Kryeministri Sali Berisha njoftoi sot se qeveria do shpërblejë për festat e fundvitit kategorinë e pensionistëve. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha tha se pensionistët do të marrin shpërblim 20 mijë lekë të vjetra.
“560 mijë pensionistë në vend do të marrin nga 20 mijë lek shpërblim. Siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre. Kjo vjen si nje kartoline me urimin me te perzemert per gezime, shendet dhe mbaresi”.
Kryeministri pohoi se 560 mijë pensionistët meritojnë më tepër.
“Shpreh mirënjohjen më të madhe nga qeveria, respekt, vlerësim për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie që sot është krejtësisht tjetër falë lumenjve të djersës së tyre dhe denoncoj publikisht mediat e kontrolluara nga opozita që dezinformuan në mënyrë të pandershme pensionistët, përgjysmuan dhe përdorën për qëllime dezinformuese deklaratat e ministrit të Financave dhe krijuan një shqetësim të pabazë tek kjo kategori”,- tha Berisha.
“Në fillim të 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë, sot është rritur me 110% dhe çdo vit opozita ka kërkuar të mos rriten pensionet, ka votuar kundër”,- tha ai.
Berisha ka ftuar opozitën të kërkojë ndjesë së pari për mosvotimin e kësaj rritjeje që parashikonte buxheti 2013.
“Dëshmi e një lloj shpirtkazmërie që vjen kryekëput nga interesi i ngushtë. Janë shumë të interesuar për votat dhe votojnë kundër rritjes së pensioneve dhe rrogave. Le të merren ata me çmimin e groshit, sigurisht që rritet, por qeveria rrit rrogat dhe pensionet minimumi dy herë më shumë se inflacioni. Kam mirëkuptim për thirrjet e FMN dhe BB, se qëllimin e kanë të mirë. Nuk mund të preket rritja e rrogave dhe pensioneve, plus që kemi zotim elektoral, që ne sa kohë të na votoni do rrisim rrogat dhe pensionet. Jemi të hapur se ne këtë nuk e kemi bërë vetëm në vitet elektorale, po është bërë çdo vit që nga 2006, në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve. Ftoj opozitën që nuk votoi për këtë rritje, që të kërkojë ndjesë publikisht, të mësojë se dhe ndjesa është dhuntia e njeriut të qytetëruar, të gabosh njerëzore, pasi vetëm në doktrinën e etërve ata nuk gabonin kurrë”,- tha Berisha.
Sipas tij, sot vendoset shpërblimi i punonjësve të administratës me shumën e përcaktuar nga financat.
Gjatë mbledhjes së qeverisë Berisha tha se, Shqipëria ka figura të shquara në shumë fusha, prandaj duhet bërë gjithçka që lidhjet e tyre me Shqipërinë të forcohen.
“Trajtimi i ekselencave duhet të fuqizohet. Sot ne kemi personalitete ndër më të shquarat në fushat e tyre, të cilët i bëjnë nder jo vetëm kombit shqiptar, por kombeve ku jetojnë e punojnë. Të bëjmë gjithçka që lidhjet e tyre me Shqipërinë dhe shqiptarët të jenë lidhje sa më prezente. Të bëjmë gjithçka që ata krahas kontributit të tyre në art, në shkencë, në muzikë në vendet ku jetojnë të kenë mundësi ta ekspozojnë këtë para shqiptarëve. Ata janë pjesë e krenarisë tonë shqiptare”, tha kryeministri më tej.
