Pranvera Kola
Nis puna për krijimin e hartës me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i rënë në orët e para të mëngjesit të së martës, pasojat e të cilin ishin tragjike me humbjen e dhjetëra jetëve, si dhe lëndimin e qindrave të tjera. Ndërkohë që dëmet fizike në ambientet e banimit po ashtu janë në nivele tejet problematike.
Në ndihmë të identifikimit të plotë të situatës së krijuar jo vetëm në banesat e qytetarëve, por edhe identifikimin e nevojës për ndihmë të specializuar mjekësore, apo mbështetje psikologjike për të rriturit dhe fëmijët, studentët e GIS-Gjeografi do të krijojnë aplikacionin për mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e hartës së dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Studentët e GIS-Gjeografi në Universitetin e Tiranës që janë në proces internshipi në projektin “SoGIS”, si dhe studentë të tjerë të departamentit të Gjeografisë që i’u bashkuan këtij grupi, duke shfrytëzuar mbështetjen e Maptionnaire, kanë krijuar një pyetësor për mbledhjen e të dhënave të para mbi dëmet e shkaktuara. Kjo me qëllim për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, si dhe informacionit të saktë që duhet të shpërndahet nëpër qendrat e emergjencës.
Në formularin që gjendet në këtë adresë https://app.maptionnaire.com/en/7503/, gjithsecili prej nesh mund të vendosë pozicionin dhe të ngarkojë foto dhe të dhëna të tjera nga dëmtimet që kanë pësuar banesat ku jetojmë. Gjatë plotësimit të pyetësorit do të merren informacione të tilla, si: fakte nëse ndërtesat ku banojmë janë momentalisht në gjendje kritike, shkalla e dëmtimit të instalimeve elektrike, nëse ka ujë dhe materiale të tjera të domosdoshme për higjienën, nevojën për ndihmë më të specializuar mjekësore, si dhe rastet kur është e domosdoshme asistenca e psikologut për veten dhe fëmijët. Në këtë mënyrë do të ndërtohet një hartë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, e cila do të bëjë të mundur jo vetëm identifikimin e pasojave reale, por edhe të masave që duhet të merren për përmirësimin e situatës. Të dhënat e grumbulluara në këtë formë do të vihen në dispozicion të Shtabit të Emergjencës dhe Grupeve Vullnetare të Ndihmës.
Strukturat shëndetësore në gjendje gatishmërie
Shkon në mbi 750 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 660 vetëm në Spitalin Universitar të Traumës në kryeqytet, si dhe në Spitalin e Durrësit.
Sipas të dhënave të deklaruara gjatë ditës së djeshme nga grupet mjekësore në terren konfirmohet se rreth 65 të lënduar, gjenden të shtruar në këto spitale, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që paraqiten në gjendje më të rënduar. Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.
Urgjenca kombëtare ka përballuar 3745 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 937 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.
