Burimet iraniane citojnë se eksperti iranian i energjisë atomike, Mohsen Fakhrizadeh, i rikthehet punës mbi zhvillimet atomike në Iran
Pak javë më parë, disa media ndërkombëtare si portali “First Post” dhe revista persiane “Bamdadkhabar” shkruanin se shkencëtari iranian që konsiderohet si koka e energjisë atomike në Teheran, i ishte rikthyer punës. Sipas mediave, janë pikërisht burimet e brendshme ato që zbulojnë informacione të ndjeshme mbi programin bërthamor.
Mohsen Fakhrizadeh, lideri i programit bërthamor të Iranit, i krahasuar shpesh me Robert Openheimer, fizikantin amerikan që në vitin 1940 mbikëqyri përpjekjet (që rezultuan të dështuara) për të ndërtuar një bombë atomike, nxiti Iranin drejt erës bërthamore në dy dhjetëvjeçarët e fundit.
Fakhrizadeh u ankua në vitin 2006 se pasuria e tij dhe puna e bërë për energjinë bërthamore ishte ngrirë nga qeveria e Iranit. Në vitin 2009, Fakhrizadeh u emërua kryetar i universitetit “Malek Asthar” në Teheran nga ministri i Mbrojtjes i asaj periudhe, Mostafa Mohamad Najar, për të kamufluar rolin e tij në kërkimet bërthamore.
Por mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, beson se zoti Fakhrizadeh ka hapur një strukturë kërkimore në rrethinat veriore të Teheranit, për të studiuar zhvillimin e kapaciteteve bërthamore. Zyra përfshin disa shkencëtarë, si dhe stafin ushtarak të përfshirë në kërkimet e mëparshme bërthamore të Iranit.
Kolegët më të afërt të Fakhrizadehut janë ngritur në pozitë në radhët e burokracisë iraniane gjatë muajve të fundit, për të qenë në pozita të tilla që të ndikojnë në të ardhmen e programit bërthamor të Iranit. Mes tyre është zv.presidenti Ferejdoun Adasi Davani, që kryeson Organizatën Atomike të Iranit.
Sipas një videoje të publikuar në “First Post”, në kohën kur Davani u bë fytyra publike e ambicieve bërthamore të Iranit, Moshen Fakhrizadeh vendosi të kalonte në hije, por duke punuar pranë strukturave të SPND-së në Teheran.
Në qendrën e IAEA mendohet se Fakhrizadeh operon prej 51 vitesh. IAEA beson se Fakhrizadeh hapi në vitin 2011 në mënyrë sekrete institucionin SPND, që do të thotë “Organizata për Inovacionin e Kërkimeve të Mbrojtjes” dhe se elementët e tij ishin shpërbërë në vitin 2003, por mund të jenë ende pjesëmarrës në këtë organizatë në veshje civile.
Siç shprehet Hamid Reza Zakeri, Fakhrizadeh ndërmori një mori hapash për të mbuluar programin e tij sekret bërthamor, por kolegët e tij ishin të ekspozuar në mënyrë të rrezikshme. Disa prej tyre u vranë pasi kundërshtuan thelbin e programit bërthamor të quajtur “Plani Neutron”, që parashihte ndërtimin e një bombe atomike nëpërmjet shpërthimit të brendshëm.
Duke iu referuar një prej detajeve më të dobishme në listën “për përdorim vetëm zyrtar”, në raportin IAEA-s të 2011-s shkruhej se SPND-ja është baza më e fundit për Fakhrizadehun dhe prej kohësh ajo është vënë nën radarët e Perëndimit. “IAEA” po gjurmon punën e tij prej afro dy dekadash. Ai dhe përpjekjet e strukturave kërkimore bërthamore kanë lëvizur nëpër një sërë organizatash gjatë viteve.
“Inspektorët e IAEA-s kanë dështuar vazhdimisht në përpjekjet për të intervistuar Fakhrizadehun”, thonë ish-pjesëtarët dhe ata aktualët të stafit të IAEA-s.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi në 2007-n ndalimin e udhëtimeve të Fakhrizadehut, si dhe disa sanksione financiare mbi punën e tij, dhe sanksione të ngjashme kundër Davanit për shkak të lidhjeve të tij me Fakhrizadehun. Sipas një videoje “vëmendja po përqendrohet mbi Mohsen Fakhrizadeh si kurrë më parë. Presion ky i ardhur nga stafi i tij i trembur dhe i zhgënjyer që nga vdekja e Masud Alimohamadit dhe Majid Shahriarit, dy shkencëtarëve më të rëndësishëm iranianë mbi programin bërthamor, gjithashtu edhe nga rivalët e tij, për të marrë titullin “babai i bombës iraniane”.
