Traktat mbi premtimin

Ornela

Pamflet nga Ymer Minxhozi

Premtimi është pjesë e artit politik. Për politikanin premtimi është si makiazhi për aktorin dhe tualeti për femrat. Pa  premtime as mos e merr mundimin të futesh në politikë.

Premtimi, edhe kur nuk je në gjendje ta mbash, shpreh dëshirën për të bërë mirë, pra tregon zemërgjerësi. Të premtosh e të mos e mbash fjalën nuk do të thotë se ti ke gënjyer, përkundrazi kjo tregon se ti ke patur ndërmend të bësh mirë. Njeriu është i prirur për të besuar të mirën, prandaj me premtime shpesh shërohen edhe plagët.

Ti shkon në një ditëlindje. Miku apo njeriu yt ka mbushur plot tetë dekada. Të gjithë i thonë: “Hajde edhe njëqind!”. Mirëpo ke dëgjuar ndonjëherë që njeriu të jetojë 80 plus 100 vjet? Sigurisht s’ke dëgjuar dhe as do të dëgjosh kurrë. Megjithatë asnjë nga ata që ngrenë gotën e urimit nuk çohet të thotë: “Mos gënjeni bre njerëz!”. Madje askujt nuk i shkon ndërmend se ky është një urim krejt i gënjeshtërt. Përkundrazi, atij që ka ditëlindjen i qesh buza vesh më vesh dhe çohet e të falenderon. Dikush, duke ngritur gotën, thërret me gjithë seriozitet: “Hajde xha Filip, të na rrosh sa malet!”. Të gjithë bashkohen me ty, ndërsa xha Filipit i mbushen sytë me lot gëzimi. Por a ka gënjeshtër më të madhe se sa t’i thuash njeriut se ti do të rrosh sa malet? Por, kur gënjeshtra shpreh dëshirën e mirë, ajo pranohet, le të jetë si të jetë. Kështu është edhe premtimi.

Ta zëmë se ti je deputet i zonës numër katër. Njerëzit vuajnë nga mungesa e ujit. Edhe energjia elektrike vjen me ndërprerje. Madje edhe rrugët janë me llucë e gropa. Po të ishit banor i kësaj zone, çfarë do të dëshironit të dëgjonit nga deputeti? Me siguri, një premtim se ujin do ta sjellim brenda disa muajve, se linja elektrike dhe rrugët do të riparoheshin së shpejti, apo një lajm të zi se këto mungesa nuk do të riparohen, sepse nuk ka fonde? Unë për veten time do të preferoja më mirë një premtim shpresëdhënës. Këtë e them sepse kjo më shtyn të besoj, të mos e humbas shpresën.

Shikoni pra sa e rëndësishme të kesh një deputet që nuk e vret shpresën, por e ushqen atë. Fjala e mirë e nxjerr edhe gjarpërin nga vrima. Dëgjojmë të thuhet : “Zoti të dhashtë!”. Kjo është një urim i barabartë me një gënjeshtër. Por ama të gjithë dëshirojmë ta dëgjojmë, sepse cilitdo i pëlqen të dëgjojë fjalën e mirë. Pra premtimi është një urim. Sa urime të mira na shkojnë kot në këtë botë, sepse kurrë nuk realizohen. Pra, premto, premto se diçka do të besohet.

Pas katër vjetëve, kur të vijë koha përse nuk janë realizuar ato që ka premtuar, ti si premtues do të gjesh dhjetra arsyetime për t’u justifikuar. Natyra njerëzore, ashtu siç zotëron kujtesën, zotëron edhe harresën. Askush s’ka për ta vrarë mendjen se sa kilometra rrugë ke premtuar. Njerëzve u intereson të mësojnë se sa rrugë të reja do të bëhen në të ardhmen. Ju e dini nga përvoja personale: Njeriu shpesh harron edhe ditën e martesës, apo ç’ka ngrënë në darkë, jo më të mbajë mend çka thënë deputeti apo kryeministri katër vjet më parë. Veç kësaj kij parasysh se politikani dhe i marri, nuk përgjigjen për ato ç’ka kanë thënë. Kjo është e ligjëruar edhe nga parlamenti, ku ti nesër do të bësh pjesë. Pasi të zgjidhesh, ose, si i thonë fjalës, pasi të kesh hedhur lumin, mos e kthe kokën pas. Sidomos vitin e parë mos u duk në ato anë, ku të kanë dhënë votën. Pasi të kalojë një vit gjithçka zbehet, votuesit ta kanë harruar fytyrën, prandaj s’të bien në qafë për ato që janë thënë një vit më parë. Harresa nuk është gjithmonë negative. Harresa është e domosdoshme, ndryshe do të çmendeshim. Vite të shkuara, xhaxhai im, sapo u kthye nga një miting elektoral më pyeti:

  • E ke marrë gazetën sot?
  • Cilën gazetë, e pyes.
  • Atë që flet për dollarin.

 

Unë mbeta për një çast. Xhaxhai im sapo ka ardhur nga fshati dhe me siguri akoma nuk ka parë dollarë me sy. Ai e kuptoi habinë time dhe menjëherë vazhdoi : – Ai i demokratikes tha se po t’ia japim votën atij, të gjitha pensionet do të paguhen jo me lekë, por me dollarë.

-Ka bërë shaka i them unë.

-Jo, jo, ai e kishte me gjithë mend. Ai na premtoi se edhe qytetin tonë, Beratin, do ta lidhë me detin dhe vaporët do të vijnë deri te ura poshtë kalasë.

-Po me cilin det do ta lidhin Beratin tonë?- vazhdova unë, – Deti është nja tridhjetë kilometra larg prej këtu.

-Njëqind le të jetë. Ai e tha para gjithë popullit.

Xhaxhai kishte dallëdisur dhe po fluturonte në krahët e premtimeve. Përvoja tregon se pjesëmarrësve në mitingje dhe lexuesve të gazetave u pëlqen të gënjehen. Sidomos nëqoftëse je pensionist. Veçse, oratori duhet të ketë kujdes që shifrat e përmendura të jenë rrumbullake, dhe fjalët të jenë sa më prekëse. Kur të vijë puna për realizimin e premtimeve, mos u merakos fare. Pas katër vjetësh ndërsa ty të duhet një mandat i ri, shumica e pensionistëve kanë hequr dorë vullnetarisht nga pretendimet e tyre. Dhe, ndërsa ti merr një mandat tjetër katër vjeçar, votuesit e tu pensionistë do të kenë marrë mandatën e përjetshmë. Kur flet nëpër tribuna apo në “Çadrën e lirisë”, apo mbi “Republikën e re”, si ajo çadra e bulevardit, mbaj në duar edhe një tufë letrash, të cilat duhet t’i tundësh në ajër, gjë që vërteton se ti je përgatitur me dokumente për atë që thua. S’ka rëndësi se çfarë është shkruar në ato letra, mund të jenë faturat e ujit apo kopje tenderash. E rëndësishme është që ti flet me dokumenta. Tundi ato letra në ajër, shoqëroji me tone të larta “po, po”. Tundja e letrave para dëgjuesve duhet të shoqërohet me xheste nervoze, me ngritje zëri, madje zëri duhet të jetë i çjerrë, i groshur, gurgullues.

Para disa viteve, autori i këtij shkrimi ka patur rastin të asistojë në një miting paraelektoral në zonën e kënetës së Durrësit. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike iu tha të pranishmëve se partia dhe qeveria e tij,  do të përmirësonin cilësinë e diellit dhe ajrit në plazh. Më tej tha edhe se do të çkripëzojë ujin e detit dhe Këneta do të furnizohet me ujë të bollshëm, do të shpyllëzojë sipërfaqe të mëdha pyjesh për t’i mbjellë me ullinj etjetj…

Të gjitha këto premtime u pritën me duartrokitje.

Me pak fjalë, premtimet gjithmonë janë të mirëpritura.

Pas katër vjetëve, do të gjenden njëqind arsye për t’u justifikuar.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *