Pranvera Kola
Gara për licencat e reja në mjekësi nis me 23 dhjetor. Janë me mijëra kandidatët që do të garojnë përgjatë këtij sezonit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit si mjek i përgjithshëm dhe specialist, farmacist, logopedist, fizioterapist, infermier, teknik imazherie dhe laboratori, si dhe mami. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë kalendarin me datat e se kur do të zhvillohet testimi për secilin specialitet mjekësor. Të parët që do i nënshtrohen provimit të shtetit për licencën janë kandidatët e diplomuar në degën e mjekësisë. Për këtë profil, provimet do të zhvillohen me tre turne për dy ditë me radhë, përkatësisht në datat 23 dhe 24 dhjetor. Më pas në datat 26 dhe 27 dhjetor testit të informatizuar do t’i nënshtrohen kandidatët e diplomuar në profilin e farmacistit. Provimet do të rifillojnë sërish në janar me specialitetet e tjera mjekësore, sipas kalendarit që e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Sipas ekspertëve të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, provimet e shtetit për këtë sezon do të mbyllen me kandidatët e infermierisë. Këta të fundit përbëjnë edhe numrin më të madh të specialistëve të rinj të shëndetit që do të garojnë gjatë këtij sezoni për licencën profesionale. Si shkak i numrit të madh të kandidatëve provimi i shtetit për licencën në këtë profil do të nisë në datën 13 janar, për të vijuar deri më 20 janar. Provimet do të zhvillohen në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA).
Çfarë duhet të shmangni!
Gjatë ditëve në vijim kjo qendër do të shpallë edhe listën zyrtare të kandidatëve që do të japin provimin e informatizuar për secilin nga nëntë specialitetet mjekësore të përmendura, ku për secilin prej tyre do të përcaktohet edhe orari konkret se kur duhet të paraqitet në ambientet e QSHA-së për të zhvilluar testimin. Referuar këtij kushti duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të shihni me vëmendjen datën dhe orarin se kur duhet të paraqiteni për të dhënë provimin, pasi në të kundërt duhet të prisni sezonin e vitit që vjen për të konkurruar sërish për licencën, e deri në këtë kohë nuk mund të aplikoni për vendet e lira të punës si në strukturat publike mjekësore, ashtu edhe në ato private. Një tjetër këshillë tek e cila ekspertët e QSHA-së vënë theksin është edhe dosja e dokumenteve që duhet të keni me vete në ditën e testimit, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Në mungesë të njërit prej dokumenteve të përcaktuara nuk do të lejoheni që të hyni në ambientet e testimit. Kandidatët që testohen për herë të parë gjatë këtij sezoni do të shlyejnë një tarifë prej 10 mijë lekësh. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidati. “Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA.
Pyetjet e provimit dhe pikët për të kaluar
Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Vetëm pasi të marrin testin e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private. Pjesa dërrmuese e kandidatëve që testohen përgjatë këtij sezoni rikthehen në garë për të disatën herë, pasi në sezonet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara nuk kanë arritur që të marrin pikët kalues.
Ditën e provimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me:
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
- Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA bazuar në herën e pjesëmarrjes).
- Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara.
- Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
