Buxheti i këtij viti pas tërmetit ka pësuar një ndryshim total në rishpërndarjen e fondeve.
Ndryshe nga sa është deklaruar më parë buxheti i 2020 nuk do të jetë 502 miliardë lekë por 509 miliardë lekë.
Ligji i buxhetit publikuar në fletoren zyrtare ka të reflektuara edhe të gjitha ndryshimet e bëra në të, ku në mënyrë të papritur janë ndryshuara të gjitha zërat e buxhetit, ku shumë institucione të deklaruara si prioritete të qeverisë janë penalizuar nga rishikimi.
Konkretisht fondi prej 7 miliardë lekësh që i është shtuar buxhetit pritet të sigurohet nga të ardhurat nga grantet ose ndihmat.
Pikërisht ky është edhe zëri që ka pësuar ndryshime në buxhet, pasi ndryshe nga sa ishte në buxhetin fillestar, zëri i granteve është rritur nga 16 miliardë në 23 miliardë lekë.

Kjo vlerë e shtuar është parashikuar të shkojë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa vlera tjetër prej 13 miliardë lekësh do të jepet nga shpenzimet e buxhetit të shtetit.
Përveç këtij ndryshimi ka pasur edhe një rishpërndarje të fondeve për ministritë dhe institucionet e drejtësisë. Janë 11 institucione të cilat kanë reduktim të buxhetit më masën e 2.7 miliardë lekëve.

Viktima të këtij rishikimi janë disa nga sektorët prioritarë të qeverisë. Ulja e mbështetjes buxhetore është më e lartë tek Ministria e Mbrojtjes me 790 milionë lekë, e ndjekur më pas nga Ministria e Arsimit me 555 milionë lekë më pak dhe e treta është shëndetësia me ulje të fondeve në masën e 350 milionë lekë.
Ndërkohë buxheti është rritur për vetëm 4 institucione në vlerën e rreth 1.3 miliardë lekë. Konkretisht Ministria e Bujqësisë ka marrë 82 milionë lekë më shumë se buxheti fillestar duke shkuar në buxhetin final në vlerën e 11.112 miliardë lekë.
Është ministria e Infrastrukturës që ka marrë vlerën më të madhe të shtuar prej 715 milionë lekë, Ministria e Financave ka buxhet të shtuar 578 milionë lekë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë 1 milionë lekë.

Buxheti i shtuar për Ministrinë e Bujqësisë pritet të ketë në fokus ngritjen e argjinaturave dhe përmirësimin e infrastrukturës së digave, një masë e shtuar e sjellë në vëmendje pas tërmetit të 26 nëntorit. Ndërkohë fondi i Ministrisë së Financave pritet të shkojë për bonusin e qirasë që përfitojnë familjet e prekura nga tërmeti dhe që kanë mbetur pa banesë.
E përkëdhelura e këtij buxheti të rishikuar duket se është Ministria e Infrastrukturës, e cila ka përfituar më shumë fonde të shtuara. Rikujtojmë se ministrja Belinda Balluku në Komisionet parlamentare e pati kundërshtuar e kritikuar këtë buxhet që sipas saj nuk përmbushte nevojat e kësaj ministrie si dhe penalizonte projekte të rëndësishme.
Tashmë buxheti i kësaj ministrie ka arritur në 40.858.630 lekë nga 40.143.630 lekë. Vetëm buxheti i SPAK mbetet i pandryshuar në vlerën e rreth 361 milionë lekë.
Të gjitha këto ndryshime janë bërë të ditura vetëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
l.h/ dita

Partitë politike janë ende shumë të vjetra për të përballuar dekadën e tretë të shekullit që jetojmë.
Na pëlqen ose jo, ky përceptim është gjerësisht i ngulur në mendjen e njerëzve.
Dhe skanë faj, me thënë të drejtën.
Të njëjtat fytyra!
Të njëjtat parti!
Të njëjtat veprime!
Të njëjtat fjalë!
Njësoj! Si në fundshekullin e shkuar edhe në këtë dekadë të tretë të shekullit të ri.
Opozitarët thonë që qeveritarët janë më të këqinj se ne. Qeveritarët thonë se të këqijat e ish pushtetarëve janë më të këqija se të zezat tona! E mbani mend Shalsin e dekadës së shkuar?!
Njësoj! Gjithnjë koka pas.
Ishim më mirë kur ishim keq..!
Ftesa e vetme që i bëhet njerëzve është na zgjidhni ne se jemi më pak të këqinj. Kështu bëjnë të gjitha partitë, pa përjashtim!!!
Ndërkohë njerëzit nuk vendosin, nuk zgjedhin, thjesht votojnë.
Asnjë ndryshim!
Partitë kanë krijuar një realitet virtual rreth vetes. Flasin për suksese dhe për dashuri ndaj popullit, duke sharë kundërshtarin.
Njësoj, me të njëjtin ritëm si më parë!
Kulmi është kur partitë bëjnë debat edhe për hallet e Amerikës, Francës e Gjermanisë si në faqen 4 të Zërit të Popullit dikur.
Asnjë lidhje me Shqipërinë reale, me shpopullimin e frikshëm, me polarizimin ekstrem ekonomik e social, me ndasi të rënda sociale, pa shtet dhe me demokraci të dhunuar.
Asnjëra parti nuk thotë se si zhvillohet Shqipëria reale!!! Të gjitha merren me veten duke bërë ato hesapet e vogla elektorale.
Hesape të reja me numra të vjetër.
Njësoj, si gjithmonë!
Keq boll, me thënë të drejtën!
“Ma za ma keq”- thonë andej nga Shkodër-Lezha. Veçanërisht me ligjin anti-shpifje, keq është kjo puna e “zërit”…
Megjithatë, vijoj të mbështes idenë e zgjedhjeve politike që kthejnë pluralizmin dhe garantojnë rotacionin!
Me atë që na ndodhet do kavërdisemi…
Pse, paska dhe shëndetësi???!!!!