Një mami stjuardesë

anazapta

Ajo  nuk e kishte menduar asnjëherë që puna e saj do të ishte në… ajër. Sot, pas 7 vitesh e gjysmë që është bërë pjesë e “ngjarjeve fluturuese”, kujton me nostalgji fillimet e një karriere të rastësishme.  Personazhi ynë i ditës është Alma Parllaku, stjuardesë. Të nisesh drejt një rruge që nuk është e shtruar, por ka turbulenca ajri, nuk është e thjeshtë. Por për një person që e do, bëhet rutinë e zakonshme, madje nuk e koncepton dot veten pa qenë pjesë e asaj pune.

Alma, e lindur në Kukës, 8 vite më parë përveçse ndiqte studimet, punonte në një hotel si recepsioniste, një mundësi e mirë kjo për të hequr disa shpenzime të studimeve. Nga personat e shumtë që hynin e dilnin në vendin e saj të punës, qëlloi edhe një kapiten avioni. Ai, me syrin e një specialisti, siç duket, vuri re disa tipare që Alma i kishte, tipare prej stjuardese. Alma tregon se ai i propozoi që ajo të provonte të aplikonte për t’u bërë një stjuardesë. Vajzës bionde siç duket e pëlqeu shumë idenë, por si fillim duhet ta konsultonte me familjen. Dhe kështu bëri. Prindërit e pritën pak me skepticizëm, një punë në ajër për ta nuk ishte e zakonshme, por pasioni që panë në sytë e saj i bëri të thoshin “po”. Hapi i dytë ishte i fejuari i saj. Ajo rrëfen se i ka kërkuar atij në atë kohë, një po, për të cilën ai nuk do të pendohej me vonë. Këto dy “pengesa” e kaloi me sukses për t’iu futur më pas trajnimeve që kërkonte fitimi i një pozicioni të tillë punë.

Kushti i parë për të qenë stjuardesë ishte që, duke u ngritur në majë të gishtave, ajo të kapte 2 metra e 20 centimetra lartësi, kjo pasi në këtë pikë janë pasjet e emergjencës në llojin e avionit që Alma do të udhëtonte dhe duhej të kishte mundësi t’i kapte ato me lehtësi. Më pas disa analiza shëndetësore, të kishte përfunduar të paktën shkollën e mesme dhe po ashtu të komunikonte në anglisht. Asnjëra nga këto nuk përbënte problem për 21-vjeçaren në atë periudhë. Kaq mjaftoi dhe Parllaku filloi të bëhej pjesë e fluturimeve.

E kujton si tani rrugën e saj e parë, ka qenë Tiranë- Romë, e shkurtër, por me emocione, se mbi të gjitha ishte në provë. Një udhëtim, ndoshta si dita e parë e shkollës, apo si dashuria e parë, përzierje ndjenjash. Më vonë me mijëra udhëtime i kanë mbushur ditë e saj, aq sa sot janë bërë plotë shtatë vite e gjysmë.

Por ajo çka e bën të veçantë këtë personazh nuk është puna, por fakti që përveçse punon në këtë profesion, është  prind i një vajze 5-vjeçare. Momenti i shtatzënisë ka qenë edhe koha kur Alma është shkëputur për një periudhë 9-mujore nga  fluturimi. Sipas standardeve dhe rregullave të çdo kompanie, një stjuardesë, në momentin që kupton se ka mbetur shtatzënë, automatikisht shkëput marrëdhënien me punën për t’u vendosur në një pozicion tjetër, këtë herë në tokë. Sot, ajo është nënë, vajza e saj i ka mbushur 5 vjeçe. Alma tregon me të qeshur se edhe ajo ka filluar të shprehë dëshirën për të trashëguar profesionin e mamit. Nuk ka qenë asnjëherë pjesë e një udhëtimi familjar, por do e shohë si mundësi.

Më parë kishim krijuar idenë që stjuardesat janë vajza të lira, që bëjnë një jetë sa në ajër e sa në tokë dhe për to familja vjen në plan të dytë, por personazhi ynë na e hedh poshtë këtë mundësi. Zonja Parllaku i kushton të njëjtën përkushtim, si punës, si familjes. Sigurisht ka pasur mbështetjen e të afërmeve që ia kanë bërë më të thjeshtë rrugën nga toka në fluturim.

Situata të vështira ka pasur, por jo ndonjë gjë që të sjell panik. Turbulencat në ajër janë të zakonshme dhe kjo nuk i bënë aspak përshtypje asaj. Marrëdhënia dhe komunikimi me klientët është baza në punën e saj. Në këtë karrierë, gati 8 vjeçare, ka njohur personazhe nga më të ndryshmet në udhëtimet e përditshme. Pyetjet dhe kërkesat e tyre janë nga më absurdet. Disa duan që avioni të shtojë shpejtësinë, të tjerë kërkojnë që qëndrojnë në vendin e parë së bashku me pilotin për të parë përpara… Nëse qëndron gjatë me Almën, do të dëgjosh shumë nga këto.

Profesioni

Të punosh në “qiell”, më bukur se në tokë

Me punën në fluturim, ajo është e kënaqur më shumë se me çdo punë që ka bërë në tokë. Alma na tregon se për t’iu futur kësaj rruge duhet të kesh përfunduar të paktën gjimnazin. Anglishtja është e detyrueshme dhe duhet të kesh buzëqeshje të ngjitur në fytyrë. Duhet të jesh dhe shumë e stërvitur me veten, megjithëse për këtë gjë bëhen shumë trajnime, karakteri duhet të jetë i butë. Alma ka bërë një muaj e gjysmë trajnim, por nuk kanë munguar mësimet teorike dhe sigurisht që ka kaluar shumë provime. Është dhe një kusht tjetër i nevojshëm: Duhet të dish të notosh. Madje për këtë mund të thuhet se është një nga testet kryesore. Pasi duhen marrë masat që në raste emergjente të rrëzimit të avionit në det, të shpëtosh pasagjerët.

Që në shpikjen e avionit, njerëzve u është dukur gjithmonë e më i çuditshëm fakti se si një objekt fluturon, madje edhe i transporton nga një shtet në tjetrin apo dhe midis kontinenteve, duke kursyer kohë. Ndërsa për një punonjës që e bën çdo ditë këtë punë është ndryshe. Gjithçka të kthehet në një profesion normal, si gjithë të tjerët. Para se të niset një stjuardesë në fluturim kalon në disa hallka. Parllaku tregon se: “Ka procedura të caktuara, që janë rregulla shumë strikte dhe që duhet të zbatohen.

Duhet të jesh e përgatitur dy orë para fluturimit, të marrësh valixhen me vete, buzëqeshjen, orën e dorës duhet të mos e harrosh asnjëherë se është e detyrueshme. Duhet të kesh veshje rezervë, por edhe aksesorë të tillë si peri i gjilpërës, në rast se të këputet ndonjë kopsë. Në shtëpi vjen e të merr makina e punës, sepse nuk lejohet që një stjuardesë të dalë në rrugë me uniformë. Shkon në aeroport, atje ke mbledhje me dy pilotët, me shefin e kabinës dhe pjesën tjetër të stafit që merr të dhënat e fluturimit.

 

Rastet

Menaxhimi i emergjencave

Gjëja e fundit që i ka shkuar ndërmend kur nisi këtë profesion ishte rreziku. “Unë doja aq shumë të bëhesha stjuardesë, sa tek rreziku nuk më shkoi mendja fare”, shprehet ajo. Në të përditshmen e saj takon plot njerëz që kanë frikë, kanë fobi dhe tremben nga fluturim. Aty vjen në ndihmë stjuardesa, për t’i treguar pasagjerit të avionit që nuk ka asgjë për t’u frikësuar. Për t’i dhënë atij siguri me anë të syve të saj, dhe siç tregon ajo, shpesh herë kjo funksionon.  Udhëtime me ngarkesë për të janë ato drejt Londrës, ku ka shumë pasagjerë dhe shpesh fëmijë. Udhëtimi zgjat më shumë se katër orë dhe të duhet të jesh gjatë gjithë kohës vigjilente. Stjuardesat kanë një kalendar të tyre të punës. Ato nuk duhet të fluturojnë  më shumë se 100 orë në muaj.

Në raste emergjence apo turbulencash, në momentin që kalon në kabinë duhet të jesh shumë e qetë që mos t’ia transmetosh frikën pasagjerëve. Kjo punë e ka përgatitur edhe në marrëdhënie me njerëzit. Për Almën, eksperienca është e vogël, por gjërat që ka fituar nga puna janë të mëdha. Na tregon se, ka mësuar të jetë shumë e qetë me njerëzit, ka mësuar të qetësojë dhe të tjerët. E më pas e quan si mënyrën më fantastike, se si të mësosh të punosh në grup dhe se si jetohet dhe punohet duke qenë e rrethuar me shumë njerëz dhe në ajër. E kur vjen puna për pagën, ajo pohon bindshëm se paguhet shumë kënaqshëm, më mirë se një punë që mund të bësh në tokë.

Share This Article
4 Comments
  • Meqense kam punen e tille,udhetimin e bej me avion.Te gjitha ato qe tregon z.Alma jane shume te verteta.Per te mos u zgjatur,Uroj Almen qe te kete shendet te mire se bashku me familjen e saje dhe pune te mbare ne profesionin e shume lakmuar nga femrat.

    • Vërtet është shumë e knaqeshme ta degjoja kete per nje nënë te till sepse eshte nje pune shume e veshtir me shume sakrifica per te mbijetuar nje familje e shendosh e sidomos kur ka femijë, Alma po ashtu te uroj dhe ne te ardhmen suksese .

  • Bravo Alma je jashtzakonisht bindese ne fjalet e tua saqe me preku shum ky ;lajm sepse edhe une jam po aq kokfort sa tii qe nje pun qe e du nuk heqi dor prej saj deri sa ta arrij sepse shum em pelqen ky profession si stjuardesk edhe shpresoj se me emrin e All-llahut do te ja arrij edhe pa as nje lloj problemi ashtu siq ke ber ti tung nga Drita te dua Alma

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *