EKSKLUZIVE / Presidenca e OSBE-së, shtetet hallexhinj mblidhen kapicë para zyrave të Edit

redaktor

TIRANË / VJENË / SEBASTOPOL – Sapo u erdhi lajmi se Shqipëria ka marrë Presidencën e rradhës së OSBE-së dhe vetë Edi KM-ja do vihej në krye të punëve, një tufë shtetesh e rajonesh pocaqi u vunë në rradhë, në të gjitha dyert prapa të cilave mendonin se gjendej kryeministri shqiptar.

Gojët e Liga mësojnë se qoftë vendet vërtet problematike, qoftë ato që kanë ndonjë hall të vogël dhe ankohen kot, pasi vuajnë nga hipokondria kombëtare, kanë çuar kryeministrat, presidentët ose zyrtarë të tjerë të lartë për të prenotuar sa më shpejt një takim me Edi KM-në.

“Ajo që dimë nga historia, është se zoti Edi të jep zgjidhje në çast, vëlla,”  -deklaroi i përlotur presidenti i Osetisë së Jugut, Anatoli Bibilov, “unë kam parë me dhjetra video ku Timonieri shkon mes popullit, dëgjon ankesat, i thotë filan drejtori, ‘pa çohu nashi, si është kjo punë, pse s’e ke bërë dokumentin? E dua të firmosur për gjysmë ore, ndryshë të çova në Gulag’. Dhe drejtori si pulë e lagur mbaron punë në sekondë ndërsa qytetarët duartrokasin. Ky është udhëheqës, vallahi!”

I emocionuar ishte dhe kryeministri i Krimesë Juri Gocaniuk, që e gjetëm përpara hyrjes kryesore të selisë së OSBE-së në Vjenë.

“Unë sapo erdha,” tha krimeasi i shkretë, “kisha dërguar më herët vëllanë që të zinte rradhën. Ne si popull kemi shumë besim te Edi. Ne duam që ai të vërë rregull dhe të bëjë drejtësi. Më në fund, të shohë edhe Krimea një ditë të bardhë”.

Dhe Gocaniuk u drejtua nga kamera duke bërtitur: “Edi, jemi me ty!”

Ndërsa kryeministri i Transnjistrias Oleksandr Martinov, dy herë fitues i Urdhrit të Leninit, pohoi se atë e kishte pajisur me mandat të posaçëm organizata-bazë e kolektivit të kryeministrisë.

“Më thanë, shko takoje shokun Edi, lutu të dërgojë një emisar të posaçëm që ta studiojë çështjen tonë në terren. Nëse nuk mundet tani për tani, të paktën të na japë një pikturë të tijën post-hiper-surrealo-kubiste. Ja blejmë me pare në dorë, sa të bëjë,” tha transnjistriani duke nxjerrë nga gjoksi një qeskë lëkure me monedha të epokës së Hordhisë së Artë.

Siç konstatuan Gojët e Liga, rradhë të ngjashme janë shënuar edhe pranë zyrës së dikurshme të shefit të madh të OSBE-së në fshatin e lindjes, Tiranë, që tani shërben edhe si biçim muzeu për të kujtuar rrënjët e udhëheqësit të madh.

Pikërisht sallën kryeministrore ku janë ekspozuar disa nga punimet e OSBE-bashit, e vizitoi së fundmi edhe kryetari i parlamentit të Taxhikistanit, Mahmud-said Ubajdullajev. Politikani taxhik pohoi se realisht, nuk kishte ndonjë hall për të zgjidhur pasi popullsia e vendit të tij ishte 90% nomade dhe ndiqte bagëtitë dimër-verë.

“Thjesht, doja t’i kujtoja zotit Edi se kemi qenë edhe ne si vend në krye të OSBE-së ca vite më parë,” tha Ubajdullajevi, “tani jam plak, por mbaj mend se në morinë e problematikave që patëm, nuk arritëm të bëjmë diçka për një vend të vogël, Kosovë më duket se quhet. Mbase kujtohet Shkëlqesia e tij dhe bën diçka…”

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-diplomatike      

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *