1
M’u shfaqe ti si një kometë,
Si dritë meteori,
Në zemrën time ra tërmet,
Tërmet, e dashur Fjori.
M’u tretën brengat porsi vesë,
Më ndriti kraharori,
Se rroje ti, nuk kisha shpresë,
Aspak, e dashur Fjori.
Kaq vite vallë ku kishe qenë,
Ç’furtunë tek unë të nxori,
Se ti venit, dhe yll dhe hënë,
Venit, e dashur Fjori.
2
E keqja e pafund,
Poetin e lodh shumë,
Nga llumi njerëzor,
Poeti nuk fle gjumë.
Poeti ka nevojë,
Të puth sy të zinj,
Të thith buzë zanash,
Të struket nëpër gjinj.
Të jetë i lirë si era,
Si një Delfin në dete,
Se për të tjerët rron,
Kur s’rron për vete.
Të tretet, të harrohet,
Poeti ka nevojë,
Poeti nuk gjykohet,
Se ndryshe s’mund të rrojë.
Për jetën veten treti,
Shumë pak prej jetës mori,
Ndaj ty të do poeti,
Kaq shumë, e dashur Fjori.
3
Nga ty, një ëndërr m’u bë jeta,
Moj Fjori, ti më çmende,
Dhe një mijë yje mbi spaleta,
I hedh nën këmbën tënde.
4
Kjo ishte fantazi e ndritur,
Që mendjen krejt ma mori,
Ende në shpirt s’më ka trokitur,
Jo bukuroshja, Fjori.
Po unë si gjahtar i vjetër,
Pa reshtur rri në pritë,
I bindur se ajo patjetër,
Do të shfaqet ndonjë ditë.
A.DUKA
