Zbret në terren aksioni për kontrollin e subjekteve që tregtojnë produktet e mishit. Kundrejt alarmit të ngritur për mungesën totale të kushteve të higjienës, task-forca e ngritur pak ditë më parë ka ndëshkuar me gjobë dhjetëra subjekte të kontrolluara gjatë ditës së parë të kasionit. Konkretisht sa i takon bilancit të ditës së parë rreth 28 subjekte të kontrolluara janë gjendur me shkelje. “Në kuadrin e task-forcës kombëtare që ka nisur punën për të vendosur standardet higjienike dhe ligjore të tregtimit të mishit dhe kafshëve të gjalla në Tiranë dhe në gjithë vendin, janë inspektuar gjithsej 28 subjekte. Si rezultat: u bllokua aktiviteti në 25 subjekte (7 subjekte pa lejen e QKR-së, 18 subjekte për mungesë të kushteve të higjienës, 6 subjekte u gjobitën në masën 400 mijë lekë, u konfiskuan produkte të pasigurta në masën 153 kg, u konfiskuan vegla dhe pajisje në 4 subjekte, 24 subjekte u gjetën të vetëmbyllura pas paralajmërimeve të vazhdueshme të bëra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”, citohet zyrtarisht në bilancin e ndëshkimeve të vendosura gjatë ditës së parë të aksioni. Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë sigurojnë qytetarët se aksioni për këtë çështje do të vazhdojë çdo ditë deri në zbatimin e plotë të ligjit në gjithë territorin e vendit. Tregjet kryesore në kryeqytetet kanë qenë pikënisja e parë e aksioneve. Zëvendësministri i Bujqësisë Alban Zusi u shpreh se inspektimet nuk do të ndalen deri sa konsumatorit t’i tregohen produkte të sigurta, ndërkohë që bizneset duhet të respektojnë ligjin dhe kriteret e vendosura. Sipas tij, :“Nuk mund të pranojmë që mishi që ne konsumojmë të mos kontrollohet nga veterinerët para dhe mbas therjes. Ne nuk mund t’ia lëmë sigurinë tonë ushqimore një kasapi, i cili di vetëm të përdori thikën dhe nuk njeh asnjë sëmundje nuk di çfarë bëhet me mish të painfektuar”. Për tregun “Avni Rustemi”, që është pjesë e territorit të njësisë bashkiake numër 2 është rënë dakord që brenda një muaji e gjysmë të ndërtohet një markatë me kushte moderne për të gjithë tregtarët e produkteve të mishit.
