Shqipëria është aq e bukur… nga tërmetet. Ja si mund të mbroheni

Ornela

Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Temblor Incorporated”, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen, por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Në një intervistë që i dha nga San Franciskoja Ilir Ikonomi të Zërit të Amerikës, Profesor Stein thotë se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja.

Puna e kompanisë “Temblor” në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.

Profesor Stein, a ishte tërmeti në Shqipëri diçka që shkencëtarët e kishin parashikuar në një farë mënyre?

Profesor Ross Stein: Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë.

 Si do ta krahasonit tërmetin e tanishëm me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën?

Profesor Ross Stein: Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël.

Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara.

 A ka Shqipëria një histori të pasur me tërmete?

Profesor Ross Stein: Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe ekzistojnë të dhëna për tërmete që datojnë nga viti 1000 i Erës Sonë, të cilët tregojnë se ky është një rajon ku, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen.

 Çfarë tregojnë rrudhat e terrenit, apo vijat tektonike që përshkojnë këtë rajon?

Profesor Ross Stein: Më lejoni të kthehem pak prapa. Arsyeja që Shqipëria është kaq e bukur është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh ngaqë rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi.

Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat, apo luginat e Shqipërisë. I tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë.

 Besoj se këto janë shenja shumë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të sjellë e ardhmja për Shqipërinë, apo jo?

Profesor Ross Stein: E vërtetë. Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Pra, këto tërmete ndodhin përgjatë një rrudhe që vjen duke u ngritur me një gjatësi prej rreth 100 kilometrash. Kjo rrudhë fsheh linjën tektonike poshtë saj.

Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë.

 Ju thoni “në një kuptim të gjerë”, por njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.

Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë, ose të parashikojnë tërmetin tjetër.

Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht.

Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër.

Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.

 

Marre me shkurtime nga Zeri i Amerikes

O.J/DITA

Share This Article
2 Comments
  • “Ja si mund të mbroheni” na vjen nga ameirka sepse ne këtu jemi aq idiotë sa nuk dimë të lexojmë shkrimet e sizmollogëve tanë!!
    dje na shpjegonte e njëjta gazetë në intervistën e saj “Flet inxhinieri: A po dëmtohen pallatet nga lëkundjet që vijojnë?” me inxhinierin gjeolog Sokol Marku!
    ky inxhinjer thoshte fare mirë seeee,rregullat njihen shumë mirë POR NUK ZBATOHEN!!
    nuk ka më kontroll shteti,si kishte dje,dhe si ka në amerikë dhe kudo në shtete normale!!
    shpresojmë që ndonjë ditë do të gjeni ndonjë specialist që tu mësojë lebërve o skraparllinjve se si bëhet dhe nga se bëhet rakija!!

  • RRalle mund te gjesh njerez te ndereshem ne kete bote ku prioritet ka ka pasuria , paraja dhe jo ndjenja , shpirti i pastert ..! Populli duhet te marre vete ne dore fatin e tij dhe te mos ja besoje askujt . Mjaft me fukarrallek , me pension 100 Evro..!Ne kete fatkeqesi nuk duhet te “shkojne” qellimet e erreta , por solidariteti , ndihma e sinqerte qe populli te jetoje . Eshte nje prove njerezore per ata qe nuk ja u dine numurin parave , kudo qe jetojne ne bote ..!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *