Takimi i Komitetit Ndërparlamentar Shqipëri-BE është anuluar nga pala shqiptare. Burime për “Dita” nga PD-PS bëjnë me dije se mosmarrja e statusit dhe mos miratimi i tre ligjeve kanë detyruar politikanët shqiptar të mos zhvillojnë takimin që zhvillohet dy herë në vit me eurodeputetët. Mësohet se deputetët të komisionit të Jashtëm kanë dërguar një letër ku kanë kërkuar që takimi të zhvillohet në një kohë tjetër, duke qenë se nuk pati një avancim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Faktin e anulimit e ka sqaruar dhe kryetari i delegacionit shqiptar, i cili thotë se arsyet e anulimit lidhen me faktin se këtë dhjetor shumë struktura të larta europiane janë shprehur tashmë për zhvillimet në Tiranë. “PE doli me një rezolutë ku jep mendimet e veta për gjendjen në Shqipëri, ecurinë e integrimit të Shqipërisë dhe rekomandimet përkatëse. Ne na mbetet që dy tre ditë prapa mbledhjes së parlamentit në rezolutë dhe këshillit të ministrave me deklaratën që ka bërë të mblidheshin ca deputetë të Shqipërisë dhe të shpreheshin përsëri. Çfarë mund të thuhet më tepër se sa rezoluta e PE dhe komunikimi i këshillit të ministrave të BE”, tha Fatos Beja, në një prononcim për AS. Letra e dërguar nga deputetët shqiptar i është adresuar eurodeputetit Eduart Kukan.
Komiteti ndërparlamentar
Megjithatë mbledhja e këtij komiteti që mbahet dy herë në vit, në Tiranë e Bruksel, sipas Bejës do të kryhet në muajt e parë të 2013-s, kur politika shqiptare të ketë zhvillime të reja. “Unë uroj, shpresoj që në atë datë të shohim dhe një qëndrim ndryshe të opozitës për të realizuar ato tre ligjet e cila çon pastaj në hapin tjetër”, vijon Beja. Komiteti ishte parashikuar të mblidhej në 19 dhe 20 dhjetor, disa muaj pas mbledhjes së radhës në Bruksel. Në fund të çdo takimi , deputetët shqiptarë dhe ata europianë dalin me rezolutë të përbashkët rekomandimesh për Tiranën zyrtare.
