Moikom Zeqo
DANTJA NDRYSHE
“Libri i Muhametit”, teks arab mjaft i njohur u përkthye së pari në gjuhën kastiliane dhe në 1264 në latinisht nga shkolla toskane, kur mbretëronte Alfonsi X i Savojës, përkthyesi në latinisht quhej Bonaventura Di Siena, Dantja e ka lexuar “Librin e Muhametit”, te “Ferri”, Kënga XXVI, Dantja flet për udhëtimin e Odiseut, duke treguar për Kolonat e Herkulit në Gjibraldar, detin oqean më tej e quan :Det i dashur” dhe më tej “Det i pafund, duke shkuar sipas drejtimit të krahut”, ky krah nuk është vetëm metaforik Maria Corti zbulon, se ky krah ka të bëjë me statujën gjiganteske të Muhametit, për të cilën flasin gjeografët arabë, ndërtuar në brigjet e Atlantikut, në botën tjetër, profeti i profetëve është me një mjekër të gjatë dhe është prej mermeri krejt të bardhë, statuja ka krahun e majtë të drejtuar me një xhest që do të thotë: kthehu prej nga ke ardhur, kështu Dantja citon Muhametin pa patur frikë nga Krishti, paradoksi nuk ka as fillim dhe as fund, ç’do Muhamedi në Amerikë shumë më përpara se sa Kristofor Kolombi, pse kishte një statujë të tij vigane shumë më përpara se Statuja e Lirisë që me krahun (po të majtë) ngre pishtarin dhe bën xhestin jo të përzënies mbrapsht por të afrimit dhe të mikpritjes së përjetshme, a nuk ka rafigurimin e Statujës së Lirisë diçka nga vëmendjethithja e pakufishme e portretit të Mona Lizës, pse arabët besojnë në ekzistencën e statujës së Muhametit, simbol ky i sigurtë i idolatrisë që profeti i profetëve e ka mallkuar si askush (?)… kurva Oholibahu, siç dëshmon Ezekeil (23 -14,15) “pa burra të pikturuar në mur, figura të kaldeasve të pikturuara me të kuq, me breza rreth ijeve, me çallma të mëdha mbi koka, të gjithë me pamje princërish, të ngjashëm me bijtë e Babilonisë në Kalde – tokë e tyre lindjes “Oholibahu mbasi i pa i thirri dhe kurvëroi me to, po kush e therret dot Mona Lizën që të kurvërojë me të (?), në qiellin e errët të injorancës së lashtë si gurët dhe ujërat na del e formësuar mes reve portreti i Mona Lizës – kjo të sjell ndër mend çastin përpara betejës vendimtare të perandorit ilir Konstantinit të Madh me kundërshtarin e tij Maksendin, kur Konstandini pa një kryq krizmë të zjarrtë dhe fjalët e shkruara në qiell “En touto nika” – “Me këtë shenjë do të fitosh” kush qe ai studiuesi i mëshirshëm që zbuloi se buzëqeshja e Mona Lizës qe edhe te skulpturat mbretërore të Katedrales së Remsit, nuk ka rëndësi emri i tij, emri vetëm na ngatëron, madje na dizinformon, i rëndësishëm është riti te kjo Katedrale, kur një ditë në vit vijnë të sëmurë dhe vetë Mbreti u prek plagët dhe ata shërohen, riti është quajtur “Mbreti prek, Zoti shëron”… anarkistë, të çmedur, skizofrenë të pikturës, ejani në Katedralen e shën Mona Lizës Mbretëreshë që t’iu prekë me duart e saj tyë përkryera dhe të ftohta, mos kini frikë nga të prekurit, profeti Moisi aty ku bashkohet Deti i Kuq me Detin Mesdhe u ul, nga duart i ra një peshk i pjekur që e kishte me vete, peshku ra në det dhe notoi, uji i detit mbeti si i ngrirë dhe rruga e peshkut në të dukej si fole (skrofull)… mund të thuhet se ky peshk magjik qe dora vizatuese e pashlyeshme e Leonardo Da Vinçit, simbolet që ai pikturoi janë si simbolet e vetë dorës së Zotit, Zotit…( 1994)
DHE DETI VDES
Tha Platoni: mjeshtri e zgjedh nxënësin, por libri nuk e zgjedh dot lexuesin, as piktura shikuesin, arti është njohuri dhe njohuria është e pagjini, e pagjini, do të thotë amorale, përfytyrimi i plotërisë është sodomizuar, ngaqë legalizimi masiv i homoeseksualizmit është një fitore dinake dhe e egëre matriarkatit, dalja e matrarkatit nga fshehja e gjoja qytetërimit mashkullor, dora e Leonardo Da Vinçit është “corpus diabolicus”, pikturat janë përherë lapsus calami dhe njëkohësisht lapsus mentis, ushëtuan shtatë trumpeta të shtatë engjëjve apokaliptikë (orkestër vagneriane) dhe analfabetët kënduan: Dies irae, dies illa, solvet saecelum in favilla, dashuria është carpe diem po Mona Liza nuk është carpe diem, gramatika e përfytyshmërisë apokaliptike është e tëra te portreti i Mona Lizës në librin “Anatomy of Melancoly” të Burtonit ka një frazë justifikuese dhe dlirësuese për mëkataren Mona Liza që identifikohet me heroinën e shtrigëruar padrejtësisht Zhan D’Arkën, kjo është si përdorimi joteologjik i Xhojsit të termit teologjik “epifani”, ose si si hymnet ekzaltuese të Dilan Tomas kushtuar trupit universal njerëzor, sepse ne vetë i bëjmë vetvetes piktura të fakteve, ose faktet na bëjnë neve piktura të tyre, shën Pali, gati mizogjin, interpreton figurat e grave të Abrahamit, psh, ai thotë se gruaja Hagari “është” mali sinaj në Arabi, ahere dhe Mona Liza “është” mali Tomor në Shqipëri, Leviatani i Hobsit është një numër xhuxhësh brenda trupit të një antropomorfe e “Republikës” së Platonit, kështu për tek krishterët Jeruzalemi është ndërtuar nga individët “gurë të gjallë” lumi i katërfishtë i Edenit paraqitet edhe në Qytetin fluturues të Zotit dhe jepet në ritualin e pagëzimit, që sipas Ezekielit “lumi freskon, shëron detin” gjë, që është dhe arsyeja që shën Gjoni në “Apokalips” thotë “se nuk ka det, dhe deti vdes ”…(1994)
NENTOKA, HIPOTEKA E QIELLIT
Ikonografia nuk është arka e hapur e Pandorës së ideve bizantine, Mona Liza nuk shkëputet përfundimisht nga ikonografia bizantine, është në kapërcyell: mes Lindjes dhe Perëndimit, midis shën marisë dhe vetvetes, duke shmangur paragjykimin europocentrik ndaj Bizantit nuk mund të mos shikojmë disa rrënjë të padukshme, aq më tepër, se filozofë bizantinë si Gemist Plitoni dhe Besarioni erdhën në Itali, sollën dorëshkrime të lashta dhe të mrekullueshme dhe mbi “mesjetën latine” futen dhe ndërthurren edhe bizantinizmin kulturor me një dritë humaniste me përpara se kultura dhe arti i ri rilindas italian, fluturimi i te krishterëve të parë drejt qiellit u bë që nga korridoret e nëntokshme, që nga thellësitë e katakombeve, që nga afreskat e zanafilluara nën dritën e pishtarëve mes skeleteve të të vdekrve në këto katakombe, kjo është metafora: nga nëntoka e ferrit drejt Qiellit të të Parajsës, krishtërimi e ka si askush undergtraund -in e vet, estetika vjen nga thellësia e zemrës së Leonardo Da Vinçit ka dalë feja e veçantë e Mona Lizës, nëntoka është hipotekë e qiellit, shpella është njëkohësisht dhe kozmos .(1992)
ARTI PERTEJ NUMURAVE
Turtuliani e ka sulmuar artin teatror antik për shkak të iluzionit që krijon, iluzioni i pikturës është më i qëndrueshëm se sa iluzioni i spektaklit, po sidoqoftë iluzion është, (pavarësisht materialitetit të ngjyrave), Mona Liza është megjithatënjë iluzion, tërë gjeneratat janë të tendosura në ankth përpara portretit të saj, perde tempulli solomonas që ndan jetën nga vdekja dhe vdekjen nga amëshimi, dukjen nga e padukshmja ëndrën nga realiteti, piktura është edhe terapeutike, po edhe apotropike, Herodoti: pictura est quaedam litteratura illiterato, Durant: pictura et ornament in eccklesia sunt laicorem lectiones et scripturae, alienimi dhe paatdheshmëria e artit është edhe çlirim nga prangat kronologjike të shekujve, Sekst Empiriku: asnjë art nuk mund të ekzistojë pa antologji, kurse antologjia bazohet në numër, çdo art ekziston nëpërmjet numrave, raportet matematikore të linjave të portretit të Mona Lizës janë një kryevepër e idesë pitagorike, çdo ide pitagorike bën pjesë në një sistem teocentrik po brenda sistemit teocentrik është sistemi antropocentrik, matematika në pikturë, raportet e numrave janë një tertium datum, Platoni: përveç sendeve dhe ideve janë dhe numrat matemokore, një natyrë e ndërmjetme, natyrë, që bashkon duke ndarë, ose ndan duke bashkuar – ky është thelbi i ndërselltësisë, Librat e Moisiut janë libra të ikonoklastisë, Konstandini V: piktura paraqet vetëm një nga natyrat e Krishtit, natyrën e tij të përkohshme tokësore, kjo është blasfemi e rëndë se natyra e dytë ajo më sipëroreja, natyra hyjonre nuk paraqitet dot në pikturë, kështu lind nekrofilia ndaj teologjisë së ikonave – ikona e mirëfilltë nuk është pikturike, ikona e mirëfilltë është eikristia, Krishti zgjodhi lëndët eukaristike, bukën dhe verën për të mishëruar trupin dhe gjakun e tij te njerëzit, ja, dhe ky libri im që ti po lexon pikëllueshëm e ndoshta me ngulm të bezdisur e vështirësi analfabeti, o lexues i rastësishëm, i kapur më tepër në një kurth mendor është nje eukrasti e Mona Lizës që ti ta gëlltitësh ngadalë dhe ritualisht lëndën magjioke të ëndrrës së rrezikshme dhe gati satanike të Leonardo Da Vinçit,… estetikat janë forma të eukaristisë së Krishtit, që nga mozaikët rrotullorë të Pagëzimores së Butrintit e deri te portreti i Mona Lizës… nëse e përfytyrojmë tërë njerëzimin si Guliverin e Suiftit ahere është e domosdoshme të kemi një eukaristi për të – është ky portreti i papërsëritshëm më i Mona Lizës… Krishti vetë nuk do ta ngatëronte Mona Lizën me Maria Madalenën… ( 1995.)
VDEKJA E PIKTURES ME E TMERRESHME SE VDEKJA E NJERIUT
Joan Miro ka shtatë duar – kështu thotë Octavio Paz për të o Leonardo, e ke idenë se kush është Miro, shtatë duar në formë veshësh për të dëgjuar shtatë ngjyrat, shtatë duar në formë këmbësh për të ngjitur shkallaren e ylberit, shtatë duar në formë rrënjësh për të qënë gjithkund dhe përherë në gjelbërime shkretëtirash, shtatë duar për t’i rënë daulles së hënës, për të mbjellë zogj te kopshti i yjeve, për të shkruar legjendën e shekujve të boblave të detit, për të sajuar ishuj te oqeani i të gjelbrës, për të krijuar një femër, duke përzier natën me ujë, me muzikë dhe elektricitet, e kuqja hapi sytë, e zeza tha diçka të pakuptueshme dhe e kaltra u ngrit e u rrëzua në pllajë, ngjyrat e tjera si zogj hapën krahët dhe fluturuan te një xham i thyer, telajot u dogjën si këmishat e Helenës së Trojës dhe të Mona Lizës, shkruboheshin luanët dhe merimangat, qielli u mbush me trikëndësha, sfera, disqe, gjashtëkëndësha, në flakë, nga zjarri u bë shkrumb e hi hambari planetar në qendër të hapësirave, nga grumbulli në hi bulëzuan flutura, peshq fluturues,, gramafpnë, zëçjerrë, çka ky kopsht grurë, apo varka, çikrike, apo balerina(?) ca vullkane portativë shoqërohen me fyshekzjarret,, sytë janë mbretëri ku hyjnë e dalin alfabete tyë ngeshëm,, dikush e përshëndet vdekjen me një batare barbarozash ujëvara është një vajzë që zbret shkallët duke qeshur si marrë, vështrimet mbillen si fara magjike, çfarë arë e mrekullueshme kjo Mona Liza, si do ta mbbjellim këtë portret me vështrimet e pasardhësve dhe të të palindurve akoma (?)… tri filozofët e kahmotshëm, ai i “zjarrit”, ai i “ujit”, ai i “ajrit” ndoshta ishin tre magët dhuratësjellës për Krishtin e porsalindur, në shpellën e betlehemit ku rrinte shtrirë Maria me shëmbëllimin e Mona Lizës lehonë, vdekja e pikturës, o Leonardo, është ,e e tmershme se sa vdekja e njeriut psa diu posititis laethum praedixerat astris Uranie.. ( 1996)
SIMBOLE TE KALUESHMERISE
C’botë e një bukurie të mbinatyrshme është fra Angjelikut, shih kompozimin e tij mbi shën Domenikun, janë të hapura të tëra mundësitë si në ëndrrën surrealiste: shenjat aty nga dëshpërimi u bien me kokë mureve prej mermeri të kuq, lutësit mbartin në qafat e prera (pa koka) yje të zjarrtë, përflaket kozmosi i kardinalëve, engjëjt këmbëzbathur janë si haluçinacione, më tej martirizimi patetik i shën Kozmait dhe shën Damianit, refrenca të vetmisë që justifikon ananizmin, sterilitetin, zhdukjen e konceptit jetik dhe epshburues të femrës si të tillë, si zanafillë satanike, e shkatërimit, përmbysjes së çdo virtuti… ku do të futesh tani o e pambrojtura Mona Liza (?), Isida e thandruar në granit e gjelbër i jep sisa fëmijës hyjnor mbi varret egjyptiane dhe ka kokën e qenit, Zonja e Bekuar si një bjondinë fjorentinease i jep gji princit të vogël, sa shumë simbole të kalueshmërisë dhe të simetrisë së artit, të krenarisë, të cikleve, të tautologjisë,… papërshrueshmëria e gjithë kësaj është tepër e dukshme, Galeni, mjek dhe filozof në kohën e Mark Aurelit e ka luftuar legjendën kanibaleske se të hash mish të njëmendë njeriu mund të shërohesh nga çdo sëmundje e frikshme dhe e pashërueshme. ( 1994)
MUZIKA AVULLON SAPO LIND
Shiko, si e ka kompozuar tablonë Ticiani për shën Marinë, dihet, se shën Katerinë është martirizuar në kohën e perandorit Maksenc, se midis tyre është vendosur pa asnjë arsye një lepur në art veprojnë magnetet e formës, në rrugën e njeriut arti është paraqitur si pantera misterioze, që i preu rrugëtimin Dantes, leonardo nuk dyshon mbi epërsinë e pikturës mbi muzikën, muzika avullon sapo lind, qëndron mbs pikturës, e cila më perdorimin e llakut u bë e pavdekshme, Valery: ç’mund të jetë më larg nesh se sa pretendimi i Leonardos se piktura është qëllimi më ilartë dhe shfaqja më e thellë e dijes, madje – sipas bindjes së tij, e tillë që nxit dijen universale, kurse ai vetë nuk iu tremb një analize teorike, para së cilës, për thellësinë dhe saktësinë e saj, ne sot qëndrojmë pa mend, arti është një lloj mbretërie metafizike e historisë, idolatria e natyrës nuk është e barabartë me idolatrinë e pikturës artisti është një qenie e Zodiakut që zvarritet në tokë, një qytetar i Parajsës i internuar në Ferr, sa më tepër vlera e kulturës së pikturës sekularizohet, aq më pak të përcaktueshme bëhen përfytyrimet mbi thelbin e unikalitetit të saj.9(1993)
TRUPI I TE DROGUARIT SI KALEIDOSKOP
Hegel: ne jemi larg asaj, që veprat e artit t’i nderojmë hyjnisht dhe t’u falemi atyre – mbresa që na lenë ata ka një natyrë të veçantë dhe ajo që ata zgjojnë në shpirtin tonë ka ende nevojë për një test të saktë, piktori dhe poeti alegorinë e kanë shtëpinë e tyre, buzëqeshja e Mona Lizës dhe buzëqeshja e teorizuar nga Bodleri dmth “L’essence du rire”, ide e shtjelluar e të qeshurës satanike, e të qeshurës si emblemë, sepse alegoria e shihte kufomën vetëm nga jashtë kurse Bodleri e sheh atë nga brenda, shëmtia te surrealistët është rezervuar i vërtetë i bukurisë, trupi i të droguarit është kthyer në një kaleidoskop, pra në një pikturë të sëmurë apo në një sëmundje pikturike,.. (1994.)
MISI SKILLES DHE KARIDBES
Epikuri: çdokush del nga jeta ashtu siç ka hyrë, arti të ndjek si vesi, se tha dikur Virgjili se mund të kapërcesh dete, humnera të lesh pas qytete e perandori po veset e tua do të ndjekin pas kudo, të vdekshëm janë tërë vdekëtarët po cilësitë e tyre nuk janë të vdekshme, origjinali zhduket piktura e tij mbijeton, të gjitha pikturat pa përjashtim janë një formë shkrimi me figura, piktura moderne po rikthehet te hieroglifet kineze që janë më afër natyrës dhe meditimit abstrakt të natyrores, pra me simbolikë se artet fotografike, Firence ëhtë Athina e Rilindjes Italiane, lufta midis gelfëve dhe gibelinëve arriti kulmin në 1213, Dantja vdes në 1331, Dantja është arti midis Skillës dhe Karidbës së politikave të çmendura,, Dantja në fillim qe gelf e më pas gibelin, shkroi vargje për partinë e tij, po Dantja qe i detyruar t’u qepej fjalëve të Italisë si të lishte të bënte me një tufë kuajsh të egër që nuk kanë vënë kurrë shalë mbi shpinë, Xhotoja e pikturoi fytyrën e rreptë të Dantes ashtu si profeti Çimambue është pionieri i pikturës moderne në Itali por Xhoto s’është nxënës dhe ndjekës i Çimambues, Xhoto ka ndikim nga miniaturat franceze, lashtësia doli nga thellësitë e zbulimeve arkeologjike si një gurë e freskët magjike dhe njomi tërë botë, Çimambue, Xhoto, Xhiberti, Brunolesku, Donatelo nuk janë veçse hije njerëzish të mëdhenj, Leonardo Da Vinçi nuk ka mjegullim rreth vetes, ndonëse jeta e tij intime në krahasim me Mikelanxhelon dhe Rafaelin paraqet disa zona të mistershme, në veprën e vet rreh qartë zemra e artistit, Leonardo është shumë i afërt, gjithmonë na duket se e kemi takuar dhe me siguri do ta takojmë përsëri, buzëqeshja e Mona Lizës është si deliri i mbretit shekspirian Lirit në natën me shtrëngatë..( 1995.)
MUND TA KTHESH MISTIKEN NE ALGJEBER ?
Nuk mund të harrohet përshkrimi i Sibilës Kumea, femra e shenjtë dhe e shtrigëruar e profecive brenda shpellës së errët nga ana e poetit Virgjil “e ka pushtuar marrëzia e hakmarrjes, ajo shpreson të nxjerrë jashtë gjoksit të saj vetë Perëndinë e tërëfuqishme” po sikur në vend të Sibilës Kumea të këndonte Virgjili për Mona Lizën (?), kush është më e rëndësishme hapësira apo ikonografia, boshllëku, apo kozmosi i ikonografizuar, shpirtrat, apo maskat, metapsikoza, apo fluturimi i shpirtrave, çdo maskë është banesë e shpirtit, edhe Mona Liza është maskë e një padukshmërie shpirtërore, Franc Kafka: nuk ndihem mirë veçse në hiç, jam një hiç i vërtetë, jam ajo që mungon, dhe unë mungoj pikërisht në një botë, ku unë duhet të isha për ta gjykuar, ku është morali në “exempium vitae”, a mund ta kthesh mistikën në algjebër, apo muzgjet në ekuacionet diferenciale, Lotreamoni besonte në natyrën korale të poezisë, po edhe piktura ka një natyrë më tepër korale, Mona Liza është një, ata, që e shohin janë me miliarda, çdo dashuri na çliron me anë të mrekullisë së vet, më shumë se tridhjetë miliard imazhe i sit pëlhura e trurit të njeriut brenda dy tri çasteve, çdo incizim i këtillë, ose pasqyrim i imazheve plotësohet nga rrethi i madh i mbamendjes sipas ligjeve të kujtesës – ja, një fushë e re akoma e pazbuluar, teknika kinematografike e cila, me simultanitetin e vet të imazheve, që e ka hutuar filozofinë prej Bergsonit e këndej, gjithsesi është e dobishme dhe interesante të përdoret edhe për rastin e një imazhi kinse të vetëm siç është Mona Liza, perënditë në gliptoteka, perënditë në atriumet e parimeve shkencore, perënditë nëpër kisha dhe në aulat e universeteteve, perënditë politike, perënditë në estetikën përherë të dyshuar dhe të përdhunuar, perënditë në qiell, nënujë dhe nëntokë, perënditë brenda tabletave të ngjyrave, perënditë si forma transparente te veshjet e garderobave, perënditë me erë të fortë amoniaku të urinës në WC-të e qytetërimit, sa shumë perëndi, sa të pamjaftueshme, Mona Liza nuk do të jetë ateiste, por dhe nuk guxon që të falet, të lutet dhe të besojë në verberinë e shumësisë fatale, realiteti është një kakofoni, pse e ofendoni Kandinskin, duke mos e quajtur një qënie të kakofonisë, piktorë madhështorët fërkojnë omeletin abstrakt të frymëzimeve të tyre gjithësia kumbon, piktura dhe muzika janë shkathtësi të afërta, se forma mund të jetë e pangjyra, po ngjyra kurrë nuk është e paformë, ( 1995 )
ZILKAT E VOGLA TE ARLEKINIT
Kandinski: e kuqja është pafundësi, ahere e kuqja onufriane është pafundësi e kufizimeve të shenjta, kush e shkruar një filipike të zëshme antiabstrakore (?), ngjyrat janë atribute të gëzueshme si zilkat e vogla të Arlekinit, grafistët rrudhin buzët, grafistët janë si matematika e Bulit e bazuar jo në sistemin numerik dhjetor po në sistemin dyor, nëse e bardha nuk është ngjyrë ahere pse e zeza qenka ngjyra, apo me grafiken kemi të bëjmë me dy mungesa të ngjyrave, mungesa apo alibi të trishtueshme dhe të frikshme të ngjyrave, grafika asgjëson vetveten, po edhe koloristët më të çmendur e kanë zili dhe e imitojnë fshehurazi grafikën, Bodleri: piktorët janë fenerët e ndezur në mjegull, Leonardo Da Vinçi është pasqyrë e thellë, pa dritë, ku engjëjt e bukur mësojnë të buzëqeshin, të ravizuar nga hieja, duke mbledhur mistere, mbi akuj e pisha, që mbyllin peizazhin,, Mikelanxhelo ngatëron Herkulin me Krishtin, ngre në hapësira fantazma – kallëpe për derdhje në bronx, qëniet prej mermeri grisin qefinët e ngrenë kapakët e rëndë të sarkofagëve, Modiliani qe hebre nga fisi i nohur sefard, pasardhës i hebrenjve të dëbuar nga Spanja e të vendosur në Provansë të Francës, në Kalabri të Italisë dhe në Berat, Vlorë Ulqin të Shqipërisë, Tristan Tzara bëri një zbulim gati pikturik – rreshti i fundit i baladave të Fransua Vijoni qenkan të shifruara, aty poeti thotë të vërtetën për dertet e veta dhe krimet e veta, përpara Afërditës së Milos u mallëngjye edhe Hajneja hokatar, Stendali e ka quajtur pikturën e Xhotos të shemtuar, Xhotoja të kujton ikonat, madje dhe Mona Liza, gratë e Botiçelit nuk janë trashaluqe, faqekuqe si në tablotë veneciane nuk janë as kockë e lëkurë e tejet të amëshuara si te Memligu dhe te Van Ejku,, shkolla bolonjeze për 300 vjet ruajti kanonin e artit konvencional, eklektik, tabloja e Guernikës u bë përpara Hiroshimës, Pikasoja e ka profetizuar bombën dhe apokalipsin atomik, David Burluku me këmishën e verdhë futuriste recitonte poezinë “Burri me barrë” – kjo nuk është aq e pabesueshme se sa të poetizohej shkatërimisht “Mona Liza me barrë”, artistët vetëquhen çifutë, protestantë, katolikë, në fakt ata janë ateistë, Virchow: kam hapur në autopsi shumë kufoma po nuk kam parë ndonjë shpirt në to, po autopsia e çdo pikture është autopsi e shpirtit ka një qytete shpirtëror, bërë nga arkitektë dhe matematikanë shpirtërorë, shembete një kështjellë si letrat e bixhozit, Matisi – ngjyrën, Pikasoja – formën, dy udhërrëfyes të mëdhenj drejt një synimi të madh, Gëte: piktura duhet të kërkojë dhe të gjejë basin e saj të pandërprerë, kompozimi i ndërlikuar është kompozim simfonik, piktura që buron nga brenda sipërfaqeve është një formë primitive e mesmerizmit, edhe muzika mund ta shmangë shtrirjen në kohë, ndërsa piktura mund ta përdorë këtë shtrirje, një vepër muzikore jeton në kujtimin tonë edhe si një tablo, copat e një pikture të vetme mund të shihen veç e veç sipas “kontrapunktit pikturik”,, të mbartesh, apo të transportosh muzikë mbi pëlhurë është të shkruash mbi letër me flakë në duar, trekëndëshi mistik shihet qartë te kompozimi trekëndësh i Sezanit “Gratë që lahen”,, Merejkowski: mjeshtri i madh dhe i shumanshëm Leonardo Da Vinçi pati imagjinuar një sistem, apo më mirë një gamë lugësh të vogla për të marrë me to ngjyrat e ndryshme, kjo shpikje do të bënte mundësuar një hrmonizim mekanik, një nga nxënësit e Leonardos si u torturua më kot në dështime të shumta për të vënë në punë këtë mjet ndishmës, pyeti i dëshpëruar njerin nga shokët e tij, se si i përdorte vetë mjeshtri lugët e vogla, “mjeshtri nuk i përdor kurrë” qe përgjigjia e shokut, ngjyrat përdoren edhe si shkallë hierarkike, në artin bizantin aureolat janë të arta për perandorët dhe profetët dhe ngjyrë qielli për personazhet simbolike (pra për qeniet me ekzistencë tërësisht shpirtërore), Gëte: artisti është zot po edhe skllav i natyrës, pasioni i Leonardos për kuajt rishfaqet më vonë te Bajroni dhe Alfieri, kur Leonardo donte të pikturonte kokën e Meduzës grumbulloi filliisht gjithfarë gjarpërishnjsh dhe zvaranikësh, zhaba dhe bretkosa, i futi në një vatër i ngacmoi, i tërboi, i vuri në lëvizje ankthi dhe pasi i studioi lëvizjet e tyre pikturoi fytyrën nguronjëse të Meduzës.(1994)
MAKTHI I HISTORISE
Savonarola kërkonte një krishtërim platonik, jo aristotelian, Piza ishte Kartagjena e Savonarolës, objekt i anatemës së tij dhe ajo duhej të zhdukej, ai fliste me fraza të shkurtra pa përdorur mbiemra, i urrente kundrinat, po entuziazmi i tij i hatashëm shdërrohej në fund të fundit në fanatizëm dogmatik, fra Angjeliku në fillim imitoi Xhoton, më vonë bëhet vetvetja, pikturat morale të fra Angjelikut kanë bërë për njerëzimin më tepër nga ç’kanë bërë fjalimet gjëmimtare të Savonarolës, të cilat kumbuan po jo gjithmonë lanë gjurmë, kështu piktura e mundi fjalën, e fiksuara të lëvizshmen, fluturaken, ajrore, pse Leonardo vdiq në Francë dhe jo në Itali, pse Mona Liza ndodhet në Luvër dhe jo në Romë. ç’do të thotë të ngjizesh në Itali dhe të lindësh në Francë, e vërteta është në mes, historia është makthi nga i cili përpiqemi të zgjohemi e nuk po zgjohemi dot,, Xhojsi është Hamleti i shkrimit, po so i Mona Lizës, Leonardoja është babai i vetvetes është dhe gjyshi i tij i së shkuarës edhe famija që do ta kujtojë nga e ardhmja, nuk bëhet fjalë për flirt të Leonardos me Mona Lizën për shtatzëninë e kësaj të fundit dhe të lindjes diku në fshehtësi të një fëmije si një fëmijë jashtëtokësorësh, deri më sot të fshehur padukshmërisht ( 1995)
