Lexues të Ditës, ja çfarë parashikon zoodiaku për javën e ardhshme sipas astrologut të njohur Kiço Pela:
DASHI: Kush duron, fiton! Më në fund, po të dalin parashikimet, sepse kur thoje se nuk ka ku të shkojë më keq se kaq, kishe patur të drejtë. Vërtet, ke qëlluar në shenjë sepse më keq se kaq nuk ka ku të shkojë…
DEMI: Mos u lodh! Si një punonjës administrate që të është prishur shtëpia nga tërmeti, ndërkohë që qeveria të urdhëron të kontribuosh vullnetarisht me 250 mijë lekë për të prekurit nga tërmeti, ti përpiqesh më kot t’i mbushësh mendjen shefit se zgjidhja ideale do ishte ta hidhje këtë shumë në llogarinë tënde!
BINJAKËT: Edi Rama ka hyrë në jetën tënde këto ditë dhe nuk dëgjon të dalë, madje të ka nxjerrë ty jashtë! Jo vetëm kaq, por në kuzhinën e asaj çka ka mbetur nga shtëpia jote, ai thërret shtabin e emergjencave dhe bën mbledhje të zgjatura me kamerat ndezur, ku shfaqet teksa i bërtet Erjon Braçes.
GAFORRJA: Ky muaj do të jetë për ju plot aventura dhe udhëtime. Sepse zhvendosja e shpeshtë nga njëri vend në tjetrin, është mënyra e vetme që pengmarrësit e tu t’i shmangen ndjekjes së policisë.
LUANI: Pikërisht kur i ke humbur të gjitha shpresat, do zbulosh se në fund të pakos kanë mbetur edhe dy biskota, ndërsa një dymijëlekësh i zhubrosur do shfaqet si me magji në xhepin e pasëm të pantallonave të javës së kaluar. Shans derri që paske o njeri!
VIRGJËRESHA: Afrimi i Jupiterit në shenjën tuaj, do ndikojë që të përjetoni një ndjesi shumë të keqe këtë javë, kur do klikoni pa dashje videon që tregon Damian Gjiknurin duke bërtitur i entuziazmuar: Tërmet, tërmeeet për Zotin!
PESHORJA: Mbani mend: Disa probleme nuk zgjidhen duke i hyrë rrugës së drogës dhe alkoolit. Ndaj do ishte më e udhës të filloni një herë me alkoolin, pastaj me drogën.
AKREPI: Sportet dhe aktivitetet në natyrë janë të rekomandueshme për të gjithë, por njerëzit nuk janë ende gati të përtypin fiksimin tuaj për të qëlluar me çifte troftat e lumit.
SHIGJETARI: Yjet, me mençurinë e tyre të pafundme, do të të ushqejnë sërish me nektarin e dijes këtë javë, kur ti të mësosh i shastisur se Haki Çako është në krye të emergjencave civile.
BRICJAPI: Më në fund, edhe ti do të kryesh pjesën tënde për riciklimin dhe mbrojtjen e mjedisit, kur do bësh kaushë për të shitur fara luledielli afër stadiumit, me fletët e një libri me poezi nga Agron Tufa.
UJORI: Bëhu gati të entuziazmohesh, pasi do mësosh se Taulant Balla ndërtoi me duart e tij një urë Bejli që lidh një fshat të Librazhdit me disa fshatra të tjerë të Librazhdit. Madje në fund, e provoi vetë i pari nëse kalohej rehat. Mos u lodh të pyesësh përse për gjashtë vite taulantballore në pushtet, kalamanët e shkretë e kalonin lumin të varur me litarë.
PESHQIT: Gjithmonë e ke ëndërruar të jesh e para që nis duartrokitjen solemne pas një fjalimi emocionues të shefit të madh, teksa të tjerët të ndjekin me droje, duke ngrënë veten me dhëmbë nga inati pse nuk u shkoi atyre në mendje. Por kjo ëndërr do shndërrohet në një makth të përjetshëm pasi Edi të të bëjë qepaze para gjithë sallës.
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e ndikuar nga afrimi i Marsit me Afërditën.

Horr-oskopi
Bravo taullau. kam dhe une nja dy koka perdesh qe duhen ndrequr, po sjam nga Librazhdi. Kam nje farefis ne prrenjas, quhet?
Mua me pelqeu shume BRICJAPI, sepse del qe me ne fund qekan mbaru veprat e Enver Mortjes dhe qoftet dhe farat e lule diellit u mbeshtillkan me veprat e Tufes.
Trapmdhenjte gazetare:
Shpresojme,qe me ne fund do te ndergjegjesoheni per detyren qe keni dhe do ti levizni mullaqet tuaja te renda,sado e mundimeshme te jete dhe te shkoni atje ku i dhemb shqiptarit dhe atdheut!
tung!