Ndjekja e praktikës/ Afatet e aplikimit për të gjitha specialitetet mjekësore

Ornela

Profesionistët e rinj të shkencave mjekësore teknike para se të konkurojnë për lejen e ushtrimit të profesionit, duhet të ndjekin praktikën profesionale 3-mujore me mbikëqyrje (e detyrueshme). Për të gjitha specialitetet e këtyre profileve, sezoni i radhës i zhvillimit të praktikës do të nisë në muajin dhjetor, për të vijuar në dy muajt pasardhës të vitit që vjen.

Sipas kushteve të përcaktuara, për të marrë pjesë në praktikë, secili kandidat që ka kryer studimet e larta në një nga profilet e shkencave mjekësore teknike, si: infermieri, mami, fizioterapi, teknik imazherie, apo laboratori, duhet të paraqitet për të kryer procedurat e regjistrimit sipas kushteve të aprovuara nga Urdhri Profesional i Infermierit.

Afatet e regjistrimit

Autoritetet e këtij institucioni bëjnë me dije se regjistrimet do të zhvillohen sipas një grafiku të përcaktuar për secilin specialitet, kjo me qëllim shmangien e mbingarkesës në kryerjen e këtyre procedurave. Kështu, në datat 2 dhe 3 dhjetor duhet të paraqiten për të kryer procedurat përkatëse të gjithë kandidatët e profilit të fizioterapisë, të cilët duan të ndjekin praktikën me mbikëqyrje përgjatë këtij sezoni.

Pas këtij profili aplikimet do të vijojnë me kandidatët e diplomuar në degët teknik laboratori, si dhe teknik imazheri. Në datën 5 dhjetor duhet të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë kandidatët e profileve mami dhe logopedi. Regjistrimet do të mbyllen me kandidatët e diplomuar në infermieri.

Duke qenë se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet për vijimin e praktikës në këtë profil rezulton të jetë i lartë, është menduar që regjistrimi i tyre të vijojë për disa ditë me radhë, përkatësisht duke nisur nga data 6 dhjetor, për të përfunduar në 11 dhjetor. Ndjekja e praktikës, si dhe marrja e vlerësimit kalues në të, është kushti vendimtar që i lejon këta kandidatë që më pas të japin edhe testin final të licencës.

Dosja që duhet të dorëzoni

Pas pajisjes me diplomë, të gjithë kandidatët duhet të bëjnë gati dosjen e tyre personale, ku të përfshijnë dokumentet e listuara në vijim. Secili kandidat duhet të bëjë regjistrimin në qarkun përkatës për realizimin e Praktikës Profesionale me Mbikëqyrje.

Dokumentet e nevojshme që duhet të përfshini në dosje janë :Kërkesë për anëtarësim (të cilën e shkruan vet personi i interesuar), diplomë dhe listë notash të noterizuar, fotokopje të kartës së identitetit, pesë fotografi, një CV, vërtetimin e drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë e tërhiqni në momentin kur dorëzoni dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotësoni te personi që caktohet nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë.

Personi që plotëson vërtetimin do t’iu ndjekë gjatë praktikës tuaj. Në dosje duhet të përfshini edhe mandatin e pagesës së regjistrimit prej 3,000 lekësh, që duhet derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë të përcaktuara nga ky institucion. Autoritetet e Urdhrit sqarojnë më tej se në momentin e dorëzimit të dokumenteve praktikanti duhet të ketë të plotësuar kartelën e regjistrimit sipas formatit të përcaktuar, sëbashku me kërkesën e anëtarësimit pranë këtij Urdhri.

Dosja që konfirmon regjistrimin

Pas dorëzimit të dosjes kandidatët do të marrin dy dokumente, që janë: Libreza e Praktikës Profesionale, si dhe Karta e identitetit profesional. Libreza e praktikës përmban në pjesën e parë të saj informacion të përgjithshëm si dhe temat në lidhje me provimin e praktikës profesionale.

Në pjesën e tretë të këtij dokumenti bëhen shënimet për çdo ditë të praktikës nga profesionisti që është zgjedhur si mbikëqyrës nga ana e kandidatit. Kjo Librezë pas përfundimit të praktikës, dorëzohet sipas njoftimit që del në faqen e urdhrit të Infermierit, pranë zyrës ku është bërë regjistrimi fillestar së bashku me dokumente të tjera.

Krahas librezës ju do të pajiseni edhe me Kartën e identitetit profesional, që është një dokument identifikimi profesional e cila mbahet varur në përparëse gjatë ushtrimit të praktikës profesionale.

 Në dosjen e regjistrimit duhet të përfshini:

  • Kërkesë për anëtarësim (të cilën e shkruan vet personi i interesuar).
  • Diplomë dhe listë notash të noterizuar.
  • Fotokopje të kartës së identitetit.
  • Pesë fotografi.
  • Një CV.
  • Vërtetimin e Drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë e tërhiqni në momentin kur dorëzoni dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotësoni te personi që caktohet nga UISH. Personi që plotëson Vërtetimin do t’iu ndjekë gjatë praktikës tuaj).
  • Derdhje në llogari të Urdhrit të Infermierit shumën prej 3 000 lekësh në një nga bankat e përcaktuara.

 

Pranvera Kola

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *