Pranvera Kola
Nëse nuk trajtohet që në stadet e hershme, Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike, çon në dëmtime të rënda të mushkërive (çka shpesh herë vë në rrezik edhe jetën e pacientit).
Strukturat e shëndetit në vend raportojnë për një shtim të numrit të pacientëve që diagnostikohen me simptomat e kësaj sëmundjeje. Fatkeqësisht pjesa dërrmuese e tyre e zbulojnë sëmundjen në stade të avancuara, çka vështirëson edhe më tepër trajtimin e tyre.
Kundrejt rrezikshmërisë që paraqet kjo sëmundje, sot në “Ditën Botërore të Sëmundjeve Pulmonare Obstruktive Kronike”, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për kryerjen e kontrolleve për zbulimin dhe trajtimin në kohë të kësaj patologjie, e cila shfaqet më shpesh tek grupmoshat mbi 35 vjeç.
Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për ndërlikimet që shkakton kjo sëmundje, specialistët e shëndetit publik japin udhëzimet konkrete në lidhje me njohjen e simptomave, shkaktarëve, si dhe kujdesit që duhet të ndjekin për parandalimin dhe zbutjen e simptomave të kësaj sëmundjeje.
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike është një grup komplikacionesh të mushkërive që e bëjnë të vështirë zbrazjen e ajrit prej tyre, sepse rrugët e frymëmarrjes janë ngushtuar. Dy prej komplikacioneve të mushkërive janë: bronshiti dhe emfizema afatgjatë (ose kronike), të cilat shpesh mund të ndodhin së bashku. Bronshiti ndodh kur rrugët e frymëmarrjes janë të inflamuara dhe të ngushtuara. Ndërsa Emfizema ngushton rrugët e ajrit. Kjo e bën më të vështirë lëvizjen e ajrit brenda dhe jashtë gjatë frymëmarrjes, dhe mushkëritë tuaja janë më pak të afta në marrjen e oksigjenit dhe nxjerrjen e dioksidit të karbonit. Me shfaqjen e sëmundje pulmonare onstruktive kronike, rrugët e frymëmarrjes janë ngushtuar sepse: indi i mushkërive është i dëmtuar, mukusi bllokon një pjesë të rrugëve të ajrit, si dhe nga fakti se rrugët e frymëmarrjes janë të inflamuara.
Faktorët që e shkaktojnë këtë sëmundje
SPOK u zakonisht zhvillohet për shkak të dëmtimit afatgjatë të mushkërive. Ky dëmtim mund të vijë nga substanca të dëmshme, si: tymi i cigares, apo tymi nga burime të tjera dhe ndotja e ajrit. Punët, në të cilat njerëzit janë të ekspozuar ndaj pluhurit, tymrave dhe kimikateve, gjithashtu mund të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj patologjie. Rrezikoni më shumë për të zhvilluar këtë sëmundje nëse jeni mbi 35 vjeç, jeni, ose keni qenë duhanpirës, si dhe në rastet kur keni pasur probleme me frymëmarrjen në fëmijëri. Po ashtu duhet të dini se, edhe nëse prindërit tuaj kanë pasur probleme me mushkëritë, atëherë rreziku juaj për t’u sëmurur është më i lartë sesa i individëve të tjerë, të cilët nuk kanë histori familjare.
Simptomat dalluese të SPOK
Janë një sërë simptomash që duhet t’ju tërheqin vëmendjen se po zhvilloni këtë sëmundje. Konkretisht, simptomat përfshijnë: frymëmarrje të shkurtra (të pamjaftueshme) dhe të shpeshta gjatë aktiviteteve të përditshme, të tilla si: ecja, shëtitjet ose kur bëni punët e shtëpisë, kollë që zgjat shumë, frymëmarrje e vështirësuar në mot të ftohtë, sasi më të shtuar të pështymës ose gëlbazës. Ju mund t’i keni këto simptoma gjatë gjithë kohës, ose ato mund të shfaqen, dhe të përkeqësohen kur keni një infeksion, apo kur ekspozoheni në ambiente me tym ose duhan. Gjithashtu mund të ndodhë që kjo sëmundje të sjellë edhe humbje të oreksit, peshës dhe ënjtje të kyçeve të këmbëve.
Diagnostikimi
Për të vendosur diagnozën e saktë të kësaj sëmundjeje, doktori juaj duhet t’ju pyesë për historinë mjekësore dhe duhet t’ju bëjë një ekzaminim fizik. Ai mund të kërkojë një ose disa nga testet e në vijim: Grafi të thjeshtë me rreze-x dhe/ose skaner të toraksit, teste të funksioneve pulmonare (të mushkërive), ku një teknik i sëmundjeve të mushkërive përdor disa teste për të parë sa mirë funksionojnë mushkëritë tuaja. Gjithashtu mund të duhet të bëni edhe një Oksimetri e pulsit që është një test pa dhimbje që mat nivelin e oksigjenit në gjak. Në raste të caktuara mund të nevojitet edhe një analizë e gazit në gjak. Ky test gjaku që mat sasinë e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak.

Trajtimi
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike nuk është e durueshme, por trajtimi mund të lehtësojë simptomat, përmirësojë cilësinë e jetës dhe të zvogëlojë rrezikun e vdekjes. Bluzat e bardha të shëndetit publik theksojnë së për të lehtësuar simptomat e kësaj sëmundjeje mund të merrni një sërë masash që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin për ushqimin, shmangien e faktorëve të rrezikut, kryerjen e aktiviteteve fizike, trajtimin në kohë të infeksioneve, si dhe vaksinimin. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara gjithçka duhet të dini në lidhje me këto masa që duhet të merrni.
Mos pini duhan!
Trajtimi më efektiv për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike është të ndaloni menjëherë pirjen e duhanit. Mjeku juaj i familjes dhe profesionistët e shëndetit, mund t’ju ndihmojnë me dhënien e këshillave dhe informacionit lidhur me lënien e duhanit.

Vaksinohuni
Sigurohuni që të merrni vaksinën çdo vit për t’ju mbrojtur nga viruset e gripit, që ka të ngjarë të aktivizohen gjatë dimrit. Vaksinimi zvogëlon rrezikun për të zhvilluar komplikacione serioze, siç janë: pneumonia dhe problemet e zemrës.

Kujdes me infeksionet
Ju gjithashtu, mund të shmangni infeksionet duke qëndruar larg njerëzve të prekur, përfshirë fëmijët, të cilët kanë ftohje, grip, infeksione të sinusit ose dhimbje të fytit. Nëse merrni një infeksion, sigurohuni që ta trajtoni atë sa më shpejt.
Bëhu aktiv
Nëse keni këtë sëmundje, të qenit aktiv dhe të ushtruarit fizikisht mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e frymëmarrjes, forcimin e muskujve dhe cilësinë e jetës. Nëpërmjet aktivitetit fizik, përveç të tjerave, përmirësohet puna e zemrës, mbahet nën kontroll presioni i gjakut dhe ka më pak të ngjarë të prekeni nga diabeti, si dhe osteoporoza. Ka shumë mënyra për të qenë aktiv.

Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani një peshë në normë
Po ashtu është mjaft e rëndësishme të mbani një dietë të ekuilibruar, si dhe të keni një peshë në normë. Duhet të dini se mbipesha vështirëson frymëmarrjen dhe lëvizjen, duke ndërlikuar edhe më tepër shëndetin nga kjo sëmundje. Përpiquni të hani pak dhe shpesh.

Simptomat
- Mosmbushja me frymë.
- frymëmarrje e vështirësuar në mot të ftohtë.
- Sasi më të shtuar të pështymës ose gëlbazës.
- Shtrëngimi në kraharor.
- Kollë që zgjat shumë.
- Kolla me mukus (gëlbazë) të tepërt, sidomos në mëngjes.
- Fishkëllima në frymëmarrje, etj.
