Është mbyllur faza e grupeve e Champions League dhe janë përcaktuar 16 skuadrat e kualifikuara më tej.
Shorti i fazës së 1/8 që do të hidhet të hënën e 16 dhjetorit në mesditë premton përballje gjigandësh.
Në vazon e parë janë ekipet favorite si PSG, Bayern Mynih, Manchester City, Juventus, Liverpool, Barcelona, Valencia, dhe Lajpcig por edhe në vazon e 2-të janë skuadra “big” si Real Madrid, Atletico Madrid, Napoli, Chelsea, Dortmund, Tottenham apo edhe ekipe si Atalanta dhe Lyon.
Mbrëmë Atalanta bëri historinë duke siguruar kalimin për në 1/8 edhe pse i kishte humbur tre ndeshjet e para në grup. Skuadra e Gjimshitit triumfoi 3-0 në Ukrainë ndaj Shakhtar Donetsk dhe kalon si e dyta e grupit C.
Ndërsa Manchester City nuk fali duke fituar 4-1 në Zagreb ndaj Dinamos.
Me fitore i mbyllën llogaritë në grupin A PSG dhe Real Madrid.
Ndërsa Bayern Mynih ishte perfekt në fazën e grupeve.
Bavarezët i fituan të gjashta ndeshjet pasi mbrëmë mposhtën 3-1 Tottenhamin e Mourinhos.
Olympiacos shënoi në frymën e fundit për të mposhtur 1-0 Crvena Zvezdën dhe siguron kalimin në Europa League.
Nuk pati surpriza dhe më tej kaloi edhe Atletico Madrid. Djemtë e Simeones mposhtën 2-0 Lokomotivën e Moskës dhe siguruan 1/8 si e dyta e grupit D.
Ndërsa Juventusi e mbylli me fitore duke triumfuar në Gjermani 2-0 ndaj Leverkusenit falë golave të Ronaldos e Higuain.

j.l./ dita
