Të mos heshtim për të thënë e mbrojtur të vërtetën

Ornela

Agron Agolli

(Me rastin e 106 vjetorit të  lindjes dhe 56 vjetorit të ndarjes nga jeta të  Gjeneral major Teki Kolanecit  “Hero i  Popullit”)

Jubileu i lavdishëm i  çlirimit të Atdheut po vjen. Data 29 Nëntori është dita e çlirimit dhe e festë së madhe jubilar me përmasa mbarëkombëtare që mbyll këtë vit.  Veprimtari të ndryshme atdhetare, politike e kulturore të organizuara në mbarë vendin e kanë rritur së tepërmi atmosferën dhe bukurinë e saj. Ekspozimi i portreteve të 100 heronjve e dëshmorëve të LANÇ-it, në bulevardin që mban emrin e tyre “Dëshmorët e Kombit”, merr vlerë e rëndësi të veçantë pasi  në atë vend ku janë e do  të mbeten përjetësisht, parakalonin 75 vjet më parë formacionet partizane, fitimtarët antifashistë të  luftës së madhe që vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë.  Nder dhe respekt për këta bijë e bija të popullit, luftës së tij që diti të pozicionohet në anën e duhur të historisë si aleat  i koalicionit të madh antifashist.

Ju heronj dhe dëshmorë jeni në të gjitha qytetet e vendit e në çdo zëmër të ndershme shqiptare, juve ju takojnë bustet dhe shtatoret, se jeni rrënjët e identitetit të të sotmes sonë dhe jo atyre që bashkëpunuan dhe qenë në krah të pushtuesve nazi-fashistë. Kori i qyqeve, kukuvajkave e lakejve që vjellin vrer e baltosin emrin tuaj e të LANÇ, për të rehabilituar etërit e tyre të mundur e fatkeq, nuk mund ta errësojnë, deformojnë apo zbehin figurën tuaj të pastër e mohojnë gjakun e derdhur që prushëzon nga pritat, sulmet dhe llogoret e pathyeshme të lirisë.  Mirë e thotë Arben Duka, poeti i kombit dhe mjeshtri i fjalës poetike:

Kush jeton në baltë / rron për të baltosu,

Po me gjak dëshmorësh / lufta është vulosur.

Lufta partizane / mali më i lartë

Bubuzhelët dot  / s’e mbulojnë me baltë….

Pranë portreteve që rrinë varur, aty bashkë me ju janë Mezhgorani e Barmashi, Borova e Drashovica, Kamja e Guri i Prerë, Bofja e Voskopoja, Kuçi e Dragostuni, Lisi e Macukulli, Pojska e Lavdari, Kardhiqi e Llogoraja, Grabovica e Bellovoda, Skroska e Qarrishta, Deçiçi e Vishegradi, çdo grykë e shteg ku shkeli këmba juaj e u derdhën me tërbim mbi gjokset djaloshare breshëria e plumbave  dhe predhave të ardhura nga përtej detit.

Në krahinën e Gorës të rrethit të Korçës, në këtë bazë të luftës partizane, po e presin me gëzim këtë festë, jo vetëm ata që morën pjesë me armë në dore, familjet e të afërmit e tyre, por tërë treva që përfshihet në një bashki të madhe siç është Maliqi. Ky jubile e festë historike, më nxit, frymëzon e obligon të sjell mes jush komandantin trim, Gjeneralmajorin dhe heroin e LANÇ-it të kësaj treve, Teki Kolanecin, i cili u fut në Tiranë si fitimtar 75 vjet më parë me forcat e Br15S që komandonte. Por s’mjaftoka as fjala, as shekulli për të folur e bërë  portretin e  këtij luftëtari trim. Dhe vjen ai në këtë ceremoni të 106 vjetorit të lindjes së tij si partizan e komandant i zot si një shkrep i lartë mali që i jep krahinës shkëlqim e krenari. Historiografia tregon se krahinës së Gorës, kur e ka dashur nevoja dhe e ka kërkuar koha, nuk i kanë munguar as trimat e as njerëzit e mençur, ndaj do të ndjehesha mirë si bashkëkrahinas që ky shkrim të portretizonte denjësisht  atë burrë e figurë dritëdhënëse për krahinën që përbën pa frikë shtyllën dhe qëndresën e palëkundur e fitimtare të  historisë luftarake për çlirim kombëtar e shoqëror, e këtij njeriu me virtyte të larta në tërë historinë e jetës së tij, të ngjeshur me ngjarje e vepra të çmuara në interes të kombit e atdheut. Teki Kolaneci  nuk jetoi gjatë, vetëm 50 vjet (1913-1963), por vendit  ku lindi e u rrit, ku u gatua e formua shpirti i tij luftarak e kryengritës, për t’u nisur udhëve të mëdha e të vështira të jetës, i dha një emër të mirë, shumë nder e dinjitet.

Ai ishte mishërimi më i mirë i krahinës, fytyrën e së cilës e mbajti kudo e kurdoherë me vete si në luftë e në paqe. Shpirti i tij kishte diçka thelbësore nga bukuria e krahinës sonë, zëri i tij gurgullimën e burimeve të freskëta të maleve tona, kënga e tij kishte diçka nga fëshfërima e pyjeve me fletë të vendlindjes Kolanec. Në qenien e tij njerëzore ishin të skalitura në mënyrë harmonike  shkëlqimi i rinisë e mençuria e plakut edhe forca e burrit edhe çiltërsia e fëmijës. Në ndjeshmërinë  e atij burri që i foli kohës me zërin e një luftëtari dhe komandanti të vërtetë, të një atdhetari e patrioti të vendosur, ishte edhe prindi edhe vëllai edhe shoku e bashkëluftëtari i orëve të para. Aq lidhje të ngushta kishte krijuar ai me vendlindjen dhe njerëzit e saj, aq famë e vlerë, kishte fituar Teki Kolaneci, aq respekt e konsideratë gëzon edhe sot, sa ne themi Gora e natyrshëm mendojmë për  Tekiun, ne prezantohemi nga vendi i Tekiut, e ata na quajnë gorarë. Tekiu e Gora janë një e të pandarë, njëra djepi që e lindi dhe përkundi heronë dhe biri që i dha emër e lavdi asaj.

Duke folur për Tekiun, duhet të themi se ai nuk lindi as Gjeneral e as Hero i Popullit, – luftëtar e Komandant Çete, Batalioni e Brigade, Komandant Divizioni, Drejtor Kufiri e Z/Ministër e bënë lufta e tij e vendosur e pa kompromis ndaj pushtuesve fashistë e gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, e bëri puna shembullore e drejtuesit konseguent. Prelud i rrugës së tij patriotike dhe revolucionare qenë shija e hidhur që kishte lënë tek djaloshi 16 vjeçar emigrimi në Argjentinë, njohja e historisë së dhimbshme të Shqipërisë e cila qe penguar  me dhunë nga Perandoria Osmane për t’u futur në rrugën e autonomisë e të pavarësisë kombëtare. Brengë e madhe për të kishte qenë  injorimi i çështjes kombëtare shqiptare, nga Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat mbështetën copëtimin e parë të trojeve shqiptare në Ballkan në favor të mbretërive fqinje të veriut e të jugut. Shkëlqim të veçantë i kishin dhënë ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me arritjet dhe dështimet e tyre. Shënstefani, Kongresi i Berlinit, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – gusht 1913) ku u bë copëtimi i dytë më i madh i trojeve shqiptare, do të vlerësohej edhe nga Teki Kolaneci si një kurban në altarin e paqes europiane.

Vështirësitë në të cilat kalonte Shqipëria, ngjarjet në prag të pushtimit fashist, shpërthimi i burgut (ku qe dënuar 15 vjet si pjesëmarrës i Lëvizjes Antizogiste të Delvinës) e dalja në mal, tashmë kishin projektuar e bërë ndërtimin e portretit të një njeriu që s’do t’i përkiste vetëm familjes, por tërë Gorës, Atdheut e popullit për të cilin luftoi e punoi deri në fund të jetës së tij. Dhe dihet nuk është e lehtë të bësh portretin e komandant Tekiut për të cilin kryemjeshtri i poezisë dhe këngës gorare Vehbi Skënderi do të  shkruante:

Gdhënd e gdhënd kam katër vjet

Zor të gdhëndësh një portret…

Gora flet mendon për ty

Mal më mal të ndjek me sy…

E tregoi ai këtë gjë  më 27 prill të vitit 1942, kur në pyllin e Kolanecit krijoi Çetën e Parë Partizane, e para në qarkun e Korçës (e katërta në shkallë vendi pas asaj të Pezës 21 gusht 1941, Kurveleshit 1 prill 1942, Skraparit 14 prill 1942), si mbartëse e traditës së Çetave Patriotike të kapedanëve me emër Shahin Matraku, Kajo Babjeni, Ismail Dërdusha, Malkë Zvarishti, Hysen Pirgu, Xhelo Selca e të tjerë atdhetarë që rriti Gora, ky djep i luftëtarëve të lirisë.  Në se “Besëlidhja Gorare” e mbajtur në Selcë më 16 qershor 1942, me pjesëmarrje të 200 burrave, përfaqësues të gjithë krahinës, arriti të sjellë imazhin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe fitores mbi nazi-fashizmin e bashkëpunëtorët  e tyre, është Tekiu ndër të parët që ngjalli shpresën e lirisë dhe i dha hov kësaj lufte.

Pagëzimi me armë i Çetës së  Parë Partizane  në aksionin e Grykës së Grabovicës, në mëngjesin e 23 gushtit  1942, tregonte se vepra e Tekiut qe një gur i çmuar, një margaritar që do të ndriçonte rrugën për krijimin e 6 çetave të tjera partizane në hapësirën gjeografike të Gorës të komanduara nga  Rrahman Zvarishti(që më von kaloi me ballin), Shaban  Zereci, Xhezar Senishti, Zalo Zvarishti,  Neki Dushku e Rakip Hoxhallari (më von edhe të atyre nacinaliste me drejtues Bajram bej Goçën, Pasho Kolanecin, Rrahman Zvarishtin,  Hamit Zbogjin e Dule Alarupin) . Ajo pa frikë do të hapte fletën e parë  në enciklopedinë e re të historiografisë krahinore që do të vazhdonte me tre batalionet partizane “Ali Kelmendi”, “Çlirimi” dhe “Gorë-Opari” si dhe të dy Brigadave Partizane, Br4S dhe Br9S. Ajo qe një mesazh i fortë për të treguar një fakt të njohur, një të vërtetë të madhe se guximi i çdo brezi gorarësh jetonte dhe se këtej e tutje do të lartësohej akoma më shumë nga bijtë e tij. Ja si e sjell poeti Besim Shyti këtë moment të gurit të provës së Tekiut që në krah kishte komandant Reshit Çollakun:

 

Ç’më kujton kjo grykë e vogël /Ç’më kujton Bregu i Ohrisë,

Një imazh më sjell së largu /Që nga kohë e stuhisë.

Të dy çetat partizane /Ndezën luftën për lirinë

Në krye kishin dy trimat/Dhe Reshitin dhe Tekinë.

 

Vepër e Tekiut është Takimi i Lenies më 5-6 shtator 1942, me grupet e tjera të armatosura si dhe njësitet e fshatarëve, ku u hodh hapi  e u hap rruga e krijimit të çetave të tjera të Krahinës dhe veprimeve të mëtejshme luftarake.

Ja goditja e parë e pushkës së Tekiut edhe në pritën e Bellovodës, mëngjezin e 2 tetorit 1942 ndaj kolaboracionistit dhe dhelprës plakë të fashizmit Filip Toma,  të cilën populli e përjetoi në këto vargje:

Te shkëmbi, te Bellovoda/Seç  ndodhi një zallahi,

Thonë u vra Filip Toma/Një fashist, një zemërzi…..

Po kënga e maliherit të komandant Teki Kolanecit ndali vrapin dhe e shtriu përdhe drejtuesin e milicëve dhe karabinierëve Sali Piluri tek Ura e Kovaçit në Voskopojë gjatë nëntorit 1942.

Çarmatosja e Postës së Moçanit më 12 Dhjetor 1942, tregon rritjen e aftësive drejtues e komandues të Komandant Tekiut, mjeshtërinë e të luftuarit si dhe të vërtetën e idealit të çetës së tij për t’i shërbyer Atdheut.

Luftimet për çlirimin e Voskopojës, 15 janar 1943, Snosën 31 janar 1943 dhe në Leskovik më 16 maj 1943, rritën trimërinë dhe mençurinë e Teki Kolanecit për aksione të përbashkëta (deri 12 çeta në Leskovik) në raporte të pabarabarta me kundërshtarin, forcuan më shumë  rezistencën për një kohë të gjatë luftimi, deri 15 orë pa shkëputje nga armiku po në këtë luftë.

4 ditët e luftës së Kuqarit të Përmetit (1- 4 korrik 1943) dhe 5 ditët e betejës  së Maliqit 10-15 shtator 1943, ku fashistët e kapitulluar (8 shtator 1943 ora 19 e 45 minuta), lanë 200 të vrarë, pa i kaluar fortesat e Gradishtës e të Symizit, të Urës së Maliqit e kodrave përreth, promovonin Komandantin e batalionit “Ali Kelmendi” (krijuar në fund të majit 1943 në Voskopojë) dhe vullnetin e hekurt të tij për të mposhtur egërsinë fashiste, padrejtësinë e pushtuesit të huaj dhe shërbëtorëve të tyre.

Njeri i afërt, i besueshëm, shpresëdhënës  dhe i pandarë ka qenë Teki Kolaneci me partizanët e gorarët. Lot dhimbje derdhi ai kur  Skënder Çaçi i plagosur mbylli sytë, gjatë përleshjes me forcat e ballit,  tek luftimet e Gurit të Bletës mbi Gribec, mëngjesin e 16 tetorit 1943, të komanduara nga Maliq Dushari, Demir Staravecka, Et’hem bej Frashëri e Jani Dilo.Dhe populli e përjetoi në këngë komisarin e rënë në betejë:

Ndryshoi dhe ngjyra e fletës/ Ku ti re o komisar

Atje te Guri i Bletës/Në më të madhin altar..

 

O ti bir i Melesinit/Je një zë i këngës sonë

Që shkon e vjen nëpër Gorë/ E në vite bën jehonë….

 

“Fitorja i buzëqesh guximtarit, trimit e të drejtit”, do të shprehej Teki Kolaneci pas masakrës së Korçës më 9 shtator 1943, ku fashistët vranë 59 vetë e plagosën 93 të tjerë, ngjarjeve të Pretushës(11 tetor 1943), ku “Të mençurit e kombit”, për të cilët “s’kishte ardhur akoma koha e luftës”, goditën e vranë tradhëtisht N/komandantin e batalionit partizan “Reshit Çollaku” e dy partizanë të tjerë si dhe pas reagimit energjik e të guximshëm ndaj veprimeve që nxitnin konfrontimin dhe nuancat e luftës civile apo vëllavrasjen, nga komandantët e ballit Dule Alarupi, Rrahman Zvarishti e Ethem bej Frashëri, në Rrëmbec, Bulgarec, Melçan,  Goskovë e Zbogjëri të Gorës së Sipërme.

Në shkollën e luftës Tekiu mësoi artin e të luftuarit, taktikën e Luftës Partizane, duke shfrytëzuar me mjeshtëri elementët e kësaj lufte në kushtet konkrete të terrenit. Jeta e mësoi të dijë të luftojë me efektivitet, të llogarisë forcat para betejës, të zgjedhë formën  e veprimit luftarak, të sulmojë për të fituar e të  mbrohet për të mos u asgjësuar, të marshojë e të kalojë pengesat natyrore me sakrificë e vetëmohim.

Talenti i tij prej komandanti e vendimmarrësi të zotë ushtarak spikati edhe në luftimet e Gurit të Kamjes (10-14 Dhjetor 1943), kundër gjermanoballistëve më të shumtë në forca që kishin depërtuar në Gorë nga Plloça e Pogradecit e Rruga e Beragozhdit. Nëse në Kamje u thye miti i pathyeshmërisë së ushtarit gjerman, kjo ndër të tjera i dedikohet edhe mençurisë së Komandant Teki Kolanecit, i cili ndonëse i plagosur u bë shembull i heroizmit e vetëmohimit partizan. Për të do të shkruante edhe poeti Vehbi Skënderi:

Gur i Kamjes shkrep e gur/Katër ditë u dogje nur,

Shkëmb Tekiu, ti copë gur/Shtatë plagë e s’bie përdhe

Shtatë plagë e tok me ne.

 

Poeti Besim Shyti, në këndvështrimin e tij do të shprehej:

 

Gurë i Kamjes, Gur i Gurit/Shtyllë e fortë e flamurit,

Dëshmitar i historisë/Fron, taban i shqiptarisë.

 

Teki Kolaneci, tashmë Komandant i Shtabit të Qarkut(28 dhjetor 1943), i kishte dalë zot luftës çlirimtare për jetë  a vdekje pa dinte të ruante qetësinë e duronte edhe goditjen më të rëndë siç qenë vrasja e të vëllait, Lutfiut në Lupckë të Përmetit, gjatë operacionit gjerman të qershorit, si dhe djegia e shtëpisë në Kolanec. Thirrja drejtuar popullit të Oparit , në prag të operacionit të dimrit se “Ora e burrërisë dhe e nderit erdhi. Detyra ju thërret në fushën e nderit. Ushtria Nacionalçlirimtare ka vendosur të  mbrojë katundet tuaja, prandaj ejani me ne” , tregon jo vetëm përmasat e luftës por edhe shkallën e kujdesit të Tekiut për të shtuar radhët e njësive me partizanë  të cilët propaganda e armikut desh ti përçajë e largojë nga fronti antifashist. Malet gjithmonë kanë qënë aleatët më të mirë të luftëtarëve të lirisë që nga koha e Skënderbeut, do të thoshte heroi ynë gjatë Operacionit të Dimrit dhe të Qershorit, kur raporti i forcave arriti deri 1/5 për pushtuesit. Populli i varfër e i pambrojtur, ku mbështetej Tekiu, i dha forcën që t’i rezistonte çdo tufani, i krijonte ato çaste të bukura që së bashku me shokët kishte dëshirë të këndonte më shpesh atë këngën kushtrim të Fatmir Gjatës:

Që nga gjokset djaloshare/Del kushtrimi shqiptar

Ngrihen grushte, hapen varre/Për fashiznin gjakatar.

 

Luftimet për Çlirimi e Pogradecit (30 gusht 1944) dhe mbajtjes nën presion të vazhdueshëm të pushtuesit në rrugën Qafë-Thanë-Përrenjas e Qukës – Librazhd, rritën dimensionin e Teki Kolanecit në planin opercional dhe aftësitë për të komanduar e vepruar në një front më të gjerë luftimi, me një bashkëveprim  më të mirë mes reparteve e nënreparteve partizane. Tani ai ishte bërë mjeshtër i organizimit të luftimit në pritë (si prita e famshme e Xhyrës, ku b3p qëndroi i vendosur në pritë mbi 40 orë), veprim taktik i rrallë ky edhe në luftërat e ushtrive moderne.

Marrja e qytetit të Elbasanit (11 nëntor 1944), duke hartuar një plan operacioni të studiuar mirë dhe zbatuar një urdhër luftimi të detajuar deri në skuadër partizane, e ngriti heroin tonë në nivelin e liderit ushtarak, me përvojë brilante, autoritet drejtimi e komandimi si dhe identiteti të spikatur në radhën e kuadrove madhorë të UANÇ-së.

Qënia e Teki Kolanecit  në krye të Brigadës së XV e cila u nis për Tiranë qysh më 20 Nëntor, si forca pjesëmarrëse për  lirinë e kryeqytetit, në paradën e organizuar me rastin e çlirimit të Tiranës, do ta vendoste përfundimisht jo vetëm si një simbol të historisë së Gorës por edhe të vetë historisë së kombit shqiptar, si një emër emblematik që na jep të drejtën të krenohemi dhe mburremi me të. Dhe ka të drejtë autori dhe poeti i hapësirave Gorare kur shkruan:

Teki Kolaneci, ku je shqipja e malit/Të shkëlqeu mbi supe ylli i gjeneralit

Tek Kolaneci, rrit nën fletë të ftoit/Çe gëzove Gorën me yll’ e heroit.

 

Ne këtë 106 vjetor të lindjes, Tekiun e kemi përsëri pranë, me atë zërin e ëmbël e përkujdesës, me fjalën e matur e të kursyer, me atë pamjen e bukur të Komandantit të parë partizan të Qarkut të Korçës,  korrekt e i vendosur, energjik e i gatshëm për çdo sakrificë. Njeriu që nuk e ndau fjalën nga vepra, revolucionar konsekuent, Kuadër ushtarak i nivelit të lartë, i talentuar e i përgatitur me aftësi maksimale organizuese e drejtuese që diti të gërshetojë e përsosë natyrshëm përvojën e luftës partizane me teorinë dhe praktikën e artit modern të kohës të fituar në akademitë më prestigjioze të ish Bashkimit Sovjetik. Njëherazi ai mbetet edhe një njeri vizionar e me kontribute të çmuara në drejtim të modernizimit të Ushtrisë Popullore si dhe të reparteve e nënreparteve të Ministrisë së Brendshme, ku shërbeu për një kohë të gjatë.

I dashur Teki, për Gorën, Korçën dhe gjithë Shqipërinë, ti mbetesh një bir i lavdishëm, një gjeneral i sprovuar në betejat më të ashpra për jetë a vdekje, një hero vepra e të cilit do të rrojë gjatë në mendjet dhe zemrat tona, ti je besimi ynë i palëkundur për të ardhmen, krenaria, fisnikëria dhe pavdekësia e historisë sonë. Jemi krenarë  e të lumtur të pohojmë me zërin plotë se  figurën dhe personalitetin tënd të spikatur, nuk  ka guxuar  ta prekë aspak erozioni  i kohës, i ziliqarëve dhe hileqarëve të historisë, pasi shkolla e jetës dhe punës tënde, ishte e standardeve të larta. Ne jemi të vetëdijshëm se këto virtyte e cilësi të larta morale janë bazë e piedestalit të monumentit tënd të pavdekshëm. Nderimi ndaj teje dhe gjithë luftëtarëve e të rënë për Atdhe, sot në kuadër të 75 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tyre, ka rëndësi e merr vlera të veçanta  pasi duhen përbuzur e hedhur poshtë me neveri provokimet e ndyra të neoballistëve dhe neofashistëve të sotëm, që duke shpallur “Kriminelë” të Luftës Antifashiste mbi 13 drejtuesit më të lartë të saj në krahinë, heronj dhe dëshmorë të lirisë, duan të fshijnë e shuajnë nga kujtesa e saj dhe e kombit gjithë historinë e LANÇ. Të mos harrojmë se neonazistët duke baltosur Historinë e Popullit Shqiptar dhe LANÇ, brezin e artë të dëshmorëve e partizanëve që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, mohojnë e deformojnë  të vërtetën e Luftës II Botërore dhe Koalicionin e Madh Antifashist  SHBA-Bashkimi Sovjetik, Britani e Madhe-Francë ku u rendit edhe vendi ynë. Për ata nuk ka rëndësi që Shqipëria u çlirua me forcat e veta të 70 mijë partizanëve të inkuadruar në  288 çeta partizane, 24 brigada,  8 divizione e 3 korparmata. Harrojnë së në radhët e luftëtarëve ishin 10 mijë pionierë,  dhe 6000 ishin gra e vajza. Mohojnë se në këtë luftë u nderuan me titullin e lartë Hero i Popullit 130 partizanë prej të cilëve  24 ishin gra e vajza. Ka 28 vjet që këta ballisto-zogistë e bashkëpunëtorë të zellshëm të pushtuesve, mohojnë të kaluarën tonë më të ndritur dhe harrojnë se historia është rruga ku kanë kaluar brezat dhe se ai segment i rrugës që mbulohet nga turpi i takon atij brezi që e lejoi turpin të cilin nuk e lajnë dot paçavuret e pinjollëve të tyre sot. Bijtë e Gorës që organizuan e drejtuan luftën dhe derdhën gjakun për lirinë e këtij vendi, janë e do të mbeten margaritarë të çmuar,  e plot dritë në gjerdanin e artë të lirisë së Atdheut.

I lumtë bashkisë së Maliqit, strukturave përkatëse të veteranëve të LANÇ e dëshmorëve të Atdheut, SHAK “Gora” të këtij Rajoni dhe kryetarit të palodhur të Bashkisë zotit Gëzim Topçiu që nxiti mbështeti e bëri realitet një dëshirë dhe ëndërr të kahershme të gorarëve si dhe familjes së heroit për ta patur bustin e tij në Maliq, gjë e cila u bë realitet me inaugurimin e tij në datën 18 Maj 2019, në kuadër të 106 vjetorit të lindjes dhe 56 vjetorit të ndarjes nga jeta.

Dhe do të doja  ta mbyll këtë shkrim me disa vargje të njërit prej poetëve të kësaj treve i cili ndër të tjera thotë:

 

Baltë kush hedh mbi fitimtarët/ Është tradhëtar e burracak i ndyrë

Me aleatët luftuan partizanët/ Jo monstra, kuislingë e njerëz me dy fytyrë.

 

Qofsh i lavdishëm dhe përherë respekt e mirënjohje Gjeneral Tekiu!.

Tiranë, më 13.11.2019

 

Share This Article