Në tetorin e vitit 1997, kur në Kosovë kishin filluar të ndryshojnë shumë gjëra, dhe po fillonte të bëhej e besueshme ajo që ishte menduar një lëvizje e zakonshme rebeluese, sporadike dhe me pak fryte të përkohshme, pra, kur njerëzit filluan të besonin se tashmë kishte një strukturë ushtarake klandestine natyrisht, edhe në diplomacinë botërore u ndje se duheshin ndryshuar disa nga rregullat e lojës që vetë i kishin vendosur. Ndoshta, ajo që ishte struktura më ilegale në Kosovë, UÇK, kishte kohën e saj që në diplomacinë botërore të bëhej legale. Shteti shqiptar, ndërkohë, sapo kishte filluar të dilte nga nokdauni i ngjarjeve të atij viti të mbrapshtë.
Pikërisht në këto ditë, Ministria e Mbrojtjes e shtetit gjerman, si për të dashur të fitonte kohën e humbur, organizoi në Këln, së bashku me redaksinë në gjuhën shqipe të “Dojçe Velle”, një sesion të veçantë, tashmë nuk e mbaj mend se si e kishin emërtuar, për gjendjen në Kosovë. Referuesit ishin nga Kosova, por edhe studiues të instituteve të njohura gjermane për çështjet e politikës.
Mendësia ishte e djeshme. Studiuesit nga Kosova, mes të cilëve Blerim Shala, analist i njohur, ende ishin mes dilemës nëse duheshin thënë të gjitha, megjithëse ende nuk dinin atë që duhej të dinin; por njëkohësisht, me gjithë vlerat që mbartnin, nuk përfaqësonin atë që kishte filluar të lëvizte gjërat në vendin e tyre. Ende në sallë nuk kishte të drejtën e qytetarisë ajo, për të cilën edhe në fakt ishin mbledhur: në këtë gjendje të re ishte një faktor i ri, dilema ende nuk ishte qartësuar: do të ishte një faktor thjeshtë ushtarak apo ishte edhe faktor politik; deri në cilën masë drejtohej ajo nga një forcë politike e njohur, Lëvizja Popullore e Kosovës,, cili ishte mendimi politik i strukturave të saj; dhe , në fund të fundit, si do të emërohej nga forcë: çlirimtare apo ekstremiste, për të mos shkuar deri atje ku donin forcat sekrete serbe e politika e tyre: terroriste.
Ishte i ftuar edhe ambasadori shqiptar në Bon, Bashkim Zeneli. Njiheshim prej kohësh, jo thjeshtë si gazetarë, veç njohjes së përbashkët, ne vinim nga dy familje të lidhura me njëra tjetrën që nga vitet e luftës nacionalçlirimtare. Pas disa referuesve, i erdhi radha edhe ambasadorit. Kosova asaj kohe ishte ende pa zërin e saj në botën diplomatike; përreth saj kishte heshtje, ajo që po ndodhte në Prishtinë, me konferencat e shtypit të ditës së premte ishte bërë një ritual i mërzitshëm. Askush nuk po fliste në emrin e saj.
Thënë të drejtën, në gjithë atë kohë, ndjehesha i mërzitur, po thuheshin gjëra të njohura, ende askush nuk kishte guxuar ta përmendte atë që tashmë ishte edhe një faktor i rëndësishëm në skenën politike të Kosovës, dhe kur po bëhesha gati të dilja jashtë, qoftë edhe për pushim të shkurtër, pashë ambasadorin, Bashkim Zeneli , të fillonte fjalën e tij. Fjalët e para të përshëndetjes ishin në gjuhën gjermane, pastaj tha se, në respekt të njerëzve që kishin ardhur nga Kosova, do të fliste më tej në gjuhën shqipe.
Ishte ndjenja ime se nga një ambasador do të pritej vetëm ajo që mund të thuhet diplomatikisht. Kishte disa kohë që si një lëvizje ilegale kishim trokitur në dyer të ndryshme të ambasadave të shtetit shqiptar, por të gjitha kishin qenë të mbyllura. Ishte vetëm një rast, kur Xhezair Zaganjori më kishte pritur në ambasadën tonë në Bon, pa asnjë lloj hezitimi, megjithëse e dinte se kisha qenë gazetar i opozitës dhe bindjet e mia ishin tej njeriut që e kishte caktuar aty. Zoti Zaganjori ishte i hapur, ai ishte i gatshëm, në mos tjetër, të dëgjonte me vëmendje,megjithëse në atë kohë, të gjitha ambasadat shqiptare në perëndim ishin të orientuara drejt lidhjeve vetëm me njerëzit dhe strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe portat, që thuheshin se ishin për të gjithë shqiptarët të hapura, u mbyllën hermetikisht për një lëvizje të rezistencës.
Mendoja këto kur, befas, si nga ilegaliteti i thellë, doli emërtimi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ambasadori i Shqipërisë po thoshte thjeshtë se në sallë mungonin ata që duhej të ishin të ftuar, përfaqësuesit e kësaj strukture dhe se sot, në Kosovë, është e vështirë të vendoset pa të.
Ishte thënë ajo që duhej thënë që në fillim. Njerëzit lëvizën nga vendet e tyre. Si duket, të gjithë e kishin pritur këtë fillesë, megjithëse ajo kishte ardhur e vonuar.
Në vitin 1997, Bashkim Zeneli, ishte në dijeni të disa gjërave, pasi ishin vendosur kontaktet e para. Më pas ai do të ishte në dijeni edhe të shumë gjërave të tjera dhe do të merrte përsipër, fillimisht, kontaktet mes përfaqësuesve të lëvizjes ilegale çlirimtare dhe shtetit shqiptar, por do të bëhej edhe interpret i tyre. E dija se ai kishte mjaft kohë që merrej me Kosovën, që kur kishte qenë në Shqipëri,kishte botuar artikuj të ndryshëm në mbështetje të saj, por tani gjithçka që po vinte kërkonte, bile e kishte të domosdoshme ngritjen në një kapërcim të ri të ndërlidhjes diplomatike. Kontaktet e para të tij me njerëzit e lëvizjes ilegale kishin qenë të frytshme, si duket ai kishte informuar për to edhe shefin e tij në Tiranë, Fatos Nano dhe do të kishte marrë mbështetjen e tij.
Koha për të cilën shkruaj është e një kapërcimi nga heshtja në lëvizjen e gjërave. Kosovës, sidomos strukturave të saj të luftës, i duhej fillimisht një zë në botën perëndimore, i duhej që dikush të merrte përsipër shfaqjen e saj, apo edhe thjeshtë të tipareve të saj, motivet dhe vizionin, idetë që barte dhe synimet e më pasme. Askush tjetër nuk mund ta bënte këtë veç diplomacisë së shtetit shqiptar. Nuk kishte rrugë tjetër. Nëse deri në mesin e vitit 1997 këto porta kishin qenë të mbyllura, megjithëse thirrjet patetike për kombin, tani, qoftë edhe nga pak, duheshin hapur. Përfaqësuesit e lëvizjes ilegale ende nuk kishin statusin e tyre, atë që do e fitonin pas majit të vitit 1998. Ende takimi edhe me një zyrtar të zakonshëm të një dikasteri perëndimor quhej sukses i madh; ndërsa në dyer të tjera ishte naive të trokisje.
Shteti shqiptar, me gjithë një farë ngurrimi që kishte në fillimet e tij të vitit 1997, e mori këtë përsipër. Nëse para vitit 1997 ishte periudha e heshtjes dhe e mohimit, duke shkuar deri në deklarata idiote dhe antishqiptare, si ato të zotit Berisha se “ UÇK-ja është vegël e Arkanit”; tani po shkohej drejt vendosjes së kontakteve, gjithnjë duke pasur dy anët rezervat e tyre, mosmarrëveshjet, por edhe dakordësitë, deri tek mbështetja e duhur, që është pas majit të vitit 1998.
Mes të tjerave, unë do të doja të sillja dy shembuj, përmes të cilëve më ka takuar shpesh të lëviz, por kjo nuk do të thotë se kanë qenë vetëm ata. Nëse këtë shkrim , për shembull, do e bënte Bardhyl Mahmuti, nënkryetar i Organizatës dhe anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së, më pas drejtues i Trupës për Marëdhëniet me diplomacinë perëndimore, ai do të shkruante për takime të tjera.
Unë do të ndalem në dy shembuj: Agim Fagu, ambasadori ynë në Londër, dhe, Bashkim Zeneli, ambasadori ynë në Bon.
Agim Fagu ishte pa dyshim njëri ndër funksionarët e lartë më të pasionuar pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ndër mbështetësit më të hapur, pa asnjë ekuivok, ndoshta jashtë çdo parashikimi i saj, që në fillimet e luftës, që kur po ndodhnin aksionet e para. Në të mund të dalloje gjithnjë njeriun e përkushtuar më shumë se një ambasador i zakonshëm, i hapur dhe i drejtpërdrejtë, ai kishte krijuar statujën e tij të njeriut patriot dhe , në të gjithë botën shqiptare aty, ai ishte ndër njerëzit më të afërt. Familjarisht ishin shndërruar në një aksiomë pro luftës, nuk kishte asnjë lloj dyshimi se, sikur pjesëtarët e familjes së tij të ishin më të rritur, do të ishin pjesë më aktive në Kosovë.
Agim Fagu për pak kohë e bëri ambasadën në Londër si një pjesë e strukturave të mbështetjes së lëvizjes çlirimtare. Nga ai dhe përmes tij bëheshin takime të rëndësishme me funksionarë të shtetit ku ishte, të Departamentit të Shtetit , me diplomatë perëndimorë dhe këto ai i organizonte me asnjë lloj ndrojtje, ndoshta, si diplomat i provuar, duke e ditur edhe dëshirën e pashfaqur të të tjerëve për vendosjen e lidhjeve të kësaj natyre. Si rastësisht. Në zyrën e tij, në qershorin e vitit 1998, për herë të parë jam takuar me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, një takim jo zyrtar, si i rastësishëm, por që zgjati disa orë. Më pas me zonjën Bianka Jager, e cila mbante ende mbiemrin e burrit të saj Mike Jager, por që tani përfaqësonte struktura të tjera të shtetit amerikan. Në nëntorin e vitit 1998 isha në Londër, së bashku me Lulëzim Jasharin, të birin e Adem Jashariot, dhe Ramiz Lladrovcin, që ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe i vëllai i Figurës tjetër mitike në luftë, Fehmi Lladrovcit. Ishim të ftuar nga Bashkësia shqiptare në Londër, që e drejtonin Pleurat Sejdiu dhe Adelina Toplica, të dy jashtëzakonisht të përkushtuar dhe të aftë. Familja e Agim Fagut na ftoi në shtëpi, në të vërtete kisha qenë edhe herë të tjera..por ajo që u bëri përshtypje dy miqve të mi drenicakë ishte në faqet e mureve të dhomave të fëmijëve të familjes Fagu, djalit e vajzës: të gjithë ishin mbushur me fotografitë e luftës. Geni kishte hyrë thellë në familje.
Shpesh herë Agim Fagu organizonte pritje të veçanta diplomatike vetëm për hir tonë: dhe në këtë pritje, si rastësisht u thoshte diplomatëve të njohur nëse do të kishin dëshirë të takoheshin me përfaqësues të UÇK-së. Një herë, duke e parë se shpenzimet që bënte ambasada ishin të rritura, në emër të Organizatës, strukturave në Londër, i ofrova ndihmë, mirëpo kjo as që mund të diskutohej. Shpesh herë, si e mësova më pas, ai shpenzonte nga vetja për takimet e njerëzve të luftës. Kurrë nuk i jemi falënderuar si duhet atij.
Bashkim Zeneli kishte një staturë tjetër. Dukej më i tërhequr fillimisht, por ishte në të gjithë ato pjesë ku duhej të ishte. Ai lëvizte në dy krahët; takimi i parë, në se mund të quhet kështu, i nivelit të lartë, mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe shtetit shqiptar, do të organizohej nga Bashkim Zeneli dhe Ramiz Lladrovci: në qytetin e Mynihut u takuam me zotin Paskal Milo, aso kohe Ministër i Punëve të Jashtme dhe sado që ishte ende fillesa, sado që gjërat nuk ishin ende të gjitha mbi sipërfaqe, kjo ishte një nisje, e cila më pas do të shndërrohej në ndërlidhje të vazhdueshme. Të tre kryeministrat e asaj periudhe, Nano, Majko dhe Meta, si dhe Presidenti mejdani, do e bënin pjesë të agjendës së tyre mbështetjen për UÇK-në. Ky është fakti dhe, nuk më intereson, nëse dikujt i pëlqen apo jo ky fakt.
Ambasadori shqiptar në Bon, Bashkim Zeneli do të bëhej si një ndër pjesët e rëndësishme të stafit politik e përfaqësues të luftës. Nëse për të tjerët ishte e vështirë, sidomos në fillimet e luftës, ku dyert e kancelarive po hapeshin me menteshe te rënda, Bashkim Zeneli do të takohej me zotërinjtë e politikës gjermane, Kinkel, Fischer, Sharping, do të takohej me kancelarin Shrëder, dhe një ndër temat kryesore do të ishte Kosova. Diplomatët e shtetit shqiptar morën përsipër atë që ende nuk i lejohej përfaqësuesve të luftës të ndërmerrnin direkt, gjë që do e bënin më pas, por fillimet ishin mbi shpatullat e kësaj diplomacie. Ishte e vështirë të ftohej një përfaqësues i luftës në emisionet TV, jo thjeshtë për shkak të ilegalitetit, sepse gjërat po dilnin mbi sipërfaqe jashtëzakonisht shpejt, por më shumë për shkak të ngurrimit të mediave, ngurrim, i cili fillimisht ishte tepër i ndjeshëm. Por nuk ishte tabu për diplomatët shqiptarë, kishte raste , ditë të veçanta, kur Bashkim Zeneli apo Agim Fagu, të ishin në disa studio televizive, të bënin debate të hapura me diplomatët serbë, si u bë i njohur debati mes Zenelit dhe ambasadorit serb, Jeremiç, ashtu si u bë normale që përfaqësuesit të shtetit shqiptar, në të gjitha vendet të ishin pjesë e tubimeve, mitingjeve dhe demonstrimeve të ndryshme masive në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj.
Diplomacia shqiptare kishte përmasa të tjera gjatë ditëve të Konferencës ndërkombëtare për Rambujenë, por kjo është një ngjarje tjetër, që nuk futet në kornizat e këtij shkrimi.
Solla dy shembuj. Shokët e miqtë e mi mund të sjellin dhjetëra shembuj të tjerë. Sepse, duan apo nuk duan, megjithëse fillimisht me disa ngurrime, shteti shqiptar e kreu një pjesë të rëndësishme të detyrës së tij. Ndërsa diplomatë të veçantë, si shembujt që solla më lart, bënë edhe tej kufijve që mund të kishte vendosur shteti i tyre.

Vijim.
… “Ndërsa diplomatë të veçantë, si shembujt që solla më lart, bënë edhe tej kufijve që mund të kishte vendosur shteti i tyre”, thoni Ju ne mbyllje te shkrimit tuaj.
Kjo eshte nje “GAFE” Tuaja e tmershme. Jo e tyrja. Ata nuk i kane kaluar caqet. Jam i sigurt. Sepse. Nuk mund te quhesh Diplomat nese del jashte kufijve te urdherave, udhezimeve, porosive, orientimeve etj., te shkruara ose me goje, te mara nga Titullari ne ministri dhe qeveri.
Diplomacia eshte dyfaqeshe por qendrimi eshte nje dhe i vetem, i palekundur, i kulturuar etj. Pra, ne diplomaci nuk ka vend per risi, krijimtari, fantazira “ala shqiptarce”. Apo se “keshtu mendova une”, “kisha frike”, “me kercenuan me jete”, “ku di gje ministri” etj., etj!
Shendet, se ju lodha koken.
Lutem i pasqyroni edhe: vijimin, e komentit te mesiperm. FLM.
00000000000000000.
Po ku eshte Agim Fagu tani ?_-Perse ai nuk angazhohet ne politken e larte te PS-se ?
Per ate kane respekt te gjithe shqitparet .
E majta qe ne kohen e avni rustemit i ka dale per zot sic duhet fatit te kombit.
Agim Fagu te ben te ndihesh krenar qe je shqiptar.Sot Shqiperia ka nevoj per njerez te tille .
respekt per Bedri Islamin