Për një baltë, për një tokë…

Ornela

-Tregim në vargje-

A dini gjë për Picarin,
Në malet e Labërisë,
Që ka lindur burra shumë,
Për këngët e trimërisë?

Keni dëgjuar për Çelon,
Jo të dytin, po të parin,
Për atë plakun e bardhë,
Për atë Çelo Picarin…?

Ka rrojtur në ato vende,
Njëqind e ca vjet më parë,
E njihte e gjithë bota,
Sa të urtë, aq kordhëtar.

Përmbi kalin perçe bardhë,
Mal më mal porsi furtunë,
Më koburen grykëgjatë,
Sulltanit i hapi punë.

Sa herë i dërgoi Sulltani,
Letra plot me vula dylli,
Që me të të bënte paqe,
Po me Çelon s’ndizte ylli.

Po me Çelon s’ndizte ylli,
Që i ri e sa u plak,
Veshur me gunë të murrme,
Për vatanin mori gjak.

Porse Çelua i përgjigjej:
O Sulltan dot s’më kondis,
Dhe pa ty jam gjeneral,
Në çdo mal të Labërisë!…

Ai bëri bëma shumë,
Që i shkroi historia,
Por ne sot do të tregojmë,
Për njërën nga pleqëria.

Kur u plak e lodh shumë,
Kur për luftë s’ish më i pari,
U tërhoq në fshat të tija,
Kapedan Çelo Picari.

Tani sulltani i Turqisë,
Nipi i atij të parit,
Vendosi që ta përgjunjë,
Më në fund Çelo Picarin.

Kur mendonte këtë punë,
Gjumin e natës e prishi:
“Të marr hakun e babait,
Të marr hakun e gjyshit!…

Tani të shoh, tha sulltani,
Se sa i vlen trimëria,
Kur të vijë e të përgjunjet,
Para këmbëve të mia.”

Kapardisur mbi postiqe,
Me ca tespie floriri,
E urdhëroi shërbëtorin:
“Më thërrit këtu vezirin!

“Lepe o zoti Padishah,
Tha veziri- ja ku jam,
Pa dëgjo-i tha sulltani,
Pa dëgjo një plan që kam”.

Duke luajtur rëndë, rëndë,
Me rruazat e floririt,
Planin që kishte menduar,
Ia tregoi dhe vezirit.

“Të paçim, -i tha veziri,
Padishah i madh në botë,
Ta thërrasim në Stamboll,
Të të njoh ty për Zot.

Të betohet për gjith’ tokën,
Që mbulon gjysma e Hënës,
Kur t’i dridhet Çelos mjekra,
Ne pastaj ia marrim këngës.

Të vijë qafiri të falet,
Për të gjitha ç’ka punuar,
Tani që s’i bën më dora,
Të na thotë se është penduar.

Ti si zemërmadh që je.
Që fare ta turpërosh,
Kur ta shohësh nën këmbë,
Hidhi një grosh për lëmoshë!…

“S’kisha menduar kaq hollë,
Të më rrosh, more vezir,
Lëmosha që do t’i hedh.
Është vdekja më e mirë.

Nxito se nuk më durohet,
Bëje gati një ferman,
Ta marrë vesh Çelo firari,
Jam apo nuk jam Sulltan!…

Dhe u nisëm vetëtimë,
Tre asqerë nga të Sulltanit,
Që t’i çonin në Picar,
Ferman, Çelo Kapedanin.

Firmosur nga vetë Sulltani,
Në Picar erdhi fermani,
Ferman për Çelo Picarin,
Flokëbardhin, kordhëtarin.

Pyeti Çelua furtunë:
“Ç’kërkon sulltani nga unë?…

“Të betohesh kapedan,
Dhe ta njohësh për vend të ti’,
Ç’shkel me këmbë e ç’sheh me sy.
Flamurin me gjysmë hënë,
Ta kesh babë, e ta kesh nënë.

Për këtë të jep sulltani,
Grada dhe peshqeshe boll,
Pastaj shkojë pleqërinë,
Ja këtu, ja në Stamboll!…

Fermanin mori në dorë,
E lexoi gjatë e me nge,
Në çdo rresht e në çdo germë,
E kuptoi që kishte hile.

Mblodhi plaka në kuvend,
Dymbëdhjetë burra me mend,
Gjithë të sprovuar e trima,
Gjithë pallë vetëtima.

Poshtë kur zbritën nëpër brinja,
Ngjitej balta në opinga,
Balta e kuqe, baltë vendi,
Në opingë-pluhur argjendi.

Çelua mbushi edhe një qeskë,
Nga ajo baltë flori,
E puthi dy a tri herë,
Dhe e futi thellë në gji,
-Po ç’e do i tha një djalë?
Vemi larg e më vjen mall!…

U ndez kënga nëpër muzgje:
“të keqen moj, baltë e kuqe!…”

Nxitonte karvani,
Për në dhe’ të huaj,
Trembëdhjetë male,
Hipur përmbi kuaj.

Fjalë pas fjale mori dhenë,
Se Çelua do bënte benë,
Larg tokës e vatanit,
Ndanë këmbët e Sulltanit.

Çelo mali-karakoll,
Do përgjunjej në Stamboll,
Në mill do ta ndryshkte shpatën,
Ai që u kallte datën!

Arben Duka

Vijon nesër

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *