Cistet ovariane, gjithçka duhet të dini rreth trajtimit të tyre

Ornela

Cistet ovariane janë nder shqetësimet më të shpeshta që shfaqen tek femrat. Ndonëse në pjesën dërrmuese të rasteve cistet nuk kanë nevojë për trajtim, janë disa shenja për të cilat duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim se cilat janë rastet në të cilat duhet të kërkoni ndihmë mjekësore, si dhe masat që duhet të merrni për trajtimin e tyre.

Çfarë janë cistet ovariane?

Vezoret (Ovaret) janë pjesë e organeve gjenitale të brendshme të gruas që shtrihen në bark dhe përmbajnë qelizat vezë. Qelizat vezë në vezore janë të mbështjella nga një thes të vogël me lëng që quhet “folikul”. Përveç kësaj, vezoret formojnë hormone të rëndësishme seksuale femërore si estrogeni dhe progesteroni, të cilat ndër të tjera kontrollojnë ciklin menstrual femëror. Vezoret lidhen me mitrën (uterusin) nëpërmjet tubave të fallopit. Për çdo muaj, njëra nga dy vezoret lëshon një vezë të pjekur (çahet folikuli) në hyrje të tubit të fallopit përmes të cilit veza migron më pas në mitër. Ky proces i lëshimit të vezës në tubin e fallopit njihet me emrin “ovulacion”, i cili kontrollohet nga një zinxhir reaksionesh hormonale me origjinë nga hypotalamusi i trurit. Pas marrëdhënies seksuale mund të ndodhë që qeliza vezë gjatë rrugës së saj të fekondohet nga spermatozoidet. Cistet e vezoreve janë qese të mbushura me lëng që rriten brenda ose në majë të një vezoreje (mund të ndodhë edhe tek të dyja vezoret njëkohësisht). Cist është një term i përgjithshëm që përdoret për të përshkruar një strukturë të mbushur me lëng. Zakonisht cistet e vezoreve janë pa simptoma klinike por janë mjaft të zakonshme dhimbjet e barkut, ose dhimbjet në zonën e legenit.

Në çfarë formash shfaqen?

Ndonjëherë, folikuli nuk arrin të lëshojë një vezë gjatë ovulacionit dhe ndërkohë ai vazhdon të mbushet me lëng brenda vezores. Në këtë rast ky quhet “cist folikular”. Në raste të tjera, folikuli e lëshon vezën por mbyllet përsëri dhe bymehet (fryhet) me lëng, ose me gjak në vend që të absorbohet. Në këtë rast njihet si: “Cist corpus lutem”. Të dyja këto gjendje janë llojet e cisteve funksionale të vezoreve. Këto përbëjnë edhe llojet më të zakonshme të cisteve ovariane. Cistet funksionale zakonisht nuk janë të rrezikshme dhe shpesh nuk shkaktojnë simptoma. Cistet e “corpus lutem”, nganjëherë mund të jenë të dhimbshme dhe të shkaktojnë gjakderdhje. Kur gjakderdhja ndodh në një cist funksional, ajo njihet si cist hemorragjik. Nëse një cist i vezores është jo-funksional, ai konsiderohet një cist kompleks i vezores. Rritjet jo kanceroze që zhvillohen nga indet e jashtme të vezoreve njihen si: “cistadenoma”. Një cist mund të zhvillohet edhe kur indi i mitrës zhvillohet jashtë saj dhe i bashkëngjitet vezoreve,  kjo njihet si “endometrioma”. Gjithashtu, cistet e vezoreve mund të zhvillohen edhe gjatë shtatzanisë të cilat zbulohen qysh në tremujorin e parë të saj. Këto lloj cistesh kanë tendencë të zgjidhen vetë para lindjes së fëmijës.

Cilët janë faktorët e rrezikut të cisteve të ovarit?

Janë një sërë faktorësh predispozues që shtojnë riskun për zhvillimin e cisteve të ovarit. Konkretisht faktorët e mundshëm të rrezikut të cisteve të ovarit janë: Historia e mëparshme e zhvillimit të cisteve të ovarit, ciklet e parregullta menstruale. Faktorë të tjerë që ndikojnë janë edhe endometrioza, sindromi i ovarit policistik (e gjithë vezorja është e ndërtuar nga shumë ciste), menstruacionet e parakohshme (përpara moshës 11 vjeç), hypertiroidizmi (funksioni i rritur i gjëndrës tiroide, terapia me tamoxifen për kancerin e gjirit, etj.

Cilat janë shenjat klinike të cisteve të ovarit?

Shumë herë, cistet e vezoreve nuk shkaktojnë simptoma klinike. Kur ato shfaqen mund të përfshijnë shenja të tilla si dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale,dhimbje gjatë menstruacioneve, të përziera, të vjella, dhimbje barku, gjakderdhje e pazakontë, shtim në peshë, pamundësia për të zbrazur fshikëzën e urinës plotësisht, dhimbje të gjoksit, dhimbje të zonës së legenit, kofshëve dhe shpinës. Simptomat që kanë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë mjekësore përfshijnë:dhimbje të forta barku që shfaqen papritur, marrje mendsh, frymëmarrje e përshpejtuar, dhimbje barku që shfaqen me të vjella dhe gjendje ethore.

Cila është ecuria (prognoza) e cisteve të ovarit?

Shumë ciste ovariane funksionale nuk kërkojnë trajtim dhe shpesh ato zgjidhen vetë. Për qetësimin e dhimbjeve mund të përdoret ibuprofeni ose voltareni. Këto medikamente antiinflamatore nuk ndihmojnë në shpërndarjen dhe absorbimin e cistit, por vetëm lehtësojnë dhimbjet. Nëse një grua zhvillon ciste të përsëritura të vezoreve atëherë mund të ndihmojnë preparatet hormonale që përshkruan mjeku specialist gjinekolog për të parandaluar ovulacionin dhe për të zvogëluar rrezikun e formimit të cisteve të reja. Në jo pak raste mund të nevojitet ndërhyrja kirurgjikale. Prognoza për cistet ovariale funksionale, në mënyrë të veçantë për gratë që janë në periudhën premenopauzale është shumë e mirë. Shumica e këtyre cisteve zgjidhen brenda disa muajve pa trajtim. Prognoza për gratë që kanë lloje të tjera të cisteve të ovarit varet nga një sërë faktorësh si për shembull mosha, gjendja shëndetësore e një gruaje dhe shkaku themelor i formimit të kistit. Një grua e re që ka akoma menstruacione dhe prodhon akoma estrogjene është më e predispozuar të zhvillojë ciste të ovarit. Gratë pas menopauzës kanë një rrezik më të ulët sepse nuk kanë më ovulacion ose prodhojnë sasi më të pakta të hormoneve.

A mund të parandalohen cistet e vezoreve?

Megjithëse cistet e vezoreve nuk mund të parandalohen, ekzaminimet e rregullta të zonës së barkut dhe të legenit mund të ndihmojnë në diagnostikimin e çdo ndryshimi në vezore. Shumica e cisteve të vezoreve zgjidhen vetë, pa trajtim dhe nuk janë të rrezikshme.

 

Faktorët e mundshëm të rrezikut të cisteve të ovarit janë:

  • Historia e mëparshme e zhvillimit të cisteve të ovarit.
  • Ciklet e parregullta menstruale.
  • Sindromi i ovarit policistik (e gjithë vezorja është e ndërtuar nga shumë ciste).
  • Menstruacionet e parakohshme (përpara moshës 11 vjeç).
  • Hypertiroidizmi (funksioni i rritur i gjëndrës tiroide).
  • Terapia me Tamoxifen për kancerin e gjiri.

 

Simptomat

  • Dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.
  • Dhimbje gjatë menstruacioneve.
  • Të përziera, të vjella, dhimbje barku.
  • Gjakderdhje e pazakontë.
  • Shtim në peshë.
  • Pamundësia për të zbrazur fshikëzën e urinës plotësisht.
  • Dhimbje të gjoksit.
  • Dhimbje të zonës së legenit, kofshëve dhe shpinës.
  • Dhimbje të forta barku që shfaqen papritur.
  • Marrje mendsh.
  • Frymëmarrje e përshpejtuar.
  • Dhimbje barku që shfaqen me të vjella dhe gjendje ethore.

Pranvera Kola 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *