të fillonin nga puna. Lipia me Beqirin më dërguan propozimin me shkrim për këto çpim-kërkime dhe unë ua aprovova. Në Prishtë u bënë edhe dy puse të tjera çpim-kërkimi me bazë profile dhe vetëm me rilevime gjeologjike, prej të cilave njëri ra fare jashtë strukturës, ndërsa tjetri ra në strukturë por nuk dha naftë.

Në atë kohë, më kujtohet që unë kam biseduar edhe me Abdyl Këllezin për këto mendime që më ngritën Lipe Nashi e Beqir Alia për çështjen e Prishtës. Bisedën me Abdylin di që e kam bërë në Tiranë, por se ku konkretisht nuk më kujtohet. Mbaj mend se i kisha thënë Abdylit se unë kisha aprovuar mendimet e Lipes e të Beqirit për të bërë çpim-kërkime në Prishtë me profil pusesh dhe Abdyli më tha që edhe ai ishte dakort me mendimet tona.

Mbas disa kohësh, duhet të kenë qenë muajt e verës të vitit 1972, në një rast, kemi biseduar përsëri me Abdylin për çështjen e çpimeve në Prishtë. Me sa mbaj mend, këtë bisedë me Abdylin e kemi bërë ose në zyrën e tij ose kur dilnim të dy në shëtitje bashkë. Abdyli më tha se në ato ditë kishte qenë vetë në Prishtë dhe kishte parë pusin e parë që ishte çpuar. “Atje,- thaAbdyli, mu ankuan punëtorët e çpimit të këtij pusi se gjatë çpimit të tij nga Instituti i kërkimeve ishte përdorur argjil më i rënduar se sa duhej dhe sipas punëtorëve ky argjil mund t’i kishte sjellë pusit pasojën që nuk dha naftë.” Unë i thashë se ai pus, po të kishte naftë, pavarësisht nga argjili që ishte përdorur i rënduar, do të jepte naftë dhe nuk do ta pengonte argjili i rënduar dhe kur pusi ka shumë naftë shpërthen në fontan duke e nxjerrë jashtë këtë argjil. Sidoqoftë, i thashë Abdylit se do ta shikoja këtë çështje me ata të Institutit. Më gjatë me Abdylin nuk më kutohet të kemi biseduar.

Në atë kohë, mbaj mend se i kam thënë Lipe Nashit, se punëtorët në Prishtë ishin ankuar për përdorim të argjilit të rënduar në çpimin e parë, prandaj ta shikonin atë punë. Lipia më tha se ata do e shikonin, por po të ishte se pusi do kishte naftë, nuk do e pengonte argjili, pavarësisht se ka qenë i rënduar. Më gjatë unë këtë problem nuk e ndoqa fare, nëse ishte vepruar ose jo kundër normave shkencore në përdorimin e këtij argjili të rënduar në atë pus, por ia lashë ta shikonte Lipia dhe as nuk u interesova fare se ç’bëri ai për zgjidhjen e këtij problem.

 

Pyetje: Përse ti i pandehur nuk interesohesh për zgjidhjen e këtij problem shumë të rëndësishëm që të kanë ngritur puntorët lidhurt me çpim-kërkimet në zonën e Prishtës?

 

Përgjigje: Kjo ka ndodhur sepse unë asnjëherë nuk kam përfillur zërin e masës, të punëtorëve për problemet që ngrinin dhe ia besova Lipe Nashit që ta shikonte këtë çështje, por edhe atij nuk i kam thënë se si u zgjidh ky problem që ngritën punëtorët.

 

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për sabotimet që ke kryer ti dhe bashkëpunëtorët e tu në sektorin e kërkimeve të naftës.

 

Përgjigje: I nisur nga pikpamjet e mia anti parti që të kryenim sa më shumë çpim-kërkime, pavarësisht nga shkalla e studimit, me qëllim që të gjenim sa më shumë struktura për të rritur probabilitetet e zbulimit të venburimeve të reja, unë sëbashku me Lipe Nashin dhe Beqir Alinë, nga fillimi i vitit 1973 bëmë përqëndrimin e parë të madh në rajonin e Sarandës që të sqaronim në radhë të parë strukturën e Finiqit. Në këto kërkime që bëmë në rajonin e Sarandës janë kryer një seri sabotimesh, të cilat të cilat unë do i shpjegoj me hollësi në hetuesi.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

 

I PANDEHURI                                                                                                                             HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI /                                                                                                              / ELHAM GJIKA /

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *