“Xhevdeti iku, tani kemi Çukurin”

J L

Nga Ilir Levonja

Nga dje nuk është më mes nesh një nga yjet e kinemasë shqiptare, Xhevdet Ferri. Çfarë nuk u tha, çfarë nuk u shkruajt. Ai zakoni jonë me bulëri kolektive, pikëllim, rrëfime, postulate…, teknikën e emrit të shkurtër atë që zakonisht kanë vulën e përhershme të të thirrurit veç miqtë e ngushtë.

Çfarë nuk shkruajti  presidenti, kryeministri, ishët, shefi i opozitës. Bosët e mediave, të industrisë, të dikastereve etj. Çfarë nuk thanë zogat e kronikave me mikrofonin në gojë, vdiq, vdiq, vdiq, po e varrosin, e varrosën, po përcillet për në varrezë.

E kemi tmerrësisht të vështirë të themi ndërroi jetë, po ikën në amëshim, po e përcjellin për në banesën e fundit etj., por vdiq, po e varrosin. Kjo është kultura e komunikimit tek ne, nuk ke çfarë i bën. Jemi dorëzuar krejt. Nuk ngeli këmbë robi pa u qaravitur aq sa me të drejtë duket e ditur këtë farsë kolektive, i ndjeri e la me amane që asnjë lloj ceremonie të mos i bëhej.

Më kujtohet se e bëri një gjë të tillë edhe i madhi Fatos Sela, në mos gaboj ishte dimri i vitit 2013-të. Por ne nuk vëmë mend, asesi.

Nuk lanë gurë pa lujtur televizionet me kronika e intervista, me kujtime, por sikur njëri prej tyre të transmetonte dy filma ku luan Xhevdeti. Sikur një televizion kombëtar a shtetëror të transmetonte një film ku ai bën pjesë. Paralel vlonin kronikat me varrosje, këtej të çante Kuzguni, Familja e madhe, Lotë në Detin e zi a ku di unë. Gjëkundi se e shikoje Xhevdetin, herë si Trimi, herë si Gori Koroshi, Sako apo kush tjetër?! Se i ka me shumicë karakteret. Ai është një pasuri kombëtare?

Absolutisht po, sidomos për vendin tonë që i zë fill aty tek dera e shekullit të kaluar shkolla e kinematografisë. Por të ashtuquajturit ekrane kombëtare kanë më shumë kohë e hapësira kohe për studiot e idiotëve që thonë punë e madhe se po zbrazet Shqipëria, po vinë plot sirianë, plot irakenë. Hajvanët që kanë rënë në dashuri me Palestinën a konfliktin Palestinë Izrael, hajvanët që i hakërrohen Trumpit përse vrau një terrorist iranian.

Nuk kishin pak hapësirë të transmetonin përshembull filmin “Përrallë nga e kaluara”. Kanë alergji nga kinematografia jonë, megjithëse shqyhen bulçish për të ngritur Xhevdetin në qiell. Por nuk e kanë aspak kohën të ritransmetojnë dy a tri filma ku luan.

Kemi alergji, madje a mund ta shfarosim çfarë prodhuam nga pas lufta e këtej se, është demode të shohësh një film shqiptar.

A mund t’i shembim sa më parë teatrot ku ata lujtën, kinematë etj., çfarë na hynë punë. Kemi Diamante dhe dashuri nga Turqia, kemi Çukurin, Luginën e Ujqërve, kujt i duhet se çfarë krijoi Xhevdeti.

Dhe a e dini përse? Sepse tek ne, ata që bëjnë politikën e bëjnë për vete, jo për vendin. Ata që bëjnë televizionet i bëjnë për vete, jo për publikun dhe vendin.

Ata që bëjnë artin e bëjnë për vete, jo për artin. Ata që a japin mësim, e bëjnë për vete jo për të arsimuar brezat. Ata që bëjnë tregtinë a biznesin, e bëjnë për vete jo për ekonominë.

Ata që ndërtojnë, ndërtojnë për vete jo për njerëzit. Ata që shërojnë, e bëjnë për vete, jo për njerëzit. Ata që predikojnë e bëjnë për vete dhe arkat e objekteve të kultit jo për besimtarët. Njëzetë e katër orë folën për Xhevdetin, por një film nuk e transmetuan. Kur ndërroi jetë Alberto Sordi (shkurt 2003) kanalet italiane u shqyen me filmat e djalit nga lagja Trastevere Romë.

Ne në Shqipëri kemi postulatin, pse me filmat e komunizmit do merremi. Megjithatë asaj rruge erdhën ata, erdhi edhe Xhevdeti. Një aset që do ta kish zili edhe Hollywoodi.

Por të tillë jemi ne, zhurmëtar ndaj edhe sot qetësia na mbyt me harresë.

j.l./ dita

Share This Article
6 Comments
  • Shume i drejte shkrimi. Po eshte shoqeria e cengive sot. E mbani mend Koncert ne Vitin 1936 ku kendonin cengiet.
    ” T me marsh te keqen
    Ti mu befsh kurban
    Se me burrin isha
    Dhe me burrin jam”
    Ja, ketu ka arritu prape niveli mendor i
    ” nteligjences” shqiptare, i artit dhe kultures “moderne”

  • Plejada mes së cilës u formua i rralli arist sa kuadër , Xhevdt Ferri,ka PERJETËSINË e pa përsëritëshme. Mes Tyrë Ai- VËNË VULËN e asaj përjetësie.
    Mësues-* Pasuesi Veteran*..83 vjecar
    Guri Naimit D,(Dh Xh)

  • Pse Çukuri na e ka fajin se pranojmë ti themi derrit dajo dhe nuk ndërtojmë dot asnjë gjë të hajrit, edhe ne kinematografi, si në çdo fushë tjetër??!!

  • Té lumté pena!
    Shumé bukur e ke skalitur kété shkrim-reagim:
    Me pené, si me dalté çeliku!
    I ke çaré borgjeziné reaksionare e cila artuäistét e médhenj :i vajton” me cinizém, i loton me lot krokodili.
    Duke mos i paraqitur veprat e artistéve i hedhé ne pluhurin e harresés, faktikisht né emér té demokracisé, shkelé me te dy kémbét mé vlerat e mendimkt ndryshe!
    Veprat e artit socialisr ishin dhe jané vlera té médha kombétare te pazévrndésueshme!
    Lavdi artistéve kolosé té eookés sé ndritur enveriane!

  • E mora vesh me vonese, kur u ktheva ne Shqiperi, se ishte ndare nga jeta ylli i kinematografise shqiptare, Xhevdet Feri! Perkulem me nderim e respekt ndaj jetes e kontributit te shquar te tj si aktor i talentuar i karaktereve te forta, qe i transmetonte spektatorit shqiptar mesazhe me permasa filozofike, qe ta duan atdheun e popullin e tij, ta duan familjen, ta duan punen, qe kane te bejne me lirine e demokracine e vertete dhe me bashkimin e progresin e kombit shqiptare
    . Ngushelloj familjen e tij te nderuar, bashkepunetoret e tij si aktore e skenografe dhe regjizore, si dhe gjithe publikun shqiptare per humbjen e parakoheshme te te ndierit aktorit te madh shqiptare me permasa europiane, Xhevdet Feri! U mprehte ne paqe!
    Tefta Cami-Cani-ish-ministre e Arsimit dhe Kultures

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *