Aksidentoi deputetin Edmond Spaho, arrestohet shoferi i “Q7”-ës

anazapta

Nënkryetari i Parlamentit, Edmond Spaho, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, deklaroi dje nga Spitali Ushtarak i Tiranës, se e kishte kaluar rrezikun dhe se do i nënshtrohej një operacioni për frakturën në këmbë pas aksidentit të pasdites së premte në tunelin e rrugës kombëtare Elbasan-Tiranë. Ndërkohë që policia e Elbasanit njoftoi se pas disa orësh shoqërimi, arrestoi shoferin e fuoristradës luksoze, Dorjan Kristo, për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit”. Jashtë rrezikut është edhe shoferi i deputetit të qarkut të Korçës, ndërsa mjeti i Kuvendit, tip “Benz” me targa zyrtare, mori dëmtime të rënda.

 

Deputeti

“Nuk jam rëndë, kam vetëm një frakturë në këmbë”. Kështu ka bërë të ditur pas aksidentit që ka pësuar dy ditë më parë në Elbasan, deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetar i Parlamentit, Edmond Spaho. Gjithashtu ligjvënësi pohoi se mjekët e kanë vënë ne dijeni se është e nevojshme kryerja e një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë dhe pas kësaj do të dalë nga spitali. Bluzat e bardha konfirmuan gjithashtu se pas mbikëqyrjes 24 orëshe në Reanimacionin e spitalit, pasi deputeti kishte pësuar edhe tronditje në pjesën e kokës, e ka kaluar rrezikun. Por nuk njoftohet me saktësi koha gjatë të cilës ai do qëndrojë në spital.

Policia

Policia e Elbasanit njoftoi se ka shoqëruar mbrëmjen e së premtes drejtuesin Dorjan Kristo, i cili drejtonte “Audin Q7”, me targa AA280CD në momentin që u përplas me automjetin e deputetit Spaho, i cili drejtohej nga shoferi i tij. Kristo u gjet i dyshuar për thyerje të rregullave të qarkullimit për shkak të shpejtësisë së madhe dhe pakujdesisë, ndërsa rrethanat janë ende nën hetim. Ndërkohë që mëngjesin e djeshëm, grupi hetimor ka vendosur të ndalojë shoferin e dyshuar dhe ngriti akuzë ndaj tij, duke ia kaluar dosjen prokurorisë vendore. Aksidenti ndodhi rreth orës 16:25, kur nga përplasja pati dy të plagosur. Lëndime mori edhe Kristo, ndërsa deputeti udhëtonte me mjetin “Benz”, me targa zyrtare TR044Z.  “Ndalimi i 23-vjeçarit Dorian Kristo, u bë me akuzën e ‘shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor’, pasi humbi në shpejtësi kontrollin e mjetit afër tunelit dhe hetimet vazhdojnë”, tha policia e Elbasanit.

 

Share This Article
8 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *