Alush Abduli
Mendimet për “Centauri i fundit’’,- botim i WEST PRINT 2019,- libri më i ri i Demiurgut Moikom Zeqos shpalosen,si nje kaledoiskop shpirtrash.
‘’Centauri i fundit’’!
Libër i çuditshëm, por i vërtetë.
Si mund të ishte i vërtetë pa qënë i çuditshëm?!..
Këto mendime nuk burojnë thjeshtë nga logjika, më shumë janë klithma hareje të ndjeshmërisë lexuese si akt vetmie pa rrudhosje.
Të jesh një krijues i plotë si Moikom Zeqo duhet të kesh shumësi krijuesit.
Po a mundet një sotshmëri leximi të mirkuptojë apo të vlerësojë atë që përparon jashtë saj?! ..
Duhet të ndajmë drejt pneumatikën nga forma e lindur, nga shprehja nëpërmjet së cilës u shpreh dhe u kufizua.
Një qëndrim para vitrinës kundron çfarë ekspozohet… më pas kërkon krahasimin me realitetin.
Të jesh i famshëm në kohën e dhënë që jetohet si vdekje e plazmuar, kaq mjafton për të kuptuar se vijimi është një kufomë edhe pse kuptimi nuk mund të shpjegohet me atë që është kuptim.
Kuptimi krijohet.
Moikom Zeqo: Kuptimi?
Ne përjetojmë ngjarje.
Brenda tyre është kuptimi, kuptimi është gravitacioni i kthyer në substancë-shpirt pa trup- fantazma më me vlerë se origjinali, mali i gjeometrizuar në piramidë, sfera e përgjithshme e bërë trekëmbësh i veçantë, guri i paemër i shndrruar në kult hyjnor i një emri ,- më saktë i panjohur i një realiteti të pa njohur, do të shtoja, që i papërsëritshëm quhet Moikom Zeqo…
Kësisoj krijimi është i përjetshëm.
Sfera e tij rrotulluese qartëson misteret në gjysëm terr për ekulibrin…
Njeh vetëm lindjen si të qënë dhe zhdukjen si harresë.
Arti është shpëtimtar i natyrës, i ndërmjetësisë nëpërmjet mospranimit, ndërmjetësi e përkryer që dritëson mohimin e arsyes.
Arti i madh është një pathos i çliruar nga morali, synimet dhe dobishmëria, nga dashuria për të bukurën për hirë të bukurisë.
Morali, synimet, vyrtitet dhe të gjitha të tjerat, si përdorime mbeten amatoreske.
Asnjë tabelë nuk dëfton pamje me udhë brendësie.
Ekzistojnë fakte të pikëllimit që i tkurrin më shumë këto thënie.
Vetëm një mëndje e lirë dhe në harmoni si e demiurgut Moikom Zeqo njeh mirë artin e shkrimsimit.
E tillë është krijuese dhe mund të bëj më shumë se mendon.
Madje me harmoni në ekstazë është frymëzimi i enigmës, që me zbulesë shpirtërore shpërthen në çaste epifanie.
Si abstragim i së veçantës është tejet ndjenjë që shfrytëzon gjumin e logjikës.
Abstrakti dhe kundërtia e tij janë një, të përzier me të tërën.
Etimologjia gjëndet në një cakëzim.
Çdo skaj është i mirëkuptueshëm në përplasje me tjetrin.
Si ardhje ky libër është ndarja e një pike nga gjithçkaja për bashkim të mëvonshëm.
Kur lëçit prozën artistike të Moikom Zeqos ëndërroj refuzimin e gjithë librave, se “Centauri i fundit’’është një vepër e pakrahasueshme me begati flatëruese, sferike në pozicionet horizontale e vertikale të një kujtese pothuaj totale , që shpalos dhe përfaqëson në mëvetësi.
Çdo fjalë shpërfaq mjeshtërinë e gjuhës, si të dukshme vështrimi dhe drita nuk e zbulon.
“Centauri i Fundit’’: Spektale ndjeshmërie me 123 parabola misteri,- gjithë plotëri erudite dhe një mungesë-Arkivolin.
Si transparencë e natyrshme është e bardhë në rolin e mugëtirës.
Në ciklon paqetsie modestia është vyrtiti i saj i rrezikshëm, kurorzuar me risiken e të thënit, që lodron në humnerën e thellë të intuitës aventurën e krijimit.
Kohë pa sahatë.
Numërimi duar kryq.
Një ëngjëll dhe demon sokratik shpërfaqin misteret dhe ndriçimi bëhet më magjeps në vështirsitë e leximit , ngaqë arti tek ‘ ‘Centauri i fundit’’ është një hap nga optika e njohur drejt së panjohurës , drejt prejardhjes është intuitë.
Kundërtitë si verë dhe dimër, të bashkuara në një kontratë krijuese.
Çfarë mohojnë, janë ato që njihen më shumë.
Më tej për veprën në fjalë do të guxoj të them se jo harresa,kujtesa do të jetë banesa e saj… dhe Autori = Nifon.
Nuk jam unë Kolombi i këtij vlersimi, por është gjithë kultura e botës( mite, legjenda,dorëshkrime, kodikë në pergamenë,teologji, filozofi intime, arkologji, pikturë, erudicion pa kufi, libra në formë rrutullame… mendimet ,arsyet që përleshen në një betejë makabre) që gjenë strehim tek Moikomi, një i huaj si i njohur ,brënda mitrës,para kohës së tij.
Moikom Zeqo:
“Të jesh Centauri i Fundit do të thotë të mbartësh në veten tënde tërë të ngjashmit që s’janë, kështu ata janë ndërmjet teje, pra kuptimi i vdekjes së tyre s’ka vlerë gjersa ti ende jeton që të mos vdesin ata.
Ti ende jeton, për të vërtetuar një ekzistencë të mrekullueshme dhe të pamohuar dot…”.
Në këtë krijesë si trashendencë gjithë prezente të vërtetat gjënden në krahët e përfytyrimit.
Atje, në lartësi,të gjitha gjuhët e botës të shqiptuarasi një spiritus, ngaqë shumë gjuhë janë një tepri idiote, kërcënuese.
Gjuha e vetme e botës do të thotë një marrveshje e re që do të na ç’robërojë nga kombëzimet për të realizuar sipas Carlos Fuentes… ëndrrën e një Weltliteratur-e të përfytyruar nga Goethe : një letërsi të përbotshme.
Këto argumente kozmologjike si të pa- përmasa janë shpirtërore, për pragmatizmin furnizohen nga imagjinata në kthjelltësi adhuruese.
Si vrenjtësirë, vesh trajtën e një lypsi kundër dhënies.
Duke huazuar një tjetër do të thosha, se në pastë gjë që kam kuptuar në këtë libër, është kjo: që krijimi të mbetet një enigmë.
Të gjitha zgjidhjet janë mëkate që eksperimentojnë me të dhe asnjë rezultat.
Në se nuk do të ekzistojë enigma, e vërteta në monotoni do të jetë një mashtrim.
Këto meditime, që ikin pa peshë në lartësi, do të jenë kur të takojnë në pafundësi hapësire ikonat utopike të ëndrrave tona.
Tanimë ç’mund të them për krijesat artistike të Moikom Zeqos?!…
Të gjitha mendimet vlerësuese nuk mund të prekin universin e tij, as shikimi nuk e përfshin, ngaqë sytë shtegtojnë bashkë me shpirtin.
Nga parabola ‘ ‘Arti i syve’’ thjesht për ilustrim përzgjodha: Tanimë shohim në mënyrë të paqartë…
Njeriu !
Është një formë e zbrazët, por jo përmbajtja.
Forma përsëritet….
Njeriu është në gjumë, kur vdes zgjohet prej tij…
Prej ‘ ‘ Ora 26 e Hiçit’’: Këtu pakohësia është gjithçka.
Shikoj nga padukshmëria…
Në prozën poetiko-filozofike të Moikomit, ‘ ‘Kalendarët janë konvencionalë.
Datat janë lëvozhga, përmbajtjet e tyre janë tjetër gjë…’’.
Në këto thënie si ekuacione me pamundësi zgjidhjeje ose me projekte pamundësie gjallon kuptishmëria e amshimit.
Si dritë ndriçojnë fatalitetin e vet të virgjër, terrin.
Për mbrritjen tek përfundimi dëshiroj të theksoj, se krijesa ‘ ‘Centauri i Fundit’’ si risi e një agullimi tjetër nuk mbanë vulën e asnjë shkolle letrare dhe i mbart të gjitha.
Të gjitha përpjekjet për ta futur në –izma- dështojnë.
Proza e Moikomit si rrallësi e pazakontë është vetëm vlerë madhështie e magjepse deri në pranimin total,- se nuk mund të jetë ndryshe.
Poetike, është historia e botës shpirtërore si e papërcaktuar, e pamundur të largohet nga vetja që shumfishohet pafundësisht si flladi në stuhi.
Elitare ka për të mbetur pa lamtumirë.
Pesimizmi i saj është ora e fundit e territ…
Vepra të tilla kërkojnë lexues të ngjashëm me autorin….
Asnjë koment për ‘ ‘Centaurin e Fundit’’,- se komentet janë papastërtia e mendimeve.

Tmerr, o tmerr …
E sotmja jone skandaloze as qe e hedh ndonjehere veshtrimin tek gjenite. Pa pritur ata do te shfaqen ne te ardhmen. E, me sa duket, atyre nuk u prish fare pune.