Të arrestuarit për shembjet pas tërmetit dalin përpara Gjykatës

J L

Nëntë personat e arrestuar të shtunën e 14 dhjetorit për shembjen e godinave pas tërmetit të 26 nëntorit do të dalin sot para Gjykatës së Durrësit për masën e sigurisë.

Në listën e bërë publike prej Policisë me 9 të ndaluar është Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme si dhe Ahmet Doda, 52 vjeç, drejtor i këtij institucioni.

Shkak për këto arrestime është vdekja e kryekomisar Bajram Hajdarmetaj.

Pavarësisht se Konvalishenca ishte shpallur objekt i pabanueshëm, ai u lejua të qëndronte aty, çka rezultoi fatale, pasi objekti u shemb.

Në pranga janë vënë edhe dy ndërtues informalë, Rruzhdi Xheka për objektin Hotel “Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, dhe Avdulla Osmani për ndërtimin në “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 vëllezër nga Kosova.

Prangave u ka shpëtuar ndërtuesi i vilës Lala, ku humbën jetën 8 persona.

Në Prokurorinë e Durrësit janë marrë në pyetje më shumë se 90 persona mes tyre inxhinierë, pronarë objektesh dhe zbatues.

Ndërsa hetimet përfshinë të paktën 60 kompani ndërtimi.

Si pasojë e hetimeve të derimëtanishme fletëarrestet u prenë për 17 persona.

Mbetet për t’u parë nëse materialet e Prokurorisë do jenë bindëse për Gjykatën për akuzat e ngritura apo të ndaluarit do lirohen sapo të bjerë presioni publik pas tërmetit.

 

Të arrestuarit dhe akuzat:

1- Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

2- Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

3- Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

4- Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

5- Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

6- Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

7- Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

8- Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

j.l./ dita

Share This Article