Agim Vinca
(Lum ai që si Uliksi kthehet në shtëpi)
Abstrakt
Itaka, ishull në Greqi, në Gadishullin Ballkanik, njihet si vendlindja e heroit të Homerit, Odiseut. Falë veprës së Homerit dhe posaçërisht poemës Odiseja, ajo u bë një simbol universal.
Itaka si temë ka shtrirje të gjerë në letërsinë moderne të Ballkanit dhe Evropës. E gjejmë te romani Uliksi i Xhojsit, në poezinë e Kavafisit, të Brodskit, Hjuzit dhe Soreskut, por edhe në dramaturgjinë bashkëkohore. Tema e Itakës është e pranishme edhe në poezinë e sotme shqipe, ku trajtohet në mënyra të ndryshme te poetë si Camaj, Londo, Zhiti, Islami etj. Në vargjet e poetëve shqiptarë Itaka sintetizon vizionin e atdheut, të vendlindjes, të gruas dhe posaçërisht të dashurisë së pashuar të njeriut për vendin ku ka bërë hapat e parë në jetë. Krijues dhe studiues të ndryshëm e kanë quajtur Odisenë “ep i mallit”, kurse Itakën simbol letrar me ndikim në formimin e identitetit të njeriut perëndimor. Uliksi dhe Itaka janë një binom i pandarë. Penelopa është nyja që i lidh ata.“Çdo njeri ka Itakën e vet”, thotë poeti. Si e tillë, kjo figurë bëhet paradigmë e ekzistencës njerëzore dhe simbol i gjakimit të përhershëm të shtëpisë, pragut të derës, shtratit dhe gruas.
Fjalët kyçe: Homeri, Iliada, Odiseja, Itaka, Penelopa, gruaja, vendlindja, Ballkani, letërsia shqipe.
Hyrje
Nga një emër gjeografik, Itaka, ishull në Greqi, në detin Jon, falë letërsisë, u shndërrua në një simbol universal. Çka simbolizon Itaka në jetë dhe në art? Edhe pse si shumë mite e figura të tjera, edhe Itaka ka kuptim polivalent, ajo është në radhë të parë simbol i vendlindjes dhe i atdheut, në të vërtetë i “kthimit në atdhe”, pas shumë vuajtjesh e peripecish dhe, rrjedhimisht, edhe simbol i mallit dhe i dashurisë, që e shoqërojnë çdo largim nga vendlindja dhe atdheu.
Kthimi në atdhe, pra, është kuptimi i parë i kësaj figure, por në letërsinë moderne, Itaka, sikurse shumë simotra të saj, është një figurë shumëkuptimëshe, që, varësisht nga konteksti ku përdoret dhe si përdoret, fiton nuanca të reja kuptimore.
Në teoritë moderne letrare figurat e tilla quhen simbole private, simbole autarkike ose kontekstuale. Preferoj termin “simbol kontekstual”, të cilin e kam përdorur qysh në vitet ’80 në librin tim Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), duke folur për poezinë e poetëve Rrahman Dedaj, Azem Shkreli, Martin Camaj e të tjerë.
Krijimi i parë letrar, në të cilin përmendet fjala Itakë, ka lindur, rreth dy mijë e tetëqind vjet më parë, pikërisht këtu, në Ballkan, në Gadishullin Ballkanik, i cili tradicionalisht perceptohet si vatër grindjesh e konfliktesh, çfarë edhe ka qenë shumë herë jo vetëm në të kaluarën e largët, por edhe në fund të shekullit që lamë pas (urojmë që të mos jetë i tillë në të ardhmen), por, shikuar nga një perspektivë tjetër, “Gadishulli i madh”, siç e quan në një poezi Kadareja ynë, është njëkohësisht, tok me Gadishullin Apenin dhe Iberik, djep i kulturës së kontinentit të cilit i takon, kontinentit evropian.
Jo rastësisht poeti i shquar anglez T. S. Eliot, në një nga esetë e tij të famshme thotë se mitologjia antike greke, krahas Biblës dhe ideve të Revolucionit borgjez francez, përbën një nga shtyllat e qytetërimit modern evropian.[1]
Ndonëse në korpusin e mitologjisë së lashtë greke, në krahasim me mitet e tjera, Itaka zë një vend minor, falë veprës së Homerit, në radhë të parë, por edhe pasardhësve të tij, vazhdues të traditës homerike, ajo mori përmasa të gjera kuptimore dhe u bë pothuajse e gjithëpranishme në jetë dhe në art. Studiuesit e miteve antike greke, pasi e japin kontekstin në të cilin lindi miti i Itakës, vendlindjes së Odiseut, që ishte edhe zot i saj, thonë se shprehja “kthimi në Itakë” do të thotë të arrish në vendin tënd të dashur pas shumë vuajtjesh dhe fatkeqësish.
Në një anketë të bërë në Francë shumë vjet më parë nga dy poetë francezë përkitazi me poezitë më të bukura të letërsisë frënge, vendin e parë e pat zënë vjersha Heureux qui comme Ulysse… (Lum kush si Uliksi) e poetit francez të shek. XVI Zhoasen dy Bele, e cila shpreh dashurinë për atdheun, që, sipas poetit, nis nga tymi i oxhakut dhe pragu i shtëpisë.[2]
Dashuria për atdheun është e lindur, natyrore. E tillë është ndjenja e Odiseut, i cili, pas luftës së Trojës, bën çmos që të kthehet në Itakë, në vendlindjen e tij.
Odiseja në shqip
Pas luftës së Trojës, të cilën, në saje të dredhisë së Odiseut, e fituan grekët, Odiseu brodhi gjatë nëpër det (plot dhjetë vjet) për t’u kthyer në vendlindje, në Itakë, tek e prisnin gruaja, Penelopa dhe i biri, Telemaku. Këtij udhëtimi i kushtohet njëra nga kryeveprat e Homerit, Odisea, e cila vazhdon aty ku mbaron Iliada.
Kjo vepër ka dy përkthime në shqip, që të dy nga origjinali greqisht: i pari është i Spiro Çomorës,[3] kurse i dyti i Pashko Gjeçit.[4]
Në shënimin e shkurtër me titull Bisedë e shkurtër me lexuesin, Çomora thotë: “…u mundova ta vesh me rrobat poetike të shqipes, që t’ua bëjë veprën më të afërt lexuesve, pa iu larguar as fjalës as mendimit homerik”. “Kam përdorur hekzametrin, vargun e origjinalit, i cili, kur dimë ta lexojmë mirë, jo vetëm që s’bëhet monoton, por tingëllon si një muzikë e madhërishme. Dhe shqipes i shkon për bukuri!”. “Muzë, tregomë për burrin me mendje aq shumë pjellore,/ Që, pasi pirgjet e shenjta ja shembi qytetit të Trojës,/ dallgësh rravgoi dhe njohu plot vise e njerëz e doke”.
Pashko Gjeçi zgjedh rrugë tjetër, më të tërthortë, për të na sjellë në shqip Odisenë: “Këndomë, o zanë, të urtin burrë që u end/ për sa vjet poshtë e lart pa plang, shtëpi/ si shtroi përdhe të shenjtat ledhe t’Trojës,/ e që shëtiti e pa qytete e vise,/ njohu zakone e doke gjithfarë popujsh”.
Siç mund të shihet nga citimet e mësipërme, që janë vargjet e fillimit të poemës, atë që Çomora e jep me tre vargje 16-rrokëshe (vargu heksametrik), Gjeçi e shpreh me pesë vargje heterometrike, prej 11 deri në 14 rrokje.
Shumë vjet më vonë, përkthimit të Odisesë në shqip i hyri edhe poeti Llambro Ruci, njohës i mirë i greqishtes (i lindur në Dhërmi), i cili botoi në vitin 2009, një përkthim të dytë të plotë të Odisesë së Homerit (pas Pashko Gjeçit), të pajisur me një studim të gjatë të homerologut gjerman Alfred Heubeck (Interpretim i Odiseas) dhe një studim tjetër të studiuesit grek Janis K. Kordhatos: Parathënie në problemin homerik, me një Tregues të elementeve të rëndësishme të antikitetit, me Treguesin e emrave të Odiseas, si dhe me ilustrime, gjë që e bën këtë botim tejet të plotë e interesant.[5]
Odiseun, sipas mitologjisë, e ndëshkoi perëndia i ujërave, Posejdoni. Gjatë udhëtimit të tij për në Itakë, i humb të gjithë shokët. Babai i Odiseut, Laerti dhe i biri, Telemaku, e kanë të vështirë t’i përballojnë mëtuesit, princër të Itakës, që kërkojnë nga Penelopa të zgjedhë njërin prej tyre. Për t’i shmangur ata, Penelopa (Gjeçi e quan Penelopi) shpik idenë e këmishës së vdekjes të Laertit, babait të Odiseut, që e end ditën dhe e çend natën, një veprim pak a shumë i ngjashëm me atë të Sheherezades te Një mijë e një net.
Odiseu hyn në pallat i maskuar, i veshur si lypës dhe askush nuk e njeh, me përjashtim të qenit të shtëpisë dhe dados që ia lan këmbët dhe ia shquan shenjën e plagës (vragës). Pasi vret, me ndihmën e të birit, Telemakut, mëtonjësit, merr në dorëzim pallatin dhe Penelopën.
Odiseu është nga kryeheronjtë e eposit homerik. Ai shfaqet si personazh qysh në Iliadë, krahas Akilit, Agamemnonit, Menelaut e të tjerëve, për t’u bërë protagonist i Odisesë, ku “ekzaltimi heroik ua lëshon vendin ndjenjave njerëzore”: mallit për shtëpinë e largët dhe ëndrrës për të kaluar pleqërinë pranë familjes, që pret me padurim burrin dhe babanë e humbur,[6] që kalon nëpër kuturisje (aventura) e peripeci të shumta.
Me kalimin e kohës nga emri i përveçëm Odise u krijua fjala odiseadë, që përdoret në kuptimin e një udhëtimi, pune a veprimi tjetër që zgjat një kohë të gjatë.[7]
Itaka: burri, njeriu, vendlindja
Odiseu dhe Itaka janë një binom i pandarë ndër shekuj, dy emra të shndërruar në simbole: i pari (Odiseu ose Uliksi) i njeriut të zgjuar, trim e dinak, i dyti (Itaka) i kthimit në atdhe pas një kohe të gjatë. Nga antika e largët këto dy simbole, Odiseu dhe Itaka, udhëtuan drejt kohëve moderne dhe u bënë tema e personazhe veprash letrare e artistike, jo vetëm në suaza ballkanike, por edhe më gjerë, mirëpo këto të fundit janë objekt i interesimit tonë në këtë rast.
Është e kuptueshme që simboli i madh ballkanik i Itakës të shfaqet shpesh dhe me sukses në poezinë e sotme greke. Poeti i shquar bashkëkohor grek i Aleksandrisë, Konstantin Kavafis, i cili gjatë jetës së tij shkroi gjithsej rreth njëqind e pesëdhjetë poezi, në poezinë e tij të njohur me titull Itaka i jep dimensione të reja kuptimore kësaj figure. Poet që rinovoi traditën helene e bizantine, Kavafi e sheh Itakën nëpërmjet një kodi gjuhësor, ku mbizotërojnë ironia dhe paradoksi. Në poezi nuk përmendet askund Odiseu; ajo artikulohet në vetën e dytë dhe i drejtohet një personi anonim që niset në udhëtim: “Kur për Itakë të lundrosh,/ Uro q’e gjatë rruga të jetë,/ Plot aventura dhe përvojë/ Dhe mos u tremb nga lestrigonët/ As nga Ciklop e Posejdon,/ Të tilla gjëra s’do takosh/ Nëse të kthjellët e ke mendimin,/ Nëse një ndjenjë të brishtë do kesh/ Në shpirtin tënd, në trupin tënd,/ As lestrigonët as Ciklopët,/ As dhe të egrin Posejdon/ Ti s’do t’i shohësh, veç n’i paç/ Brenda përbrenda shpirtit tënd”.[8]
Ideja se e keqja është në shpirtin e njeriut dhe se ajo mbijeton që nga fenikasit e egjiptasit e vjetër e deri në ditët e sotme, shpaloset në strofat vijuese të vjershës: në shtegtimin e tij nëpër kohë njeriu duhet ta pastrojë shpirtin nga mëkatet dhe të mos heqë dorë nga pikësynimi: “Itakën ti të kesh në shpirt” dhe “Arritja atje është fati yt”.[9] Sipas Baurës, poeti shpreh pikëpamjen se kërkimi është më i rëndësishëm se qëllimi, duke ofruar kështu një përvojë të re dhe një ide me vlerë, gjë që është një karakteristikë e përgjithshme e poezisë së Kavafit.[10]
Itaka si temë dhe simbol del edhe te poetë të tjerë grekë përveç Kavafisit, por ajo shfaqet në forma e mënyra të ndryshme, edhe në letërsitë e tjera ballkanike: bullgare, turke, rumune, serbe, kroate, boshnjake, maqedonase, malaziase etj. Shfaqet, natyrisht, edhe në letërsinë shqipe, kryesisht në letërsinë e sotme, por nuk mungon as në atë të traditës.
Uliksi i Fishtës
I pari që e trajtoi këtë temë në letërsinë shqipe është poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta, i lidhur ngushtë me traditën antike. Në vitin 1931 ai shkroi dramën njëaktëshe Odisea, që flet për kthimin e Uliksit në Itakë.[11] Drama është shkruar në vargje dhe ka gjithsej pesë pamje ose “dukë”, siç i quan Fishta. Personazhe të saj janë: ULIKSI – Mbreti i Itakës, TELEMAKU – i biri, PENELOPE – e shoqja e Uliksit dhe EUMEJI – barí i vjetër. Drama zhvillohet kryesisht si dialog i Uliksit me Telemakun, i cili i paraqitet të birit si një luftëtar i Trojës që ka qenë “n’bark t’kalit t’drûnit”, por që i ka shpëtuar “shpatës dardane”. “Edhe me tjerë fatosa vetë qillova/ N’bark t’kalit t’drûnit qi kje ngrehë nen Shé,/ Prejt t’cillit ra mandej Troja per dhé”.[12] Në bisedë e sipër Telemaku zbulon se luftëtari i panjohur është i ati, “Rregji i Itakës” dhe ata përqafohen babë e bir. Pason një “valle” (këngë korale) drejtuar Zeusit për ndihmë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. “O Zeus i pushtetshëm – i Olimpit ti Mbreti,/ Qi hâna dhe dielli – qi toka dhe deti/ T’perkulen, e lavde – t’kndojn stinë edhe mot:/ Ti ktyne fatosave – per t’Drejta të veta,/ Të cillvet s’u dhimbet – m’iu shkimun sod jeta,/ Prej s’naltit dergoju – ti qander, o Zot!”.[13]
Drama ka fund të lumtur: Uliksi me të birin, Telemakun, pasi vrasin “të huejt”, si i quan Fishta “mëtonjësit”, takojnë Penelopën e alivanosur nga frika për fatin e tyre dhe shërbëtorin besnik, Eumejin, që kujdeset për të. Luftimet nuk paraqiten në skenë, por vrasja e “të huejve” jepet tërthorazi nëpërmjet shpatave të përgjakura të Uliksit dhe Telemakut. Drama mbyllet me një “valle” a këngë korale me tone melodramatike, element i shpeshtë i dramaturgjisë fishtiane, që ka si model tragjeditë antike. Odisea është dramë, që, si e tërë vepra fishtiane, glorifikon trimërinë, nderin dhe drejtësinë. Uliksi i Fishtës është njeriu (burri) që vret pretendentët për të shoqen e fronin dhe i rikthen të dyja. E drejta e tij është e drejtë e Zotit dhe e Kanunit.[14]
Mesazhi i veprës është i qartë, por toni retorik, tipik për stilin e Fishtës, e mbyt tekstin artistik.
Itaka e Camajt dhe Londos
Itaka si temë dhe simbol zë vend të dukshëm në letërsinë e sotme shqipe, veçanërisht në poezi. Ajo shfaqet te shumë poetë bashkëkohorë, prej të cilëve po veçojmë së pari dy krijues brezash dhe profilesh të ndryshme: Martin Camajn dhe Bardhyl London.
Poeti i gjuhës së fshehtë, ezoterike, siç është quajtur Camaj, në mesin e krijimeve të tjera me temë antike, ka edhe një poezi me titull: Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue? Poet i lidhur ngushtë me traditën, me dheasit e tij dhe zakonet e tyre pagane, por edhe me burimet përtëritëse të jetës, Camaj shkruan:“Malli, dëshirë e përjetës/ e jo mallëngjimi, gurgull frymëshkurtë/ e joshi Uliksin me kthye i kulluem/ atje kah ishte nisë. Në ravgime të paskaje/ shtjerri edhe të mbramin petk që kishte/ amzën e pashlyeshme të vegëve ullini/ dhe të duerve të grues./ Shtjerri edhe petka tjera leshi e lini/ e fjeti ndër tesha të hueja, Uliksi,/ kur harroi amzën.// Homerit s’i erdhi ngoje me thanë/ përse Penelopa endte për të me duer të veta/ petkun magjik të kthimit./ Homeri i përngeshëm u kull kujtueshëm e tha:/ Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjokë dhie/ me nji bri të thyem: punë e pakryeme”.[15]
Krahas trajtës romake të emrit të heroit: Uliks, Camaj shfrytëzon edhe elemente nga mitologjia shqiptare, çfarë janë: amëza (afshi i tokës), ulliri, krerët e dhisë, petkat e leshit dhe të linit, krenat binjakë, brini i thyem etj. Top of Form
Sipas Camajt, Itaka (fshati, qyteti, krahina, atdheu) pa grua, pra pa atë që mban gjallë jetën, nuk ka kuptim. Vetë poeti, në një intervistë dhënë shtypit italian në vitin 1991, thekson: “Kam dashur ta paraqes Uliksin si njeri, ndryshe nga shkrimtarë e poetë të tjerë. Nuk më ka interesuar heroi, luftëtari i madh, fituesi. Kam dashur ta këndoj Uliksin intim, personin i cili digjet nga dëshira për t’u kthyer te gruaja e tij…”.[16] Ky koncept përkon me pikëpamjen e “deheroizimit” të letërsisë,[17] që konkretizohet artistikisht te vepra me madrigale Dranja (1981), ku heroinë e veprës nuk është shqiponja dykrenore, fjala vjen, por një breshkë – breshka Drane.
Të themi se kësaj poezie të Camajt, sikurse edhe poezive të tjera të tij të fazës së vonë (fazës së Munihut), mund t’i bëhen edhe interpretime të tjera, varësisht nga mënyra si lexohen shenjat gjuhësore dhe kuptimi i tyre.
Me një gjuhë më konkrete poetike, që bazohet kryesisht mbi ligjërimin bisedor, e krijon ciklin e tij të poezive për Itakën poeti Bardhyl Londo. Në vështrimin e këtij poeti Itaka identifikohet me njeriun si boshti i botës. Derisa poezinë Itaka, që e hap ciklin, e mbyll me vargjet ngapak deklarative: “Të gjithë jemi ngapak Odise;/ në mos paçim Penelopë,/ një Itakë e kemi patjetër!”,[18] në poezinë përmbyllëse të ciklit: Vetëm Itaka mbetet, tregohet shumë më sugjestiv: “Kanë ndërruar anijet./ S’janë më si të Odiseut./ Kanë ndërruar dashuritë./ S’janë më si të Menelaut./ Gratë ndryshe janë./ S’i ngjajnë më Helenës./ Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt/ praparendës./ Vetëm Itaka mbetet./ Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu/ ajo, e përjetshmja,/ ëndrra,/ dashuria,/ jeta,/ vdekja: Itaka – vetë njeriu”.[19]
Sintaksa poetike, hollësitë konkrete, sinteza figurative, krahasimet, metaforat dhe kontrastet mbresëlënëse, ritmi dhe melodia e vargut, titulli atipik, sa konkret, aq edhe enigmatik: Vetëm Itaka mbetet, përsëritja e emrit kumbues “Itaka” (I-ta-ka), vargu përmbyllës sintetik: “Itaka – vetë njeriu”, që sendërtohet nëpërmjet një rime të gjetur (gjeniu-njeriu), si dhe përftesat e tjera poetike, e bëjnë këtë poezi një nga më të bukurat që janë shkruar në gjuhën shqipe në temën: Itaka.
Dëgjohet shpesh thënia se atdhe i poetit është gjuha në të cilën krijon ai dhe se ky “atdhe”, pra gjuha, e mban gjallë atë edhe kur fizikisht gjendet larg tokës ku ka lindur.
Itaka e fjalës: gjuha dhe identiteti
Vite më parë në Tiranë doli një antologji me titull Itaka e fjalës, në të cilën janë përfshirë 127 poetë shqiptarë të diasporës të shkapërderdhur nëpër botë: në Evropë, Amerikë etj.,“poetë të kudondodhur jashtë Shqipërisë”.[20]
Të gjithë emigrantët, pavarësisht nga kombësia, kanë një Itakë të përbashkët: Atdheun. Por, ndryshe nga mërgimtarët e zakonshëm, krijuesit letrarë nga radhët e tyre kanë edhe një Itakë tjetër: Fjalën. “Si në një fushatë antike, ata lëshojnë varkat e metaforave në detin e vargjeve dhe vozisin drejt kthimit, ndërsa Mëmëdheu-Penelopë i shtyn ditët dhe netët kërrusur mbi avlëmendin e mallit…”, thuhet ndër të tjera në parathënien me titull Itaka jonë e përbashkët.[21]
Poetesha bullgare Bllaga Dimitrova, në librin e saj Ballkaniada, ndër të tjera, shkruan: “Për ballkanasin njeriu më i urryer është njeriu që s’ka atdhe – druri pa rrënjë! Po ai vetë ç’është? Ndoshta ai vetë gjykon se sa keq është të jesh i çrrënjosur-i shartuar. Diçka karakteristike që kurrkund nuk haset deri në këtë shkallë: rritet njeriu ynë në fshat ose në qytetin e tij të lindjes dhe që në fëmijëri ëndërron të ikë dikah, të niset për diku, larg, të shpërngulet në ndonjë vend tjetër, ku jetohet ndryshe, me zakone të tjera, ku, në përgjithësi – vetë ai të bëhet tjetër njeri (…). Por askush nuk mallëngjehet për shtëpinë atërore, për vatrën e braktisur, si njeriu ynë”, thekson Dimitrova,[22] ndërsa miku dhe mësuesi i saj, poeti i shquar turk, Nazim Hikmet, në poemën e tij Udhëtim i çuditshëm, nënvizon: “Se janë dy gjëra që s’harrohen gjer në vdekje: Është fytyra e nënës dhe fytyra e qytetit tënd”[23].
Poeti rumun Marin Soresku, në mesin e shumë vjershave me temë nga mitologjia antike, ka edhe një poezi me titull Uliksi. Uliksi i Soreskut është një parodi e sagës antike mbi Odiseun dhe gruan e tij të virtytshme. Atij i bëhet gjyqi kur kthehet në shtëpi: “Ku ishe gjer tani? – Lëre Poseidonin e trego të vërtetën: me kë?”[24]. Kemi të bëjmë, pra, me një shmangie të qëllimshme nga burimi: është xhelozia e gruas ndaj burrit dhe humori që zëvendëson seriozitetin tragjik, armë e fortë e poetit rumun.
Prej pozitash të ngjashme ideoestetike, detabuizuese dhe rivlerësuese, temën e kthimit të Odiseut në Itakë e trajtojnë edhe poeti rus Josif Brodski dhe ai anglez Ted Hjuz.
Gama tematike e Itakës shtrihet në shumë kahje, por pistë kryesore mbetet malli i njeriut për vendin e lindjes dhe për njerëzit e tij të dashur.
Kjo është arsyeja që shkrimtari disident çek, Milan Kundera, e quan Odisenë “epi i mallit”, ndërsa studiuesit modernë shohin tek Odiseja një vepër që ka ndikuar “në formimin e identitetit perëndimor”.
Poetët Dritëro Agolli, Enver Gjerqeku, Murat Isaku, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Hamit Aliaj, Agim Spahiu, Natasha Lako, Adem Gashi dhe shumë të tjerë, këndej e andej kufirit, nuk kanë jetuar jashtë atdheut, por kanë krijuar vargje antologjike për vendlindjen. Secili syresh ka Itakën e vet, që mund të quhet Tropojë, Dukagjin, Devoll, Drenicë, Pollog apo edhe ndryshe, me ndonjë emër tjetër fshati, qyteti a krahine. Edhe Bilal Xhaferi, që e provoi mërgimin, kishte Itakën e tij: Çamërinë, tok me Shqipërinë e Kosovën, që shfaqen herë si Trojë: plojë e gjak, e herë si Itakë: rravgim e mall.
Troja, Itaka, Kosova
Poeti Visar Zhiti në librin e tij me poezi kushtuar Kosovës Si shkohet në Kosovë krijon paralelizmin mes Itakës dhe Kosovës: “Çdo njeri ka Itakën e vet, thonë poetët./ Por edhe një Kosovë ka brenda vetes çdo njeri”,[25] sepse Kosova, sipas poetit, më shumë se tokë është shpirt. (E kuptove ç’është…?/ Ti e dite truall, por më shumë qenka shpirt”. [26] Udhëtimi i poetit drejt Kosovës, e cila më shumë se nocion gjeografik, është simbol mitik, i ngjan udhëtimit të Odiseut në Itakë: është i bukur, por edhe përplot sfida e befasi. “ – (…) ku të çon kjo udhë, o njeri?/ – Në Dardani./ Eh, vij nga Itaka…/ Cila Itakë?/ Ke gabuar në kohë (…). / Mbi veten tënde po ecën”.[27]
Në përmbyllje të librit, gjithnjë në frymën e paralelizmit figurativ Kosovë-Itakë dhe vice versa, poeti Zhiti e rimerr këtë motiv, duke bërë një përgjithësim me karakter eseistik: “Itaka nëpërmjet Homerit, pra letërsisë, u bë metaforë botërore, Kosova nëpërmjet botës do të jetë edhe metaforë në letërsi”.[28]
Një krijues tjetër, poeti dhe publicisti Bedri Islami, e vështron Itakën ngjashëm me Camajn (shkodranë që të dy dhe mërgimtarë gjithashtu), të pandarë nga gruaja, që është bashkëshortja, por mund të jetë edhe nëna dhe motra. Subjekti lirik i poezisë së tij flet për “Itakën e munguar” drejt së cilës udhëton prej kohësh, por nuk e arrin dot, sado afër që mund të jetë. Strofa e fundit e poezisë së tij, që fillon me lidhëzën kushtore “nëse”, e artikulon qartë këtë ide: “Nëse shkel edhe një herë në Itakën time/ dhe nuk e gjej gruan që pëlhurën end,/ do kthehem pas në rrugë e shtegtime,/ pa të s’vlen Itaka, s’vlen më ai vend…”.[29]
“Për Bedriun, Itaka e ka emrin Shkodër. Aty është nënëzonja e tij, Drita”, [30] shkruan poeti dhe miku i poetit, Moikom Zeqo, në parathënien me të cilën hapet libri.
Itaka e Bedri Islamit, në dy librat e tij me poezi: Itaka e munguar dhe Vetmi akujsh, të botuar në vitin 2018, që ngjajnë me njëri-tjetrin si dy fëmijë binjakë, është vendlindja e tij, Shkodra ose “Shkodërlocja”, siç e kanë quajtur me përkëdheli poetët shkodranë, por mund të jetë edhe Drenica, treva ku lindën dhe ranë për lirinë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Adem e Hamzë Jashari, Ilaz Kodra e sa e sa të tjerë. Do thënë se këta dy libra “binjakë” hapen me kushtimet: ”Nënëzonjës sime” (i pari) dhe ”Nënëzonjës sonë” (i dyti), që e adresojnë qartë frymëzimin e poetit: në planin vetjak, familjar dhe në atë të përgjithshëm, kombëtar. Takimi i parë fizik i poetit me djepin e kryengritjes, Drenicën, ndodh në qershor të vitit 1999. Duke qenë një ngjarje e shënuar në jetën e njeriut të lidhur aq shumë me Kosovën, ky takim bëhet objekt frymëzimi i skicës me titull Drenica, e cila mbyllet me fjalët: “Një shkodran nga Drenica”,[31] epitet që autori i saj e meriton plotësisht, sado që po aq mirë do t’i shkonte edhe cilësori: “Një drenicak nga Shkodra”, nga qyteti i lashtë iliro-shqiptar, në themel të të cilit qëndron kështjella e Rozafatit.
Kështjella, ura dhe “homo-mensura”
Kështjella dhe ura janë po ashtu dy figura të mëdha të letërsisë ballkanike, me shtrirje dhe rrezatim të gjerë ideotematik dhe kuptimor. Dy nga romanet më të njohura të Kadaresë: Kështjella dhe Ura me tri harqe i kanë qysh në titull këto dy fjalë; te drama Beselam, pse më flijojnë e Qosjes janë që të dyja brenda: kështjella si alegori e mbylljes dhe izolimit, kurse ura e hapjes ndaj botës. Shkrimtari boshnjak, Mesha Selimoviq, autori i romanit Dervishi dhe vdekja, veprën tjetër të rëndësishme të tij në prozë e pagëzon Kështjella, edhe pse në të nuk ka kurrfarë kështjelle në kuptimin fizik të fjalës. Në shënimin e shkurtër, me të cilin e shoqëron veprën në fjalë, autori thotë: “Kështjella është vetë njeriu”.
“Homo-mensura”, thoshte Protagora: njeriu është masë e të gjitha gjërave.[32]
Sipas Aristotelit Odiseja ka strukturë më komplekse se Iliada. Numri i këngëve është i njëjtë (24), por rrëfimi më dinamik dhe më koherent. Të gjitha episodet janë në funksion të motivit kryesor: kthimit në atdhe. Kulminacioni arrihet me vrasjen e mëtonjësve nga Odiseu dhe i biri, Telemaku, me ç’rast Penelopa e njeh të shoqin dhe takohet me të pas njëzet vjetësh. Odiseja është ep i aventurave të bujshme, në njërën anë dhe i jetës së qetë familjare, në anën tjetër. Me këtë vepër, sipas Shtajgerit, Homeri i ngre përmendore besnikërisë bashkëshortore.[33]
Pa Odisenë nuk do të ekzistonin shumë vepra të letërsisë moderne evropiane, në mesin e të cilave edhe romani i madh i Xhojsit Uliksi (1922), subjekti i të cilit zhvillohet në analogji me bredhjet e heroit të Homerit, Odiseut, por edhe si parodizim i tyre (dy kapitujt e fundit të romanit titullohen: Itaka dhe Penelopa).
Në vend të përfundimit
Itaka është një figurë e lashtë, që vjen nga thellësitë e kohës dhe që i ka mbijetuar shekujt.
Falë Homerit, me të cilin fillon letërsia evropiane, por edhe poetëve të mëvonshëm të Ballkanit, Itaka, nga një nocion gjeografik, ishull në mes ishujsh, u shndërrua në një simbol universal letrar, me rrezatim të gjerë kuptimor. Itaka është atdheu, vendlindja, njeriu, gjuha, malli, dashuria, por edhe udhëtimi i përjetshëm i njeriut drejt idealit, qoftë ai, madje, edhe një utopi e bukur. Duke shprehur dashurinë dhe mallin për vendlindjen, atdheun, vatrën, gruan, nënën, Itaka, si të gjitha simbolet e mëdha të njerëzimit, shpreh kuptimin e jetës dhe të historisë.
Odiseu është arketip i luftëtarit të të gjitha luftërave, kurse Itaka paradigmë e vendit ku synon të kthehet ai pas mbarimit të luftës,[34] por edhe gjakimi i përjetshëm i njeriut si qenie e vdekshme për të arritur pavdekësinë.
Itaka ka një prani të madhe ideotematike dhe një rrezatim të gjerë kuptimor në letërsinë e popujve të Ballkanit. Itaka e Kavafisit, Itaka e Camajt, Itaka e Kadaresë, Itaka e Londos, Itaka e Zhitit dhe poetëve të tjerë, është një simbol me kuptim polivalent: vendlindja, atdheu, vetë njeriu, gruaja, gjuha, ëndrra, dashuria dhe malli i pashuar për atë vend, ku subjekti lirik ka bërë hapat e parë në jetë.
Itaka, që në letërsinë e popujve të Ballkanit rrjedh nga “ati i vjershës”, si e quante Homerin Naimi ynë, ka një rrezatim të gjerë kuptimor e asociativ. Falë veprës së Homerit dhe posaçërisht Odisesë, ajo u bë një simbol universal me përhapje të gjerë. Itaka është atdheu, vendlindja, njeriu, gjuha, mirësia, por edhe gjakimi i përjetshëm i pavdekësisë së njeriut dhe i artit si shprehje e shpirtit të tij të pavdekshëm.
[1] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë 1982.
[2] Ja strofa e parë e kësaj poezie në përkthim shqip nga Vedat Kokona: “Kur do të shoh i mjeri, të fshatit tim të shkretë/ atë tymin e oxhakut edhe në çfarë stine,/ sërisht unë do ta shoh selishten e shtëpinë/ që m’është mbretëri dhe pallat i vërtetë?”. (Cituar sipas: D. Shapllo, Poezia nëpër kohë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 297).
[3] Odisea (Këngët I-XII), Tiranë 1973, përkthyer nga nga Spiro Çomora, redaktuar dhe pajisur me shënime nga Andrea Varfi, i cili është autor edhe i parathënies.
[4] Odiseja, botim i plotë (I-XXIV), përkthyer nga Pashko Gjeçi, “Buzuku”, Prishtinë 2006, me parathënie nga Engjëll Sedaj.
[5] Homer, Odisea. Përktheu nga greqishtja dhe përgatiti: Llambro Ruci. Botoi OMBRA GVG, Tiranë 2009, 635 f.
Nga një shkrim i mikut tim, studiuesit Thanas L. Gjika, dërguar në formë elektronike nga Amerika, mësoj se Ilia V. Ballauri, një korçar që jeton në Greqi, është i pari shqiptar që ka përkthyer dhe botuar të plota të dy poemat e Homerit: Iliadën (2013) dhe Odisenë (2017), duke e pasuruar kështu kulturën shqiptare edhe me një përkthim të këtyre dy kryeveprave, ndërkohë që në kulturat e mëdha evropiane, si ajo angleze, franceze, gjermane etj., ato kanë me dhjetëra përkthime.
[6] Spiro Çomora, Iliada dhe bota homerike, parathënie e veprës Iliada të përkthyer nga Gjon Shllaku, botim i vitit 1979, f. XI-XII.
[7] Përdoret për një udhëtim që zgjat shumë ose një punë që zhagitet së tepërmi, ndërsa vendi në të cilin ai arrin me shumë mund e sakrifica, Itaka, simbol i kthimit të atdhe.
[8] Përkthimi është i Ismail Kadaresë, i cili, për çudi, i shtoi poezisë së Kavafisit një varg në fund:”I mençëm siç je tashmë/ Besoj kupton se ç’janë “Itakat”,/ Besoj kupton se ç’është Atdheu”, me ç’rast vargu i fundit nuk është i poetit, por i përkthyesit! Shih: Antologji e poezisë greke, Rilindja, Prishtinë 1989, f. 65.
[9] Po aty.
[10] S. M. Baura, Konstantin Kavafi i grčka prošlost. Në librin: Nasledje simbolizma & Stvaralački eksperiment, Nolit, Beograd 1970, f. 274.
[11] Vepra u botua nga Shtypshkronja Françeskane e Shkodrës në vitin 1931. Shih: Gjergj Fishta, Dramatika, Rilindja, Prishtinë 1996, f. 71-86.
[12] Po aty, f. 79-80.
[13] Po aty, f. 82.
[14] Fjala është për kodin zakonor shqiptar, Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili, siç vëren Kadareja te Eskili, ky humbës i madh, ka ngjashmëri me tragjeditë antike, çka shpjegohet me “nënshtratin e përbashëkt kulturor ballkanik”. Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, f. 100.
[15] Martin Camaj, Njeriu më vete e me tjerë, Mûnchen 1978, f. 19.
[16] Alfonso Sarno, Por heroi ka edhe frikë. Intervistë me poetin shqiptar Martin Camaj. “Il Giornale di Napoli”, 11. VI. 1991. Cituar sipas “Jeta e re” nr. 1, 1996, numër tematik kushtuar M. Camajt.
[17] “Unë nuk i pranoj heronjtë as në jetë as në poezi”. Po aty.
[18] Bardhyl Londo, Si ta qetësoj detin, “Naim Frashëri”, Tiranë 1988, f. 82.
[19] Po aty, f. 86.
[20] Itaka e fjalës. Antologji poetike me poetë të kudondodhur jashtë Shqipërisë. Përgatitur nga Nase Jani. “Toena”, Tiranë 2007.
[21] Parathënia e antologjisë Itaka e fjalës, shkruar nga Robert Goro, korrespondent i seksionit shqip të BBC-së nga Athina.
[22] Citat nga eseja Homo ballkanikusi – njeri udhëkryqesh dhe fjalëkryqesh. Ballkaniada, Sfinga, Prishtinë 2000, f. 76.
[23] Nazim Hikmet, Peizazhe njerëzore, “Naim Frashëri” Tiranë 1989, f. 317.
[24] Marin Soresku, Një flatër dhe një këmbë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1993, f. 34.
[25] Visar Zhiti, Si shkohet në Kosovë, Toena, Tiranë 2000, f. 105.
[26] Po aty, f. 112.
[27] Visar Zhiti, Si është Kosova. “Buzuku”, Prishtinë 2014, f. 14.
[28] Po aty, f. 114.
[29] Bedri Islami, Itaka e munguar, Tiranë 2018, f. 95.
[30] Moikom Zeqo, Dashuria testamentale, parathënie e librit Itaka e munguar, f. 9.
[31] Bedri Islami, Itaka e munguar, f. 178-181.
[32] “Omnium rerum (mensura) homo” (lat.) dhe “Panton chrematon metron ho anthropos“(greq.).
[33] Emil Štajger, Epski stil: predstavljanje, në librin Umeće tumačenja i drugi ogledi, Prosveta, Beograd 1978, f. 109.
[34] Dramaturgu maqedonas Goran Stefanovski, autor i një drame me titull Odiseu (2012), deklaron se në dramën e tij janë gërshetuar “epi i Homerit, shpërbërja e Jugosllavisë dhe tema e pleqërisë”. Si i tillë, Odiseu i këtij autori është luftëtari i dëshpëruar, që, pas mbarimit të luftës, tenton të kthehet në shtëpi për ta rifilluar jetën familjare, por edhe njeriu që dyshon në ekzistimin e zotërave dhe që rishqyrton vlerat tradicionale të nderit dhe të besnikërisë.

hahahahahahahaha ,
jane te papare kto nastradinat e sot’it !
po lexojn diku e X – Roman te X- Autori ,
Definicionin mbi Aveturen e Uliksit e kthimin e tij ne atdhe ,
duke e pershkruar ate Aveture si nji Metafore Homeriane te se sotmes ,siedhe udhetimet tona si emigrante neper Bote ,
kthimi ne Atdhe ,pra Filozofine e Odises se lashtesise qe eshte aq aktuale me” Mua “emigrantin sot …
dhe mbasi ka hip nalt asaj Varke te cpuar ,
edhe sa tipa gjasme poetesh etj qe na paska cek diku Uliksin posht kembeve , ca si me then
elemente te se kaluares ,
qe realisht me Uliksin i ka pas lidh thjeshte Homeri ,
si nji persoazh i tij asgje me shume ,
ludron ne fund te detit i pashprese .
(prandaj s’duhet me shkrujt me asgje e ate maskarade sharlatanesh ,
sepse edhe komentet /idete ti perlajne neper gazeta forume e
jo me te tjerat dhe c’bejn ,
tentojn me zbukuru surratin para opinionit me Asesua te vjedhme , duke meduar se do kalojne leht Chek-Point-in
Eshte vertet skandaloze kta jane vertet bastarde te papare por edhe te pafytyre ,qe kerkoj te vishen me vkerat e tjetrit !)
Se pari profeqorro, duhet ta dish e ta kuptosh qe Itaka eshte simbol dhe vlere iliro-shqiptare e Mesdheut Iliro-shqiptar… Fjala “Ballkan” s’eshte shqipe as toponim shqiptar, keshtu qe eshte mire ju “dijetaret” e medhenj te kombit te mos rrahni shume uje ne “havan”…
DRENICA E KUQE