Nga Dr. Aida Zhupa
Në ditët e sotme duket mjaft e vështirë të jesh në rolin e prindit. Kjo për shkak të një varg faktorësh me natyrë socio – ekonomike, të cilat ndikojnë në jetën e çdo familjeje. Ndryshimet e vrullshme që ndodhin çdo ditë, edhe për shkak të përdorimit të teknologjisë së informacionit, e bëjnë shpesh të pamundur përditësimin e prindërve me mënyrat e reja të të menduarit dhe të sjelljes së fëmijëve të tyre.
Të gjithë brezat e adoleshentëve, në çdo kohë, kanë tendencën të bëjnë gjëra ndryshe nga më të rriturit, por duket se sot vështirësitë dhe rrezikshmëria është më e lartë. Kjo po i vendos prindërit përballë dilemave të forta, për gjetjen e metodave të reja për edukimin e fëmijëve, të cilat në vetvete, mbartin traditën e trashëguar nga familja dhe kulturën e rrethit shoqëror. Shumica e studimeve në fushën e sociologjisë dhe psikologjisë së edukimit, si edhe përvojat e përditshme, tregojnë se adoleshentët janë të prirur të ndajnë më shumë kohë në shoqërinë e moshatarëve të tyre.
Kjo gjë kthehet në shqetësim për prindërit, pasi deri në mbarim të shkollës 9-vjeçare ata kanë një raport më të ngushtë me fëmijët. Ndërsa në adoleshencë, shoqëria, veçanërisht rrethi i ngushtë, luan një rol të veçantë dhe të rëndësishëm, që rivalizon shpesh rolin e familjes në procesin e saj shoqërizues. Kjo për shkak të lirshmërisë që të rinjtë kanë në komunikimin brenda grupit, për çështje që lidhen me vështirësitë dhe dëshirat e moshës, të cilat ata nuk mund dhe nuk duan t’i konfidojnë me prindërit ose mësuesit.
Mes njëri – tjetrit ata ndjehen të paparagjykuar dhe të barabartë, gjë që nuk ndodh përgjithësisht kur flasin me të rriturit. Kjo i shtyn adoleshentët të distancohen duke krijuar një hendek në marrëdhëniet me ta. Është detyrë e të rriturve, që me pjekurinë dhe përvojën e tyre të gjejnë urat e komunikimit për një bashkëpunim të suksesshëm. Për këtë qëllim, nuk është e nevojshme të imponohen rregulla dhe norma, që jo rrallë janë shprehje e mentaliteteve paragjykuese, të cilat adoleshentët nuk i pranojnë dot për vetë natyrën idealiste të moshës.
Nga ana tjetër, ka edhe prindër që nga dëshira e mirë për t’iu gjendur afër fëmijëve, marrin rolin e “shokut/shoqes” ose i plotësojnë çdo dëshirë me qëllim që ata të ndjehen mirë dhe të mos marrin rrugën e gabuar. Shumica e të rriturve punojnë për të plotësuar nevojat e familjes, veçanërisht të fëmijëve, që janë në qendër të botës dhe interesave të tyre. Çdo prind dëshiron më të mirën për ta dhe përpiqet që të mos iu mungojë asgjë, veçanërisht ato kushte prej të cilave ata vetë kanë qenë të privuar. Por, gjenden shpesh përballë të papriturës: fëmijët përsëri nuk janë të lumtur, sidomos gjatë periudhës së adoleshencës.
Është karakteristikë e moshës së tyre të jenë në eksplorim të vazhdueshëm të gjërave të reja që i kuriozojnë, të ndjekin modele, edhe të gabuara, që atyre iu duken trendy apo të kenë një humor të luhatshëm. Rrugëzgjidhja më e mirë është qëndrimi i vazhdueshëm pranë tyre, në mënyrë që të ndjehet prezenca dhe shqetësimi që prindërit kanë. Edhe pse në pamje të parë duket sikur fjala e të rriturve nuk dëgjohet ose mospërfillet, fëmijët kanë shumë nevojë për këtë mbështetje. Por, t’i qëndrosh afër nuk do të thotë t’i japësh liri pa kushte dhe t’iu nënshtrohesh plotësimit të tekave, të cilat mund të jenë dëshira të moshës, që ofrohen si model nga shoqëria dhe që shpesh ose janë të vështira të plotësohen nga prindërit ose rrezikojnë shëndetin dhe jetën e adoleshentëve.
Adoleshentët kërkojnë të drejtat e tyre duke konfliktuar shpesh me prindërit dhe mësuesit, sepse kërkojnë vendin e tyre mes të rriturve. Pa ia mohuar këtë të drejtë, përcaktimi i një kufiri të qartë mes të drejtave dhe detyrimeve është shumë i rëndësishëm. Kjo iu duhet argumentuar të rinjve me durim dhe vazhdimisht, duke mos pritur momentin kur dukuria shfaqet dhe konflikti është bërë evident.
Një aspekt i rëndësishëm dhe tregues i punës së prindërve është arsimimi i fëmijëve. Përvoja e gjatë në mësimdhënie ka rezultuar se nxënësit me prindër kërkues, të rregullt në takimet me shkollën dhe që vazhdimisht janë të shqetësuar për arritjet e fëmijëve, kanë rezultate më të larta në mësime. Këta nxënës kanë pikësynime të qarta, janë të mirëorganizuar dhe vendosin me arsye prioritetet e tyre. Në të kundërt, nxënësit me prindër të dhënë pas punës, profesionit ose karrierës, të cilët ankohen për mungesën e kohës dhe mbingarkesën, kanë probleme në përshtatjen me kërkesat e shkollës dhe bien më lehtë viktimë e zgjedhjeve të gabuara.
Vendimet e tyre janë të nxituara dhe jo rrallë kanë pasoja fatale për jetën ose të ardhmen e tyre. Një pjesë të konsiderueshme të kohës fëmijët e kalojnë në shkollë, prandaj është i rëndësishëm kontakti që prindërit mbajnë me mësuesit. Sot informacioni rreth ecurisë së rezultateve mund të merret lehtësisht përmes mesazheve telefonike, email-eve, takimeve me prindër etj. Pёrfshirja e prindёrve nё procesin e tё mёsuarit ёshtё mjaft e rёndёsishme. Fёmijёt janё nxёnёs mё tё suksesshёm pёrgjatё gjithё procesit të shkollimit, nёse prindёrit e tyre pёrfshihen nё shkollё dhe inkurajojnё tё mёsuarit nё shtёpi, pavarёsisht nga niveli arsimor apo shoqёror i tyre. Pothuaj të gjithë nxënësit, në të gjitha nivelet shkollore, kanë dëshirë që familjet e tyre të bëhen partnere të mirëinformuara për shkollimin e tyre dhe janë të gatshëm të ndërmarrin një rol aktiv në mbështetjen dhe lehtësimin e komunikimit midis familjes dhe shkollës. Aktivizimi i prindërve në bordet e shkollës dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje ndihmon në lehtësimin e komunikimit të dyanëshëm.
Këto janë disa nga rrugët që ndihmojnë në mirëedukimin e të rinjve adoleshentë sot, por shumë të tjera prindërit i përshtasin në përputhje me karakteristikat e veçanta të temperamentit të çdo fëmije, moshën, gjininë etj. Prindërit e sotëm duket se e kanë më të vështirë se brezat e mëparshëm që të edukojnë fëmijët, sepse edhe rreziqet që kërcënojnë sigurinë e tyre sot janë më të shumta. Por asgjë nuk është e pamundur. Durimi për t’iu qëndruar pranë në çdo moment që kanë nevojë, për të gjetur së bashku rrugët për zgjidhjen e problemeve, do të forconte lidhjen dhe besimin mes tyre. Edhe pse kohët ndryshojnë, dashuria dhe respekti ndaj prindërve mbetet i njëjtë. Nga ana tjetër, prindërit duhet të japin shembullin e tyre pozitiv, në të kundërt, nuk mund të kërkojnë transparencë dhe sinqeritet në marrëdhënien me fëmijët. Herë pas here, duhet që detyrat e gjithësecilit brenda familjes të rikujtohen dhe të bëhen të qarta, sepse lipset që çdo pjesëtar të mbajë përgjesinë e vet në raport me këto detyrime. Do të ishte një mision i përmbushur me sukses, nëse kjo periudhë, derisa fëmijët të bëhen madhorë, të mos përjetohet si një problem i vështirë që duhet kapërcyer, por si koha më e bukur për fëmijët dhe familjen, që vlen për t’u rritur dhe mësuar nga njëri-tjetri.

Nje super analize qe do vinte ne ndihme cdo prindi I cili po haset me veshtiresit e prinderimit me nje femije adoleshent