Moikom Zeqo
(Ne 500 vjetorin e vdekjes se Leonardo Da Vincit )
Fjalët, thotë Brice Parain (1897-1971), filozof dhe eseist francez , janë kobure të mbushura.
Është e rrezikshme të luash i shkujdesur dhe pa vetëdije me fjalët e tua, por edhe me fjalët e të tjerëve.
Mendoj se çdo njeri është i tillë, pikërisht se zotëron dhuntinë e epërme të fjalëve, por jo krejt i sigurt dhe i vetëdijshëm se ç’rol luajnë fjalët në të gjitha mundësitë dhe kuptimet e infinitshme.
Kur fjalët shkruhen, janë përherë më misterioze dhe më kërcënuese për autorin që i ka shënuar me një kaligrafi të dyshimtë dhe të ngatërruar.
Në shënimet e mia të përditshme (më saktë të përnatshme) befas gjej një subjekt të pabesueshëm dhe intrigues: nuk e di se në çfarë dalldije dhe transi mendor unë kam shkruar për një motiv të paqenë dhe sfidues Jorge Luis Borges ka skicuar një rrëfim të ankthshëm për Mona Lizën, më tepër një sinops për të përsiatur tërë metaforat e lakuara dhe të zgribshme për risinë e personazhit femëror, që shmang dhe përbuz heroizmin përrallor dhe krejt mashkullor të Zhan D’Arkës.
Borgesi sheh te figura e Mona Lizës një arketip siç janë edhe pasqyrat, labirintet dhe tigrat në mitologjinë e tij rrëfimtare.
Të mahnitshme janë tek Borgesi hipotezat që shkojnë përtej racionales, thjesht nga interesi estetik, paradokset logjike, regresues in infinitum, solipcizmi, etj.
Borgesi e dinte pohimin krenar të antropologëve strukturalistë të cilët thonin se metafizika është një degë e letërsisë fantastike, – ky aforizëm kontrovers dhe i pamëshirshëm u bë platformë letrare e Borgesit, pa u kundërshtuar dot nga brendësia e shpirtit dhe imagjinata e lodhur, – veç intelekti i pastër dhe i tejdukshëm, i huaj ndaj zallamahisë, kakofonisë e magjeps, me fjalët e përzgjedhura të lëvizshme, bipolare, shahistike. Për Borgesin hokatar dhe dinak subjektet me herezi janë variante të ortodoksisë mendore, siç ndodh në mënyrë paqësore në filozofi, se në teologji ndryshon puna, të kushton gozhdimin në kryq dhe djegien në turrën e druve. Si në një art kombinativ të shumëfishtë dhe të ndërlikuar për Borgesin Djalli mund të jetë Zoti, Juda mund të jetë Krishti, tërë polemikat e pakompromista të gnostikëve me të krishterët e hershëm janë një kapriçio dhe pabesi e vetë kronologjisë historike, sepse mund të kishte patur dhe një variant krejt të kundërt të historisë së ndodhur në kohë dhe në hapësirë.
***
Pse vallë unë, qoftë edhe në mënyrë hipotetike (ose utopike) e dizenjova idenë, që jo kushdo shkrimtar, por vetë Borgesi, do të denjonte të paradizonte për Mona Lizën diçka të kthjellët plot mundësi metafizike të analizave dhe konkluzioneve poliforme me një mozaik semantikash omirike?
Në tregimin e tij – tashmë klasik, Tlon Uqbar Orbis Tertius Borgesi ndërton disa universe të sofistikuara, ku pavdekësia realizohet me shtegëtimin e shpirtrave dhe panteizmi pa kufi i ngjan botës së fizikës kuantike dhe filozofisë kineze Tao, – pikërisht në këtë përmbajtje të formës dhe formë të përmbajtjes Borgesi e përfytyron Mona Lizën si prototipin platonian të Leonardo Da Vinçit dhe si në rastin epistemologjik të Pierre Menardit e tregon të Tashmen, duke i ndryshuar tiparet e së Shkuarës – nëse mendojmë se Borgesi në dy variantet e kundërta kohore beson, ose nuk beson, kemi arritur të kuptojmë diçka të pazakontë, ose të rëndomtë, dmth të vetëkuptueshme. Borgesi ka vërejtur se habia është një kënaqësi e mundimshme, vepre që mrekullon brezat kërkon risi të fantazisë dhe të gjetjes konceptuale të motiveve dhe gjërave, – kështu arrihet në një mjedis verbal ku postulohet një harmoni ndërmjet eufemisë dhe saktësisë, kur “le mot juste” (“fjala e goditur”) bëhet edhe “le mot surprenant” (“fjala e habitshme”)
***
Çfarë mendonte Borgesi për Mona Lizën e dikujt tjetri?
Dhe a mund të shikonte tek Mona Liza vetveten, mes dy qëndrimeve të njëkohshme dhe komplementare, të lojës në një botë të trilluar dhe pranimit të tezës platoniane, tezë intelektuale për antonomazi.
A është Mona Liza emblema e Femrës?
Ajo nuk është pikturuar në trillin epshor si nudo e shtrirë në shtrat, – tek Leonardo Da Vinçi ka vizatime të mitrës së gruas dhe të fetusit, – mungon gati e vetëpërjashtuar (si kategori etike) nudoja, – ndonëse si përfaqësues të njerëzimit trupi lakuriq i një femre dhe i një mashkulli (jehonë pikturike e çiftit biblik Evës dhe Adamit) është bërë nga Leonardo Da Vinçi, por si simbolikë formale dhe kod njohjeje nga jashtëtokësorët (alienët), por pa konotacion të mirëfilltë seksual, frojdian.
Ndoshta, po të vërehet me kujdes të mirësjellshëm se si Leonardo Da Vinçi ka pikturuar duart e bashkuara të Mona Lizës, si dy nudo të vogla, – të shtrira pranë njëra tjetrës të perifrazuara si imazhe delikate dhe erotike të Safos të Lesbosit, apo ide figurative të Seksit të Dytë të Simon De Buvuarit në një “sleep state” (“shtet të padukshëm”.)
Ahere ç’do të mendonte Borgesi për buzëqeshjen “arkaike” të Mona Lizës?
Dihet se në qytetin e hershëm etrusk Vinçi janë gjetur statuja femrash me buzëqeshje të ngjashme të epokës arkaike, para epokës klasike në artin antik.
Askush nuk e di dhe nuk thotë diçka të sigurt dhe përfundimtare se përse është ravizuar kjo lloj buzëqeshje, ku zhduket kufiri midis shprehjes së gëzuar dhe pikëllimit. Leonardo jo rastësisht është nga Vinçi.
Ai e ka përsëritur me guximin e një klonimi të habitshëm buzëqeshjen, në të vërtetë të dyfishtë të Mona Lizës.
Sillni ndër mend Borgesin, njeri i përkorë, pa jetë të pasur vetiake, pa Aventura dashurore, – e kundërta e donzhuanizmit, apo bëmave vetëmburrëse të Kazanovës dhe të Markezit Sad, – duke treguar tërheqje seksuale ndaj Mona Lizës, ose edhe ndonjë prirje të shpifur dhe të padëgjuar të masturbimit. Borgesit në të vërtetë i mungon pathosi dhe ethosi përkatës dhe ai do të mendonte diçka për Mona Lizën duke përdorur përgjithësimin e gjuhës konceptuale, duke konsumuar gjuhën e konsumuar, duke u kthyer paksa tek primitivja, me përcjelljen e emocioneve dhe të ndjesive konkrete dhe individuale me fjalë, që tashmë përfaqësojnë entitete universal, me leksema që gjithmonë janë tek e fundit abstraksione të kulluara, ose ndoshta duke thurur një ëndërr verbale me rikrijimin e vazhdueshëm të një gjuhe alogjike plot imagjinata dhe figuracion, me një gjuhë në një gjendje lindjeje të makthshme, duke ndryshuar domethëniet, duke shkallmuar sintaksën, duke përdorur onomatopenë.
***
Kështu me dorëshkrimin tim unë kisha konceptuar pafajësisht një Borges apokrif, që vihet në provën e së vërtetës, se çfarë do të thonte përvuajtësisht dhe me një tru dragoi kinez për Mona Lizën e shumëpërfolur mizorisht dhe me tepri të neveritshme.
Në këtë pabesi nga ana ime, për të përfytyruar një Borges, duke u future nën lëkurën e Borgesit, shpirti i lojës së stilit borgesian do të më çonte në eklektizëm prej baroku, në një serë interpretimesh të pavarura, që nënkuptojnë patjetër në secilin interpretim nga një metafizikë të ndryshme.
A nuk ishte kështu Borgesi një kipc i imi si edhe i të gjithë njerëzve, një kipc i padenjë, por edhe sfidues, njeriu i kremtuar në lavdi dhe famë, si i çliruar më në fund nga lojërat e tij të sofistikuara, nga kotësia dhe mekanizmi “perpetum mobile”?
Sepse në këtë univers të rrëmujshëm heraklitian, me fantazma në qiejt platonianë ekziston edhe specifikja e qenies njerëzore, që nuk është fryma e kulluar, por ajo zonë e ndërmjetme, e errët dhe e sfilitur, e shpirtit që vuan, klith, ulërin, ajo zonë ku ndodh më e rënda e ekzistencës: dashuria dhe urrejtja, miti dhe fiksioni, shpresa dhe ëndrra, – asnjë prej tyre nuk është plotësisht frymë, por është një përzierje e furishme dhe e turbullt idesh dhe gjaku, vullneti të vetëdijshëm dhe impulsesh të verbra, ndjesi ambikuide të ankthshme, vuajtje mes mishit dhe arsyes, i sunduar nga pasionet e trupit të vdekshëm dhe duke aspiruar amshimin e frymës, duke u luhatur përherë mes relatives dhe absolutes, mes degradimit dhe pavdekësisë, mes satanikes dhe hyjnores.
***
Duke përsosur teknikën e tautologjisë Pierre Monardi i Borgesit shkruan në shekullin XX të njëjtin tekst të Servantesit në shekullin XVII duke qenë i bindur se ishin dy tekste të ndryshme, për shkak të lëvizjes semantike të kuptimeve të të njëjtave fjalë, – që për shkak distancës kohore prej 3 shekujsh – mëtonin me kryelartësi dhe mënyrë autonome se ishin fjalë, që kapërcenin njësinë e tyre morfologjike dhe leksikore, duke shprehur domethënie që të teksteve që në fakt nuk përputhen fare, pra humbet vetëdija e kopjeve dhe tekstet krijojnë dy alternative të shprehuri dhe të shkruari padyshim. Në këtë pikë mbështetëse unë kisha shënuar në dorëshkrimin, që kam përmendur për Borgesin, se ai nis të njëjtën punë duke hedhur në një kanavacë tiparet e pikturuara të femrës origjinale, që tërë njerëzimi e njeh padrejtësisht dhe jo në mënyrë mbushamendase si Mona Liza, një dyzim i identitetit, – enigmë e pazgjidhshme.
Nëse zbulimi i Pierre Monard-it u shkrua me fjalë, pikturimi i dytë i Mona Lizës nga Borgesi nuk është një proces i konceptueshëm lehtë, sepse dihet se Borgesi nuk qe piktor, s’dinte të vizatonte, as të përziente ngjyrat. Borgesi, që e humbi shikimin në moshën 50 vjeçare, është shëmbëlltyra më e pangjashme me një piktor të rëndomtë, jo me një gjeni të pikturës siç është Leonardo Da Vinçi i pavdirë.
Ndërkohë nuk duhet harruar, se motra e Borgesit, e quajtur Nora, qe një piktore e talentuar dhe parapëlqente stilet modern, – Borgesi e përmend Norën, por mes vëllait dhe motrës raportet njerëzore qenë thjesht familjare dhe jo ndërlidhje të thella, të dyanshme, artistike dhe shpirtërore, të tilla, që të diskutonin me pasion dhe largpamësi për artin dhe shkollat e pikturës bashkëkohore.
A mund të imagjinojmë, – ndoshta me vështirësi, një dialog mes tyre?
Një dialog hipotetik…
Borgesi: “A nuk është Mona Liza një monadë, apo një arketip?”
Nora: “Është një pikturë, pjesë e një bote të magjepsur e ribërjes së natyrës – pa qenë as monadë, as arketip – e kundërta e koncepteve abstrakte.”
Borgesi: “Interesante!
Verbalizimi i letrave na krijon një botë të koncepteve abstrakte, piktura është konkretja, një sublimim inteligjent dhe kurioz i natyrës, për të mbrojtur dhe përsosur identitetin e vetvetes ndaj koncepteve abstrakte, që i bëjnë shkrimtarët rebelë kokëkrisur dhe mosmirënjohës ndaj natyrës, – piktura është një antidot ndaj helmit universal të abstraktes”.
Nora: “Mona Liza është një simbol femëror, si Liria mbi barrikadë e Delakruasë, por jo në sulm për të fituar të ardhmen, sepse ka koncentruar tërë amëshimin.
Mona Liza është ajo që pret.
Vetë tabloja sikur është bërë mbi pëlhurën e thurur dhe shthurur për t’u thurur përsëri të Penelopës homerike.
Mona Liza pret shekujt e njerëzimit dhe megjithatë është personifikim i një sfinksi me fytyrë gruaje e një vetmie të madhe, të pakufishme.
S’ka gjë të vetmuar se sa Mona Liza.
Ajo nuk kumton asgjë për të shoqin anonim, as për familjen dhe fëmijët, pra nuk rrëfen në të vërtetë pothuaj asgjë për vetveten.”
Borgesi: “Edhe heshtja e Mona Lizës është sakrale si ajo e pitagorianëve. i tërë arti i pikturës është memec.
Po nuk e bën ky memecllëk kozmik edhe vetë universin e imazheve një univers gjithashtu abstrakt?
Pra vetë figurat konkrete mbartin kaq shumë abstraksion.
Kush e mohon këtë?..
***.
Këtu Borgesi i ëndërruar nga unë e ndërpret dialogun, me të motrën Norën, po të ëndërruar nga unë.
Ndoshta në këtë mënyrë kemi një hulli të krijimtarisë, kur shkrimtarët e vdekur dhe të gjallë i mbart secili në veten e tij për të bërë libra të rinj, që ata nuk i kanë shkruar kurrë dhe asnjëherë.
Pra do të thotë ta ndjesh veten një Avatar.
Meqenëse e kam skicuar vetë, pa më detyruar kush, idenë e Borgesit që të shkruajë diçka për Mona Lizën, nuk mundem do të ndalem në përsiatjet iluzive.
Shënoj në dorëshkrimin e pakuptimtë se Borgesi e “ribën” Mona Lizën tashmë me anën e simboleve matematikore, të algoritmeve të fshehtë, duke bërë llogaritje të stërzgjatura dhe të lodhshme dhe shënon më në fund në një copë letër si të ardhur nga qiejt se tërë Mona Liza, për shkak të relativitetit ajshtajnian gjendet e barabartë, pra si një përsëritje e tautologjisë në formulën lakonike E=MC2.

Po ti shohesh me imetesi te dy, Mona Liza dhe Borgesi Apokrif kane ngjashmeri me njeri-tjetrin ,natyrish piktura Mona Liza me e re,me e zbutur, portret femeror !
Mua me mori ky artikull i shkruar ne nivel shume te lar intelektual dhe i gjitheabshem sepse isha ne Luver te Parisit para disa viteve dhe para se te shkoja kisha ne kok vetem Mona Lizen edhe pse disha qe ka piktura te tjera botrore por kur pash Luvrin dhe pikturat qe kishte u manita se nuk kisha ditur qe ka aq shume dhe te nivelit te larr edhe pse une nuk jam profesionis ti vlersoj.
Pas shume pikturave pashe Mona Lizen dhe ne shikime te pare mu duk se i ra vlera piktures se mu duk shume me e vogel seq e kisha mendue mandej u afrova me afer qe mundesha se kishte kufizim dhe e fotografojsha. Sa me shume qe risha u bente me e fuqishme dhe pasi dola nga Luvri komentuam me bashkeshorten shume piktura por ne fund mbeti ne koke vetem Mona Liza dhe u binda se ka fuqi te madhe ne ate pikture. Une jam amator por pasi lexova artikullin dhe kam lexue dhe mesuar nxenesit per librine e Leonard Davinçit CODEX (qe e bleu Bill Gates) me zbulimet e tij me duket se ai ne at kohe ka punur sikur sot me nano teknik.
Si duket Lenardi ka perfshi te gjitha te arriturat dhe zbullimet e tije per te ardhmen ne Mona Lizen!