Armando Sadiku më në fund ka hedhur një hap të madh në karrierë, duke siguruar transferimin te FC Zyrih. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka qenë i shumëpërfolur në çdo sezon merkatoje, shpeshherë duke e dhënë për të sigurt largimin e tij, por vetëm tani është bërë realitet. Lajmi është zyrtar, i komunikuar nga vetë klubi i Luganos, përmes faqes së tij në internet. Klubi, pasi falënderon sulmuesin shqiptar për gjithçka ka dhënë, njofton se që nga 1 janari 2014 Armando Sadiku do të jetë lojtar i Zyrihut. Sulmuesi është përmendur shpesh në lidhje me klube të mëdhenj jashtë Zvicrës, megjithatë kalimi te Zyrihu nuk është një lajm aspak i keq, pasi bëhet fjalë për një skuadër me emër dhe pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Evropës. Ndoshta nuk do të mund të marrë pjesë në sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht Zyrihu renditet i parafundit në kampionat, por pa rrezikuar të bjerë, pasi është larg vendit të fundit, Lozanës, që ka vetëm katër pikë. Kampionati zviceran ndiqet me vëmendje nga të gjithë të mëdhenjtë e Evropës, ndaj Sadiku mund ta realizojë më vonë ëndrrën për të luajtur në Itali ose Gjermani. Edhe në kontratën e shitjes midis dy klubeve, parashikohet një përqindje për Luganon në rast se ai do të shitet nga Zyrihu. Në sezonin aktual, Sadiku ka shënuar pesë gola për Luganon në ligën e dytë, por ai nuk luajti për sa kohë që merkatoja ishte e hapur, për të mundësuar një shitje të dytë në janar në rast se do të kishte gjetur që në verë një skuadër tjetër.
