Fatmir Minguli
(Vështrim analitik mbi librin ” Centauri i Fundit”, botim i Westprint, Tiranë, 2019)
”Njeriu nuk është i keq, është vetëm mendja e tij e vogël, shkak i cdo lloj palumturie” Xhordano Bruno
“Asgjë nuk është e papritur dhe e befasishme” -Vargu 646 i tragjedise “Ajaksi “ te Sofokliut
HYRJE NË PARABOLAT MOIKOMIANE
Pasi përpunoi palimsestin në formën e tij më të lartë dhe e bëri tepër të njohur si kategori të re në letërsinë narrative shqipe, mbasi ndërtoi ”Republikën e re të metaforës” në poezinë moderne shqipe, Moikom Zeqo vjen me vëllimin e ri ”Centauri i Fundit” me kategorinë e parabolës.
Kjo kategori e tretë në veprën letrare të Moikom Zeqos sillet në këtë libër me origjinalitetin e misterit, pra me parabolat e misterit, cka lexuesi e sheh qe në nëntitullin e këtij libri krejt të vecantë.
Të mos harrojmë që studjuesi nga Prishtina, profesor Agim Vinca, në përurimin e librit ‘’Përjetësi me qira’’ në gjuhën serbo- malazeze në panairin e librit të këtij viti tha se ‘’Moikomi palimpsestin e ka kthyer në stil të narracionit në prozën e re moderne.’’
Parabola, kjo figurë letrare që e shohim vec të tjerash te Testamenti i Ri me pjesën ”Parabolat e Krishtit” dhe tek tregimet- parabolë të Edgar Allan Poes, është forma më e prekshme për Moikomin i cili mëton të ndricojë realitetin specifik jo vetëm të shqiptarëve duke gjetur pikën e kontaktit midis realitetit dhe imagjimnatës.
Në ndryshim me alegorinë e cila ka shumë pika kontakti të tilla, kuptohet se Moikom Zeqo ka zdhedhur lakonizmin.
Ky lakonizëm lidhet me faktin se parabola pranon vetëm një pikë kontakti midis realitetit dhe imagjinatës.
Për më tepër këto tregime parabolike të librit ”Centauri i Fundit” janë ndryshe parabolave të zakonshme sepse janë të veshura me tisin e misterit, dhe Moikomi, i armatosur mirë më dituritë e tij të gjithanshme di të spjegojë konceptualitetin e vetë parabolës, por në ktë libër, ai konceptin e vështirë e spjegon me një më të lehtë.
Kështu ai na sjell botkuptimet e një studjuesi sic paraqiten në shkrimin e parë që mund të ishte dhe parathënia e këtij libri ,”Shkrimtari X3Y” ku kuptojmë se ”letërsia është ajo që subjektivizon historinë” që shkon në vazhdim të këtij koncepti origjinal.
Lufta e shkrimtarit me mendimet të cilat janë si zogj që fluturojnë brenda një dhome pa mure, pa dyer dhe dritare, që i afrohen trurit të shkrimtarit dhe ai mundohet dicka të kap.
Shkrimtari X3Y që është vëtë Moikomi, ka qëllime të caktuara në botkuptimet e tij, prandaj këta zogj- mendime i kap me parabolat dhe i vendos në boshtet kartezianë XYZ, pra në jetën reale.
Mendimet e ngjeshura mbi cështjet ekzistenciale, vërehen mjaft dukshëm në tregimet ”Takimi i dytë”, ”Centauri i fundit”, ”Vetërrëfim”, ”Emri i mrekullueshëm” etj.
Në këto tregime që kanë raporte të cilat lëvizin midis të kryerës dhe të pakryerës, midis të qënit dhe të paqënit, duke e vënë lexuesin në pozicionin e atij që gjykon, që kërkon të japë zgjidhje, dhe të ketë kujdesin dhe vëmendjen se sic e thotë Moikomi ‘’Njeriu përafrohet me Qenien e Eperme,- por s’janë identikë asnjëherë.’’
MISTERI SHQIPTAR TE PARABOLAT
Pjesa më e madhe e tregimeve të librit ‘Centauri i Fundit’’ i kushtohet edhe cështjes së identitetit dhe origjinës së hershme të shqiptarëve.
Në tregimin me shumë vlera ‘’Perëndia I’’, Moikomi shpalos idetë më përparimtare të këtij problemi.
Midis studimit shkencor dhe hamendësimit letrar ai përsëri i drejtohet vlerave të të shkruarit, sepse aty lindin shkrepen shkëndijat e të Vërtetës.
Ja një perifrazim nga ky tregim: ‘’ Poezia është një luftë e pasuksesshme me absoluten dhe absolutja është ngatëruar me një urtësi të krisur, tallje masonike e vrazhdë dhe shpëtimtare, por me një dituri të sëmurë nga abstraksonet e pafund.’’
Pastaj ai vjen në komentet që i bën veprave të studjuesve që kanë trajtuar misterin e prejardhjes së shqiptarëve dhe thotë ndër të tjera se tek vargjet e Dante Aligerit ka përcaktuar se Perëndia I lidhet me përemrin tregues ‘’Ai’’ që bashkon teozifikisht se sa gjuhësisht dhe gjuhën e madhërishme dhe të përbuzur mjerisht, shqipen.
Tregimi parabolë ‘’Perëndia I’’ mbështet jo aq idete fantazmagorike (jo shkencore ) ,por si Borgesi kinse i citon shkrimet e Robert d’ Angely-isë dhe Petro Zhejit.
Kjo është dhe vetia e tregimit parabolë ‘’Perëndia I’’. Nëpërmjet shkrimeve parabolike realisht Moikomi na tregon lidhjen me Perëndinë I,- ashtu sic nuk i ka shpëtuar as Shën Asti, peshkopi i parë i Durrësit të vitit 93 pas Krishtit- e nga ku mund të zbulohen fakte se nga qyteti Asti pranë Torinos mund të ketë marrë emrin e tij,- se edhe pranë këtij qyteti është dhe qyteti me emrin sinjifikativ, Alba.
E pastaj ai të con në qytetin e Butrintit ku diskuton lindjen e Judës në këtë qytet prej nga ku Enea “shkoi” drejt brigjeve italiane.
Eshtë një legjendë që vjen nga shekulli i XIII –të para Krishtit dhe që e ka sublimuar sipas Virgjilit me tendence politike te kohes arkeologu italian Ugolini.
Këto i gjejmë në tregimin ‘’Juda i lindur në Butrint’’.
Edhe tregimi pasues ‘’Emri i mrekullueshëm’’ pohon të njejtat koncepte ku zbërthehen misteret e studimit të historisë së tejpërtejshme të shqiptarëvë.
Pjesët e sjella nga Bibla në këtë tregim vetëm se plotësojnë kushtet e ndërtimit të algoritmeve.
Parabolat e këtyre tregimeve na duken sikur jemi para ekraneve televizivë apo skenave të kinemave 3D.
Iluziv po bindës gjer në amëshim.
Në ‘’Parabola e heronjve’’ nuk flitet thjeshtë për një hero, por shumë më tepër, sepse heronjtë e historisë shqiptare shëtisin nëpër legjendat e shqiptarëve, në mbarë trojet shqiptare.
Kësisoj parabolat e hajthme, inteligjente te Moikomit marrin lëvizshmërinë e të Përjetshmes, ku e Kaluara rend nëpër faqet e ‘’Centaurit të Fundit’’ dhe magjia e parabolës dikton të Ardhmen.
Moikom Zeqo ka sjellë tashmë tregimin parabolë shqiptare, sepse ka zbuluar qendrën gjeometrike të saj e që quhet ‘’zjarr’’.
Është ky zjarr i shqiptarizmit si universalizem,- që ngroh të gjitha subjektet e prozës së shkurtër të Moikom Zeqos.
Është ai zjarr prometeik,- por plot me semantikat e simboleve pindarike,- që ndricon edhe misteret e Botes sonë të Hershme e të Tejpërtejshme.
Këtë zjarr semiotik ( do te thonte Umberto Eco ) e ndjejmë te tregimet elitare ‘’Princi Hirtingr’’, ‘’Vetvrasja e Teutës’’, ‘’Të Fjeturit e shpatës’’, ‘’ Enigma në Napoli’’,’’Shtëpia e lagësht e Hadit’’, ‘’Melisa’’, etj.
MBI MISTERIN E TË SHKRUARIT
Në rrjedhat e vëzhgimeve të Moikom Zeqos, janë dhe përsiatjet e shumta lidhur me misterin e shkrimit.
Në tregimin ‘’Pasthënia e Pasthënieve’’ ndjejmë vërtitjen e gurit të hobesë në një botë të pamësuar me konceptin e ‘’fundit të fundeve’’.
Si shembull shumë shprehës ai sjell botimin e tre librave të tij në vitet e shkuara që përbëjnë një triptik mbi filozofinë e të shkruarit, ose mbi misterin e të shkruarit.
Këta libra titullohen ‘’Meduza’’, ‘’ Meduza e dashuruar mban syze Dielli’’ dhe ‘’Syzet e thyera të Meduzës’’.
Ai e shikon botën ndryshe në cdo kohë duke thyer sloganet e qëndrueshmërisë absolute.
Është kjo mënyra se si e sheh misterin dhe konceptulisht si e trajton ai.
Duke qenë një studjues i jashtëzakonshëm i filozofisë ai në tregimin ‘’Misteri mes qiellit dhe tokës’’ na fut në botën e të dyfishtës.
Është si të thuash është një konfigurim i shkrimeve të tij. Dhe për bazë merr artin bizantin si një nga artet më racionalë të gjithë kohrave.
Ai shkruan:
‘’Ai art qe paraqet të pashmen, është një art i të shfaqurit. Kuptimi i fshehtë ose esenca e mbuluar vetëm mund të vetkuptohet, por nuk mund të shihet.’’
Në librin ‘’Centauri i Fundit’’ dyfishimi i figurave dhe mendimeve shihet mjaft qartë te tregimet ‘’Jeta e dyfishtë e Mozartit’’, ‘’Identiteti i rremë’’, etj.
Ashtu është me të vërtetë!
Misteri ndodhet as tokë e as në qiell, por mes qiellit dhe tokës dhe prandaj misteri ka natyrë të dyfishtë, duke anuar herë nga toka e herë nga qielli.
Ndoshta dhe zakoni i vendosjes së maskave e ka zanafillën në këtë fenomen?
Këtë fare bukur e spjegon Moikomi në tregimin filozofik ‘’Misteri mes qiellit dhe tokës’’.
Në tregimin ‘’Amësia kozmike’’ gjejmë një nga subjektet më të jashtëzakonshëm në literaturën shqiptare, një subjekt që të intrigon.
Me anë të parabolës Moikimi sjell subjektin e një dyzimi të gjërave, si një fakt real.
Një vajzë që ushqen me qumësht babain e saj ,denuar te vdiste ne burg , pa asnje ushqim,- duke u bërë njëkohësisht nënë dhe për babain e saj.
Ndonëse ngjarja është marrë nga subjekti i piktures se njohur te Rubensit, Moikomi zbaton parimin e parabolës.
Parabola është krahasim, është ngjashmëri.
Ajo dallon nga përralla që merret me kafshë të gjalla por dhe jo të gjalla, ajo ndryshon nga miti sepse ai lind nga imagjinata e padijes së popujve si personifikim i fenomeneve të natyrës apo fenomeneve të jetës, ndryshon nga alegoria e cila tjetër gjë thotë e tjetër tregon.
Në tregimin ‘’Parabola e heronjve’’ gjejmë paralelet e subjekteve që i kushtohen Skënderbeut. Moikomi e ka zbuluar këtë subjekt dhe bën analizën e artificave letrare duke thënë se autori i kësaj vepre ka bërë parabolën duke mos vënë emrat e vërtetë të heronjve të vërtetë.
Kemi një parabolë të dyfishtë, atë të autorit të huaj dhe atë të Moikomit; që të dyja cojnë në zbulimin e ngjarjeve të Motit të Madh.
Që këtej lindin dhe ide të tjera mbi dyzimin.
Teoria më e parapëlqyer është ajo e kërkimit të ‘’një bregu tjetër’’ me të cilin unë kuptoj kërkimin e tij të pafund, si për shembull shndrimin e një keqkuptimi në kuptim, ‘’të vetë lexuesit në autor dhe autorit në vetë lexues…’’
Moikom Zeqo shkruan se:
’’ Letërsia ose vrojtimi i thukët janë më shumë forma të shumëfishta të hiperbolës. ‘’
Kështu në tregimin ‘’Adami i fshehur’’, duke folur për filozofin Martin Buber, ai shtjellon teoritë ekzistencialiste të rigjetjes së vetvetes.
Dhe jo vetëm të vetvetes por dhe në fatin e shkrimeve, veprave të realizuar gjatë gjithë jetës.
Kuptohet se këtu Moikomi personifikon të gjithë autorët e letërsisë dhe që mendojnë për fatin e shpirtit të shkrimeve të tyre.
Dituria e germave të librave të tyre është shpirtëzuar në trupin e vetë autorit edhe kur autori nuk do të jetojë më, atëhere germat kthehen në përfytyrim, që shkon drejt amëshimit.
A nuk është kjo një parabolë e germave, e diturisë në një botë të ardhme ku mendohet se dhe shpirti i autorit do të sillet rrotull?
ABSOLUTJA – AJO E PAARRITSHMJA
Në librin ‘’Centauri i Fundit’’ gjejmë koncentrimin e ideve që mundojnë sot jo vetëm botën shqiptare por mbarë njerëzimin.
Ky libër pothuajse sjell pjesët më të mira të shkruara nga Moikom Zeqo sic janë ‘’Klepsidra’’, ‘’Ofelia me mjekër’’, ‘’Adami fshehur’’ dhe herë ‘’Grishja e Florimontit’’ e herë ‘’Kështu foli Mona Liza’’,”Mes Laookontit dhe Krishtit “
Janë prurje që Moikom Zeqo i rishikon në sensin e zhvillimt të vazhdueshëm të ideve për të cilat ai shkruan një jetë të tërë.
Në tregimin ‘’Korigjimi i projektit’’ nëpermjet parabolës së veprimit të befasishme të Maria Madalenës,- e cila hodhi tej monedhat prej argjendi fituar me prostitucionin e saj dhe shkoi e para te varri i Krishtit, jep idenë e korigjimit të përgjithshëm.
Këtë korigjim e bën vetë ai duke sjellë shembuj të ndryshëm e duke u bazuar edhe te mundësia e korigjimit si shkallë e lartë perfeksionimi.
Ja kjo është dhe vetia më e bukur e tregimit parabolë. Pikërisht për këtë korigjim dhe për vetë parabolën Moikom Zeqo shkruan:
‘’Sjell metafora dhe paradokse. E ka procesin e metabolizmit të fjalëvë, të raporteve të gjalla mjedisore. Konceptualitet i ri. Aspak blafemik. Me intelektualët kapriciozë. Relativ.’’
Kjo është dhe motoja e krejt krijimtarisë së Moikm Zeqos, një luftë e përhershme për të njohur të panjohurën, një luftë që nuk mabron kurrë.
Është njëkohësisht dhe arsyeja pse vepra e Moikom Zeqos dallon sot në krejt hapësirën letrare shqiptare, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Vepra tij është në kërkim të së resë në literaturën botërore e që ngjan me një udhëtim vajtje – ardhje nga kozmosi në tokë dhe nga realja te imagjinarja.
Ky rikthim është dhe drita që feks në zbulimin e mistereve të botës shqiptare, që në fund të fundit i shërbejnë studjuesve të orientohen me informacionin e pakrahasueshëm që Moikomi sjell në këtë libër dhe jo vetëm këtu.
Ai si në sistemin teorik Tao vlerat ndërkombëtare të literaturës i sjell në botën e literaturës shqiptare dhe këto të fundit i përcjell në botën europiane e më gjërë.
Relativiteti i tregimeve parabola të misterit në librin ‘’Centauri i Fundit’’ është tepër i fuqishëm duke u vërtitur nga e vërteta absolute te ajo e imagjinuar me tentativa.
Janë këto tentativa që i kthejnë tregimet e librit ‘’ Centauri i Fundit’’ në një përqëndrim të mundësive për studime në drejtim të cështjes shqiptare ndër shekuj si dhe të studimit të shkrimit ndryshe të librave në prozë apo në poezi, duke dalë nga qerthulli mediatik provincial.
Këto rezultate që nxirren nga analiza e mësipërme janë si të thuash vetëm disa shfaqje që rrezaton libri me parabola mistike ‘’Centauri i Fundit’’.
Por shfaqjet e tij janë të shumta, aq sa dhe vetë problemet teorike që ngërthen vetë libri.
Ky libër e fton lexuesin dhe e fut në dhomën e leximit, por lexuesi tek hyn i duket sikur ndodhet në kështjella shqiptare, tek bisedon me persona të huaj e që të gjithë flasin me gjuhë të dyfishtë, por jo në rastin kur përmendet Shqipëria dhe Iliria.
Iluzioni që shfaq cdo libër aventurash nuk ekziston më. Lexuesi kthehet në mendimtar dhe përsëri i duket vetja sikur është personazh i këtij libri.
Udhë të mbarë reflektimit shpirteror te lexuesve dhe autorit në këtë udhëtim krijues midis Reales dhe Imagjinatës.
Montecchio Maggiore, Itali
4- 8 dhjetor 2019
