Biografit të Ukshin Hotit, Sefer Pashës, i jepet “Mirënjohja e Rahovecit” në Kosovë

Ornela

Nga Arben Duka

Shkrimtari dhe bashkëpunëtori i gazetës “Dita” Sefer Pasha vlerësohet në komunën e Rahovecit në Kosovë nga autoritet vendore për punën shumë vjeçare si jetëshkrues i politikologut të madh të shqiptarëve, Ukshin Hotit. Sefer Pasha nga Mallakastra ka shkruar këto libra të posaçme për jetën dhe veprën e Ukshin Hotit. 1)Doruntina kërkon Ukshin Hotin. 2)Idhulli i Mallkuar. 3)Qind për qind jam gjallë. 4)Stina e fundit e Ukshin Hotit. Gjithashtu në dy libra të tjerë si “Drenicë vaj dhe kënga ime” si dhe tek libri “Perëndesha e Koshares” autori trajton po ashtu tragjedinë e Ukshin Hotit. Vepra e shkrimtarit Sefer Pasha përmblidhet në dy mijë e ca faqe. Autori ka në proces librin “Veprimtaria e Ukshin Hotit në universitetin e Harvardit”. Në të gjithë veprën voluminoze autori ka trajtuar përmbajtjen tejet elegante të librit të filozofit narcist Ukshin Hotit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, i cili ka përballuar rrjedhën e kohës dhe vazhdon të bëj epokë në Kosovë e Shqipëri. Librat e shkruar në rrafshin letrar hedhin dritë me ok për mendimin e lirë të Ukshin Hotit, i cili nëpër burgje dhe në mes të bajonetave i drejtoi në shkallën sipërore shigjetat e gravitetit, që sollën prej brumit fillestar produktin kreativ në çka tash Kosova.

Autori Sefer Pasha me një tërësi krijimesh kushtuar Ukshin Hotit zbulon burimet emotive të filozofit autentik që kapërtheu, jo me kode, por ballë për ballë luftën energjike kundër shovinizmit serbomadh. Në punët e autorit Pasha, pa vellon e drojës, pasqyrohet shkollimi i filozofit deri në universitetin e Harvardit në Amerikë, vuajtjet e Ukshin Hotit, burgimi i tij i gjatë, rrahjet, divorcet e dirigjuara nga UDB – ja, qëndrimi i pashëmbullt si një superhero përpara trupit gjykues të Qarkut të Prizrenit më 29 shtator të vitit 1994, ku ai do të deklaronte solemnisht pa ju dridhur qerpiku: “KRYEQYTET I SHTETIT TË BASHKUAR SHQIPTAR MENDOJ SE DUHET TË JETË PRIZRENI. KJO I TAKON HISTORIKISHT KËTIJ QYTETI, NDËRSA I PËRGJIGJET EDHE GJEOGRAFIKISHT, PASI QË GJENDET NË QENDËR TË TROJEVE SHQIPTARE”
Në të gjitha shkrimet e Sefer Pashës me emocione të thella për Ukshin Hotin jepen pamje nga trungu gjenealogjik i familjes së Ukshin Hotit nga Krusha e Madhe. Jepen gjithashtu thesari i luftrave të popullit të Kosovës për liri. Biografi i veprës së Ukshin Hotit, i cili ka qenë pjesmarrës i forcave të UÇK – së në Koshare, luftën e së cilës e ka pasqyruar në trajtë ditari në librin “Perëndesha e Koshares”. Ai ka mbi njëzetë vjet që me kurajo ka investigur në shtetin shqiptar e të Kosovës për të mësuar të vërtetën e zhdukjes së Ukshin Hotit.

Biografi i Ukshin Hotit prej vitesh kërkon në Krushë të Madhe, në burgun e Istogut e në rrethinat e tjera të Rahovecit gjurmë e fakte për të zbuluar se ku e shpuri UDB – ja filozofin e madh të Kosovës. Në bazë të skenarit UDB -ja e nxori nga burgu në orën 9 – të datës 16 maj 1999, një ditë përpara se Ukshin Hotit t’i mbaronte dënimi. Çfarë di ish drejtori i burgut të Istogut Aleksandar Rakoqeviçi, i cili është gjallë në Beograd. Ai e ka nxjer kinse tek porta e burgut Ukshin Hotin dhe e dinte se ku qe ngritur “gracka”klithëse e ogurzezë. Nëse hipotekisht hamendësohet se Ukshin Hoti mund të jetë gjallë këtë gjë e di më mirë me krejt çka ish drejtori i burgut të Istogut Aleksandar Rakoqeviçi.
Me punën voluminoze në shumë kahe jetëshkruesi i Ukshin Hotit nuk është tutur para trandjeve, por si me forcën e një orteku e shëmbëlltyrën e guximit, pa e këmbyer dritën me hijen, qëmtuesi ka ravijëzuar vlerat e larta të mendimtarit të papërsëritshëm. Në të gjithë librat e shkruar të Sefer Pashës për Ukshin Hotin jepen me emocione tronditëse gonxhet e larme të veprës së filozofit, ekstazat e stuhishme, pasionet e matura dhe grushti idhnak ndaj bashkëpunëtorëve të Serbisë. Në shumë ese, përshkrime e ditare jepet me tis të art sofra bujare e popullit të Krushës së Madhe, e cila në ditë dramatike i dhuronte Ukshin Hotit shkëndija gëzimi e gram lumturie.

Ukshin Hoti jetoi si në mitologji. “Iliada” e Ukshin Hotit e shkruar në peisazhin tragjik të Kosovës së okupuar jep qashtër individualitetin autentik, çngjyros dhe mposht kaosin e kohës me pushtuesit dhe me një optik të pashoqe e natyrë epikuriane ngjiz e mbërrin tek e dukshmja, tek guximi kryengritës i popullit në luftën për çlirimin e Kosovës. Për këtë flet çdo nerv i punëve filozofike të Ukshin Hotit.
Pasi u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e Rahovecit” unë e rilexova dhe njëherë librin “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” të filozofit Ukshin Hoti. Në faqen 204 Ukshin Hoti shkruan: “Nuk dyshoj aspak se në të ardhmen do të lindet dikush, nëse nuk ka lindur tashmë, që do të dijë ta paraqesë veprën time dhe jetën time në raport me mundësitë e veta”. Po a është Sefer Pasha biografi i Ukshin Hotit? Siç del në vështrimin tërësor, nga ato që ka qindisur për Ukshin Hotin, ky autor është më serjozi.

Ai me zjarr e ambicie, pa u prajtur, me duhinë e prushit grahu e përshkruan me origjinalitet e vërtetësi nishanlliu çdo copë e grimë, që i ndodhi filozofit e narratorit të madh prej Krushe, në luftë me hajnat e Serbisë, të cilët i cingëroi qysh kaherë edhe brenda në Beograd. Natyrisht që për Ukshin Hotin kanë shkruar dhe të tjerë. Por tani për tani më i përkushtuari është Sefer Pasha. Për të mbrritur gjer në këtë pikë gjurmuesi i jetës dhe i veprës së Ukshin Hotit ka shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, Kosovën, Krushën e Madhe, burgun e Nishit, të Prizrenit, të Istogut e të Beogradit. Jetëshkruesi i Ukshin Hotit e ka nënvizuar faktin se të gjitha punët e librit filozofi i ka shkruar në Krushën e Madhe.

Vetëm dy ese filozofike i ka shkruar në Lubjanë. Pasi delte nga burgjet Ukshin Hoti shkruante profecinë e të ardhmes së Kosovës. Ishte i papunë. Nuk e lejonin të jeptë mësim. S’kishte lekë tu blinte fëmijëve një dhuratë për Vitin e Ri. Pinte nga nëntë kafe e nga 80 cigare. Kur nuk kishte lekë për të blerë cigare e pinte duhanin me të dredhur. Gjyshi tij, baba Selë, qe tregëtar duhani. Udhëtonte me kalin e ngarkuar me duhan deri në Lumë e në Dibër.

Mundimet e Sefer Pashës për ta ngritur lëndën e prozës në lartësinë e emrit të Ukshin Hotit, i cili shkëlqeu mes çapaçulëve, se qe filozofi i së nesërmes, nuk jepet me kaq e aq përqind pallavra e broçkulla, por cytet me vështrim të thartë për të kapur dashtazi në krahët e përfytyrimit botën e idhujtarit dhe për të gjetur kryshkakun e zhdukjes së mendimtarit duke e çmbështjellë enigmën. Nga hera në herë biografi i Ukshin Hotit, pa e denatyruar idhullin e tij, me një tok fabulash e trajton filozofin si personazh dhe me rrëketë e fjalëve e nxjerr subjekte të enciklopedisë hotiane. Maksimat e biografit të Ukshin Hotit i japin lexuesit një superbuqetë me tregime nga jeta e panjohur e zgalemit nga Krusha e Madhe.

Lexuesi gjithashtu njihet me mendjen e bekuar të Hotit, risitë që solli në filozofinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ato rizgjojnë urrejtjen ndaj serbëve. Edhe pse Ukshin Hoti qe në ankth e siklet si zë i vetëm kundër ideve surreale njeriu i sintezave edhe nga qelitë e burgjeve rrezatoj shpresë. Biografia e Ukshin Hotit nuk jepet e retushuar, por në të janë kubzat e një mozaiku me hajnat e UDB – së, që çap pas çapi nuk i ndaheshin filozofit edhe kur ndihmonte të atin në sistemimin e çantës për të sistemuar gazetat. Gjithashtu shpalosen detajet, ku ai merrte fuqinë burimore, dhe se lufta e shpëtonte Kosovën nga gremina apokaliptike.

Në të gjithë librat që ka botuar Sefer Pasha prej më shumë se njëzetë vjetësh bie në sy hulumtimi që i ka bërë autori jetës dhe veprës së Ukshin Hotit, mundimeve të mëdha e veçanërisht torturave në burgjet e ish Jugosllavisë. Në librat e shumtë dhe esetë gjenden livadhet në Krushë, ku shkruante Ukshin Hoti (për gati njëzetë vjet nuk pati kurrë zyrë e kabinet). Janë dhe sot gorricat e lisat ku nëna Fatimja i çonte kafet e njëpasnjëshme dhe bukën me djath e speca djegës. Në faqet e librit gjenden udhët nga shetiste nga Krusha në Celinë, çantën me libra e blloqe, qetësinë që gjente në brigjet e Drinit të Bardhë dhe shpendët e shumtë që i afronin sqepat mbi blloqet, ku lapsi i filozofit ja bëntë kër – kër. Shpendët ishin miqtë e tij. Nëse ndonjë shpend ngrihej në fluturim i trembur nga ndonjë qoshe gardhi, Ukshin Hoti, e ndjente dhe ngrinte sytë nga blloku ku shkruante papushim.

E dinte se në korie ishin agjentët e UDB – së të cilët e përgjonin dhe në gjumë. Banesën në Prishtinë ja morën, edhe në Krushë nga përplasjet shkrimet ja digjnin fshehtas. Shumë punë të qëndisura në burg nuk binin në duart e motrës, Myrvetes. I merrte UDB-ja. Ka të dhëna se dosja ndodhet në arkivin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë me qendër në Beograd, ku përveç denocimeve që i kanë bërë janë dhe punët e tij filozofike të humbura. Po kush do ta nxjerr atë dosje nga goja e gjarpërinjëve udbashëve. Sefer Pasha zbulon se ku punonte Ukshin Hoti. Në Krushë në qiell të hapur. Ndofta është i vetmi filozof në planetin tokë që shkruante pa një kulm mbi kokë. I shtrirë nën hijen e manave dhe të gorricave ai përdorte si tavolinë trungjet e shelgjeve. Plisat i kishte karrike, hënën e Celinës llampë neoni e gurët e zallit anës Drinit të Bardhë si strehë për t’i shpëtuar syrit të spiunëve të UDB – së. Ukshin Hoti është gjithashtu i vetmi filozof që gjuante peshk nga mjerimi, mblidhte nëpër kopshtet e Nazyfit lakra të egra, mollë e gorrica, zjente misër të mbledhur në fushë e më të rrallë kapte dhe ndonjë lepur të egër me leqe. I duhej ta ndihmonte nënën Fatimen. e cila nuk kishte ç’të gatuante për drekë e për darkë. I biri, Ukshini, ishte i papunë. Po kështu dhe dy djemtë e tjerë Ragipi dhe Afrimi. Mbaheshin si familje me ato dy lekë që nxirte i shoqi Nazyfi, i cili ishte gazetashitës.

Biografi i Ukshin Hotit, Sefer Pasha, kur u kthye nga Kosova, ku të zotët e shtëpisë e vlerësuan me “mirënjohjen e Rahovecit” ai më tregoi se gëzimi i tij kishte qenë i trazuar. Shumë nga miqtë e tij ishin të trishtuar. U kishin telefonuar për tu paraqitur si dëshmitar në Hagë. Ata që të gjithë ishin luftëtarët e UÇK – së. Familjarët ishin në dramë. Vetëm në Krushën e Madhe serbët e Arkanit dhe të Millosheviçit vranë 204 burra, 81 në Celinë, 115 në Krushën e Vogël, 36 të vrarë në Trinje, 352 në Korenic e renditja nuk ka të mbaruar. Gratë mbetën vejusha e fëmijët pa prindër. Pas luftës shumë fëmijë kanë lindur me probleme shëndetësore. Bombardimet me përqindje urjaniumi i kanë lënë me difekte. Me këmbë e duar të shtrëmbëruara. Të tjerët kanë lindur leuçemik. Edhe uji i burimeve ka mbetje nga rrezatimi atomik. Autori kishte takuar një zonjushë me emrin Dafina Gashi. Para 20 vjetësh me porosi të doktor Zabit Brokajt, që shërbente në Presidencë Dafina u shtrua e u trajtua në spitalin e traumës. Dafinës i rrinte tek koka kirurgu Pëllumb Karagjozi. Dafinës së vogël Sefer Pasha i shërbeu në spital si ta kishte vajzën e tij. Në Rahovec e takoi rastësisht dhe u çuditë. Tani Dafina është rritur dhe punonte në komunën e Rahovecit. Po si Dafina ka me dhjetra të tjera. Nëpër qytetin e Rahovecit lëvizin burra të gjymtuar në luftë me këmbë e duar të prera nga breshëri i predhave. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto shumë trima, që autori nuk ua përmend emrat do të paraqiten në Hagë. Serbët po i vrasin për herë të dytë. Dhe për dreq Albin Kurti nuk po e çil gojën. Trimat këtë gjë nuk e kishin imagjinuar. Shumë e rëndë.

Po e qëndis me penj mëndafshi këtë ese për biografin e Ukshin Hotit edhe për një fakt të dhimbshëm. Vëllai im Sofokli Duka është redaktori i librit “Idhulli i mallkuar”, i cili hedh dritë mbi fenomenin e Kosovës, Ukshin Hotin. Midis titujve të shumtë që autori i librit i dha Sofos ai vuri veton dhe librin e pagëzoi me titullin “Idhulli i mallkuar”. Këtë libër im vëlla ja ktheu tre herë mikut të tij Sefer Pasha. Patën dhe “grindje”. Sofua me vajzën e vogël për dore e qortonte autorin e librit. Seferi nuk e pranoi kopertinën e skicuar nga bashkëshortja e Sofos, por pranoi atë që e kishte paguar sa frëngu pulën, Gazmend Lekën , i cili ja bëri për faqe të zezë. Titullin në vend që t’ja shkruante “Idhulli i mallkuar” e shkretoi duke e shkruar “Idhulli i MALLUAR”. Kur Sefer Pasha ishte kohët e fundit në Labovën e Zhabës librin e redaktuar nga Sofokli Duka e la mbi portën e rrënuar të shtëpive të vjetra.

Librat e Sefer Pashës mbi kollosin Ukshin Hoti që kontriboi për ta ardhur liria në Kosovë kanë tërhequr vëmendjen njerëzve të letrave në Kosovë. Kështu akademiku Rexhep Qosja shkruan: “Libri i Sefer Pashës për Ukshin Hotin është shkruar me gjuhë të qartë, të rrjedhëshme, me fjali plot kuptim e ndjenjë”. Kurse kritiku Agim Vinca që e lexoi në dorëshkrim librin, “Doruntina kërkon Ukshin Hotin”, thotë se libri është “një tekst vërtetë tronditës, i shkruar në formë ditari, po ku ka edhe ditar, edhe kujtime, edhe politikë, edhe poezi, besa edhe filozofi. Ndërsa studjuesi Liman Rushiti jep këtë mendim: “Ditari i Sefer Pashës për jetën e Ukshin Hotit lëviz si në epos në peisazhin e trazuar të Kosovës, ku pa kozmetikë, pikturohet tërë muzikalitet misteri enigmatik i këtij zgalemi fatthënës”. Një tjetër historian, profesor Haki Kasumi, nënvizon: “Nëse autori i këtij libri vazhdon punën me një pasion të tillë, besoj se në të ardhmen ai do të bëhet edhe biograf dhe studjues i njohur i veprimtarisë dhe jetës së Ukshin Hotit”.

Autori i librave për Ukshin Hotin vazhdon të shkruaj, por ai me miqtë e tij në rradhë të parë nuk resht së këkuari me të gjitha format për të zbuluar dhe në “fund të botës” misterin e zhdukjes së Ukshin Hotit. Në vendlindjen e Ukshin Hotit në Krushën e Madhe dhe më gjerë ka rezistencë dhe hamendje se Ukshin Hoti mundet të jetë i gjallë. Sqimtari Sefer Pasha me mprehtësi vëzhgimi të gjitha përjetimet vetjake allasoj brenda një caku kohor prej 20 vjetësh ka hulumtuar me ekspresivitet simbolikën e kohës, ndjeshmërinë dhe dramën e Ukshin Hotit dhe parashikueshmërinë e tij se agimi i lirisë po troket.

Share This Article
2 Comments
  • I lumte dora dhe mendja mikut tone te cilter dhe njeriut origjinal te letrave Sefer Pasha per punen e jashtezakonshme qe ka bere per enigmen Ukshin Hoti, shqiptarin e ralle nder te vecantet e kohrave. Jam i bindur qe nuk ka tjeter biograf me te detajuar, argumentues,trondites dhe e te besuar se sa Z.sefer Paha per Ukshin Hotin.
    Edhe nje here urime mikut tone te parreshtur Sefer pasha si dhe artistit te madh te penes Arben Duka per kete shkrim kaq ngaazellyes. Ilmi qazimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *