Sot mbush 90 vjeç, përtej një urimi për Presidentin Alfred Moisiu

J L

Xhevdet Shehu

 

Alfred Moisiu: Nuk ka idealistë sot midis atyre që kanë në duar fatet e vendit. Dhe dallimi është ky: Në qoftë se rilindësit tanë të mëdhenj shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, politikanët tanë të sotëm po shkrijnë Shqipërinë për të bërë pasuri për veten e tyre

Një ditë janari të vitit 2007 mblidheshin me urgjencë në Presidencë kryetarët e partive parlamentare. Kohë krize politike parazgjedhore. Kryetari i shtetit, Alfred  Moisiu, tejet i shqetësuar, kërkonte një zgjidhje institucionale. Po me kë? Ishte njëlloj sikur të fusje në vathë një tufë karkalecash apo një tufë shejtanësh në një shishe. Ishte thuajse e pamundur. Njerëz pa integritetit as politik, as moral. Por marrëveshja duhej arritur. Për të mirën e vendit, natyrisht. Kryetari i shtetit ishte shumë i shqetësuar…

Presidenti Alfred Moisiu e kujton me emocion të veçantë këtë moment të pa bërë publik deri më sot. E kujtuam së bashku para pak ditësh duke pirë një kafe të mëngjesit dhe ai duke qeshur më tha:

“Këtë moment të vështirë e zgjidha fare thjeshtë: Pasi nuk lanë gjë pa thënë për njëri tjetrin, u ngritën e deshën të iknin pa arritur asnjë marrëveshje. Po unë pse isha aty? Pse isha kryetar i shtetit? O sot, o kurrë!, i thashë vetes.

Ndërkohë që ata po ngriheshin nga tavolinat për të ikur, unë u ngrita dhe i vura shpatullat derës nga ku ata do të dilnin.

-Këtu do të vdisni! Bashkë me mua! Nuk do të dilini të gjallë që këtu pa marrëveshje…

Buzëqeshën hidhur. Por u kthyen kokulur në tryezë dhe… marrëveshja u arrit!

Ai thotë se për zgjidhjen e krizave politike nuk duhen drejtuar sytë nga ndërkombëtarët. Janë të gjitha mundësitë t’i zgjidhim vetë hallet tona. Unë në një farë mënyre i mbajta të “burgosur” politikanët e kohës në Presidencë duke i ushqyer me pica e çaj…

Nuk ishte aspak shaka ajo që bëra. Nuk ka shaka me punët e shtetit. Partitë dhe pushtetet venë e vinë, por shteti mbetet. Shteti është i popullit… Mjerë kush mendon për interesat e tij dhe të pushtetit të përkohshëm në kurriz të shtetit dhe kundër popullit…

Ky është një nga rrëfimet më të sinqerta që kam dëgjuar nga një President.

***

Më kishte ngelur në mendje kjo ngjarje dhe si padashje e rikujtuam me detaje ditët e fundit. Dhe Presidenti Moisiu është pa asnjë dyshim një nga personalitetet politike më të shquara  të pas vitit 1990, të cilin unë e vlerësoj në mënyrë të veçantë, pasi jam konsultuar shpesh dhe e kam intervistuar si rrallëkush tjetër. Pse? Thjesht për mençurinë dhe dashurinë e madhe që ka për këtë vend dhe për këtë popull.

Pa dashuri, nuk ka atdhetarizëm. Alfred Moisiu e mishëron këtë aksiomë. Ai vazhdon të jetë modeli i një burrështeti që i mungon aktualisht Shqipërisë.

Unë këtu më sipër tregova një episod. Këto gjëra njerëzit e thjeshtë nuk i dinë. Mbase bëra ndonjë gabim që e tregova.

Por desha të them se kështu funksionojnë punët edhe atje në majën e shtetit… Njerëz janë të gjithë, të zgjedhur apo të emëruar përkohësisht në një post të rëndësishëm shtetëror. Pas shumë njohjesh dhe sidomos duke parë emra të përveçëm e të rëndomtë që janë ngritur në krye të shtetit, unë e besoj se kemi të bëjmë me një pandershmëri kolosale kur shikojmë dhe kemi duruar disa figura që nuk do t’u kujtohet as emri paas pak vitesh. Ose do t’u kujtohet për keq.

Alfred Moisiu ishte atje lart dhe nuk i ka mitizuar ata atje lart. Jemi njëlloj, na thotë Ai. Dhe këtë e thotë me thjeshtësinë më të natyrshme, ndërsa merr urime dhe përgëzime pa fund…

***

Xh. Shehu me ish-Presidentin Alfred Moisiu

Në një analizë të para disa ditëve të kolegut Viktor Malaj,  bëhej një skicim i atë që kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin, gjatë tri dekadave të fundit. Për Presidentin Moisiu ai shprehej:

“Alfred Moisiu do të mbetet në histori si një individ politik tolerant dhe shtetar dinjitoz. Njeri i pakomprometuar dhe atdhetar, ai u fut në politikë në moshë të madhe dhe mbajti postin e presidentit me kompetenca që nuk i mundësonin evidentimin e plotë si burrë shteti. Pasardhës i një familjeje të nderuar qytetare dhe me tradita atdhetare, ai ishte dhe mbeti një qytetar shembullor, figurë politike e panjollosur.”

Një përcaktim lakonik që, gjithsesi nuk i thoshte të gjitha. Dhe s’kishte se si të thuheshin të gjitha brenda një shkrimi gazete. Një karrierë e gjatë e një personaliteti të tillë nuk mund të përmblidhet dot në disa rreshta.

Alfred Moisiu nuk ishte i rastësishëm në politikë dhe për më tepër nuk u ngjit rastësisht në majën e piramidës së shtetit. Dhe kur ishte atje në majë, bëri më të mirën e mundshme për kombin dhe vendin e tij.

Që spikati mbi të gjithë shtetarët e tjerë të pas vitit 1990, ka një arsye thelbësore që ka të bëjë sa me trashëgiminë e tij, traditën familjare dhe formimin e tij. Zoti Moisiu ishte si të thuash, “i fundmi i Mohikanëve”, i vetmi burrë shteti i pas ’90-s që kishte qenë pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Është thënë shpesh se brezi i partizanëve të asaj lufte është ndër më idealistët që ka nxjerrë ky vend.

Dhe kjo nuk është rastësi. Ka qenë një nga zgjedhjet më të goditura gjatë tri dekadave të fundit.

Alfred Moisiu që në moshën 15-vjeçare qëndroi mjaft kohë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku gjendej në të njëjtën kohë edhe Enver Hoxha. Ai luftoi për pak kohë në radhët e formacioneve partizane, për të nisur më pas kundër dëshirës së babait karrierën ushtarake. Më pas ai u nis për shkollim në Moskë. Si një ndër oficerët më të lartë të ushtrisë, ai do të pësonte në vitin 1982 goditjen e madhe, një goditje nga e cila për fat do të shpëtonte pa u burgosur, apo eliminuar si shumë të tjerë. Ai si ushtarak ka patur një jetë plot peripecia dhe të larmishme. Fatmirësisht, zoti Moisiu i ka përshkruar peripecitë e jetës së tij në librat me kujtime që ka shkruar pasi la detyrën e Presidentit të Republikës.

E kam intervistuar shpesh Presidentin Moisiu, më shumë se çdo kryetar shteti para dhe pas tij. Sa herë e kam pyetur për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai më është përgjigjur prerë dhe vendosmërisht në favor të asaj lufte, duke e cilësuar këtë luftë si një margaritar të ndritshëm në historinë tonë kombëtare. Në intervistën që i kam marrë në 22 maj të këtij viti, në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, zoti Moisiu, si ish-pjesëmarrës i asaj lufte, më është përgjigjur:

“Dihet historikisht, se ne shqiptarët kemi luftuar gjithë jetën, duke filluar që për Romakët, Bizantët, Osmanët, Napolonin, Alfonsin e Napolit e të tjerë, kurse për veten tonë kemi derdhur gjak vetëm tri herë: në kohën e Epopesë së Skënderbeut, në Luftën e Dytë Botërore gjatë Luftës Nacional Çlirimtare si dhe gjatë luftës së UÇK-së, në Kosovë. Por ja pra është me të vërtetë për të ardhur keq se edhe këtë Luftë të shqiptarëve, këta të ashtuquajtur studiues të sotëm duam të na i çojnë në esfel! Por ama le ta mësojnë, nëse nuk e dinë, se LNÇl është një margaritar i ndritshëm në gjerdanin e zhvillimeve të historisë tonë kombëtare, me të cilën kombi ynë është mburrur me të drejtë, jo vetëm gjatë asaj kohe,  por dhe sot e kësaj dite. Ndaj sido që të flasin individë të tillë, kurrë nuk e errësojnë dot Luftën Nacional Çlirimtare, që na vendosi në radhët e aleancës më të madhe botërore, e cila u ndesh me rrezikun kryesor të kohës, duke ruajtur Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm. Ndaj sido që të flasin individë të tillë, kurrë nuk mund ta zhbëjnë dot Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. E them këtë jo vetëm sepse kështu e konsiderojmë ne që kemi qenë pjesëtar të asaj epopeje të madhe shqiptare, por edhe shumica dërrmuese e popullit tonë të tillë e gjykojnë luftën e asaj kohe, përfshi edhe ata që nuk kishin mundësi për të qenë më aktivë në ndihmë të saj.”

***

Në Shqipëri aktualisht kemi një krizë politike që pret zgjidhje. Për këtë krizë flasin shumë dhe sidomos janë tepër të shumtë ata që japin mendje se si mund të zgjidhet kjo krizë, kur në të është përfshirë dhe kryetari i shtetit. Duke qenë i përfshirë vetë në krizë, mbase duke qenë dhe nga inkurajuesit e saj, presidenti aktual duket se ka dalë jashtë loje dhe nuk mund të jetë as zgjidhësi i situatës së krijuar, madje as faktor në zgjidhjen e saj.

Në Shqipëri pak njerëz mund të kenë pasur dakordësinë politike që pati rreth vetes Alfred Moisiu, kur u zgjodh president në 2002. Ai është edhe sot ish-presidenti i vetëm konsensual dhe po ashtu i vetmi që qe “mbi palët” qoftë edhe për shkak të mënyrës se si ai u zgjodh, por edhe më shumë të asaj se si u soll me institucionin që mori përsipër të drejtonte. Pasardhës i një familjeje me mbiemër të madh, Alfred Moisiu ka marrë përsipër edhe këtë peshë, duke qenë në historinë e Shqipërisë një tjetër Moisi i rëndësishëm, një njeri i dialogut dhe respektit politik dhe prej kësaj, një ndër të paktët në këtë dekadë të fundit, fjala e të cilit mund të dëgjohet me nderim për shkak të seriozitetit, përgjegjshmërisë dhe integritetit politik duke mos u bërë palë me askënd.

Është plotësisht e vërtetë se ditën që u zgjodh President i Republikës, gjëja e parë që bëri ishte një vizitë tek varri të atit, Gjeneral Spiro Moisiut, një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Luftës Antifashiste në krah të Enver Hoxhës, para të cilit u betua se do ta mbante lart emrin e tij e të familjes, duke krye me devocion detyrën e rë3ndë që i ishte ngarkuar të kryente.

Si në vitet kur ishte kryetar shteti dhemb pas ai e ka justifikuar plotësisht veten për kontributin e dhënë ndaj vendit dhe popullit të tij. Prandaj dhe është aq i respektuar nga të gjithë.

Nga biografia

Lindi më 1 dhjetor 1929, në qytetin e Shkodrës. Alfred Moisiu ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në vitet 1946-1948 kreu studimet në Shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petersburg, Rusi, dhe u laureua në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë me Medalje të Artë në vitet 1952-1958. Në vitet 1948-1949 ka qenë Komandant toge në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; Instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1949-1951; ka punuar në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1958-1966.

Kursin e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e kreu në vitet 1967-1968 në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.

Zoti Moisiu shërbeu si zëvendësministër i Mbrojtjes, nga viti 1981 deri në tetor 1982. Në vitet 1982-1984 ka qenë Komandant i Kompanisë së Xhenjos në Burrel dhe në vitin 1985 doli në pension.

Në vitin 1991 zoti Moisiu u emërua Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike, post të cilin e mbajti deri në vitin 1992. Në vitet 1992-1994 ai punoi si Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes; në vitet 1994-1997 ishte zëvendësministër për Politikën e Mbrojtjes.

Alfred Moisiu themeloi më 1994-n Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, ku u zgjodh President.

Në vitin 1995 kreu Kursin për Personalitete të Larta në Kolegjin Ushtarak të NATO-s, në Romë. Zoti Moisiu është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes, të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë. Alfred Moisiu mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Ushtarake”.

Dr. Alfred Moisiu më 24 qershor të vitit 2002 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Ish-Presidenti Alfred Moisiu i mbetur i ve pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes ka trashëguar katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik gjatë mandatit të tij si President.

Zoti Moisiu është njohës i tri gjuhëve të huaja, ruse, italiane dhe angleze.

***

Me dorëzimin e detyrës së Presidentit, Alfred Moisiu nuk është tërhequr për asnjë ditë nga politika. Një nga gjërat më të vyera e më fisnike që ka bërë ai gjatë këtyre viteve është shkrimi i kujtimeve, duke shmangur kontestimet e mundshme nga pasardhësit. Ai e ka kryer këtë me vërtetësinë dhe përgjegjësinë maksimale, duke mos u përgënjeshtruar nga askush. Ai vazhdon të jetë tejet aktiv në shtypin e përditshëm e në media, ndjek veprimtari të shumta brenda e jashtë vendit dhe jep mendime se si mund të venë më mirë punët në këtë vend. E ftojnë pa pushim në veprimtari të rëndësishme dhe ai shkon me shumë dëshirë, i dëgjon njerëzit e thjeshtë dhe jep mendimet e tij, të cilat dëgjohen e përcillen me shumë vëmendje.

Ai është shprehur dhe thekson se aktualisht jemi në një sistem demokratik të pranuar nga të gjitha palët, por ende kemi reminishenca të së kaluarës sikurse shihet tek ne gjatë gjithë këtyre viteve, një dominim të partisë mbi të gjitha. Çuditërisht dhe pse pushtetet janë të ndara në kushtetutë, prapëseprapë mbizotëron mentaliteti se pushtetin dhe shtetin duhet ta drejtojë ai që ka fituar votat. Pra, nga politikanët gjykohet se ndërrimi i pushtetit duhet të sjellë edhe ndryshimin e shtetit. Mendojnë se me marrjen e pushtetit duhen ndryshuar edhe institucionet e tjera te pavarura të shtetit, ndonëse prej tyre në teori pranohet ndarja e pushteteve, në praktikë predominon mendimi se gjithçka i takon fituesit. Ja pra këtu e kishte bazën edhe kontradikta që u krijua midis meje dhe kryeministrit Berisha për Prokurorin e Përgjithshëm, pas fitores së PD-së në 2005-n, gjë për të cilën kam folur me hollësi në librin e kujtimeve “Midis Nanos dhe Berishës”.

***

Duke pirë një kafe mëngjesi para disa ditësh në zyrën e tij, e pyeta zotin Moisiu se si është e mundur që edhe 30 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, të vazhdojmë të vuajmë kriza politike të një pas njëshme dhe të kemi një klasë politike kaq të pa aftë.  Pasi u mendua pak, më tha:

– Shiko miku im, se ku qëndron thelbi i këtij problemi. Nuk ka idealistë sot midis atyre që kanë në duar fatet e vendit. Dhe dallimi është ky: Në qoftë se rilindësit tanë të mëdhenj shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, politikanët tanë të sotëm po shkrijnë Shqipërinë për të bërë pasuri për vete dhe familjet e tyre.

Më shkoqur e më përmbledhtas nuk mund të thuhet thelbi i krizës që po përjetojmë për vite e vite me radhë. Ky nuk është një konkluzion i rastësishëm në të cilin ka arritur Presidenti Moisiu. Është shprehje e një hulumtimi të gjatë dhe një vrojtimi të hollë të tij. Mbi të gjitha është i besueshëm kur shprehet kështu, pasi është ndër të rrallët burra shteti dhe politikanë të pa përfolur për korrupsion e dallavere turlisoj. Edhe ai, si shumë të tjerë, gjatë detyrës si ministër apo kryetar shteti mund të kishte përfituar shumë, të ndërtonte vila në bregdet apo të vinte pasuri të paligjshme. Por,. Jo. Ai zgjodhi të ishte ai që është, i qëndroi betimit tek varri i të atit dhe vazhdon të jetë i tillë. Ndaj dhe është aq shumë i respektuar.

E meriton ky burrë t’i urojmë në këtë ditë të shënuar jetë të gjatë, pasi vazhdon të kontribuojë për të mirën e këtij vendi e këtij populli. Rrofsh, President!

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *