Përse më është kujtuar Xhavit Hoxha?

Ornela

Nga Bedri Islami

Nga ajo që po ndodh në Kosovë.

Presidenti i saj thërret tri herë në takim fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Në tri herët merr tri përgjigje mohuese, “nuk jam në Prishtinë”, “kam punë të tjera”, “do të vij një herë tjetër”.

Duket si një lojë fëmijësh, por nuk është kaq e thjeshtë.

Edhe presidenti dhe shefi i ardhshëm i qeverisë, kanë kabinetet e tyre, njerëz të ditur dhe servilë të hatashëm, protokollarë dhe sekretarë dhe gjithçka mund të zgjidhej përmes tyre. Ndërlidhjet institucionale nuk bëhen përmes rrjeteve sociale.

Pak më pas, shefi i ardhshëm i qeverisë i çon haber presidentit, do të vij mw 6 janar.

Presidenti publikon orën dhe shton diçka nga vetja. Tek ajo shtesa nga vetja është inati i fshehur.

Takohen, shkurt, nuk kanë kohë as për një kafe, askush nuk e di përse u takuan, mandatari i ardhshëm deklaron se është një takim rutinë, presidenti, përsëri përmes rrjeteve sociale, i përgjigjet se ke afat 48 orë, për të sjellë emrin e mandatarit. Në cilin ligj e gjen presidenti këtë afat kohor, askush nuk e di; as këshilltarët e tij që i rrinë rrotull.

Shkojnë 48 orë. Askush nuk ka pritur që në 48 orë të ketë një emër mandatari. As vetë presidenti nuk e ka pritur. As shefi i ardhshëm i qeverisë nuk ka menduar se do ia dërgojë.

Në fund, pas 48 orëve, vjen haberi tjetër: do ta sjellim në ditët e ardhshme, nuk ka datë fikse, do ta sjellim përmes postës, dhe do të presim mandatimin po përmes postës. Sikur të jetë fjala për një emërim bakalli e jo për njeriun në postin më të rëndësishëm të Kosovës: zemërimi mes tyre vazhdon.

Kosova ka 6 muaj që e di se cili do të jetë shefi i ardhshëm i qeverisë: VV nuk e di ende? E di, pak ditë më parë Kurti ka thënë se qeveria e tij varet nga LDK-ja e jo nga presidenti. LDK e Mustafës ka hesapet e saj.

Lojë force apo dëshirë mos qeverisje?

Kosova nuk është as e Hashim Thaçit e as e Albin Kurtit! Aq më pak e Isa Mustafës! Ata, të dy, në daç të flasin me njëri tjetrin, e, po të duan të mos flasin kurrë , por Kosova nuk mund të mbahet peng.

Presidenti dhe shefi i ardhshëm i qeverisë nuk do të takohen më. Mandatimi do të bëhet përmes postës.

Tani pritet përgjigja e shefit të presidencës. E çfarë rëndësie ka?

Dhe më është kujtuar Xhavit Hoxha.

Xhavit Hoxha ishte një ndër figurat më fisnike që kam njohur në të gjithë jetën time. I mënçur si pak kush, fjalë urtë dhe njeri i ndershëm, atdhetar dhe i vendosur, profesor i shquar, i burgosur politik, mik i madh dhe mikëpritës si pak kush; askush nuk u nda prej tij pa mësuar diçka të mirë dhe të dashur. Kur i vëllai, Heroi i Kosovës, Edmond Hoxha, lideri i studentëve, u vra në 31 janar 1997, nuk i pikoi loti, por i buroi fjala e mirë.

Një herë, pas luftës, në një qëndrim në shtëpinë e tij, duke parë se çka ndodhte në Kosovë, na pat thënë:

-More, këto nuk janë të zot me drejtues as terminalin e autobusëve në Prishtinë, e jo një qeveri!!!

I pata kundërshtuar, e sot, ndërsa më kujtohet kjo thënie, e di mirë se unë isha i gabuari.

Eh, Xhavit Hoxha, mik i madh, shkove para kohe , bashkë me Jashar Salihun, dy burra të mëdhenj e të urtë!

Share This Article
2 Comments
  • Edhe ne Shqiperi,por edhe ne Kosove sundimtare kane qene dhe vazhdojne te jene njerez,qe nuk kane hallet e popullit,por te padroneve qe i hapin rrugen per te bere keto veprime te mbrapshta idiote!
    Shahet me turli fjalesh presidenti nga kryeministri,por edhe ai i kthehet po ashtu!
    Ku ka bere vaki ne bote,nje sjellje e tille adoleshentesh pa edukate,pa dinjitet?
    Dhe populli shqiptar,si andej e kendej kufirit,shikon keta uzurpatore te medhenj,qe e quajne veten pronaret e popullit e jo sherbetore te tij!
    Dhe kane te drejte serbet,qe thone se “shqiptaret nuk dine te bejne shtet”!
    Ne Shqiperi e kane realizuar endrren e tyre plotesisht me Edi Ramen,sa qe me Minishengenin,arrijne te ringjallin “Jugosllavine” e re!

  • Z. Bedri!
    Si njohes i rrethanave ne Kosove, nuk duhet te biesh aq poshte, sepse, ne fund te fundit edhe ti ke qene pjese e “luftes” se tyre! Po, per çka u be lufta, a di te thuash dhe t’ja sqarosh ketij populli? Pse u shkel Betimi i UÇK? Po a e di ti z. Bedri se UDB ‘shqiptare’ ka qene pjese e te gjitha partive “shqiptare’ dhe ‘Levizjeve’ ne Kosove, e edhe e ‘UÇK’, madje edhe UDB e te ‘burgosurve politike shqiptare’. Ty dhe Tiranes shqiptare nuk u falet gjithçka mendoni e thoni per shqiptaret dhe Kosoven e Shqiperise. A e di se cilet jane ‘shqiptaret’ qe ti ke bashkepunuar me ta dhe a e di Tirana me cilet ‘shqiptare’ po bashkepunon e po bashkevepron sot?… Per turp e!

    DRENICA E KUQE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *